1 – Jeta e gjatë është një mirësi që nuk çmohet me asgjë. Sa e sa të dashur i ke përcjellë në varr, e sa të afërm janë bërë pluhur në tokë, ndërsa Allahu të ka dhënë ty jetë më të gjatë pas tyre. Çmoje këtë mirësi dhe përfito prej saj me vepra që të sjellin dobi.
2 – Falënderoje Allahun për mirësinë e Islamit, sepse përmes tij shpëtohesh nga zjarri dhe hyn në Xhenet. Ndërsa shumë prej banorëve të tokës i bien në sexhde një lope apo i luten një guri, ti i bëhesh sexhde Një të Vetmit, Allahut të Pavarur.
3 – Shfrytëzo rritjen e moshës duke forcuar besimin, sepse s’ka pozitë më të lartë te Allahu sesa ajo që vjen nga besimi dhe veprat e mira. Vendos t’i kryesh obligimet ndaj Allahut, pasoji me sunete, sepse çdo ditë shtesë në jetën tënde është një afat që mund të jetë argument kundër teje nëse nuk e adhuron Zotin.
4 – Ndrysho çdo cilësi që e urren te vetja, si sjellje të ashpra, fjalë të vrazhda apo bashkëjetesë të keqe dhe bëhu i butë, i sjellshëm, i lehtë. Këta janë banorët e Xhenetit. Përdor mirësjellje me njerëzit sa kohë jeton me ta. Bëhu i buzëqeshur, fol me mirësi, fal, bëhu i shkujdesur ndaj të metave… dhe do të jetosh një jetë më të ëmbël.
5 – Shfrytëzo kohën tënde dhe mos e harxho kot. Nuk ka humbje më të madhe për njeriun sesa humbja e kohës. Dhe nuk ka mjeshtëri më të madhe sesa ta menaxhosh mirë kohën.
6 – Ji I balancuar në të drejtat: ka të drejtë Allahu ndaj teje, kanë të drejtë prindërit, fëmija yt, vetja jote. Jepi secilit të drejtën që i takon.
7 – Kujdesu për të shtuar diturinë, s’ka gjë që e lartëson njeriun më shumë se dituria. Bëhu kërkues i saj, lexo shumë, përfito nga mendjet e mençura dhe eksperienca e njerëzve të mirë. Shto diçka të re çdo vit, ngriji qëllimet e tua, më i larti është ai që të afron te Zoti, të lartëson vendin tënd dhe pastron shpirtin tënd.
8 – Relaksohu me gjëra të lejuara, sepse relaksimi është rruga për t’u përgatitur për përkushtim më pas. E nëse relaksohesh me prindërit, me fëmijët apo me miqtë, bëje me qëllim të mirë që të llogaritet si adhurim.
9 – Mundohu të kesh gjithmonë një vepër të mirë të fshehtë, që askush nuk e di përveç Allahut. Fshihi veprat e tua të mira siç i fsheh mëkatet, dhe mos i trego veçse kur ka dobi të madhe. Dhe jepja meritat atij që i takojnë.
10 – Mos e bëj këtë vit si vitin e kaluar. Ti je në një vit të ri, prandaj shto diçka të re. Mosha që shtohet do të thotë se është edhe më pak jetë që të ka mbetur. Çdo ditë e re është një rast për të shtuar të mirat. Nuk do të marrësh me vete nga kjo botë asgjë më të vlefshme sesa veprat e mira dhe ato që mbeten të qëndrueshme.
11 – Shiko gjendjen tënde shoqërore, nëse je i mangët në lidhjen farefisnore ose në të drejtat e fqinjit, përpiqu ta përmirësosh. Lidhjet familjare sjellin bereqet në këtë botë dhe në tjetrën, dhe sjellja e mirë me fqinjët është rehati në jetë dhe kujtim i mirë pas vdekjes.
12 – Ji serioz në përdorimin e rrjeteve sociale, nuk ka dyshim se ato janë vjedhësi më i madh i kohës, dhe humbësi më i madh i shumë mundësive për të bërë të mira, për të mësuar, për të lexuar Kuran. Madje kanë konkurruar edhe obligime si nderimi i prindërve dhe kujdesi ndaj familjes. Përdori me maturi dhe disiplinë që të mos të bëhen shkak për humbjen e kohës dhe detyrave të tua.
13 – Mbaje zemrën tënde çdo ditë plot me optimizëm dhe mendim të mirë për Zotin tënd. Allahu është Bujar, i Butë, Mëshirues. Ai do t’i plotësojë dëshirat e tua, do ta shohësh atë që do. Edhe nëse vonohet, ti nuk e di çfarë është më e mira për ty. Edhe nëse të godet ndonjë e keqe, pas saj është mirësi. Edhe nëse të vjen diçka e pakëndshme, beso se përfundimi është më i bukur.
14 – Largoje dëshpërimin nga jeta jote sado të kesh dështuar në projekte, mundësitë janë ende aty. Jeta nuk përfundon me humbjen e bashkëshortit, me dështimin në shkollë apo me një humbje në tregti. Mundësitë për sukses e mbushin jetën tënde. Ti vetëm përfito nga përvoja, rregullo gabimet dhe vendos t’i arrish qëllimet. Kërko ndihmën e Allahut dhe mos u dorëzo.
15 – Në çdo nevojë tënden, në çdo çështje të jetës tënde, mbështetu shumë te Allahu. Kjo është këshilla më përmbledhëse, më përfshirëse se të gjitha të tjerat. Ji robi më i varfër ndaj Zotit tënd, më i nevojshmi ndaj Tij, më i sinqerti në kërkesat e tua dhe më i mirë në shpresën që ke tek Ai. Dhe gëzohu për dhuratat që nuk mund t’i përfytyrosh dot.
Allahu të dhëntë sukses, të jetë i kënaqur me ty dhe le të jetë pjesa e mbetur e jetës sate më e mirë se ajo që ka kaluar. Allahu na largoftë neve dhe ty çdo të keqe dhe na e përfundoftë jetën me mirësi.
Gëzuar vitin e ri dhe qofsh me jetë të gjatë dhe me begatitë e Mëshiruesit!
Autor: Adil el–Mahlaui
Përktheu: Elton Harxhi