Kuptimi i përgjithshëm i rregullit:
Dispozitat e sheriatit rreth veprimeve të njeriut dhe marrëdhënieve të tij me të tjerët trajtohen në varësi të qëllimeve dhe synimeve për ç’ka ato janë kryer. Njeriu mund të veprojë një vepër duke patur në mendje një qëllim të caktuar dhe për shkak të atij qëllimi do të ketë edhe një dispozitë sheriatike të caktuar. Dhe po për të njëjtin vepër, ai (njeriu) mund të ketë një qëllim ndryshe, kështu që si rrjedhojë e këtij qëllimi që ka patur në mendje edhe dispozita sheriatike rreth asaj vepre do të jetë ndryshe.
Argumentet e këtij rregulli:
Nga Kurani: Allahu i Madhëruar thotë: “Kush lë shtëpinë e vet, duke u shpërngulur për tek Allahu dhe i Dërguari i Tij dhe ndodh që t’i vijë vdekja, Allahu me siguri do ta shpërblejë.”[1] “Allahu nuk ju dënon nëse betoheni pa qëllim, por ju dënon për atë që vendosni në zemrat tuaja.”[2] “Nuk është gjynah nëse gaboni , por është gjynah, kur zemrat tuaja bëjnë faj me qëllim.”[3]
Nga Suneti: Profeti (a.s) ka thënë: “Vërtet, veprat varen sipas qëllimeve dhe çdokujt i takon ajo që ka patur për qëllim. Ai i cili shpërngulet për hir të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, shpërngulja e tij është për Allahun dhe të Dërguarin e Tij. E kush shpërngulet për çështje të kësaj bote apo për t’u martuar me një grua, do të fitojë atë që ka patur për qëllim.”[4] “Nëse dy muslimanë ndeshen me njëri-tjetrin me shpata, vrasësi dhe i vrari janë në zjarr. Punën e vrasësit e kuptojmë, por përse duhet të ndëshkohet edhe i vrari – e pyetën? Ai (a.s) tha: Sepse edhe ai kishte dëshirë për ta vrarë atë.”[5]
Nga konsesusi (ixhma) i dijetarëve: Të gjithë dijetarët e islamit pajtohen dhe janë unanim me këtë rregull.
Shembuj praktik:
Në lidhje me këtë rregull ka plot shembuj, por do të mjaftohem duke përmendur vetëm disa prej tyre:
1 – Nëse njeriu e lan të gjithë trupin (gusul) për t’u pastruar nga xhunubllëku, atëherë gusli i tij vlen, dhe si rrjedhojë atij i lejohet të falë namazin. Por nëse ai lan tërë trupin (gusul) me nijetin thjesht për të larguar erën e keqe të trupit, atëherë në këtë rast gusli i tij është i pavlefshëm dhe si rrjedhojë atij nuk i lejohet të falë namazin. Po kështu edhe përsa i përket adhurimeve të tjera.
2 – Kush privohet nga ushqimi duke mbajtur dietë sepse dëshiron të dobësohet, atëherë ky veprim i tij nuk konsiderohet agjërim. E nëse njeriu privohet nga ushqimi dhe pirja për të agjëruar për hatër të Zotit, atëherë agjërimi i tij është i vlefshëm.
3 – Njeriu i cili gjen një send në rrugë dhe ka për qëllim që t’ia kthejë atë të zotit nuk është përgjegjës për sendin nëse ai prishet padashje. Mirëpo nëse ai gjen një send dhe ka dëshirë ta përvetsojë atë për vete, atëherë ai është përgjegjës për atë send edhe nëse ai prishet padashje.
4 – Nëse njeriu gjuan me çifte për të goditur një shpend, mirëpo në vend të shpendit godet një njeri, atëherë ndaj gjuajtësit nuk aplikohet masa ndëshkimore e vrasjes.
5 – I lejohet njeriut të blejë rrush me nijetin për ta ngrënë apo për ta shitur atë. Por ai e ka të ndaluar atë ta blejë me nijetin për ta bërë verë apo raki. Po ashtu e ka të ndaluar t’ia shesë rrushin një personi i cili ka ndërmend të prodhojë verë apo raki.
6 – Martesa është një veprim i pëlqyeshëm (mustehab), por ajo është një veprim i ndaluar (haram) për atë person që dëshiron të dëmtojë bashkëshorten.
Autor: Elton Harxhi
[1] – Sure Nisa: 100.
[2] – Sure Bekare: 225.
[3] – Sure Ahzab: 5.
[4] – Buhariu dhe Muslimi.
[5] – Buhariu dhe Muslimi.