Udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Profetit (a.s)

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Rebiul Euel është muaji në të cilin ka lindur zotëria i mbarë njerëzimit, i Dërguari i Allahut Muhamedi (a.s), mëshira e dhuruar, i dashuri i Allahut, njeriu më i mirë, më i ndershëm, më i sinqertë, më bujari, më i sjellshmi, më i duruari dhe më toleranti ndër të gjithë njerëzit. Allahu i Madhëruar thotë: “Ai është që arabëve të pashkolluar iu dërgoi Pejgamberin (Muhamedin) nga mesi i tyre, që t’ua lexojë ajetet e Tij, t’i pastrojë ata, t’ua mësojë Librin dhe Sheriatin, edhe pse më parë ata ishin në një humbje të dukshme.”[1]

Ai është i Dërguari i Allahut (a.s) me anë të cilit Allahu na nxorri nga errësirat për tek drita, nga devijimi për tek udhëzimi, nga mjerimi për tek lumturia, nga poshtërimi për tek krenaria, nga injoranca për tek drita hyjnore dhe nga padrejtësia për tek drejtësia.

Historia e njerëzimit nuk ka njohur njeri më të devotshëm, më të përkushtuar dhe më të nënshtruar se sa ai (a.s). Allahu i Madhëruar thotë: “Betohem në yllin kur ai bie. Shoku juaj (Muhamedi) as nuk është njeri që ka humbur, as që ka devijuar (nga e vërteta) Dhe ai nuk flet nga mendja e tij. Ai (Kurani) nuk është tjetër pos shpallje që i shpallet. Atë ia mësoi ai fuqiploti (Xhibrili) që ka mendje preçize dhe që u përqendrua në formën e vet (reale) Dhe ai (Xhibrili) ishte në horizontin e lartë. Pastaj u lëshua dhe iu  afrua E ishte afër sa dy harqe apo edhe më afër. Dhe i shpalli robit të Tij atë që ia shpalli. Zemra nuk mohoi atë që pa me sy. A po i bëni polemikë atij për atë që ka parë? Atë (Xhibrilin) e ka parë edhe herën tjetër. E ka parë tek Sidretul Munteha. Që pranë saj është Xhenetul Me’ua. Atëherë kur Sidrën e mbuloi çka e mbuloi. Shikimi (i Muhamedit) as nuk lakoi, e as nuk tejkaloi. Ai (Muhamedi) vërtet, pa disa nga shenjat më të mëdha të Zotit të vet.”[2]

Ai është i Dërguari i Allahut (a.s) i cili e ka merituar epitetin “Rob i Allahut”, është ai të cilin Allahu i Madhëruar e ka dërguar si reformator dhe udhëzuesi i njerëzve në rrugë të drejtë. Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe se kur u ngrit robi i Allahut ta adhurojë Atë, ata (xhinët) gati hipnin njëri mbi tjetrin për ta dëgjuar.”[3] Ai (a.s) sakrifikoi pasurinë dhe gjakun e tij për të thirrur njerëzit nën flamurin e moneteizmit islam atë të se “Nuk ka zot tjetër përveç Allahut”. E ai (a.s) e përmbushi amanetin për të cilin ishte ngarkuar, e këshilloi Umetin dhe luftoi në rrugë të Allahut të Madhëruar derisa i erdhi vdekja.

Të nderuar besimtatë! Fjala më e mirë është Libri i Allahut dhe udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit (a.s). Rruga e vetme me të cilën Allahu i Madhëruar ka garantuar suksesin dhe shpëtimin është rruga e të Dërguarit të Allahut (a.s), kurse rrugët e tjera të shpien në humbje dhe greminë. Allahu i Madhëruar thotë: “Ata janë Pala e Allahut dhe, vërtet që Pala e Allahut do të jetë fituese.”[4] “Ata që marrin për mik e mbrojtës Allahun, të Dërguarin e Tij dhe besimtarët, padyshim, Pala e Allahut do të jetë fituese.”[5]

Të gjitha rrugët janë të bllokuara, të gjithë dyert janë të mbyllura dhe të gjitha fijet janë të shkëputura përveç rrugës nga e cila ka kaluar i Dërguari i Allahut (a.s), shokët e tij, tabi’inët dhe të gjithë besimtarët deri në Ditën e Llogarisë. Profeti (a.s) ka thënë: “Betohem në emër të Atij, i Cili shpirti im është në Dorën e Tij se Umeti im do të ndahet në 73 fraksione. Vetëm njëri prej tyre do të jetë në Xhenet, kurse 72 të tjerat do të jenë në Zjarr. Disa njerëz pyetën: O i Dërguar i Allahut! Cilët janë ata që do të jenë në Xhenet? Ai tha: Ata të cilët do të ndjekin rrugën në të cilën jam unë dhe shokët e mi.”[6]

Abdulla ibn Mes’udi (r.a) tregon: I Dërguari i Allahut (a.s) vizatoi një vizë (të drejtë) dhe tha: Kjo është rruga e Allahut. Pastaj vizatoi viza të tjera nga e djathta dhe e majta e vizës së drejtë dhe tha: Këto janë rrugë të tjera, në krye të secilës prej tyre ka nga një shejtan. Më pas, ai (a.s) lexoi ajetin kuranor: “Kjo është rruga ime e drejtë; prandaj ndiqeni e mos shkoni rrugëve të tjera që t’ju shmangin nga rruga e Tij. Kjo është ajo që ju porosit Ai për t’u ruajtur nga të këqijat.”[7]

Të nderuar besimtarë! Ne kemi nëpër duar një thesar të vyer dhe një burim të pashtershëm; Librin e Allahut dhe Sunetin e Profetit (a.s). A vërtet, i respektojmë dhe a i vëmë në zbatim mësimet e Allahut dhe të Dërguarit të Tij? Allahu i Madhëruar thotë: “Nuk i takon asnjë besimtari apo besimtareje të vërtetë që, kur Allahu dhe i Dërguari i Tij vendosin për një çështje ata të kenë të drejtë të zgjedhin në atë çështje të tyren. Kush e kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ai me siguri ka humbur.”[8] “Le të frikësohen ata që kundërshtojnë urdhrin e tij, që të mos i arrijë ndonjë sprovë ose që të mos i godasë një dënim i dhembshëm.”[9]Kurse Profeti (a.s) ka thënë: “Unë ju kam lënë në rrugën e qartë (të bardhë), ku nata e saj është si dita e saj. E prej saj nuk shmanget vetëm se ai që është i humbur.”[10]

Streha dhe kështjella më e mirë është respektimi i Librit të Allahut dhe pasimi i rrugës së Profetit (a.s). Pasimi i rrugës së Profetit (a.s) nënkupton rrugëdaljen nga çdo sprovë dhe shpëtimin nga çdo vështirësi. Prandaj përmbajuni udhëzimit të tij! Të gjithë fjalët, veprat dhe sjelljet e juaja le të jenë në përputhje të plotë me metodologjinë dhe rrugën e tij, nëse vërtet kërkoni lumturinë në këtë botë dhe në botën tjetër.

Të nderuar besimtarë! Ne e kemi për detyrë që të respektojmë maksimalisht Librin e Allahut dhe Sunetin e Profetit (a.s) dhe mos t’i kundërshtojmë ato duke i kushtuar rëndësi sistemeve dhe metodologjive të tjera. Allahu i Madhëruar thotë: “E, nëse ju ia ktheni shpinën dhe i largoheni Atij, Ai do t’ju zëvendësojë me një popull tjetër, i cili nuk do ta ndjekë shembullin tuaj.”[11]

Në ditët e stome, shoqëria jonë – muslimane – po joshet dhe tundohet nga shumë rryma e ideologji që kanë si për qëllim rrënimin e muslimanit në aspektin e besimit, adhurimit, moralit..etj. Profeti (a.s) ka thënë: “Kush do të jetojë pas meje ka për të parë shumë kundërshtime. Prandaj ju duhet të kapeni fort pas Sunetit (rrugës) time dhe Sunetit të Halifëve të Drejtë e të Udhëzuar. Kapuni fort pas tij dhe mbërthejeni me dhëmballë. Kini kujdes (ruajuni) prej gjërave të shpikura, sepse çdo gjë e shpikur është bidat (risi) dhe çdo bidat (risi) është humbje dhe çdo humbje të shpie në Zjarr.”[12]

Të nderuar besimtarë! Në këto ditë ne jemi në mes të detit të trazuar, dallgët e të cilit na përplasin sa andej këndej, prandaj është shumë e rëndësishme për ne që t’i bëjmë ballë dallgëve të mosbesimit, devijimit dhe shthurrjes. Allahu i Madhëruar thotë: ‘Vërtet, ata që kthehen në mosbesim, pasi u është treguar rruga e drejtë, djalli i ka joshur dhe i ka ushqyer me shpresa të rreme. Kjo për shkak se u thoshin atyre që nuk e  donin atë, që e ka shpallur Allahu: Ne do t’ju bindemi juve në disa gjëra, por Allahu di mirë fshehtësitë e tyre. E çfarë do të bëjnë ata, kur engjëjt do t’ua marrin shpirtin, duke i rrahur në fytyrat dhe shpinat e tyre?! Kjo, sepse ata pasuan atë që shkakton zemërimin e Allahut dhe urryen pëlqimin e Tij e kështu, Ai ua zhvlerësoi atyre veprat.”[13]

Të gjitha lavdet dhe falenderimet i takojnë Allahut të Madhëruar që na ka bërë prej pasuesve të Umetit të Profetit (a.s) dhe pasues të Sheriatit të tij. Allahu i Madhëruar thotë: “Thuaj: Me dhuntinë e Allahut dhe mëshirën e Tij, vetëm me këto le të gëzohen! Kjo është më e mirë se ajo që grumbullojnë.”[14]

Të nderuar besimtarë! Nëse duam të shkojmë tek destinacioni (Xheneti) i duhur, atëherë ne duhet të ndjekim udhëzimin hyjnor dhe udhëzimin profetik. Allahu i Madhëruar thotë: “Thuaju: Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, që Allahu do t’ju dojë dhe t’jua falë gjynahet! Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë.”[15] “Jo, për Zotin tënd, ata nuk do të jenë besimtarë të vërtetë, derisa të të marrin ty për gjyqtar për kundërshtitë mes tyre, e pastaj, të mos ndjejnë kurrfarë dyshimi ndaj gjykimit tënd dhe të të binden ty plotësisht.”[16] “Çfarëdo që t’ju japë i Dërguari, merreni atë e çfarëdo që t’ju ndalojë, hiqni dorë prej saj.”[17]

Autor: Ragib Serxhani.

Përshtati në shqip: Elton Harxhi.

[1] – Sure Xhumua: 2.

[2] – Sure Nexhm: 1-18.

[3] – Sure Xhin: 19.

[4] – Sure Muxhadele: 22.

[5] – Sure Maide: 56.

[6] – Ebu Daudi. Hadithi është Sahih.

[7] – Sure En’am: 153.

[8] – Sure Ahzab: 36.

[9] – Sure Nur: 63.

[10] – Ebu Daudi. Hadithi është Sahih.

[11] – Sure Muhamed: 38.

[12] – Ebu Daudi. Hadithi është Sahih.

[13] – Sure Muhamed: 25 – 28.

[14] – Sure Junus: 58.

[15] – Sure Ali Imran: 31.

[16] – Sure Nisa: 65.

[17] – Sure Hashr: 7.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.