Takimi i Buhajrës me Profetin Muhamed (a.s)

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Ebu Talibi e donte shumë Profetin Muhamed (a.s), madje më shumë se fëmijët e tij. Ai nuk ndahej kurrë prej tij.

Një ditë, Ebu Talibi po përgatitej të udhëtonte për tregti në vendin e quajtur Sham. Por ai nuk mund të nisej pa e marrë me vete Muhamedin (a.s), sepse nuk donte ta linte vetëm.

Gjatë rrugës, ata kaluan pranë shumë faltoreve ku banonin murgj. Këta murgj lexonin në librat e tyre të shenjtë, Tevratin dhe Ungjillin, për profetin që do të vinte, dhe ata njihnin shenjat e tij.

Në mesin e tyre ishte një murg i mirë dhe i ditur, që quhej Buhajra. Ai i njihte mirë cilësitë e Profetit dhe po priste me mall ardhjen e tij…

Nga larg, murg Buhajra vuri re diçka të çuditshme: një re po qëndronte mbi një djalosh që ecte me karvanin. Kudo që shkonte ai djalë, reja e ndiqte dhe i bënte hije. Buhajra e dinte se kjo ishte një nga shenjat e Profetit të fundit që pritej.

Ai dëshironte me çdo kusht ta shihte këtë djalosh, prandaj përgatiti një vakt të madh dhe ftoi të gjithë udhëtarët e karvanit për të ngrënë. Kur udhëtarët erdhën, i thanë:

– O Buhajra! Ne kemi kaluar edhe herë të tjera nga kjo anë, por ti kurrë nuk na ke përgatitur ushqim. Pse tani?

Buhajra buzëqeshi dhe tha:

– Sepse sot jeni miq të veçantë. Ju lutem, ejani të gjithë, të mos mungojë askush!

Të gjithë erdhën… përveç një djaloshi të vogël që kishin lënë për të ruajtur plaçkat. Kur Buhajra e vuri re mungesën, pyeti:

– A janë të gjithë këtu?

– Po, përveç një djali që quhet Muhamed – thanë ata. – E kemi lënë të ruajë plaçkat.

– Atëherë, ju lutem, shkoni dhe ma sillni!

Kur Muhamedi (a.s) erdhi, u ul dhe hëngri bashkë me të tjerët. Buhajra e shikoi me kujdes dhe pastaj i tha:

– O djalosh! Të lutem, përgjigju disa pyetjeve që kam. Të betohem në Lat dhe Uza…

– Mos u beto në Lat dhe Uza – tha Muhamedi. – Unë i urrej ata.

– Mirë, atëherë të betohem në Allah – tha Buhajra.

– Pyet ç’të duash – ia ktheu Muhamedi me qetësi.

Buhajra nisi ta pyeste për gjumin, ushqimin dhe më pas i kërkoi t’i shihte shpatullat. Aty, ai pa një shenjë të veçantë – vulën e profetësisë, si një tufë qimesh midis shpatullave. Atëherë, ai e kuptoi se ky djalosh ishte pikërisht Profeti i fundit që pritej.

Pasi përfundoi ushqimi, Buhajra iu afrua Ebu Talibit dhe e pyeti:

– Kush është ky djalë?

– Djali im – u përgjigj Ebu Talibi.

– Jo, nuk është djali yt, sepse prindërit e tij nuk janë gjallë – tha Buhajra.

– Po, ke të drejtë – tha Ebu Talibi. – Babai i tij ka vdekur para se ai të lindte, dhe nëna e tij vdiq kur ishte ende i vogël.

– Tani po flet të vërtetën – tha Buhajra. – Kthehu me këtë djalë në Mekë dhe ruaje mirë. Bëj kujdes nga hebrenjtë, sepse nëse e kuptojnë se kush është, mund të duan t’i bëjnë keq.

Ebu Talibi u kthye me Muhamedin në Mekë. Zemra e tij tani ishte plot bindje se ky nip i tij do të bëhej dikush shumë i rëndësishëm. Fjalët e Buhajrës i jehonin ende në mendje: “Bëj kujdes nga hebrenjtë.”

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.