Që në lashtësi, njerëzit janë njohur me luftërat në të cilat fjala mëshirë nuk ekzistonte, ku robëria nënkuptonte poshtërim dhe torturë. Historia e luftërave na tregon se si romakët, e para tyre asirianët dhe faraonët, ua verbonin sytë robërve të luftës, ua shponin ose ua “lyenin” sytë me gozhdë të skuqur, ua zhveshnin lëkurat dhe ua hidhnin qenve për t’i ngrënë, aq sa robërit parapëlqenin më mirë të vdisnin sesa të jetonin.
Me lindjen e dritës së Islamit erdhën mëshira dhe drejtësia, dhe u ripërtërinë konceptet edhe në fushëbetejë. Ndër gjërat më madhështore që qytetërimi islam i ka dhënë botës është parimi i nderimit të robërve të luftës, i cili nuk ishte thjesht një këshillë kalimtare, por pjesë përbërëse e sistemit etik dhe juridik të myslimanëve.
Mes shpatës dhe ndërgjegjes
Lufta, në natyrën e saj, është e përgjakshme, por Islami ia riktheu betejës ekuilibrin etik. Ligjet e tij për luftën u ndërtuan mbi mëshirën dhe arsyen, dhe ndër më të spikaturat janë ato që i dhanë robërve të luftës të drejta dhe dinjitet, duke e mbrojtur nga hakmarrja dhe egërsia, ndonëse dje ishte armik në fushëbetejë. Kur midis Profetit (a.s) dhe jobesimtarëve u zhvilluan një sërë betejash, dhe luftëtarët jobesimtarë ranë robër në duart e myslimanëve, Pejgamberi (a.s) u kujdes për kuptimet e mëshirës dhe dinjitetit njerëzor, duke marrë parasysh interesin e shtetit mysliman dhe të drejtat e robërve, në një nivel të atillë që as e drejta ndërkombëtare humanitare bashkëkohore nuk e ka arritur. Ai (a.s) tha: “Kujdesuni mirë për robërit.”[1] Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe ata ushqejnë, megjithëse vetë e duan ushqimin, të varfrin, jetimin dhe robin.”[2] Kurani ushqimin e robërve të luftës e konsideron një vepër përmes së cilës robi afrohet tek Allahu, edhe pse ky rob dje kishte ngritur shpatën për të na luftuar; sot ai është i mposhtur e i dobët, ndaj detyrë e myslimanit është që të sillet butë ndaj tij dhe ta ruajë dinjitetin e tij.
Në siren e Pejgamberit (a.s) ka plot shembuj ilustrues që flasin për mëshirë dhe djetësi nga ana e tij për robërit e luftës. Në Betejën e Bedrit, ai i porositi shokët e tij që të silleshin mirë me robërit; sahabët u jepnin robërve ushqimin përpara se të hanin vetë, pavarësisht nevojës së madhe që vetë ata kishin. Disa robër u kthyen te populli i tyre duke dëshmuar se nuk kishin parë kurrë trajtim më fisnik se ai i myslimanëve.
Këto dëshmi të disa robërve të Bedrit janë të shënuara në histori. Një vëlla i Musab ibn Umejrit (r.a.), i cili kishte rënë rob, thotë: “Ishta në një grup prej ensarëve; kur sillnin drekën apo darkën, ata hanin hurma dhe mua më jepnin bukë gruri, për shkak të porosisë të të Dërguarit të Allahut (a.s).”
Ebu el-As ibn er-Rebi’ thotë: “Isha në mesin e një grupi ensarësh (i zënë rob) – Allahu i shpërbleftë me të mira – sa herë hanim drekë ose darkë, ata më jepnin bukën dhe vetë hanin hurma. Buka ishte e pakët për ta, ndërsa hurmat ishin ushqimi i tyre; madje ndodhte që njërit t’i binte në dorë një copë bukë dhe ai do të ma jepte atë mua.”
Dimensione qytetëruese dhe humane
Islami nuk i trajtoi robërit si mjete pazari, por si njerëz me personalitet dhe të drejta. Ndër këto mund të përmendim sa më poshtë:
E drejta e jetës dhe sigurisë: pa vrasje arbitrare dhe pa fyerje.
E drejta e trajtimit të mirë: në veshje, ushqim dhe përkujdesje.
E drejta e lirimit ose shpërblimit: Islami nxiti lirimin e robërve me shpërblim ose pa të; ndonjëherë edhe duke e kushtëzuar lirimin me mësimin e myslimanëve, siç ndodhi me robërit e Bedrit.
Refuzimi i torturës fizike dhe psikologjike, e cila ishte e përhapur para Islamit.
Mosdetyrimi për të hyrë në Islam: robi nuk detyrohet të përqafojë Islamin; nuk është transmetuar se Pejgamberi (a.s) ka detyruar ndonjë rob të pranojë Islamin.
Pse ky dallim?
Islami u veçua në këtë fushë sepse nuk e sheh robin si armik, por si mundësi për mëshirë dhe si projekt për udhëzim. Tek ai shuhet etja për hakmarrje dhe gjakmarrje; prandaj shumë robër e përqafuan Islamin pas lirimit, të ndikuar nga ky model i lartë njerëzor.
Nga zemra e luftës lind drita
Ajo që Islami ka ofruar në nderimin e robërve të luftës nuk është thjesht një pamje e ndritshme e së kaluarës, por një thirrje e përhershme për ringjalljen e vlerave fisnike në çdo kohë dhe vend. Në një botë ku konfliktet shtohen, kemi nevojë ta sjellim ndër mend këtë model unik, për t’i kthyer njerëzimit diçka nga humanizmi i humbur. Ndoshta këtë e kanë zbatuar edhe njerëzit e rezistencës në qëndresën dhe luftën e tyre në Gaza, ku të gjithë dëgjuan dëshmitë e robërve hebrenj: gratë folën për nderimin dhe ruajtjen e dinjitetit të tyre, ndërsa burrat për trajtimin e mirë dhe për mirësinë e papritur dhe mbrojtjen që gjetën, ndërsa ishin në duart e luftëtarëve myslimanë.
Përktheu: Elton Harxhi
[1] – Tabaraniu.
[2] – Sure Insan



















