Xheneti dhe ëndrrat tona të dynjasë

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Në bisedat e tij me të rinjtë, shejh Muhamed Ahmed el-Rashid (r.h) skiconte një pamje të Xhenetit që prekte realitetin e tyre dhe nxiste aspiratat e tyre. Ai thoshte:

“Mendoni me mua: nëse bota jonë do të ishte e lirë nga gjithçka që e shqetëson, a nuk do të ishim të kënaqur dhe ta konsideronim si Xhenet? E ç’të thuhet për Xhenetin e vërtetë që na e ka premtuar Allahu?”

Le të meditojmë rreth shtatë pamjeve të lumturisë që përshkroi shejh el-Rashid:

Së pari: Shoqëria e të drejtëve

Shejhu thoshte: “Imagjinoni një shoqëri ku jetojnë vetëm njerëz të drejtë dhe të ndershëm.” Sikur të jetonim në një shoqëri pa të këqija, pa zili dhe pa gënjeshtra, a nuk do ta konsideronim atë si një parajsë mbi tokë? Dëgjojmë për vende si Finlanda, ku njerëzit jetojnë në harmoni dhe paqe. Imagjinoni si do të jetë Xheneti për të cilin Allahu thotë: “Dhe Ne do të heqim nga gjokset e tyre çdo ndjenjë urrejtjeje, dhe ata do të jenë vëllezër të ulur përballë njëri-tjetrit mbi frone.”[1]

Së dyti: Një botë e sigurt pa krime

Një nga përshkrimet mahnitëse të shejhut ishte: “Imagjinoni një botë ku nuk dëgjoni për krime apo dhunë.” Nëse do të jetonim në një vend ku nuk do të kishim frikë për veten apo pasurinë tonë, a nuk do ta konsideronim atë si një Xhenet mbi tokë? Imagjinoni si do të jetë Xheneti për të cilin Allahu thotë:
“Aty nuk dëgjojnë fjalë të kota dhe as mëkate.”[2]

Së treti: Shëndet i përhershëm dhe një mjedis i pastër

Shejhu thoshte: “Imagjinoni një jetë pa sëmundje dhe pa dhimbje.” Sikur të jetonim në një vend ku nuk vuajmë nga sëmundjet dhe nuk kemi frikë nga epidemitë, a nuk do ta konsideronim atë një lumturi të pakrahasueshme? Imagjinoni si do të jetë Xheneti për të cilin Profeti (a.s) ka thënë: “Grupi i parë që do të hyjë në Xhenet, fytyrat e tyre do të jenë si hëna e plotë, nuk pështyjnë, hundët nuk rrjedhin dhe nuk kanë nevojë për nevoja trupore.”[3]

Së katërti: Liria e lëvizjes pa kufizime

Një tjetër përshkrim i shejhut ishte: “Imagjinoni një jetë pa kufizime dhe pa kufij, ku jeni të lirë dhe të nderuar.” Nëse do të jetonim në një vend ku mund të lëviznim lirshëm, pa pasur nevojë për pasaportë apo vizë, a nuk do ta konsideronim atë një parajsë? Imagjinoni si do të jetë Xheneti për të cilin Allahu thotë: “Do të vendoset në Xhenet aty ku të dëshirojë.”[4]

Së pesti: Një mjedis i pastër dhe klimë e moderuar

Shejhu thoshte: “Imagjinoni një botë pa ndotje dhe pa pluhur, ku ajri është i pastër dhe uji i kthjellët.” Sikur të jetonim në një vend ku nuk vuajmë nga ndotja e ajrit apo ndryshimet klimatike, a nuk do ta konsideronim atë një Xhenet? Imagjinoni si do të jetë Xheneti për të cilin Allahu thotë “Aty ndodhet një burim që rrjedh.”[5]

Së gjashti: Ushqim i pastër dhe fruta të pastra

Një tjetër përshkrim i shejhut ishte: “Imagjinoni fruta më të pastra dhe më të shijshme se ato që njohim, që mund t’i hani pa frikë nga ndotjet apo pesticidet.” Nëse do të jetonim në një vend ku mund të ushqehemi pa shqetësime për ndotjen apo sëmundjet, a nuk do ta konsideronim atë lumturi? Imagjinoni si do të jetë Xheneti për të cilin Allahu thotë: “Aty ka nga çdo frut nga dy lloje.”[6]

Së shtati: Një shoqëri e lartë dhe e qytetëruar

Në përfundim, shejhu thoshte: “Imagjinoni një shoqëri të mbushur me dijetarë dhe mendimtarë, ku të gjithë respektojnë të drejtat e njëri-tjetrit.” Nëse do të jetonim në një shoqëri të tillë ku të gjithë respektojnë njëri-tjetrin, a nuk do ta konsideronim atë një Xhenet mbi tokë? Imagjinoni si do të jetë Xheneti për të cilin Allahu thotë: “Dhe ata që besuan dhe pasardhësit e tyre i ndoqën në besim, do t’i bashkojmë me ta pasardhësit e tyre.”[7]

Përfundim: Xheneti përtej imagjinatës

Kështu, shejh Muhamed Ahmed el-Rashid (r.h) e sillte më afër konceptin e Xhenetit në mendjet e të rinjve, duke thënë: “Nëse jemi të kënaqur me këto cilësi në jetën tonë, ku nuk ka fatura që na shqetësojnë, as trazira që na shqetësojnë, as frikë që na ndjek, dhe as sëmundje që na kërcënojnë, çfarë mund të thuhet për Xhenetin që na e ka premtuar Allahu, i cili është më i madh dhe më i lavdishëm se çdo gjë që mund të imagjinojë mendja njerëzore?”

Të imagjinojmë një Xhenet të tillë nuk është diçka e largët nga mendjet tona, pasi në thelb ai përfaqëson reflektimin e ëndrrave dhe aspiratave tona për një jetë më të mirë. Dhe nëse Allahu na ka premtuar diçka më madhështore se kjo, si mund të dyshojmë në premtimin e Tij ose ta konsiderojmë të paarritshme?

Le të qëndrojmë të fortë në besimin tonë dhe të punojmë për të fituar kënaqësinë e Allahut dhe Xhenetin e Tij. Sepse Allahu nuk na ka krijuar kot, dhe premtimi i Tij është gjithnjë i vërtetë.

Përktheu: Elton Harxhi

[1] – Sure Hixhr: 47.

[2] – Sure Uakia: 25.

[3] – Buhariu.

[4] – Sure Zumer: 74.

[5] – Sure Gashije: 12.

[6] – Sure Rrahman: 52.

[7] – Sure Tur: 21.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *