Gjykimi i skulpturës dhe fotografisë

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Pyetje: Duam të dimë gjykimin rreth skulpturës dhe fotografisë!

Përgjigje: Transmeton imam Buhari se Profeti (a.s) ka thënë: “Ata që i prodhojnë këto skulptura, do të ndëshkohen Ditën e Kiametit, duke u thënë: “Jepuni shpirt atyre që keni krijuar!

Buhariu dhe Muslimi, transmetojnë nga Aisheja të ketë thënë: “I dërguari i Zotit (a.s) u kthye nga një rrugëtim. Unë kisha mbuluar një dollap në mur me një perde ku ishin pikturuar disa skulptura. Me ti parë Profeti (a.s) i ndryshoi ngjyra e fytyrës dhe tha:”Oj Aishe! Njerëzit që do të ndëshkohen më shumë në zjarr Ditën e Kiametit, do të jenë ata që përpiqen të imitojnë krijimin e Zotit.” Tregon Aisheja: “Atëherë ne e premë dhe me të, bëmë dy jastëkë.”

Dijetarët myslimanë kanë mospajtime lidhur me fotografitë dhe statujat. Në rreshtat në vazhdim, po bëjmë një përmbledhje të mendimeve të tyre:

Së pari, lidhur me blerjen e statujave. Të gjithë dijetarët myslimanë pajtohen se blerja e statujave është haram, nëse blihen për t’i adhuruar dhe shenjtëruar. Në Kuran, statujat dhe idhujt që adhurohen, konsiderohen pisllëk. “Andaj, largohuni prej ndotësisë së idhujve…”[1]

Por nëse qëllimi i blerjes nuk është adhurimi dhe shenjtërimi, sërish blerja mbetet haram nëse plotësohen këto kritere:

1 – Nëse statujat janë të plota, pa u munguar asnjë pjesë apo gjymtyrë e jashtme.

2 – Nëse blerja bëhet pa asnjë shkak dhe arsye.

3 – Nëse përbëhen nga lëndë jetëgjata, si guri, mineralet apo druri.

Kjo, për shkak të haditheve të cituara më lart, si dhe për të mos lejuar që ato të adhurohen siç ndodh me idhujt. Po ashtu, ky gjykim është me qëllim që myslimani të mos ngjasojë me njerëzit që i shenjtërojnë statujat dhe idhujt. Profeti (a.s) e pati grisur një rrobë mbi të cilën ishin pikturuar kryqe, pasi simbolizonin besimin e një feje të caktuar.

Prandaj, bazuar në kushtet e cituara më lart, themi:

  1. a)   Nëse statuja është përgjysmë, ose i mungon një gjymtyrë dhe pjesë e trupit (pjesë pa të cilën nuk jeton dot ajo qenie, siç është koka ose barku) lejohet të blihet, edhe pse është e papëlqyeshme. Në medh-hebin maliki thuhet se lejohet të blihet dhe mbahet një statujë, nëse ajo përmban vrima, të cilat nëse ekzistojnë tek një qenie e gjallë, i shkaktojnë vdekjen. Hanefijtë dhe hanbelijtë, thonë se këto vrima duhet të jenë të mëdha që të lejohet blerja dhe mbajtja e statujave.
  2. b)   Nëse kemi ndonjë interes nga blerja e këtyre statujave, p.sh për të luajtur fëmijët, ose si mjet për lehtësimin e mësimdhënies, lejohet blerja dhe mbajtja e tyre. Kjo, sepse Profeti (a.s) ia lejoi Aishes të mbajë lodra të veshura si nuse, me të cilat ajo luante. Dijetarët e kanë komentuar këtë duke thënë, se kështu fëmija ushtrohet për profesionet përkatëse që e presin në të ardhmen. Kjo është një përjashtim nga ndalesat e përgjithësuara të statujave. Disa dijetarë i kanë lejuar statujat dhe bustet që ngrihen për përjetësimin e veprave të kolosëve të shquar, edhe pse sipas tyre, diçka e tillë është e papëlqyeshme pasi mund ti shtyjë njerëzit t’i adhurojnë këto statuja. Shumë idhuj të përhapur në gadishullin arabik, në origjinë ishin statuja të ndërtuara për të përjetësuar veprat e disa njerëzve të mirë. Për përjetësimin e veprave të këtyre njerëzve, do të ishte më mirë që me emrat e tyre, të emërtoheshin fabrika, uzina, shkolla dhe spitale.
  3. c)   Nëse statujat janë prodhuar nga lëndë të tilla si brumi, ëmbëlsirat etj… Asbeg ibn Ferexh e lejon blerjen dhe mbajtjen e tyre në shtëpi. Imam Kurtubiu e lejon dhe ai diçka të tillë, duke e argumentuar me ajetin: Ata punonin për atë çfarë të dëshironte: faltore dhe statuja”[2]

Së dyti, dispozita e prodhimit të statujave. Dijetarët myslimanë kanë mendim unanim se prodhimi i statujave është haram, madje konsiderohet nga gjynahet e rënda nëse prodhohen për t’u adhuruar nga njerëzit. Kjo, bazuar në hadithet e lartpërmendura. Nëse nuk prodhohen për adhurim, sërish është haram prodhimi nëse nuk përmbajnë ndonjë mangësi dhe nuk ka ndonjë interes nga prodhimi i tyre, si dhe lënda që prodhohen është jetëgjatë.

Disa dijetarë, mendojnë se shkaku i ndalimit të prodhimit të statujave është se kjo vepër përbën imitim të krijimit të Zotit.

Bazuar në sa thamë, kuptojmë e prodhimi i statujave me mangësi fizike, nuk është e ndaluar. Aq më tepër, nëse përdoren si mjete për lehtësimin e mësimdhënies.

Ky ishte gjykimi lidhur me prodhimin apo gdhendjen e statujave.

Sakaq, lidhur me vizatimin dhe pikturimin, themi se ekzistojnë katër mendime të ndryshme për blerjen e tyre:

1 – Janë të ndaluara në mënyrë kategorike, të plota qofshin apo me mangësi, qofshin të pikturuara në mure, apo në tapete. Kjo, për shkak të haditheve që e ndalojnë.

2 – Janë të ndaluara nëse kanë fizik të plotë, pa asnjë mangësi.

3 – Ndalohen nëse pikturohen në objekte të larta dhe jo në pëlhura ku mund të shkelen me këmbë dhe të injorohen.

4 – Lejohen. Ky mendim është i Kasim ibn Muhamed, një nga shtatë fakihët e Medines.

Nga gjithçka thamë, dijetarët kanë përjashtuar fotot diellore, pasi në origjinë, ato nuk janë gjë tjetër veçse fokusimi i një momenti nga jeta e një personi, me anë të kimikateve të ndryshme.

Kurse vizatimi i sendeve të pashpirt, siç janë bimët e pemët, lejohet. Madje, kjo radhitet tek artet e bukura mbi të cilat nuk ka asnjë ndalesë.

Po ashtu, ndalohen fotografitë që përmbajnë organe të zbuluara, për mbulimin e të cilave na ka urdhëruar Zoti, sidomos nëse me to synohet tundimi, provokimi dhe joshja.

Zoti e di me mirë!

[1] – Sure Haxh: 30.

[2] – Sure Sebe: 13.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *