“Kuranijunët” hedhin një mori akuzash kundra Sunetit të Profetit (a.s) duke pretenduar se ato janë argumente definitive, të cilat të shtyjnë që ta braktisësh Sunetin e Profetit (a.s) dhe si rrjedhojë mos ta konsiderosh atë si burim të sheriatit islam. Akuzat e “Kuranijunëve” kundrejt Sunetit të Profetit (a.s) janë të shumta, por unë do të mjaftohem vetëm me njërën prej tyre:
Akuza kryesore:
Ata thonë se: Kurani Fisnik është i mjaftueshëm sepse ai ka sqaruar të gjitha çështjet e fesë dhe dispozitat sheriatike. Kurani nuk ka lënë gjë pa përmendur dhe si rrjedhojë nuk është nevoja e pranisë së një burimi të dytë të sheriatit, në rastin konkret atë të Sunetit të Profetit (a.s). Si argument për këtë pretendim të tyrin, ata kanë marrë ajetet kuranore, në të cilat Allahu i Madhëruar ka thënë: “Agjë nuk kemi lënë pas dore nga Libri..”[1] “Ai (Kurani) nuk është përrallë e trilluar, por pohim dhe përforcim i Librave të Parë të Allahut dhe shtjellim i imët i gjithçkaje si dhe udhëzues e përkujtim Mëshire për popullin besimtar.”[2] “Ky nuk është veçse këshillë dhe Kuran i qartë.”[3]
Duke u bazuar në këto ajete, Kuranijunët pretendojnë se përderisa Kurani është i qartë, në të është shtjelluar githçka dhe Allahu nuk ka lënë pa treguar asgjë prej çështjeve të besimit, moralit dhe dispozitave fetare, atëherë përse duhet të kemi nevojë për një burim të dytë të sheriatit?!
Kjo akuzë është e pabazë për disa arsye:
Arsyeja e parë: Nëse dëshirojmë që të japim një gjykim për një çështje të caktuar është gabim të marrim vetëm një ajet kuranor apo disa dhe të lëmë të tjerat që flasin për të njëjtën çështje. Allahu i Madhëruar thotë:“A besoni një pjesë të librit, e tjetrën e mohoni?!”[4]Ashtu sikurse në Kuran lexojmë ajetet e lartpërmendura[5], po ashtu në Kuran lexojmë ajetet që dëshmojnë se Suneti i Profetit (a.s) është shpallje nga Allahut, ajetet kuranore që tregojnë bindjen ndaj urdhërave që jep Profeti (a.s) dhe ajetin kuranor:“Ty (o Muhamed) të zbritën (Përkujtesën), me qëllim që t’u shpjegosh atë që u është shpallur me shpresë se do të mendojnë.”[6]Si duhet të veprojmë në këtë rast?! Nëse marrim për bazë vetëm ajetet kuranore të cilat i kanë cituar “Kuranijunët” dhe ajetet e tjera nuk i marrim për bazë, atëherë padyshim ne në këtë rast kemi besuar një pjesë të Kuranit dhe pjesën tjetër e kemi refuzuar dhe mohuar. Ajo që duhet të bëjmë në këtë rast është që të marrim për bazë të gjitha këto ajete dhe t’i studiojmë për të rënë në përfundimin e duhur. Ajetet kuranore të cituara nga Kuranijunët tregojnë se Kurani – sipas Kuranijunvë – nuk ka nevojë për t’u shpjeguar. Kurse ajeti kuranor në suren Nahl do të thotë se në Kuran duhet të shpjegohet dhe atë shpjegim duhet ta bëjë profeti (a.s). Gjatë studimit të këtyre ajeteve kuranore gjëja e parë që vërejmë është se midis ajeteve kuranore – në dukje – ka përplasje dhe bien ndesh me njëra – tjetrën. Mirëpo një gjë e tillë është e pamundur që të ndodhë në Kuran. Atëherë për të shmangur keqinterpretimin duhet medeomos të bëjmë bashkërendimin apo harmonizimin midis ajeteve kuranore.
Arsyeja e dytë: Është shumë e rëndësishme që të shohim kontektstin në të cilin janë përmendur ajetet kuranore, të cituara nga Kuranijunët, veçanërisht ajetin e përmendur në suren En’am sepse ai është ajeti ku më së shumti Kuranijunët mbështeten. Allahu i Madhëruar thotë: “Nuk ka asnjë gjallesë në tokë dhe as shpend që fluturon me dy krahë, e as që nuk janë të ndara në grupe sikurse edhe ju. Agjë nuk kemi lënë pas dore nga Libri. Më në fund te Zoti i tyre do të tubohen.” Në këtë ajet – duket qartë – se Allahu i Madhëruar flet për të gjitha llojet e gjallesave në tokë, shpendëve në qiell dhe për të gjithë njerëzit. Nëse do të themi se me fjalën “Libër” nënkuptohet “Kurani” atëherë kjo do të ishte një gabim trashanik. Po përse? A janë përmendur në Kuran të gjithë llojet e gjallesave në tokë, çfarë hanë, çfarë pinë, ku rrinë si shumohen, sa është jetëgjatësia e tyre,etj?! A janë përmendur në Kuran shumëllojshmëria e shpendëve, ku jetojnë, ku ushqehen, sa jetojnë, etj?! Po në lidhje me njerëzit a janë përmendur në Kuran me detaje të gjitha proceset e jetës?! Përgjigja definitive është: Absolutisht jo. Atëherë duke qenë se konteksti kuranor nuk na lejon të mendojmë se me fjalën “Libër” nënkuptohet “Kurani”, atëherë cili është qëllimi i fjalës “Libër” në këtë ajet kuranor? Komentuesit e Kuranit kanë thënë se me fjalën “Libër” në këtë ajet kuranor nënkuptohet “Lehvi Mahfudh”, librin në të cilin është shkruajtur gjithçka që do të ndodhë deri në Ditën e Kijametit. Padyshim që ky komentim është më i drejtë dhe më i saktë sepse përputhet plotësisht me kontekstin e ajetit.
Arsyeja e tretë: Allahu i Madhëruar thotë: “Faleni namazin dhe jepeni zekatin!”[7] Cilat janë ato ajete kuranore që tregojnë për formën dhe mënyrën e faljes së namazit, sa herë duhet të falemi në ditë, kush e ka për detyrë ta falë namazin, cilat janë kushtet që duhet të plotësohen për të faluar namazin, sa rekate ka një namaz, çfarë duhet me lexuar dhe çfarë jo gjatë faljes së namazit, cilat janë gjërat që e prishin namazin, etj. Cilat janë ato ajete kuranore që përcaktojnë kuotën e caktuar (nisabin) të atij që e ka për detyrë me e dhënë zekatin dhe se sa përqind duhet të jap ai nga ajo kuotë, etj. Po ashtu edhe përsa i përket adhurimeve të tjera si agjërimi e haxhi. Asnjë prej këtyre adhurimeve nuk është treguar me detaje në Kuran. Ai që i ka sqaruar me detaje këto detaje është Suneti i Profetit (a.s).
Pikërisht, këto janë arsyet kryesore pse pretendimi i “Kuranijunëve” është i pabazë dhe se Suneti i Profetit (a.s) është burimi i dytë i Islamit.
Autor: Elton Harxhi
[1] – Sure En’am: 36.
[2] – Sure Jusuf: 111.
[3] – Sure Jasin: 69.
[4] – Sure Bekare: 85.
[5] – Të keqcituara nga Kuranijunët.
[6] – Sure Nahl: 44.
[7] – Sure Bekare: 43.