Besimi në Islam është një ndër sistemet më të qarta dhe të strukturura në botë. Ai dallon nga besimet e tjera për qartësinë e tij, harmoninë me natyrën njerëzore, argumentimin logjik mbi ekzistencën e Zotit, dhe rolin e njeriut në këtë botë. Islami nuk kërkon besim të verbër, por nxit reflektimin dhe kërkimin e dijes. Këto veçori e bëjnë Islamin një fe të pandryshueshme e të mesme, e cila shmang ekstremet dhe që ju përgjigjet nevojave shpirtërore dhe atyre intelektuale.
Nje nga veçoritë e besimit në Islam është qartësia dhe thjeshtësia. Fjala e Zotit (Kurani) është aq madhështore dhe aq unike saqë mund të kuptohet nga kushdo, duke ju përshtatur çdo kapaciteti mendor. Ka individë që ju mjafton vetëm fjala: La ilahe il Allah dhe zemra e tyre bindet, por ka të tjerë që kërkojnë argumente shkencore. Falenderimet i takojnë Allahut që fjalën e Tij e ka sjellë në atë formë, që të mund të bindë një fëmijë të vogël, por edhe një filozof apo dijetar që kërkon të dijë thelbin e çdo gjëje.
Në themelet e tij, Islami ka predikimin dhe bindjen në një Zot të vetëm, pa ortak, pa grua apo fëmijë, duke e bërë këtë koncept të lehtë për t’u kuptuar. Islami është feja e natyrshme, me të cilën Allahu ka krijuar njerëzit, kështu që nuk ka nevojë për t’u ndikuar apo për ta trashëguar nga prindërit ashtu siç trashëgohen pasuritë dhe vlerat materiale.
Po ashtu është një besim i argumentuar, i cili nuk të imponon të besosh verbërisht, por të inkurajon që të përdorësh mendjen për të kuptuar fenë. Mjafton të kujtojmë ajetet e para me të cilat është zbritur Kurani Famëlartë, “Lexo, me emrin e Allahut…”[1] “Thuaj: Vështroni me vëmendje ç’ka ka në qiej dhe në tokë…”[2] Na shtyn që, ashtu sipas botëkuptimit tonë, të reflektojmë dhe të meditojmë mbi krijimtarinë e Tij, mbi natyrën, njeriun, gjithësinë dhe vetë jetën. “Prandaj, ku po shkoni?”[3]
Feja ka ardhur për të komunikuar me mendjen dhe me ndjenjën së bashku. Pra, rëndësia që i jep arsyes dhe dijes e bën Islamin në tërësi një fe që përfaqëson shkencën dhe logjikën.
Një aspekt tjetër mjaft i rëndësishëm është stabiliteti dhe pandryshueshmëria e besimit, që nga koha e shpalljes së tij e deri më sot, pa shtesa pa modifikime njerëzore të mëvonshme, duke i qëndruar besnik autenticitetit dhe mesazhit të tij origjinal.
Kur themi që besimi islam eshte i natyrshem, referohemi dhe në “të mesmen e artë” siç do ta quaja, për faktin se në fenë tonë nuk ka as teprime dhe as mangësi. Ai nuk shkon në ekstreme as në aspektin shpirtëror dhe as në anën praktike. Islami nuk pranon as mohimin e Zotit, dhe as idenë e ekzistencës së shumë zotave. Ai gjithashtu nuk e bën barrë për njerëzit, dhe askush nuk ngarkohet përtej mundësive të tij. Feja është lehtësim dhe mbrojtje ndaj të këqijave që do pasonin në një botë ku frika ndaj Zotit nuk do të egzistonte.
Për ta përmbyllur, Islami është një besim i qartë, i logjikshëm dhe totalisht i pandryshueshëm. Ai respekton natyrën njerëzore, promovon kërkimin e dijes dhe vendos një ekuilibër mes shpirtërores dhe racionales. Ky sistem besimi nuk është vetëm një rrugë shpirtërore, por edhe një udhërrëfyes praktik, një manual për jetën e përditshme, që i ka të përcaktuara haramin dhe hallallin, dhe çdo gjë tjetër ndërmjet tyre është mëshirë e Allahut ndaj robërve të Tij.
Shkroi: Xhesina Hoshja
[1] – Sure Alak: 1.
[2] – Sure Junus: 101
[3] – Sure Tekuir: 26.