Vlera e haxhit dhe umras

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

1 – Puna më e mirë te Allahu është Haxhi i pranuar:

Ebu Hurejrah (r.a) tregon, se dikush e pyeti të Dërguarin e Allahut (Paqja qoftë mbi të): “Cila nga punët është më e mira”? I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) tha: Besimi në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij. Personi e pyeti përsëri: “Po pas kësaj”? I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) tha: Xhihadi në rrugë të Allahut. Ai (pyetësi) pyeti përsëri: “Po pas kësaj”? I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) tha: Haxhi i pranuar (i kryer siç duhet)” [1]

2 – Haxhi është pastrim nga mëkatet:

Ebu Hurejrah (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: Kushdo që bën Haxhin, duke mos iu nënshtruar joshjeve seksuale dhe duke u larguar nga shkaqet që nxisin për sjellje të ulta, do të pastrohet nga mëkatet si ditën që e ka lindur nëna[2]

3 – Shpërblimi i Haxhit është vetëm Xheneti:

Ebu Hurejrah (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: Umra e kryer deri në Umren tjetër është shkak për faljen e mëkateve mes kësaj periudhe, ndërsa Haxhi i kryer siç duhet ka shpërblim të vetëm Xhenetin[3]

4 – Haxhi është xhihadi pa lëndime:

Husejn ibn Aliu (r.a) tregon: “Një burrë erdhi tek i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) dhe i tha: “Unë jam frikacak dhe i dobët”. I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) i tha: “Nxito për tek Xhihadi që nuk ka lëndime. Ai xhihad është Haxhi[4]

5 – Haxhi është xhihadi më i mirë:

Aishja (r.a) tregon, se i ka thënë të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të): “O i Dërguari i Allahut! Ne e dimë se Xhihadi është puna më me vlerë! Përse të mos luftojmë edhe ne si ju”? I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) tha: Dije se xhihadi më i mirë është Haxhi i pranuar[5]

6 – Haxhi është xhihadi i të pafuqishmëve:

Ebu Hurejrah (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Xhihadi i të moshuarit, të dobëtit dhe femrës është Haxhi dhe Umra[6]

7 – Haxhi dhe Umra pastrues:

Abdullah ibn Mesudi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: Mos iu ndani Haxhit dhe Umras, sepse largojnë varfërinë dhe fshijnë mëkatet, ashtu siç pastron zjarri papastërtinë e hekurit, floririt dhe argjendit. Shpërblimi i vetëm i Haxhit të pranuar është Xheneti[7]

8 – Delegacioni i Allahut:

Xhabiri (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: Haxhilerët dhe vizituesit e Qabes (ata që bëjnë Umran) janë delegacion i Allahut. Allahu i ka ftuar dhe ata i janë përgjigjur ftesës së Tij. Ata i kërkojnë dhe i luten Allahut, ndërsa Allahu u jep atyre[8]

9 – Shpërblimet që jep Allahu gjatë ritualeve të ndryshme që kryhen në Haxh:

Ibn Umeri (r.a) ka treguar: “Po qëndronim me të Dërguarin e Allahut (Paqja qoftë mbi të) në xhaminë e Minasë, kur erdhi një burrë nga ensarët dhe një tjetër nga fisi Thekif. Ata përshëndetën të Dërguarin e Allahut (Paqja qoftë mbi të) me selam dhe i thanë: “O i Dërguari i Allahut! Kemi ardhur që të të pyesim”. I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) u tha: “Nëse doni, unë ju lajmëroj për çfarë keni ardhur që të më pyesni dhe nëse doni, ju mund të më pyesni dhe unë ju përgjigjem”. Ata thanë: “Na trego o i Dërguari i Allahut! Personi nga Thekafi i tha ensariut: “Pyet”. Ensariu tha: “Më trego o i Dërguari i Allahut”! I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) tha: “Ke ardhur të më pyesësh për shpërblimin që merr, kur del nga shtëpia jote, duke pasur si qëllim Shtëpinë e shenjtë (vizitën për në Shtëpinë e Shenjtë). Ke ardhur të më pyesësh, se cili është shpërblimi për dy rekatet që falen pas Tavafit. Ke ardhur të më pyesësh, se cili është shpërblimi për xhirot mes Safasë dhe Meruas. Ke ardhur të më pyesësh, se cili është shpërblimi për qëndrimin në Arafat. Ke ardhur të më pyesësh, se cili është shpërblimi për gjuajtjen e guralecëve. Ke ardhur të më pyesësh, se cili është shpërblimi për kurbanin. Ke ardhur të më pyesësh, se cili është shpërblimi për Tavafin e Haxhit”. Ensariu tha: “Pasha Atë që të ka dërguar me të vërtetën! Unë vërtet për të pyetur për këto gjëra kam ardhur”. I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) tha: “Dije se kur ti del nga shtëpia, duke pasur për qëllim Shtëpinë e Shenjtë (vizitën në të), për çdo hap që ngre dhe ul deveja jote, Allahu të shkruan një të mirë dhe të fshin një të keqe. Për sa i përket dy rekateve pas Tavafit, kanë shpërblimin e lirimit të një robi nga fëmijët e Ismailit. Shpërblimi i ecjes mes Safasë dhe Meruas është sikur të lirosh 70 robër. Përsa i përket qëndrimit në Arafat, dije se Allahu zbret në qiellin e dunjasë dhe u krenohet engjëjve me ju, duke thënë: “Robërit e Mi! Kanë ardhur të dërrmuar nga ana e anës. Ata shpresojnë mëshirën Time. Dijeni se nëse ata i kanë mëkatet si kokrrizat e rërës, apo si pikat e shiut, apo si shkuma e detit, Unë do t’ua fal atyre. Largohuni o robërit e Mi! Ju jeni të falur dhe të falur janë edhe ata, për të cilët ju kërkoni falje”. Ndërsa kur hedh guralecët, për çdo gur që hedh, të shlyhet një mëkat i madh, që meriton dënim të ashpër (në këtë botë dhe botën tjetër). Kurbani që bën, është zahire (furnizim) dhe kapital tek Allahu. Kur rruan kokën, për çdo qime të shkruhet një e mirë dhe të fshihet një e keqe. Tavafi rreth Qabes që bëhet pas këtyre veprimve, i shlyen të gjitha mëkatet. Një engjëll vjen, të vendos duart tek shpatullat dhe të thotë: “Puno për të ardhmen, sepse çfarë ke bërë më parë, të janë falur të gjitha[9].

10 – Shpërblimi sipas lodhjes:

Aishja (r.a) tregon, se kur është nisur për të kryer Umren, i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) i ka thënë: Shpërblimin do ta marrësh sipas lodhjes dhe shpenzimit që ke kryer (sa më shumë të jesh lodhur dhe sa më shumë të kesh shpenzuar, aq më të madh do ta kesh shpërblimin)”[10]

11 – Umra e barazvlefshme me Haxhin:

I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: Umra e kryer në Ramazan është e barabartë (në shpërblime) me një Haxh me mua[11]

Autor: Rushit Musallari

[1] – Buhariu (23) dhe Muslimi (83).

[2] – Buhariu (1251) dhe Muslimi (1350).

[3] – Buhariu (1773) dhe Muslimi (1349).

[4] – Taberaniu në Kebir (2910). Hadithi është Sahih.

[5] – Buhariu (1520).

[6] – Nesaiu në Muxhteba (2625). Hadithi është i pranuar për shkak të dëshmive përforcuese.

[7] – Tirmidhiu (810). Hadithi është Sahih.

[8] – Bezari në Keshful Estar (1155). Hadith i pranuar.

[9] – Tabareniu në Kebir (13566). Hadithi është i pranuar për shkak të dëshmive përforcuese.

[10] – Hakimi (1733). Hadithi është Sahih.

[11] – Buhariu (1782) dhe Muslimi (1256).

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.