Pas lindjes së diellit në ditën e 9 – të të Dhul Hixhes, haxhilerët shkojnë në Arafat dhe falin drekën dhe iqindinë me xhemat në xhaminë “Nemireh” Kjo xhami është quajtur “Nemireh” për shkak se në perëndim të Arafatit gjendet një kodrinë e quajtur “Nemireh”.
Xhamia “Nemireh” konsiderohet një prej vendeve të shenjta në Arafat. Ajo është ndërtuar në gjysmën e shekullit të dytë të kalendarit hixhrij. Më parë, në këtë vend, I Dërguari i Allahut (a.s) ka mbajtur hytben në Haxhin e Lamtumirës. Në Ditën e Arafatit, me qindra mijëra haxhilerë falin namazin e drekës dhe të iqindisë me xhemat duke marrë për shembull atë që ka vepruar Profeti (a.s) gjatë Haxhit të Lamtumirës.
Transmetohet se Jezid ibn Shejban ka thënë: Po qëndronim në një vend në Arafat, kur tek ne erdhi Ibn Merbea’ Ensari, i cili na tha: Unë jam korrieri i Profetit (a.s) dhe kam ardhur t’ju them se Profeti (a.s) ju urdhëron që të qëndroni në këtë vend të shenjtë, sepse ju jeni në një vend të trashëguar nga Profeti Ibrahim (a.s)
Dijetari i shquar Muhamed Reshid Rida, në librin e tij “Udhëtimi për në Hixhaz” tregon se në jug të dy shenjave (që tregojnë kufirin e Arafatit) ndodhet xhamia “Nemireh” që ndryshe quhet edhe xhamia e “Ibrahimit” . Ajo ndodhet pranë rrugës së zgjeruar nga Minaja për në Taif. Ajo ndryshe njihet edhe xhamia “Arafatit” apo xhamia “Araneh”
Kurse Imam Abdulhamid El Gazali në librin e tij “Rilindja e shkencave fetare” ka thënë se fillimi i xhamisë së “Ibrahimit” apo “Nemiresë” ndodhet në luginë, kurse fundi i saj ndodhet në Arafat. Prandaj kush ndodhet në fillim të xhamisë, ai nuk i bie që të jetë në Arafat.
Përgjatë shekujve, xhamia “Nemireh” ka pësuar një sërë ndryshimesh duke u zgjeruar saqë fillimi dhe fundi i saj nuk konsiderohet si qëndrim në Arafat. Të parët që e kanë ndërtuar këtë xhami janë Abasitët dhe më vonë ajo është rindërtuar herë pas here. Në periudhën e Al Saudëve (në ditët e sotme) xhamia është zgjeruar aq shumë, saqë gjatësia e saj nga lindja në perëndim është 340 m, gjerësia nga veriu në jug është 240 m, sipërfaqja e saj është më tepër se 110 000 m2, pas xhamisë ndodhet një sipërfaqe prej 8000 m2, Në xhami falen rreth 350 000 besimtarë. Ajo ka gjashtë minare me lartësi 60 metra, tre kube, 10 hyrje kryesore dhe 64 dyer.
Përktheu: Elton Harxhi