Komentimi i ajetit: “Dhe kush nuk pendohet ai është zullumqar”

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Kjo frazë është pjesë e ajetit kuranor në suren Huxhurat, ku përmenden një sërë vesesh dhe mëkatesh të rënda siç janë: tallja që burrat apo gratë i bëjnë të tjerëve, nënçmimi i të tjerëve dhe emërtimi i njerëzve me llagëpe. Aq i rëndë është mëkati i emërtimit të njerëzve me llagëpe saqë Allahu e ka konsideruar si një vepër të shëmtuar pasiqë njeriu është besimtar.

Ky ajet kuranor aludon për dy kategori njerëzish: Një kategori prej tyre është kategoria e atyre njerëzve që pendohen nga mëkatet. Të tillët janë të shpëtuar. Kurse në kategorinë  e dytë bëjnë pjesë ata njerëz të cilët nuk pendohen nga mëkatet. Të tillët janë zullumqarë dhe i kanë bërë padrejtësi vetes.

Ky ajet kuranor i fton besimtarët të pendohen nga mëkati i talljes, nënçmimit dhe vendosjes së llagëpëve. Megjithatë ky ajet kuranor nënkupton edhe pendimin nga çdo mëkat.

Prandaj, nëse njeriu nuk e fal namazin dhe dëshiron të pendohet, në fillim duhet të pendohet tek Allahu dhe duhet të fillojë të falë namazin.

Nëse njeriu sillet keq me prindërit dhe dëshiron të pendohet, duhet të pendohet te Allahu dhe duhet të fillojë të sillet mirë me prindërit.

Nëse njeriu ka pirë alkol dhe dëshiron të pendohet, duhet të pendohet te Allahut dhe nuk duhet të pijë më alkol.

Nëse njeriu gënjen, mashtron përgojon dhe merret me thashetheme dhe dëshiron të pendohet, duhet të pendohet te Allahu dhe duhet t’i lërë të gjitha këto vese të këqija.

Nëse njeriu ka vjedhur dhe dëshiron të pendohet, duhet të pendohet te Allahu, duhet ta kthejë mbrapsht atë që ka vjedhur dhe ta braktisë vjedhjen.

E kështu përsa i përket pendimit nga çdo mëkat.

Ky ajet kuranor i fton besimtarët të nxitojnë të pendohen sa më shpejt. Nëse njeriu nuk pendohet menjëherë, por vazhdon të këmbëngulë në mëkatin e tij, atëherë ai përballet me një rrezik të madh. Njeriu i cili këmbëngul duke bërë mëkate të vogla, me kalimin e kohës ato bëhen të mëdha dhe nëse ai vazhdimisht bën mëkate të mëdha duke këmbëngulur me padyshim që kjo konsiderohet prej rreziqeve më të mëdha që i kanosen njeriut.

Kjo është detyra e robit besimtar, të pendohet te Allahu për mëkatet dhe gabimet që ka bërë, qofshin ato mëkate që janë bërë në raport me Allahun, krijesat apo me veten e tij.

Nga ana tjetër ne nuk duhet ta shohim shtrembër atë njeri i cili është penduar nga mëkati. sepse ai tashmë është i pastër dhe pendesa e tij është pranuar tek Allahu.

Mirëpo ka të tjerë njerëz të cilët megjithëse vazhdojnë të mëkatojnë nuk pendohen. Të tillë njerëz Allahu i ka quajtur zullumqarë. Po përse? Sepse:

Njeriu i cili nuk pendohet është zullumqar për arsye se nuk e njeh Zotin.

Njeriu i cili nuk pendohet është zullumqar pasi nuk arrin të njohë mëshirën e pakufishme të Allahut, i cili gëzohet me atë njeri që pendohet, ia fal mëkatet dhe gabimet.

Njeriu i cili nuk pendohet është zullumqar pasi nuk ka ndjekur programin hyjnor.

Njeriu i cili nuk pendohet është zullumqar për veten e tij pasi nuk është i vetëdijshëm për të metat dhe gabimet që ka. Atij i jepet mundësia për të shpëtuar mirëpo ai refuzon – padrejtësisht – të pendohet.

Njeriu i cili nuk pendohet është zullumqar pasi është i pavëmendshëm ndaj asaj gjëje që e pret.

Njeriu i cili nuk pendohet është zullumqar dhe zullumi është errësirë prej errësirave të Ditës së Kijametit, ashtu sikur ka thënë Profeti Muhamed (a.s). Në Ditën e Kijametit, besimtarët do ta kenë udhën nga do të ecin – para dhe pas – dritë, kurse përsa i përket zullumqarëve, udha nga ata do të kalojnë është errësirë.

Kështu që kushdo që nuk pendohet nga këto mëkate dhe të tjera është zullumqar, të cilin Allahu do ta ndëshkojë për shkak të mëkateve, zullumit dhe padrejtësisë që i ka bërë vetes së tij duke mos u penduar.

Autor: Elton Harxhi

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.