Allahu është Falësi

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Allahu i Madhëruar thotë në Kuran:

“Thuaj: O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar veten tuaj me shumë gabime, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së Allahut, pse vërtet Allahu i fal të gjitha mëkatet (pasi jeni penduar). Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti.”

Të dashur fëmijë!

Allahu është Falësi i madh (El Gafuru)..

Allahu është Mëkatfalësi (El Gafiru)

Allahu është (El Afu’u).

Allahu është Pranuesi i pendimit (Et Teuuabu).

Vjershë:

O Zot, nëse mëkatet së tepërmi më janë shtuar,

Unë e di se falje Jote është më e madhëruar.

Nëse tek Ti shpreson vetëm qelibari,

Ku do strehohet dhe gjejë prehje mëkatari?!

Të falem përdëllueshëm Zoti im, siç m`urdhëron,

Nëse Ti i kthen duart bosh, kush tjetër mëshiron?!

Le të mendojmë së bashku!

Jo rrallherë ndodh që në mendje na vijnë lloj – lloj mendimesh: mendime të mira dhe të liga. Imagjinoni sikur mendimet e liga që na vijnë ndërmend të shfaqeshin çfarë do të ndodhte? Nuk ka dyshim se do të prisheshim me të gjithë njerëzit. Mirëpo, Allahu i Lartësuar, me bujarinë dhe mëshirën e Tij ka bërë që mendimet e liga mos të shfaqen dhe as të konsiderohen mëkat, përveçse në rastin kur ne i konretizojmë ato në realitet.

Ne jemi shumë të vetëdijshëm që Allahu i Madhëruar na shikon kur mëkatojmë kudo që të jemi. Por ja që ne jemi njerëz, gabojmë, mëkatojmë dhe pendohemi. Ka plot raste kur ne një mëkat e bëjmë fshehtas, larg syve të njerëzve. Po përse? Arsyeja është shumë e thjeshtë: Nuk kemi dëshirë që të tjerët ta marrin vesh këtë. Imagjinoni sikur gabimin dhe mëkatin tonë ta zbulonin njerëzit?! Mirëpo është mirësi dhe bujari prej Allahut të Madhëruar që i fsheh këto gabime dhe që ne nuk zbulohemi në sy të njerëzve.

Robi Im të kujtohet..

Në Ditën e Kijametit, Allahu i Madhëruar do ta marrë robin e Tij në llogari dhe do t’i thotë:

O robi Im, a të kujtohet filan ditë, filan gjynah që e bëre në filan vend, e robi ul kokën.

Pastaj Allahu i thotë për një mëkat tjetër që robi e ka bërë:

O robi Im, a të kujtohet filan ditë, filan gjynah që e bëre në filan vend, e robi ul kokën përsëri i turpëruar.

Robi thotë: O Zot, a nuk mi ke falur? A nuk mi ke mbuluar mëkatet?

Allahu i thotë: Unë t’i kam mbuluar në Dynja dhe do t’i mbuloj sot para gjithë njerëzve, sepse edhe ti në Dynja nuk ke treguar se çfarë gjynahesh ke bërë.

Në lidhje me këtë Profeti (a.s) ka thënë: “Kur dikush prej jush bën gjynahe, mbulohet, mos dalë e të shesë mend përpara të tjerëve, se bëhet sebep për t’u përhapur e keqja”

Dialog:

Murati: Gjyshi, a e fal Allahu atë njeri që mëkaton?

Gjyshi: Po, Allahu e fal nëse njeriu pendohet.

Mira: A të gjitha mëkatet i fal Allahu?

Gjyshi: Allahu i fal të gjitha mëkatet përveç mosbesimit dhe idhujtarisë.

Murati: Unë nuk bëj  gabime asnjëherë dhe as nuk mëkatoj asnjëherë.

Gjyshi: Nuk është e vërtetë. Çdo njeri gabon dhe mëkaton.

Mira: Përse Allahu nuk e fali shejtanin, kurse Ademin (a.s) e fali?

Gjyshi: Sepse shejtani u tregua mëndjemadh dhe nuk e pranoi gabimin, kurse Ademi (a.s) e pranoi gabimin dhe iu lut Allahut që ta falte. Prandaj gabim nuk është të gabosh, por gabim është tregohesh mëndjemadh e mos ta pranosh që ke gabuar.

Murati: Në një ajet kuranor Allahu i Madhëruar thotë: Allahu i do ata që pastrohen dhe pendohen? Cila është lidhja midis pastrimit dhe pendimit?

Gjyshi: Po ja, Allahu i Madhëruar ashtu siç kërkon prej nesh që të pastrojmë trupin, ashtu kërkon prej nesh që ta pastrojmë zemrën dhe zemra pastrohet në rastin kur pendohemi.

Mira: Nëse unë bëj një mëkat a ngarkohen edhe të tjerët me mëkat?

Gjyshi: Jo, askush nuk mbart mëkatin që kryen tjetri.

Murati: Nëse unë bëj një punë të mirë, Allahu e shumfishon shpërblimin, po nëse mëkatoj a e shumfishon Allahu mëkatin?

Gjyshi: Jo, dhe kjo është mirësi prej mirësive të Allahut.

Mira: Kam dëgjuar se kur njeriu bën një mëkat, engjëlli që është ngarkuar për të shkruar mëkatin, nuk e regjistron menjëherë mëkatin, por pret derisa ne të pendohemi. A është e vërtetë kjo?

Gjyshi: Po është e vërtetë, dhe kjo është mirësi prej mirësive të Allahut.

Murati dhe Mira: Allahu ta shpërbleftë me të mira gjyshi.

Tek hoxha…

Njëherë e një kohë, një njeri që kishte mëkatuar shumë, shkon tek një hoxhë dhe e pyet:

A m’i fal Allahu mëkatet mua?

Po, nëse ti pendohesh sinqerisht tek Allahu – i thotë hoxha.

Si është e mundur kur  unë jam i mbushur plot e përplot me mëkate – pyeti njeriu?

O ti njeri, kush i ka krijuar qiejtë dhe tokën – pyeti hoxha?

Ai është Allahu – u përgjigj njeriu.

Kush e kthen ditën në natë dhe natën në ditë – pyeti përsëri hoxha?

Ai është Allahu – u përgjigj njeriu.

Kush e ka nënshtruar Diellin dhe Hënën – pyeti për së treti hoxha?

Ai është Allahu – u përgjigj njeriu.

Si është e mundur e gjitha kjo – pyeti hoxha?

Kjo ndodh me fuqinë e Allahut të Madhëruar – u përgjigj njeriu.

Ashtu sikur Allahu i Madhëruar është i Plotfuqishëm që të krijojë qiejtë e tokën, të kthejë ditën në natë e natën në ditë dhe të nënshtrojë Diellin dhe Hënën, po ashtu është i Plotfuqishëm të t’i falë mëkatet ty nëse pendohesh – tha hoxha duke vënë buzën në gaz.  A nuk e lexuar ajetin kuranor, në të cilin Allahu i Madhëruar thotë: “Ai ka krijuar qiejtë dhe Tokën për të shpallur të Vërtetën. Ai e bën natën të kalojë në ditë dhe ditën në natë. Ai e ka nënshtruar Diellin dhe Hënën. Të gjitha lëvizin për një kohë të caktuar. Vërtet, Ai është i Plotfuqishëm dhe Falës i Madh.”

Në testin e besimit,  Aishja mori  notën 10:

Ja si është përgjigjur ajo pyetjes:  Çfarë duhet të bëjë njeriu që Allahu t’ia falë mëkatet? Njeriu duhet:

Të pendohet sinqerisht

Të bëjë istigfar duke thënë “Estagfirullah”

Të besojë

Të ndjekë rrugën e drejtë.

Të bëjë punë të mira

Të falë e t’i tolerojë të tjerët.

Fëmijë të dashur!

Kur Ademi (a.s) dhe bashkëshortja e tij hëngrën nga pema e ndaluar iu lutën Allahut të Madhëruar që t’i falte dhe Ai i fali. A e dini cila është lutja me cilën ata të dy ju drejtuan Allahut të Madhëruar?

“Rabbena dhalemna enfusena. Ue il lem tagfir lena ue terhmana lenekunenne minel khasirin”

Që do të thotë:

“Zoti ynë, ne i bëmë padrejtësi veteve tona. Nëse Ti nuk na fal dhe nuk na mëshiron, atëherë do të jemi prej të humburve.”

Kush thotë në mëngjes dhe në mbrëmje “Sejjidul Istigfar” do të hyjë në Xhenet.

“Allahum me ente rab bi la ilahe il la ente, khalakteni ue ene abduke, ue ene ala ahdike ue ua’dike mestata’tu, eudhu bike min sherri ma sana’tu, ebu u leke bi ni’metike alejje ue ebu u bi dhenbi, fagfir li dhunubi, fe in nehu la jagfirudh dhunube il la ente.”

Që do të thotë: ë

“O Allah, Ti je Zoti im. Nuk ka zot tjetër përveç Teje që e meriton të adhurohet. Ti më ke krijuar e unë jam robi Yt. Unë do të qëndroj besnik në marrëveshjen dhe premtimin që kam bërë ndaj Teje aq sa të kem mundësi. Kërkoj mbrojtje prej Teje nga e keqja që kam vepruar. Jam mirënjohës ndaj të mirës Tënde ndaj meje dhe e pranoj që kam gabuar. Më fal mua, sepse askush nuk i fal mëkatet përveç Teje.”

Islami fshin gjithçka para tij:

Amër ibn Asi ka qenë një prej atyre njerëzve që për vite me rradhë e ka pasë luftuar Profetin (a.s) dhe muslimanët. Pas betejës së Ahzabit, Amri dhe një grup njerëzish që ia dëgjonin fjalën vendosën që të largoheshin nga Meka dhe të shkonin në Abisini tek Nexhashiu, mbreti i Abisinë. Me vete kishin edhe dhurata. Kur mbërritën në Absisini, Amri shkoi tek Nexhashiju. Para se Amri të hynte tek Nexhashiju, kishte hyrë një korrier të cilin e kishte dërguar Profeti (a.s) me një mision tek Nexhashiju. Amri tha: Tani është rasti më i mirë që unë t’i kërkoj Nexhashijut që të ma dorëzojë korrierin e Muhamedit dhe ta vras atë. Kur Amri hyn tek Nexhashiju, të cilin e kishte mik, kërkon prej tij që t’ia dorëzojë korrierin me qëllim që ta vrasë. Mirëpo Nexhashiju zemërohet shumë dhe nuk pranon. Më pas, Nexhashiju e fton Amrin që të bëhet musliman dhe ai pranon. Pas kësaj, Amri vendos që të shkojë në Medine tek Profeti (a.s).

Rrugës për në Medine, ai takohet me Halid ibn Uelidin, i cili edhe ai si Amri për vite me rradhë e kishte luftuar Profetin (a.s) dhe muslimanët. Edhe Halidi si Amri kishte vendosur që të shkonte në Medine tek Profeti (a.s) për të dëshmuar shehadetin. Kur shkuan në Medine, në fillim hyri Halidi tek Profeti (a.s) dhe dëshmoi shehadetin. Pastaj hyri Amri. Profeti (a.s) i tha atij që të dëshmonte. Për një çast, Amri hezitoi. Profeti (a.s) e pyeti: Pse heziton? O i Dërguar i Allahut për vite me rradhë unë kam luftuar kundra teje dhe kundra muslimanëve. A thua do të më falë Allahu mua – tha Amri?! Profeti (a.s) tha: A nuk e di ti o Amër se ai që pranon fenë Islame, i fshihen të gjithë mëkatet e mëparshme?! Sytë e Amrit ndritën dhe menjëherë ai dëshmoi shehadetin.

Imam Ahmedi dhe hajduti:

Njëherë imam Ahmedi po shkonte rrugës për në xhami. Duke shkuar për në xhami, pa një njeri që vodhi diçka. Më pas, hajduti shkoi në xhami për të falë namazin. Imam Ahmedi u habit dhe i foli atij: Si është e mundur që falesh dhe nga ana tjetër ti vjedh?! Njeriu tha: O imam, kjo është dera ime e hapur tek Zoti, prandaj më lë të qetë.

Pas disa kohësh, imami shkoi në Mekë në Qabe. Për çudi aty pa ish “hajdutin” i cili ishte penduar nga mëkati i hajdutllëkut dhe po i lutej Allahut të Madhëruar me përgjërim që ta falte. Imam Ahmedi tha me vete: “Subhanallah! Ai la një derë të hapur tek Allahu dhe Allahu i hapi derën e pendesës.”

A nuk dëshironi që Allahu t’ju falë?!

Hipokritët shpifën ndaj Aishes, bashkëshortes së Profetit (a.s), bijës së Ebu Bekrit se ajo është e pandershme. Padyshim që kjo shpifje e dëmtoi shpirtërisht Ebu Bekrin. Në mesin e atyre që shpifën ishte edhe Mistahu, një kushëri i Ebu Bekrit të cilin Ebu Bekri e ndihmonte ngaqë ishte i varfër. Më pas, Allahu i Madhëruar do të shpallte ajete kuranore që vërtetonin pafajësinë e Aishes dhe zbuloi gënjeshtrën dhe shpifjen e hipokritëve.

Duke qenë se Mistahu ishte përfshirë në shpifjen që i ishte bërë Aishes, Ebu Bekri tha: Nuk kam për ta ndihmuar më Mistahun. Mirëpo me këtë rast, Allahu i Madhëruar shpalli ajetin kuranor: “Të ndershmit dhe të pasurit nga ju, të mos betohen se nuk do t’u japin të afërmve, të varfërve dhe atyre që për hir të Allahut lanë vendlindjet e tyre, po le t’ua falin atyre gabimin dhe mos t’ua zënë për të madhe. A nuk dëshironi që Allahu t’ju falë ju?Allahu falë dhe mëshiron shumë.”

Kur Ebu Bekri e dëgjoji këtë ajet kuranor, tha: Po kam shumë dëshirë që Allahu të më falë. Kështu që ai ia fali gabim Mistahut dhe vazhdoi ta ndihmonte.

Abdullahu në xhami:

Ditën e Xhuma, Abdullahu shkoi në xhami për të falur xhumanë. Gjatë hytbes, ai dëgjoi imamin që po thoshte se mëshira e Allahut përfshin të gjithë gjallesat në këtë botë:

Allahu i Madhëruar i do ata që pendohen dhe kërkojnë falje.

Allahu i Madhëruar gëzohet kur dikush pendohet.

Allahu i Madhëruar e pranon pendimin e atij që pendohet.

Allahu i Madhëruar e ka lënë të hapur derën e pendesës derisa njeriut t’i vijë shpirti në fyt ose derisa dielli të lindë nga perëndimi.

Allahu i Madhëruar i fshin veprat e këqija dhe i zëvendëson me të mira për atë person që pendohet.

Allahu i Madhëruar disa engjëj i ka krijuar që të kërkojnë falje për besimtarët.

Ja se si i lutet Kenza Allahut të Madhëruar:

O Zot, Ti je Falës e Bujar dhe e do faljen, andaj më fal mua.

O Zot, të kërkoj falje, shëndet dhe besim.

O Zot, mi fal gabimet dhe mëkatet e mia.

O Zot, Falja dhe Mëshira Jote janë më të mëdha se mëkatet e mia.

O Zot, më fal mua, prindërit e mi dhe të gjithë muslimanët dhe muslimanet në Ditën e Llogarisë.

Amin!

 

 

 

 

 

 

 

 

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.