Transformimet më të mëdha në historinë e njerëzimit nuk kanë qenë produkt i një çasti fati, as fryt i një pritjeje të gjatë për një mundësi kalimtare; ato kanë qenë gjithmonë vepër e një udhëheqjeje që e kuptoi kohën para se ta kuptonin njerëzit. Dhe koha këtu nuk është thjesht ndërrimi i ditëve, por aftësia e çastit për t’u shndërruar në kuptim, dhe fuqia e një sezoni për t’u bërë shkollë.
Në këtë kuptim, Ramazani nuk ka qenë kurrë një muaj që na viziton e pastaj largohet, por ka qenë – dhe mbetet – një model universal për prodhimin e mundësive kur udhëheqja përgatitet si duhet. Bota në çdo kohë kërkon mundësinë: e ndjek në tregje, e kërkon në kriza, flet për të në konferenca. Por ajo që ende nuk është shkruar – ose nuk është guxuar të shkruhet – është pyetja: Po sikur udhëheqja e vërtetë të mos i menaxhojë mundësitë, por të pjekë rrethanat që e bëjnë mundësinë të pashmangshme?
Këtu fillon rrëfimi, jo për Ramazanin si një stinë adhurimi thjesht, por si një metodë për krijimin e mundësive njerëzore, administrative dhe morale. Ramazani nuk ua jep mundësitë atyre që i presin, por ua zbulon atyre që e kanë riorganizuar botën përreth tyre. Udhëheqja e jashtëzakonshme nuk hyn në Ramazan për të pyetur: “Çfarë do të bëjmë?”, por për të pyetur: “Çfarë duhet të heqim që e mira të shfaqet e vetme?”
Ky kalim nga shtimi tek largimi është sekreti i parë i krijimit të mundësive; sepse pengesat – jo mungesa e potencialeve – janë armiku i vërtetë i mundësive. Siç ka thënë Seneca: “Nuk është sepse gjërat janë të vështira që nuk guxojmë; por sepse nuk guxojmë, ato bëhen të vështira.”
Në Ramazan, kjo urtësi shfaqet me një qartësi mahnitëse; ajo që në muajt e tjerë duket e vështirë (vetëkontrolli, menaxhimi i kohës, përparësia e kuptimit mbi konsumimin) bëhet e mundur, jo sepse njerëzit ndryshuan papritur, por për shkak semjedisi ka ndryshuar.
Këtu shfaqet udhëheqja: udhëheqësi që e kupton Ramazanin nuk u kërkon njerëzve të bëhen më të mirë menjëherë; ai ridizenjon ditën, ritmin, diskursin dhe pritshmëritë, derisa më e mira të bëhet zgjedhja më e lehtë.
Krijimi i mundësive në Ramazan nuk do të thotë nisje iniciativash, as shtim programesh, as mbingarkim axhendash; por do të thotë krijim i një hapësire të mençur që lejon kuptimin të marrë frymë. Kjo hapësirë nuk është boshllëk përtacie, por boshllëk i qëllimshëm, që zbut zhurmën për t’u dëgjuar zëri i brendshëm. Dhe kjo është ajo që nuk mësohet në shkencën e menaxhimit, sepse menaxhimi është mësuar të masë atë që shtohet, jo atë që hiqet.
Në këtë kontekst, udhëheqësia në Ramazan i ngjan më shumë artit të kopshtarisë sesa inxhinierisë së fabrikave. Kopshtari nuk e prodhon frutin me dorën e tij; ai përgatit tokën, rregullon ujin, zgjedh kohën e duhur dhe pastaj beson se rritja do të ndodhë. Udhëheqësi i jashtëzakonshëm në Ramazan bën të njëjtën gjë: përgatit shpirtrat, lehtëson presionin, rregullon ritmin dhe më pas e lë mundësinë të lindë pa bujë.
Sot bota flet vazhdimisht për fleksibilitetin, udhëheqjen njerëzore dhe menaxhimin e energjisë. Por Ramazani ofron një model të gjallë të këtyre koncepteve pa terminologji teknike; ai është një stinë ku udhëheqja vihet në provë në aftësinë e saj për ta respektuar njeriun, jo për ta shteruar; për ta investuar kohën, jo për ta konsumuar; dhe për ta shndërruar disiplinën në qetësi të brendshme.
Siç ka thënë Vaclav Havel: “Shpresa nuk është optimizëm se gjërat do të shkojnë mirë, por bindje se ajo që bëjmë ka kuptim, pavarësisht rezultatit.” Ky është thelbi i mundësisë në Ramazan: që veprat të menaxhohen jo vetëm në kërkim të rezultateve, por në ruajtje të kuptimit. Atëherë, mundësia shndërrohet nga një përfitim i përkohshëm në një ndikim afatgjatë.
Udhëheqësi që krijon mundësi në Ramazan nuk ngre parulla dhe nuk flet gjatë për vlera; ai i përkthen vlerat në vendime të vogla: një vendim për të reduktuar mbledhjet, një vendim për të shtyrë atë që nuk është i domosdoshëm, një vendim për të rishpërndarë rolet, një vendim për të heshtur kur heshtja është më elokuente se fjalimi.
Këto vendime të vogla janë ato që krijojnë mundësitë e mëdha; sepse mundësia nuk vjen gjithmonë në formën e një ngjarjeje, por shpesh vjen në formën e një hapësire: hapësirë për mendim, hapësirë për afrim, hapësirë për qëllim të sinqertë.
Ndoshta ajo që nuk është shkruar më parë me qartësi të mjaftueshme është se Ramazani jo vetëm që i zbulon udhëheqësit, por edhe i formëson ata. Udhëheqësi që ka sukses në këtë stinë nuk ka sukses sepse është gjeni, por sepse është i përulur përpara kohës, i vetëdijshëm për kufijtë njerëzorë dhe i bindur se udhëheqja nuk është imponim force, por çlirim energjie.
Në një prej teksteve të tij të rralla, Karl Jaspers ka shkruar: “Momentet kufitare janë ato që e zbulojnë njeriun përpara vetes.” Ramazani është një moment kufitar për udhëheqjen: A zgjedh presionin apo besimin? Kontrollin apo fuqizimin? Shfaqjen apo sinqeritetin? Përgjigjja ndaj këtyre pyetjeve përcakton nëse mundësitë do të menaxhohen apo do të krijohen.
Kur e shohim botën nga ky këndvështrim, kuptojmë se Ramazani nuk është një ngjarje fetare lokale, por një ide universale: ideja se njeriu është i aftë – nëse ndryshojnë kushtet e mjedisit – të lartësohet pa imponim, të arrijë pa u shteruar dhe të japë pa iu kërkuar.
Udhëheqja që e kupton këtë mësim nuk e kufizon Ramazanin në një muaj, por e bart me vete gjatë gjithë vitit; sepse e di se çdo stinë mund të bëhet një Ramazan tjetër, nëse përgatitet si duhet. Kështu, mundësia shndërrohet nga një rastësi kohore në kulturë institucionale.
Në skenën e fundit, nuk shohim një udhëheqës mbi podium, as një deklaratë që lexohet, as shifra që shpallen; por shohim një mjedis që funksionon qetësisht, njerëz që kryejnë detyrat me prehje dhe mundësi që shfaqen pa zhurmë. Ky është triumfi i vërtetë: kur mundësia nuk ka nevojë të shpallet, sepse është bërë pjesë e sistemit.
Ky tekst nuk flet vetëm për Ramazanin, as vetëm për udhëheqjen, por për potencialin e njeriut kur i hiqen pengesat. Dhe kur bota ta kuptojë këtë mësim, nuk do të pyesë më: “Ku janë mundësitë?”, por do të shtrojë pyetjen më thelbësore: “Çfarë duhet të ndryshojmë në veten tonë… që mundësitë të lindin vetvetiu?”
Autor: Muhamed Tihami
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com



















