Allahu i Madhëruar thotë në Kuran:
“E kur robërit e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër. i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet. Pra për të qenë ata drejt të udhëzuar, le të më binden dhe të besojnë në Mua”
Të dashur fëmijë!
Ne i ngrejmë duart lart dhe i lutemi Allahut sepse:
Allahu është i Pasuri (El Ganij).
Allahu është i Plotfuqishmi (El Kadir).
Allahu është Mëshiruesi (Er Rahman).
Allahu është Bujari (El Kerimu).
Allahu është i Gjithëdijshmi (El Alimu).
Allahu është i Dashuri (El Uedudu).
Allahu është Lutjepranuesi (El Muxhibu)
Allahu është afër nesh (el Karibu)
Allahu është që çdo krijesë i drejtohet për nevojë (Es Samed).
Allahu i Madhëruar është pranë:
Në kohën e Profetit Muhamed (a.s) një njeri shkoi tek ai (a.s) dhe e pyeti:
”O i Dërguari i Allahut, a larg është Zoti ynë dhe duhet ta thërrasim, apo afër dhe ta lusim me zë të ulët?”
Profeti (a.s) nuk ju përgjigj. Më pas, atij iu shpall ajeti i mëposhtëm i Kuranit: “Dhe nëse të pyesin robërit e mi mbi Mua, Unë jam pranë (tyre) e pranoj lutjen e atij që më lutet”
Le të mendojmë së bashku!
Fëmjë të dashur! A e dini se:
Allahu i plotëson nevojat tona të domosdoshme edhe nëse ne nuk lutemi. Po si është e mundur një gjë e tillë?
Ne kemi nevojë për ujë e Allahu i Madhëruar ka zbritur shiun nga qielli, megjithëse ne nuk jemi lutur.
Ne kemi nevojë për të marrë frymë e Allahu i Madhëruar na ka dhënë ajrin, megjithëse ne nuk jemi lutur.
Ne kemi nevojë për t’u ngrohur e Allahu i Madhëruar ka krijuar Diellin. Megjithëse ne nuk jemi lutur.
Ne kemi nevojë për ushqim e Allahu i Madhëruar e ka bërë tokën të përshtatshme për t’u rritur të gjitha llojet e bimëve dhe pemëve, megjithëse ne nuk jemi lutur.
Foshnja që sapo ka lindur ka nevojë për qumësht dhe Allahu i Madhëruar ka bërë që ai të pijë qumështin e nënës, megjithëse ne nuk jemi lutur.
Përkundrejt kësaj;
Allahu i përgjigjet lutjes kur jemi në hall.
Allahu i përgjigjet lutjes tonë kur jemi në provim.
Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: “O ju njerëz! Ju keni nevojë për Allahun e Allahu nuk ka nevojë për ju. Ai është Falenderuesi.
Allahu i Madhëruar i është përgjigjur lutjes së profetëve
Profeti Nuh (a.s) i është lutur Allahut të Madhëruar dhe Ai i është përgjigjur lutjes së tij.
Profeti Ibrahim (a.s) i është lutur Allahut të Madhëruar dhe Ai i është përgjigjur lutjes së tij.
Profeti Jakub (a.s) i është lutur Allahut të Madhëruar dhe Ai i është përgjigjur lutjes së tij.
Profeti Musa (a.s) i është lutur Allahut të Madhëruar dhe Ai i është përgjigjur lutjes së tij.
Profeti Sulejman (a.s) i është lutur Allahut të Madhëruar dhe Ai i është përgjigjur lutjes së tij.
Profeti Ejub (a.s) i është lutur Allahut të Madhëruar dhe Ai i është përgjigjur lutjes së tij.
Profeti Zekerija (a.s) i i është lutur Allahut të Madhëruar dhe Ai i është përgjigjur lutjes së tij.
Profeti Muhamed (a.s) i është lutur Allahut të Madhëruar dhe Ai i është përgjigjur lutjes së tij.
Të gjithë profetët i janë lutur Allahut të Madhëruar dhe Ai i është përgjigjur lutjes së tyre.
Në orën e besimit:
Mësuesi: Të dashur nxënës, për çfarë folëm herën e kaluar?
Rijadi: Se disa prej profetëve i janë lutur Allahut të Madhëruar dhe Ai i është përgjigjur lutjes së tyre.
Mësuesi: Amina, cila ishte lutja që bëri Profeti Zekerija?
Amina: Profeti Zekrija (a.s) iu lut Allahut të Madhëruar që t’i jepte një djalë. E Allahu i Madhëruar i dhuroi një djalë megjithëse ai ishte i thyer në moshë.
Mësuesi: Elena, cila ishte lutja që bëri Profeti Ejub (a.s)?
Elena: Profeti Ejub (a.s) iu lut Allahut të Madhëruar që ta shëronte, e Allahu e shëroi megjithëse ai kishte vite me rradhë që dergjej në shtrat.
Mësuesi: Raidi, cila ishte lutja që bëri Profeti Sulejman (a.s)?
Raidi: Profeti Sulejman (a.s) iu lut Allahut të Madhëruar që t’i jepte një pushtet që nuk do kishte askush tjetër, e Allahu ia plotësoi dëshirën.
Mësuesi: Nertila, cila është lutja që bëri Profeti Junus (a.s)?
Nertila: Profeti Junus (a.s) kur ishte në barkun e peshkut iu lut Allahut të Madhëruar e Allahu i Madhëruar e shpëtoi.
Mësuesi: Isabela, cila është lutja që bëri Profeti Nuh (a.s)?
Isabela: Profeti Nuh (a.s) ju lut Allahut të Madhëruar që ta shkatërronte popullin zullumqar, e Allahu zbriti tufanin që e përmbyti atë popull zullumqar.
Mësuesi: Samir, cila është lutja që ka bërë Profeti Muhamed (a.s)?
Samiri: Profeti Muhamed (a.s) iu lut Allahut të Madhëruar që të triumfonte në betejën e Bedrit dhe Allahu iu përgjigj lutjes së tij.
Mësuesi: Ju lumtë fëmijë, e shoh që e paskeni përvetsuar mësimin shumë mirë.
Dialog:
Amiri: Mami, ju luta Allahut të Madhëruar dhe Ai nuk i është përgjigjur lutjes time.
Mami: Mos thuaj se Allahu nuk i është përgjigjur lutjes tënde. Përkundrazi, Ai i është përgjigjur lutjes tënde.
Amiri: Si?!
Mami: A të kujtohet çfarë ka thënë Profeti Muhamed (a,s) në lidhje me lutjen?
Amiri: Po më kujtohet shumë mirë. Profeti Muhamed (a.s) ka thënë: “Lutja është adhurim.”
Mami: E nëse besimtari e adhuron Allahun e Madhëruar, çfarë ndodh?
Amiri: Allahu i Madhëruar e shpërblen me të mira.
Mami: Bravo biri im.
Amiri: Por mami, unë dua që Allahu i Madhëruar t’i përgjigjet lutjes time në mënyrë që unë ta ndjej dhe të jetë e prekshme për mua?!
Mami: Biri im, më lejo të të drejtoj disa pyetje me qëllim që ti të marrësh përgjigjen e duhur.
Amiri: Urdhëro!
Mami: Profeti Isa (a.s) iu lut Allahut të Madhëruar që të zbriste nga qielli një tryezë me ushqime. E kur e zbriti Allahu i Madhëruar tryezën me ushqime?
Amiri: Menjëherë. E sheh…
Mami: Prit biri im i dashur, mos u nxito. Profeti Jakub (a.s) iu lut Allahut të Madhëruar që ta bashkonte me djalin e tij Jusufin (a.s). Kur ia pranoi Allahu i Madhëruar lutjen?
Amiri: Pas shumë vitesh
Mami: Profeti Ibrahim (a.s) iu lut Allahut të Madhëruar që në Mekë të dërgonte një profet që ishte Profeti Muhamed. Kur iu përgjigj Allahu i Madhëruar lutjes së Profetit Ibrahim (a.s)?
Amiri: Shumë vite pasi kishte vdekur Profeti Ibrahim (a.s).
Mami: Të kujtohet biri im kur ra sëmundja e koronës dhe asnjëri nga familja jonë nuk është sëmurë.
Amiri: Po vërtet më kujtohet, por përse?
Mami: Ka disa arsye, por padyshim që një arsye është se Allahu na ka ruajtur nga kjo e keqe për shkak të ndonjë lutje që kemi bërë më përpara.
Amiri: Mami kam dëgjuar se Allahu i Madhëruar i përgjigjet lutjes tonë në Ditën e Gjykimit. Si i përgjigjet?
Mami: Po ja nëse ti i je lutur Allahut për një gjë, por nuk të është realizuar ashtu siç ti je lutur, por ti thua me vete që urtësinë e kësaj e di vetëm Allahu i Madhëruar, në Ditën e Gjykimit, Allahu do t’i përgjigjet lutjes tonë duke ta shpërblyer me të mira. A e kuptove tani se si Allahu i Madhëruar i përgjigjet lutjes tonë?
Amiri: Po e kuptova shumë mirë. Faleminderit dhe Allahu ta shpërbleftë me të mira.
Dialog:
Ajni: Sot kemi provim në lëndën e matematikës. A ke mësuar?
Alvi: Jo nuk kam mësuar, por do t’i lutem Allahut që të më ndihmojë në provim.
Ajni: Kot e ke sepse Allahu nuk ka për t’ju përgjigjur lutjes tënde.
Alvi: Përse, a nuk i përgjigjet Allahu lutjes së atij që është në nevojë.
Ajni: Është e vërtetë, po në rastin tënd, Allahu nuk i përgjigjet?
Alvi: Përse?
Ajni: Sespse në rradhë të parë ti duhet të bësh sebepin e pastaj t’i lutesh Allahut të të ndihmojë.
Alvi: Çfarë do të thuash me këtë se nuk e kuptoj.
Ajni: Në fillim ti duhet të mësosh e të përgatitesh për provim dhe pastaj i lutesh Allahut që të të ndihmojë.
Alvi: Faleminderit shumë për këshillën e vlefshme që më dhe.
Abdullahu në xhami:
Ditën e Xhuma, Abdullahu shkoi në xhami për të falur xhumanë. Gjatë hytbes, ai dëgjoi imamin që po thoshte se Allahu i Madhëruar ka urdhëruar që robërit t’i luten Atij sepse lutja është adhurim. Allahu i Madhëruar i përgjigjet lutjes së atyre që ju është bërë padrejtësi. Allahu i Madhëruar i përgjigjet lutjes së atyre që janë në hall të madh e vështirësi. Allahu i Madhëruar dëshiron që njeriu t’i lutet Atij, të jetë këmbëngulës në lutje dhe mos t’i humbë asnjëherë shpresat. Midis njeriut dhe Allahut nuk ka ndërmjetës, prandaj njeriu duhet t’i lutet Allahut drejtpërdrejtë pa asnjë ndërmjetës.
Në testin e besimit:
Vanesa mori notën 10 -të në test.
Ja se si i është përgjigjur ajo pyetjes: Cilat janë rregullat dhe etikat që muslimania duhet të ketë parasysh kur t’i lutet Allahut të Madhëruar?
Muslimania duhet t’i lutet vetëm Allahut të Madhëruar dhe askujt tjetër.
Muslimania duhet të jetë e sinqërtë kur t’i lutet Allahut të Madhëruar.
Muslimania duhet t’i drejtohet Allahut të Madhëruar me emrat dhe atributet e Tij të mira.
Muslimania, në fillim duhet të falenderojë Allahun e Madhëruar, pastaj çon salavatë për Profetin (a.s) dhe pastaj i lutet Allahut të Madhëruar.
Muslimania duhet t’i lutet Allahut të Madhëruar me përgjërim.
Muslimania duhet të jetë e bindur se Allahu i Madhëruar do t’i përgjigjet lutjes së saj.
Muslimania duhet të jetë e kënaqur me përgjigjen sepse çdo gjë ndodh me urtësinë dhe dijen e Allahut të Madhëruar.
Muslimania duhet të jetë këmbëngulëse në lutje.
Muslimania duhet të lutet në çdo kohë, por veçnarisht në disa kohë është më mirë si për shembull në pjesën e fundit të natës.
Muslimania duhet t’i ngrejë duart në momentin që lutet.
Kohët dhe vendet kur është më mirë për t’u lutur
| Kohët më të mira për t’u lutur | Vendet më të mira për t’u lutur |
| Në sexhde | Në xhami |
| Në një të tretën e fundit të natës | Në Qabe |
| Në ditën e Xhuma | Në Arafat (gjatë kohës së haxhit) |
| Mes ezanit dhe ikametit | Në Muzdelife (gjatë kohës së haxhit) |
| Gjatë rënies së shiut | Në Mina (gjatë kohës së haxhit) |
| Pas leximit të krejt Kuranit (hatmes) |
Hadith Kudsij:
Në një hadith kudsij, Allahu i Madhëruar thotë:
O robërit e Mi! Të gjithë ju jeni në humbje, përveç atij që e udhëzoj Unë, prandaj kërkoni udhëzim nga Unë, e Unë do t’ju udhëzojë.
O robërit e Mi! Të gjithë ju jeni të uritur, përveç atij që e ushqej Unë, prandaj kërkoni t’ju ushqej, do t’ju ushqej.
O robët e Mi! Të gjithë ju jeni të zhveshur, përveç atij që e veshi Unë, prandaj kërkoni veshje nga Unë, do t’ju veshi.
O robërit e Mi! Sikur të gjithë njerëzit dhe xhindët (nga i pari deri te i fundit) të grumbulloheshin në një vend dhe të më kërkonin gjëra të ndryshme, dhe Unë secilit prej tyre t’ia jepja atë që ka dashur, kjo nuk do e pakësonte pasurinë Time, ashtu siç nuk e pakëson maja e gjilpërës detin kur futet në të.”
Lutja e Profetit (a.s) për Ebu Hurejren dhe nënën e tij:
Nëna e Ebu Hurejres refuzonte të bëhej muslimane dhe e shante Profetin (a.s), gjë që e dëshpëronte shumë Ebu Hurejren.
Një ditë, ai vendosi të shkojë tek Profeti (a.s) dhe t’i tregojë mbi hallin që kishte. Profeti (a.s) ngrejti duart lart dhe u lut: “O Zot, drejtoje nënën e Ebu Hurejres në fenë Islame!”
Pas kësaj, Ebu Hurejra kthehet në shtëpi. Pa hyrë brenda dëgjon zërin e nënës, e cila i thërret duke i thënë: “Qëndro aty ku je!” Del jashtë dhe i thotë: “Dëshmoj se nuk ka Zot tjetër veç Allahut dhe se Muhammedi është i dërguari i Tij.”
Ebu Hurejreja, kur dëgjoi këtë, u gëzua shumë dhe shkoi e ia tregoi Profetit se Allahu i Madhëruar ia kishte pranuar lutjen. Pasi i tregoi, i tha që ta lusë përsëri Zotin e Madhëruar që ta bëjë Ebu Hurejren dhe nënën e tij t’i duan njerëzit e tjerë dhe t’i bëjë njerëzit e tjerë t’i duan ata. Profeti (a.s) u lut.
Ebu Hurejra tha: ”Çdo njeri që dëgjonte mbi mua dhe nënën time, pas lutjes që bëri Profeti (a.s), na deshte.
Ja se si i lutet Kenza Allahut të Madhëruar:
O Allah! Më jep të mira në Dynja dhe Ahiret sepse Ti je Lutjepranuesi.
O Allah! Më bëj besimtare të devotshme sepse Ti je Lutjepranuesi.
O Allah! Më jep bereqet në kohën time sepse Ti je Lutjepranuesi.
O Allah! Më jep sukses në shkollë sepse Ti je Lutjepranuesi.
O Allah! Më bëj prej banorëve të Xhenetit sepse Ti je Lutjepranuesi.
Autor: Elton Harxhi



















