Ai ishte kryeministri i Turqisë përgjatë viteve pesëdhjetë. Menderes doli nga palltoja e Ataturkut dhe sfidoi ligjet e tij shekullariste në Turqi. Edhe pse e anëtarësoi Turqinë në Aleancën Atlantike të Veriut, si dhe e shndërroi në majën e heshtës së perëndimit kundër Bashkimit Sovjetik, kjo nuk i bëri fajde kur ushtria iu vu kundër dhe organizoi grushtin e parë të shtetit në historinë moderne të Turqisë. Ajo – ushtria – e dënoi me varje, bashkë me dy nga ministrat e tij, pas dhjetë vitesh qëndrimi në pushtet.
Menderez nuk ishte islamik, madje ai ishte anëtar i partisë popullore republikane të themeluar nga Ataturku. Ai ishte zgjedhur deputet i partisë në fjalë në parlamentin turk. Por, në vitin 1945, bashkë me tre deputetë të tjerë, ai mbajti një qëndrim të kundërt me qëndrimin e kryetarit të partisë dhe njëkohësisht kryeministër i vendit, Ismet Inunu, pasardhës i Ataturkut dhe avokat i trashëgimisë laike. Katër deputetët u ndanë nga partia, për të formuar një parti të re, atë demokratike, me në krye Menderez, duke sfiduar ligjin për formimin e partive të reja asokohe.
Në vitin 1946, partia e re mori pjesë në zgjedhjet e përgjithshme, por nuk fitoi më shumë se 62 vende në parlament. Mandej, ata morën pjesë dhe në zgjedhjet e 1950, ku fituan shumicën absolute dhe menjëherë Menderez formoi qeverinë e re. Kështu, ai arriti t’i japë fund predominancës së partisë popullore republikane, e cila qëndronte në pushtet që nga themelimi i republikës turke në 1923-shin.
Fushata zgjedhore e Menderez qe fokusuar në anulimin e procedurave laike të rrepta, me iniciativë të paraardhësit të tij Ismaet Inunu, siç ishte ndalimi i thirrjes së ezanit në arabisht dhe mbyllja e shkollave fetare. Me të fituar, Menderez i shfuqizoi këto ligje, ktheu ezanin në arabisht, rifuti lëndën e fesë në shkollat publike, hapi institutin e parë fetar të lartë, si dhe disa qendra për mësimin e Kuranit. Veç këtyre, ai çoi para zhvillimin ekonomik të Turqisë, sidomos sektorin bujqësor, industrial, arsimor dhe infrastrukturor.
Reformat e kryeministrit Menderez i dhanë një shtytje të fuqishme ekonomisë turke, gjë e cila rezultoi në uljen e papunësisë dhe zhvillimin e biznesit, e për rrjedhojë përmirësoi jetesën në vend. Përveç stabilitetit ekonomik, ato vite qenë vite edhe të stabilitetit politik për shkak të ç’tensionimit të situatës mes popullit dhe shtetit për shkak të ligjeve kundër fenomeneve me natyrë fetare.
Në çdo reformë të ndërmarrë prej tij, Menderez asnjëherë nuk deklaroi se ishte islamik, apo mbështetës i islamikëve. Përkundrazi, ai e vuri Turqinë në zemër të botës perëndimore, duke e bërë vendin anëtar të Aleancës Atlantike të Veriut. Turqia u radhit në krye të frontit perëndimor përgjatë luftës së ftohtë. Ajo krijoi marrëdhënie të forta me SHBA-të dhe i mbështeti planet e saj në rajon dhe jashtë tij, duke dërguar forca në Korenë e Jugut. Turqia e pa veten edhe kundër lëvizjes kombëtare arabe e cila ishte në ngritje e sipër, me në krye presidentin egjiptian Abdu Naser.
Në zgjedhjet e vitit 1954, partia demokratike fitoi me shumicë absolute dhe Menderez vazhdoi të mbajë postin e kryeministrit. Por, në këtë mandat ai nuk mundi ta shpëtojë ekonominë turke nga përkeqësimi, gjë e cila çoi në humbjen e një pjese të vendeve në parlament gjatë zgjedhjeve të 1957.
Në fund të viteve pesëdhjetë, reformat e brendshme të Menderez provokuan forcat shekullariste në Turqi, të cilat arritën të bëjnë për vete shumë faktorë socialë, sidomos universitetet dhe ushtrinë, kundërshtaren e politikave të qeverisë. Vendi u përfshi nga trazira dhe demonstrata të mëdha në rrugët e Stambollit dhe të Ankarasë. Studentët e akademisë të forcave tokësore organizuan një grevë të heshtur para parlamentit në Ankara për të protestuar kundër politikave të Menderez.
Në mëngjesin e 27 Majit 1960, ushtria organizon përmbysjen e parë ushtarake në vend. 38 oficerë me në krye gjeneralin Xhemal Gyrsel, morën në dorë qeverisjen e vendit. Ata nxorën në pension 235 gjeneralë dhe pesë mijë oficerë, mes tyre dhe kreun e shtabit të përgjithshëm. Partia demokratike u deklarua e jashtëligjshme, kurse kryeministri Adnan Menderez, presidenti i vendit Xhelal Pajar dhe dy ministra u burgosën në një ishull.
Pas një gjykimi formal, presidenti i republikës u dënua me burgim të përjetshëm, kurse kryeministri Menderez dhe dy ministrat e tij, ai i ekonomisë dhe i jashtëm, u dënuan me varje. Akuza e ngritur kundër tyre ishte përpjekja për përmbysjen e sistemit laik dhe ngritjes së një shteti fetar.
Një ditë pas gjyqit, ekzekutohet vendimi për varje të kryeministrit Adnan Menderez, me 17 shtator 1960, për tu bërë viktima e parë e shekullaristëve turq në konfliktin e brendshëm. Disa ditë më pas, u ekzekutua dhe dënimi i dy ministrave të tij.
Kufomat e tyre u varrosën në të njëjtin ishull ku kishin qëndruar si të burgosur. Vetëm në vitet nëntëdhjetë, eshtrat e tre të ekzekutuarve u transportuan në Stamboll ku u varrosën me nderimet përkatëse si dhe u vlerësuan për kontributin e dhënë, nga presidenti i asokohshëm, Turgut Ozal.