Allahu është Krijuesi

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Allahu i Madhëruar thotë në Kuran:

“Ky është krijimi i Allahut. Më tregoni çfarë kanë krijuar të tjerët përveç Tij?!”

Të dashur fëmijë!

Allahu është Krijuesi (El Khaliku)

Allahu është Shpikësi.(El Bari’u)

Allahu është Formësuesi.(El Musauuiru)

Dialog:

Sajmiri: Babi! Kush e ka krijuar qiellin?

Babi: Allahu.

Marsida: Po Tokën kush e ka krijuar?

Babi: Allahu.

Olsi: Po njerëzit.

Babi: Allahu. Fëmijët e mi të dashur, gjithçka që ne shohim me sy i ka krijuar Allahu. Si mendoni ju fëmijë, çfarë gjërash të tjera ka krijuar Allahu?

Tregim

Musai (a.s) ka qenë i Dërguar i Allahut. Allahu e pat ngarkuar Musain (a.s) me një mision shumë të rëndësishëm. Ai (a.s) bashkë me vëllain e tij Harunin (a.s) duhet të shkonin tek Faraoni, mbreti i Egjiptit.

Kur Musai (a.s) dhe Haruni (a.s) shkuan tek Faraoni, ai i pyeti:

Përse keni ardhur?

Kemi ardhur të të themi se ti duhet të besosh tek Zoti – u përgjigj Musai (a.s)

A ka zot tjetër përveç meje – tha me mburrje Faraoni?!

Po – tha Musai (a.s). Ai është Allahu.

E kush është Allahu – pyeti Faraoni me përçmim?!

Allahu është Ai i cili ka krijuar gjithçka dhe ka orientuar për të kryer funksionin për të cilin është krijuar.

Faraoni u shtang nga kjo përgjigje dhe nuk arriti t’i kthente përgjigje Musait (a.s)

Le të mendojmë së bashku:

Fëmijë të dashur!

A nuk e keni parë se:

Allahu e ka krijuar diellin dhe ai për çdo ditë lind nga lindja dhe perëndon nga perëndimi.

Allahu e ka krijuar ditën dhe natën dhe asnjëherë nuk ndodh që dita të vijë para natës apo anasjelltas.

Allahu e ka krijuar Tokën dhe ajo gjithmonë rrotullohet rreth vetes dhe Diellit.

Allahu i ka krijuar yjet dhe ato zbukurojnë qiellin.

Allahu e ka krijuar qiellin dhe ai mban yjet, diejtë, planetët e çdo trup qiellor

Profeti Ibrahim (a. s) e fton popullin e tij të besojë tek Krijuesi.

Populli i Ibrahimit (a.s) ishte një popull që në vend që të besonin tek Allahu, besonin se zoti i tyre ishin yjet, dielli apo hëna. Ibrahimi (a.s) dëshironte t’ju tregonte atyre se Ai që e meriton të adhurohet është vetëm Allahu, i Cili ka krijuar yjet, diellin, hënën e gjithçka tjetër. Fëmijë të dashur a e dini se çfarë bëri Ibrahimi (a.s)?

Një natë, Ibrahimi (a.s) pa një yll që ndriçonte dhe i tha popullit të tij: Ky është zoti im. Por kur ylli u zhduk të nesërmen, ai tha: Jo ky nuk është zoti im, sepse unë nuk i dua ata që zhduken.

Një natë, Ibrahmi (a.s) pa hënën dhe u tha atyre: Kjo është zoti im. Por kur të nesërmen, hëna u zhduk siç u zhduk më parë edhe ylli, ai tha: Jo kjo nuk është zoti im. Nëse Zoti im nuk më udhëzon, unë kam për të qenë i humbur.

Pastaj, gjatë ditës Ibrahimi (a.s) pa diellin dhe u tha atyre: Ky është zoti im, sepse ky është më i madh. Por kur erdhi nata, e dielli u zhduk, Ibrahimi (a.s) ju drejtua popullit të tij:

Unë nuk besoj tek yjet që ju i adhuroni në vend të Allahut. Unë i drejtohem vetëm Allahut që krijoi qiejtë edhe tokën Unë nuk besoj në besime të kota dhe unë nuk jam idhujtar.

Dialog:

Ajla: Mami, përse Allahu i ka krijuar sytë?

Mami: Që të shohim.

Ajla: Po veshët?

Mami: Që të dëgjojmë

Ajla: Po hundën?

Mami: Që të marrim frymë.

Ajla: Po mushkëritë?

Mami: Që të marrim frymë.

Ajla: Po zemrën?

Mami: Që të jetojmë.

Ajla: Faleminderit mami që më bëre të kuptoj se përse janë krijuar sytë, veshët, hunda, mushkëritë dhe zemra. A mund të bëjë edhe një pyetje të fundit.

Mami: Patjetër e dashur?

Ajla: Po neve, përse na ka krijuar Allahu?

Mami: Që ta besojmë Allahun, ta falenderojmë Atë për mirësitë që na ka dhënë dhe që ta adhurojmë vetëm Atë dhe askënd tjetër përveç Tij.

Ajla: Allahu ta shpërbleftë mami.

Në orën e besimit, Fiona mori notën 10 -të.

Arsyeja e kësaj është se mësuesja i tha:

Allahu, çdo gjë që e ka krijuar e ka krijuar çift. A mund të më tregosh dhjetë shembuj:

Po – tha Fiona dhe filloi:

1 – Allahu ka krijuar mashkullin dhe femrën.

2 – Allahu ka krijuar ditën dhe natën.

3 – Allahu ka krijuar plusin dhe minusin.

4 – Allahu ka krijuar verën dhe dimrin.

5 – Allahu ka krijuar të mirën dhe të keqen.

6 – Allahu ka krijuar lumturinë dhe fatkeqësinë.

7 – Allahu ka krijuar jetën dhe vdekjen.

8 – Allahu ka krijuar forcën dhe dobësinë.

9 – Allahu ka krijuar shëndetin dhe sëmundjen.

10 – Allahu ka krijuar gjërat e ëmbla dhe gjërat e hidhura.

Dialog:

Jaseri: Kush është njeriu i parë që është krijuar?

Ajni: Ademi (a.s)

Jaseri: A është e vërtetë se njeriu i parë e ka prejardhjen nga majmuni?

Ajni: Jo, kjo nuk është e vërtetë. Njeriun e parë e ka krijuar Allahu.

Jaseri: Nga se e ka krijuar Allahu njeriun e parë?

Ajni: Nga dheu dhe ai është krijuar pa nënë dhe pa baba.

Jaseri: Po njeriu i dytë, që ka krijuar Allahu kush është?

Ajni: Ajo është bashkëshortja e Ademit (a.s), Havaja të cilën Allahu e krijoi nga brinja e Ademit (a.s)

Jaseri: Po pastaj si janë krijuar njerëzit e tjerë?

Ajni: Më pas njerëzit kanë lindur nga Ademi (a.s) dhe Havaja. Dhe kjo traditë e krijimit ka qenë dhe do të jetë deri në fund të botës. Allahu i ka krijuar të gjithë njerëzit nga mashkulli dhe femra  prej një pikë uji.

Jaseri: Kam dëgjuar se një Profet është krijuar pa baba. Kush është ai Profet?

Ajni: Ai është Profeti Isa (a.s)

Jaseri: Sa i madhërishëm është Allahu që ka krijuar njeriun në forma të ndryshme.

Ajni: Lëvduar qoftë Allahu më i miri Krijues.

Veza apo pula?

Fëmijë të dashur!

Ateistët janë njerëz të cilët nuk besojnë fare tek Zoti. Ky mosbesim i tyre i shtyn ata në disa rrugica të ngushta dhe qorrsokake, nga të cilat ata nuk dinë se si të përgjigjen.

Për shembull, ata pyesin kush ka lindur më parë; veza apo pula.

Nëse ti përgjigjesh veza, atëherë ai thotë po veza nga ka dalur?!

E nëse ti përgjigjesh pula, atëherë ai të thotë po pula nga ka dalur?!

Nëse do të mendojmë kaq cekësisht, ne nuk kemi për ta gjetur kurrë përgjigjen e kësaj pyetjeje.

Megjithatë për ne besimtarët përgjigja e kësaj pyetje është shumë e thjeshtë. Për ne nuk ka rëndësi se kush është krijuar në fillim, dhe asnjë nuk e di se kush është krijuar më parë. Por ajo që ne e dimë me siguri dhe besojmë është se Allahu ka nisur fillimin e krijimit të njërës prej tyre dhe më pas, ky cikël i vezës dhe pulës ndodh përherë.

Abdullahu në xhami:

Ditën e Xhuma, Abdullahu shkoi në xhami për të dëgjuar hytben dhe për të falur xhumanë. Gjatë hytbes, hoxha tha se:

Allahu është Krijuesi dhe Formësuesi i krijesave.

Allahu i ka krijuar trupat qiellorë dhe u ka dhënë atyre formë të rrumbullakët.

Allahu i ka krijuar kafshët në atë formë që ata të ecin me katër këmbë.

Allahu i ka krijuar shpendët në atë formë që të fluturojnë.

Allahu i ka krijuar peshqit në atë formë që të notojnë.

Allahu i ka krijuar zvarranikët në atë formë që të zvarriten.

Allahu i ka krijuar njerëzit në atë formë që të ecin me dy këmbë.

Abdullahu i dëgjoi me vëmendje fjalët e hoxhës dhe e kuptoi se Allahu është Krijuesi, Shpikësi dhe Formësuesi i të gjithë krijesave.

Ja se si i lutet Kenza Allahut të Madhëruar:

O Allah, Krijues i qiejve dhe Tokës të falenderoj që më ke krijuar në formën më të bukur.

O Allah, Krijues i qiejve dhe Tokës më bëj besimtare dhe muslimane të devotshme.

O Allah, Krijues i qijve dhe Tokës, Ti që ke krijuar Xhenetin, më bëj prej banorëve të Xhenetit.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.