Sërish, dhe si zakonisht, po dëgjoj disa sure nga Kurani, në të cilat gjej shumë madhështi dhe urtësi, ashtu si në motrat e tyre nga suret e Kuranit. Mirëpo një ajet më ndali dhe më bëri të reflektoj, ashtu siç më ndodh shpesh në këtë zakon që e dua shumë: “Ne i dhamë Lukmanit urtësinë: “Falënderoje Allahun!” Kush falënderon, falënderon vetëm për dobinë e vet, e kush mohon, s’ka dyshim se Allahu është i Vetëmjaftueshëm dhe i Lavdëruar.”[1]
Gjëja e parë që më ndali te ky ajet ishte fjala urtësi, sepse është një cilësi që gjithmonë kam dëshiruar ta zotëroj. Arsyeja për këtë është se gjithnjë kam reflektuar thellë mbi thelbin e çështjeve. Megjithatë, e kam pasur edhe si dilemë kuptimin e fjalës urtësi; e kam parë atë tek shumë njerëz, derisa më në fund u pajtova me idenë se do ta kuptoja vërtet kur të arrija një pjekuri të caktuar. Personaliteti i Lukmanit është një nga figurat që më mahnit më së shumti, pikërisht për shkak të lidhjes së tij me urtësinë.
Duke iu rikthyer arsyes pse ky ajet më ndali, arsyeja e dytë ishte lidhja e urtësisë me falënderimin. Meqë nuk guxova ta interpretoja ajetin vetë apo t’i jepja shpjegim nga mendja ime, u drejtova për të kërkuar shpjegimin e tij në tefsir.
Në lidhje me shpjegimin e fjalës urtësi, transmetohet nga Muxhahidi për fjalën e Allahut: “Ne i dhamë Lukmanit urtësinë”, se ajo do të thotë: kuptim i thellë fetar, mendje e shëndoshë dhe me goditur në fjalë, pa qenë profet. Kuptimi i “pa qenë profet” është se ai nuk ishte profet që i shpallej, por ishte një rob i urtë, me kuptim të thellë dhe mendje të pjekur.
Ky është përkufizimi i saj në kuadër të ajetit. Sa i përket shpjegimit të saj në mënyrë të përgjithshme, rrënja e fjalës arabe e përbërë nga tre shkronja (ha, kef; mim) tregon ndalim dhe pengim; dhe ajo u quajt urtësi sepse pengon nga injoranca dhe nga veset e këqija të moralit. Ndërsa në Lisan el-‘Arab, urtësia përkufizohet si: njohja e gjërave më të mira përmes diturive më të mira.
Ibn Kethiri ka thënë: Urtësia është kuptimi i thellë, dija dhe aftësia e shprehjes. Dhe lidhur me fjalën e Allahut të Lartësuar: ”Ai i jep urtësinë kujt të dojë; e kujt i është dhënë urtësia, atij i është dhënë një e mirë e madhe”, ai transmeton nga Ibn Abasi, se kuptimi është: njohja e Kuranit – njohja e abroguesit dhe të abroguarit, të qartës dhe të paqartës, të përparshmes dhe të vonshmes, të lejuarës dhe të ndaluarës, si dhe e shembujve të tij.”
Sa i përket shpjegimit të hollësishëm të lidhjes mes urtësisë dhe falënderimit në ajet, atëherë urtësia e përfshin domosdoshmërisht falënderimin, ndërsa falënderimi është përsosmëria e saj. Dobitë e falënderimit kthehen te vetë falënderuesi; sepse Allahu është i Vetëmjaftueshëm ndaj krijesave të Tij: falënderimi i robit nuk ia shton Atij mbretërinë, as mohimi nuk ia pakëson atë. Mirëpo, falënderuesi e meriton shpërblimin, ndërsa mohuesi e meriton ndëshkimin; dhe kjo është vetë thelbi i urtësisë.
Duke marrë shembull Lukmanin e urtë, falënderimi i Allahut është rruga drejt urtësisë së kësaj bote dhe të Ahiretit. Meqë shpjegimi zgjatet aqsa zgjatet edhe meditimi, gjëja e fundit që shtoj është se: urtësia është nxitësi, ndërsa falënderimi është përgjigjja. Urtësia është një mendje që i dallon dhuntitë, ndërsa falënderimi është gjuha dhe gjymtyrët që i pranojnë ato. Prandaj, njeriu nuk mund të jetë i urtë, nëse është mohues i mirësive.
Dhe në përfundim, gjëja e parë për të cilën e falënderojmë Allahun është Libri i Tij, të cilin e ka zbritur si udhëzim, dritë dhe këshillë; dhe i lutemi Allahut për dritën e shikimit të brendshëm dhe për urtësi.
Burimi: Aljazeera.net
Përktheu: Elton Harxhi
[1] – Sure Lukman: 12.



















