Gruan e Faraonit nuk e frenoi tufani i mosbesimit që e rrethonte në pallatin e Faraonit që të kërkonte shpëtimin. Ajo hoqi dorë nga pallati i Faraonit dhe i kërkoi Zotit të saj një shtëpi në Xhenet, hoqi dorë nga lidhja me të për një lidhje më të fortë, u distancua nga vepra e tij e shëmtuar, nga frika se mos mëkati i tij e përfshinte edhe atë ashtu sikur u distancua edhe nga populli zullumqar i Faraonit.
Asija pa dritën, pa rrugën e drejtë dhe e kuptoi se ajo rrugë ishte e mbushur me sakrifica, gjakderdhje dhe marrje të jetës. Pavarësisht kësaj ajo vendosi të vazhdonte të ecte në atë rrugë dhe qëndroi e vendosur pavarësisht vështirësive.
Kur Faraoni mësoi për besimin e saj, filloi ta torturonte dhe ta keqtrajtonte me mënyra nga më të ndryshmet. Mirëpo ajo duroi, qëndroi e palëkundur në besimin e saj dhe kërkoi shpërblimin vetëm tek Allahu i Madhëruar. Ajo refuzoi çdo lloj kompromisi dhe kërkoi mbrojtjen e Allahut nga sprovat në fe. Përballë trysnisë së shoqërisë, pallatit, Faraonit dhe parisë, ajo kërkoi strehim tek Zoti.
Mes gjithë kësaj zallamahie, ajo ngriti kokën drejt qiellit, zgjodhi që të ishte pranë Zotit dhe zgjodhi botën tjetër, duke hequr dorë nga jeta në një mjedis të ndotur dhe të korruptuar. Ajo tha: “O Zoti im, më ndërto pranë Teje një shtëpi në Xhenet, më shpëto nga Faraoni dhe veprat e tij, dhe më shpëto nga populli i padrejtë.”[1]
O Allah! Kjo është një lutje e plotë dhe gjithëpërfshirëse, me synime dhe kërkesa të rëndësishme. Ajo e filloi me fjalën “Zoti im,” duke e madhëruar Allahun. Pastaj kërkoi prej Tij që t’i ndërtonte një shtëpi dhe përcaktoi vendndodhjen e saj përpara se të përshkruante vetitë e saj. Nuk pranoi asnjë pozitë tjetër dhe nuk u lut që të kishte një shtëpi “pranë Musait ose Harunit,” por tha “pranë Teje.” Kjo tregon lartësinë dhe madhështinë e shpirtit të saj. Pastaj përmendi Xhenetin, duke mos kërkuar botën dhe kënaqësitë e saj, por jetën e përtejme. Ajo e përmendi Faraonin si burimin kryesor të sprovës dhe korrupsionit, duke filluar nga më specifikja përpara të përgjithshmes. Tha: “Faraoni,” pastaj “veprat e tij,” dhe më pas “populli i padrejtë.”
Sa e mençur dhe sa e zgjuar ishte ajo! Allahu iu përgjigj lutjes së saj, e mori tek Ai dhe i ndërtoi një shtëpi në Xhenet. Shpërblimi i saj ishte i madh dhe Allahu e ngriti pozitën e saj si në këtë botë, ashtu edhe në botën tjetër. Ai e bëri atë një shembull të përjetshëm në Librin e Tij, për robërit e Tij besimtarë, duke thënë: “Allahu jep një shembull për ata që besojnë: gruan e Faraonit, kur ajo tha: ‘O Zoti im, më ndërto pranë Teje një shtëpi në Xhenet, më shpëto nga Faraoni dhe veprat e tij, dhe më shpëto nga populli i padrejtë.”[2]
Modeli i Asijes në dashurinë dhe urrejtjen vetëm për hatër të Zotit
Asija, bija e Muzahimit, ka dhënë shembullin më të mrekullueshëm të dashurisë dhe urrejtjes vetëm për hatër të Zotit. Ajo ishte një model i qëndrueshmërisë dhe i forcës së besimit, duke mos u frikësuar nga fuqia e burrit të saj (Faraonit). Përkundrazi, ajo i kapërceu të gjitha këto tundime dhe qëndroi me vendosmëri përballë tyre, duke u distancuar nga Faraoni dhe populli i tij. Ajo, një grua e dobët në dukje, sfidoi Faraonin, njeriun më të ashpër dhe më tiran në sipërfaqen e rruzullit tokësor. Nga historia e saj në Kuran kuptojmë se dashuria dhe besnikëria duhet të jetë për miqtë e Allahut, kurse urrejtja duhet të jetë për armiqtë e Allahut. Allahu është Mbrojtësi, Ndihmësi dhe Ai që i përgjigjet lutjeve të tyre.
Asija, bija e Muzahimit, Allahu qoftë i kënaqur me të, ishte e fortë në besim, e bindur ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij, e gatshme për t’iu përgjigjur mësimeve të fesë dhe i urrente mosbesimtarët. Besnikëria e saj ishte për Musain (a.s), ndërsa urrejtja i saj ishte ndaj Faraonit dhe veprave të tij. Ajo kërkoi të shpëtonte prej Faraonit, prej veprave të tij dhe prej popullit të padrejtë.
Fuqia e vullnetit të gruas së Faraonit dhe pavarësia e mendimit:
Përmes shembullit të gruas së Faraonit, Kurani na tregon se gruaja – ndryshe nga mendimi i gabuar se ajo është një qënie e dobët – mund të jetë e barabartë me burrin, madje ndonjëherë edhe me vullnet më të fortë se ai, e aftë të marrë vetë vendime (të guxishme) dhe të refuzojë çdo lloj ideologjie të shtrembër që bie ndesh me besimin e saj. Dhe jo vetëm kaq, por ajo është e aftë të përballet me sfidat më të vështira për të mbrojtur besimin e saj.
Autor: Ali Muhamed Salabi
Përktheu: Elton Harxhi
[1] – Sure Tahrim: 11.
[2] – Sure Tahrim: 11.