1 – Rënia dhe fshirja e mëkateve
Ebu Hurejra (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kur muslimani apo besimtari merr abdes dhe lan fytyrën, çdo mëkat që ka parë syri i tij bie me ujin e fytyrës apo me pikën e fundit të ujit që bie. Kur lan duart, çdo mëkat që dora e ka prekur bie me ujin, ose me pikën e fundit të ujit. Kur lan këmbët, çdo mëkat për të cilin këmba ka ecur për ta kryer bie me ujin, ose me pikën e fundit të ujit. Kjo vazhdon, derisa robi pastrohet tërësishte nga mëkatet”[1].
Uthmani (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Atij që merr abdes në formën më të mirë, i bien të gjitha mëkatet nga trupi, madje mëkatet i bien edhe nga poshtë thonjve”[2]
Ebu Ejub El Ensari (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush merr abdes dhe falet ashtu siç është urdhëruar, i falen mëkatet që ka bërë”[3]
Ukbeh ibn Amir (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kur muslimani merr abdes si duhet dhe falet duke ditur se çfarë thotë (i përqendruar), del i pastër nga namazi si në ditën që ka lindur”[4]
2 – Shfaqja e dritës në gjymtyrë
Ebu Hurejra (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s)ka thënë: “Umeti im do të shfaqet me dritë në gjymtyrët e abdesit, për shkak të gjurmëve të abdesit. Cilido prej jush që ka mundësi ta zgjasë dritën, le ta bëjë atë”[5]
Ebu Hurejra (r.a) tregon: “I Dërguari i Allahut (a.s) shkoi në varreza. Kur hyri tha: Paqja qoftë mbi ju banorë të shtëpive të besimtarëve. Në dashtë Allahu ne shumë shpejt do t`ju pasojmë”. Më pas tha:“Jam përmalluar për të shikuar vëllezërit tanë”. I thanë: “O I Dërguari i Allahut! A nuk jemi ne vëllezërit e tu”? Ai tha: “Ju jeni shokët e mi. Vëllezërit tanë janë ata, të cilët nuk kanë ardhur ende”. E pyetën: “O i Dërguari i Allahut! Si i njeh vëllezërit e tu nga Umeti yt, kur ata as nuk kanë ardhur në jetë”? Ai (a.s) tha: “Nëse dikush do kishte kalin e tij me pulla të bardha në ballë dhe në këmbë mes një tufe kuajsht të zinj, a do ta njihte kalin e tij”? I thanë: “Patjetër o i Dërguari i Allahut”. Ai (a.s) tha: “Ata do të vijnë me dritë në fytyrë dhe gjymtyrë nga gjurma që ka lënë abdesi, ndërsa unë u kam paraprirë dhe i pres tek Haudi”[6]
Ebi Hazim tregon: “Po qëndroja pas Ebu Hurejras (r.a), kur ai po merrte abdes. Kur lante krahun, e çonte dorën deri tek sqetullat. I thashë: “O Ebu Hurejra! Ç’është ky abdes”? Ai tha: “O fisi i Ferrukhut. A këtu qenkeni?! Nëse do ta dija se jeni këtu, nuk do merrja abdes kështu. Kam dëgjuar mikun tim – të Dërguarin e Allahut (a.s) – të thotë: “Zbukurimi e përfshin besimtarin (në Xhenet), deri aty ku ka arritur abdesi”[7]
Preferohet që gjatë marrjes së abdesit, disa gjymtyrë të lahen më shumë. P.sh: krahët të lahen deri afër sqetullave, fytyra të lahet deri tek rrënjët e flokëve dhe këmbët të lahen deri afër gjurit.
Amr ibn Abeseh Sulemiu (r.a) tregon: “Në kohën e injorancës paraislame, mendoja se njerëzit janë në humbje, pa bindje fetare dhe adhurues të idhujve. Dëgjova se një burrë në Meke po tregonte lajme të padëgjuara, prandaj u nisa për atje. Personi në fjalë ishte i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të). (Ai përmend hadithin deri tek fjalët): “O lajmëtar i Allahut! Më fol për abdesin”. Ai (a.s) tha: “Kush fillon të marrë abdes, lan gojën, hundën dhe fytyrën, ndërsa mëkatet i bien me pikën e fundit të ujit që bie nga mjekra. Kur lan duart bashkë me krahët, mëkatet bien nga mollëzat e gishtave me pikën e fundit tëujit që bie. Kur fshin kokën, mëkatet bien nga majat e qimeve të flokëve. Kur lan këmbët, mëkatet bien nga mollëzat e gishtave të këmbëve. Nëse ngrihet dhe falet, falenderon, lartëson dhe madhëron Allahun, siç Ai e meriton, largohet nga mëkatet dhe pastrohet prej tyre si ditën që ka lindur”
3 – Marrja e abdesit është prej besimit
Ebu Malik Eshariu (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Pastrimi është pjesë (gjysma) e besimit. Fjala “Elhamdulilah” e mbush Mizanin (Peshoren). Fjalët “Subhanallah” dhe “Elhamdulilah” mbushin hapësirën mes qiellit dhe tokës. Namazi është dritë, sadakaja (lëmosha) është dëshmi (e besimit), durimi është ndriçim. Kurani është argument për ty ose kundër teje. Të gjithë njerëzit janë tregtarë, që shesin shpirtin e tyre: e lirojnë ose e burgosin atë”[8]
I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Marrja e abdesit si duhet është gjysma e besimit (namazit)”[9]
4 – Njeriu që merr abdes jeton dhe vdes në mirësi
Ibn Abasi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Më erdhi Zoti im (në ëndërr) në shëmbëllimin më të mirë dhe më tha: “O Muhamed! A do ta dish se për çfarë grinden (debatojnë) banorët e qiellit?” I thashë: “Patjetër”. Ai tha: “Grinden për shlyerjet e mëkateve dhe lartësimin e gradave. Shtimi i hapave për në namazet me xhemat, marrja e abdesit në acar dhe pritja e namazit pas namazit të falur. Kush i bën rregullisht këto, jeton në mirësi, vdes në mirësi dhe pastrohet nga mëkatet, si ditën që ka lindur”[10]
5 – Hapja e dyerve të Xhenetit
Umer Ibn Hattabi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Kush merr abdes në formën më të mirë dhe pastaj thotë: “esh`hedu en la ilahe il`la allahu uahdehu la sherike leh, ue esh`hedu en`ne muham`meden abduhu ue resuluhu – Dëshmoj se nuk ka zot tjetër që meriton të adhurohet me të drejtë përveç Allahut, i cili është I Vetëm dhe nuk ka asnjë ortak, dëshmoj se Muhamedi është robi dhe i dërguari i Tij”, i hapen të tetë dyert e Xhenetit, që të hyjë nga ajo derë që dëshiron”[11]
6 – Ai që merr abdes dhe thotë “Subhaneken” do të shpërblehet
Ebu Seid Khuderiu (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush merr abdes dhe thotë: “subhaneke all`llahum`me ue bihamdike, esh`hedu en la ilahe il`la ente, estagfiruke ue etubu ilejk – I Lartësuar je Ti o Allah dhe vetëm Ty të takon falenderimi. Dëshmoj se nuk ka asnjë të adhuruar përveç Teje. Të kërkoj falje dhe pendohem tek Ti”, kjo fjalë i shkruhet në një pergamenë (lëkurë), më pas vuloset dhe hapet vetëm ditën e Kijametit”[12]
Autor: Rushit Musallari
[1] – Muslimi (244).
[2] – Muslimi (245).
[3] – Ibn Maxheh (1396). Hadithi është Sahih Li gajrihi.
[4] – Muslimi (234).
[5] – Buhariu (136) dhe Muslimi (246).
[6] – Muslimi (249).
[7] – Buhariu (5953) dhe Muslimi (250).
[8] – Muslimi (223).
[9] – Ibn Maxheh (280). Hadith i saktë.
[10] – Tirmidhiu (3231). Hadithi është Sahih Li gajrihi.
[11] – Muslimi (234).
[12] – Nesaiu (9829). Hadith i vërtetë.