Allahu është Mëshiruesi

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Të dashur fëmijë!

Allahu i Madhëruar thotë në Kuran:

“Mëshira ime përfshin gjithçka. Atë (mëshirën) do ta caktoj për ata që janë të devotshëm,e japin zeqatin dhe për ata që i besojnë argumentet tona.”

Të dashur fëmijë!

Allahu është i Gjithëmëshirshmi (Er Rahman).

Allahu është Mëshirëploti (Er Rahim).

Allahu është i Dhemshuri (Er Reuf).

Allahu është Mirëbërësi (El Ber).

Allahu është Bujari (El Kerim)

Allahu është Dhuruesi (El Uehab).

Profeti (a.s) dhe mëshira e Allahut

Një ditë, Profeti (a.s) dhe shokët e tij panë  një nënë, e cila mbante në krahë foshnjën e saj. Për shkak të diellit përvëlues ajo përkulej pak, me qëllim që t`i bënte hije foshnjës së saj. Ajo nuk donte t’ia dinte për vete. Profeti (a.s) iu drejtua shokëve të tij dhe i pyeti: ”A mendoni se kjo nënë mund ta hedhë foshnjën e saj në zjarr?!” Ata u përgjigjën:”Jo o i Dërguar i Allahut!” Profeti (a.s) u tha: ”Zoti është më i mëshirshëm me ju, sesa kjo nënë për foshnjën e saj”

Profeti (a.s) ka thënë: “Allahu e ka ndarë mëshirën në 100 – të pjesë. Njërën perj këtyre mëshirave e ka zbritur mes xhindeve, njerëzve dhe kafshëve. Me këtë mëshirë,ata mëshirohen mes vete, madje edhe egërsira mëshiron të vegjëlit e saj. E Allahu ka mbajtur për Vete 99  mëshira të tjera për t’i mëshiruar robërit e Tij në Ditën e Kiametit .”

Profeti (a.s) ka thënë: “Ata që janë të mëshirshëm (tolerantë) do t’i mëshirojë i Gjithëmëshirshmi. Mëshironi ata që janë në Tokë, t’ju mëshirojë Ai që është në qiell.

Profeti (a.s) ka thënë: “Era është prej mëshirës së Allahut të Madhëruar. Ajo vjen me mëshirë dhe me dënim. Prandaj kur ta shikoni atë. mos e shani, por kërkojini Allahut të mirën e saj dhe kërkojini mbrojtje Atij prej të keqes së saj”

Një beduin duke qenë në namaz tha: – O Allah, më fal mua dhe Muhamedin, e mos fal me ne askënd tjetër! Kur i Dërguari i Allahut (a.s) përfundoi namazin, i tha beduinit: “Ke ngushtuar diçka shumë të gjerë (mëshirën e Allahut)”

Le të mendojmë së bashku:

Sikur nga qielli të mos zbriste as edhe një pikë uji, atëherë në Tokë nuk do të kishte jetë sepse asnjë gjallesë nuk mund të jetojë pa ujë. Prandaj zbritja e shiut është mëshirë e Allahut të Madhëruar për ne, të gjithë gjallesat dhe të gjithë bimët.

Sikur të ishte gjithmonë vetëm ditë, jeta do të ishte e pamundur sepse ne kemi nevojë për natën që të qetësohemi. E nëse sikur të ishte gjithmonë vetëm natë, përsëri jeta do të ishte e pamundur sepse ne kemi nevojë për të ditën që na ndriçon. Prandaj ndryshimi i ditës dhe i natës është mëshirë nga Allahu i Madhëruar.

Të gjithë gjallesat kanë nevojë për ujë dhe ushqim. Sigurimi i ujit dhe ushqimit për gjallesat, padyshim është mëshirë nga Allahu i Madhëruar për to.

A e keni parë se edhe një fëmijë i vogël mund t’i orientojë dhentë, lopët apo devetë në kullosë. Është Allahu i Madhëruar, Ai i Cili me mëshirën e Tij i ka bërë bagëtitë që t’i nënshtrohen njeriut me qëllim që ai të përfitojë prej tyre.

A keni parë ndonjëherë që luani, që megjithëse është egërsirë, të hajë të vegjlit e tij. Kjo nuk ka ndodhur dhe nuk ka për të ndodhur asnjëherëa, sepse Allahu i Madhëruar në instikin e luanit dhe të çdo kafshe ka vendosur mëshirën.

A e dini se pinguini mashkull pasi që femra pjell vezën, e mban vezën për dy apo më tepër muaj mes këmbëve të tij që ajo mos të rrëshqasë e të thyhet. Nuk ka dyshim se kjo ndodh me mëshirën e Allahut të Madhëruar.

Fëmijë të dashur!

Njëherë Profeti Muhamed (a.s) u tha shokëve të tij: “Nuk do të hyjë askush prej jush në Xhenet me punën e tij. Shokët e pyetën: As ti o i Dërguar i Allahut? As unë. Vetëm se Allahu më përfshin Allahu me mëshirën e Tij – tha Profeti (a.s)

Megjithatë kjo nuk do të thotë se njeriu nuk duhet të punojë, përkundrazi ai duhet të punojë me qëllim që të fitojë Rahmetin dhe Mëshirën e Allahut. Por si e fiton njeriu Mëshirën e Allahut?

Duke qenë besimtar i mirë.

Duke qenë myslimanë i mirë.

Duke qenë i përkushtuar në adhurim.

Duke bërë sa më shumë punë të mira

Duke falur sa më shumë namaz.

Duke bërë Istigfar

Duke iu lutur Allahut të Madhëruar.

Duke qenë i mëshirshëm me njerëzit dhe të gjithë gjallesat.

Në orën e besimit:

Mësuesja: Nxënës të dashur. Sot do të flasim për emrat e Allahut Er Rahman, Er Rahim dhe Er Reuf.

Ledio: Mësuese, çfarë do të thotë emri i Allahut “Er Rahman”?

Mësuesja: “Er Rahman” do të thotë se Allahu i Madhëruar është i mëshirshëm me të gjithë krijesat e gjallesat.

Jasmina: Po emri i Allahut “Er Rahim”?

Mësuesja: “Er Rahim” do të thotë se Allahu i Madhëruar është Mëshirues në Ditën e Kiametit, mëshirë e cila përfshin vetëm besimtarët.

Selma: Po emri i Allahut “Er Reuf”?

Mësuesja: “Er Reuf” do të thotë se Allahu i Madhëruar është i mëshirshëm. Por ky emër përfshin vetëm besimtarët.

Ajni: Mësuese! Kam lexuar se çdo sure e Kuranit fillon me “Bismilahir Rahmanir Rahim” përveç një sureje. Cila është ajo sure?

Mësuesja: Ajo është surja “Et Teube”

Lola: Mësuese, unë kam lexuar se “Bismilah Er Rahmanir Rahim” përmendet në një sure 2 herë, por nuk më kujtohet emri i kësaj sure?

Mësuesja: Në Suren En Neml, kjo shprehje përmendet dy herë, njëherë në fillim dhe herën e dytë në ajetin numër 30.

Suadi: Mësuese, a ka ndonjë sure në Kuran që emërtohet në Kuran me një nga këto tre emra?

Mësuesja: Po ajo është sure “Er Rahman”.

Franci: Mësuese, cila është ajo sure që më së shumti është përmendur ky atribut i Allahut.

Mësuesja: Surja Merjem. Mirë nxënës, për sot mbaruam.

Jusra: Mësuese a kemi detyra?

Mësuesja: Patjetër. Të gjeni ato ajete kuranore ku është përmendur emri i Allahut “Er Rahman” në suren Merjem dhe pastaj t’i shkruani në fletore.

Zoti im është Falës e Mëshirues:

Në kohën kur ka jetuar Profeti Nuh (a.s) ndodhi një tufan shumë i madh. Allahu i Madhëruar e pat njoftuar më parë Nuhun (a.s) për tufanin, prandaj e pat urdhëruar atë që të ndërtonte një anije. Në kohën që tufani filloi, Nuhu (a.s) u tha besimtarëve: Hipni në anije! Anija do të lundrojë dhe do të ndalet me emrin e Allahut. Vërtet, Zoti im është Falës dhe Mëshirues. Të gjithë ata mosbesimtarë që refuzuan të hipnin në anije u mbytën, kurse besimtarët që hipën në anije shpëtuan në sajë të Mëshirës dhe Bujarisë së Allahut të Madhëruar.

O Zot na e trego mëshirën tënde

Shumë kohë më parë tregohet se një grup njerëzish po udhëtonin me anije. Ndodhi që gjatë udhëtimit të tyre, filloi një shtëngatë e madhe, dallgët e detit u ngritën dhe anija sa nuk po mbytej. Padyshim njerëzit u frikësuan. Ata shkuan tek Ibrahim Ed’hemi i cili po flinte gjumë, e zgjuan dhe i thanë: O Ibrahim, lute Allahun që të qetësohet deti, sepse lutja jote është e pranuar tek Allahu.

Ibrahim Ed’hemi iu drejtua Allahut të Madhëruar me këto fjalë:  O Zot, Ti po na e tregon fuqinë dhe forcën Tënde. Të lutemi që tani të na tregosh mëshirën Tënde.”

Menjëherë pas kësaj lutjeje, deti u qetësua dhe njerëzit shpëtuan.

Allahu të mëshiroftë

Kur Allahu i Madhëruar e krijoi Ademin (a.s) dhe i dha shpirt, në momentin që Ademit (a.s) i mbërriti shpirti në kokë, teshtiu. Ademi tha: Elhamdu lil lahi rabbi alemin, që do të thotë: Falenderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Allahu i Madhëruar tha: Jerhamukellah që do të thotë: Allahu të mëshiroftë.

Nisur nga kjo që i ndodhi Ademit (a.s) sa herë që ne teshtijmë duhet të themi “Elhamduliah” kurse personi që është pranë nesh duhet të thotë: Jerhamukellah.

Abdullahu në xhami:

Ditën e Xhuma, Abdullahu shkoi në xhami për të falur xhumanë. Gjatë hytbes, ai dëgjoi imamin që po thoshte se mëshira e Allahut përfshin të gjithë gjallesat në këtë botë:

Allahu i Madhëruar e zbret shiun si mëshirë për të gjithë krijesat.

Allahu i Madhëruar i dhuron të gjitha krijesave shumë të mira dhe ato janë të vazhdueshme.

Allahu i Madhëruar e ka bërë Tokën të përshtatshme për të jetuar për të gjithë krijesat.

Allahu i Madhëruar i ka krijuar njerëzit të ndryshëm me qëllim që ata të kenë nevojë për njëri-tjetrin. Dhe kjo është mëshirë për ta.

Allahu i Madhëruar na ka mësuar atë që nuk e dimë.

Allahu i Madhëruar na  largon të këqijat.

Por përveç kësaj mëshire gjithëpërfshirëse ka dhe një lloj mëshire tjetër që është e veçantë vetëm për besimtarët në këtë botë apo në botën tjetër.

Është mëshirë prej Allahut Madhëruar që na ka shpallur Kuranin.

Është mëshirë prej Allahut të Madhëruar që ka dërguar Profetin Muhamed (a.s)

Është mëshirë prej Allahut të Madhëruar që ne jemi besimtarë myslimanë.

Është prej mëshirës së Allahut të Madhëruar qe ne jemi të udhëzuar në rrugë të drejtë.

Është prej mëshirës së Allahut të Madhëruar që feja është e lehtë.

Është prej mëshirës së Allahut të Madhëruar që na mundëson të bëjmë vepra të mira.

Është prej mëshirës të Allahut të Madhëruar që na i fal mëkatet.

Është prej mëshirës së Allahut të Madhëruar që besimtarët do të hyjnë në Xhenet.

Lutje e rëndësishme:

“Ja Hajju ja Kajjumu, bi rahmetike estegithu. Aslih li she’ni kul lehu ue la tekilni ila nefsi tarfete ajn”

“O Ti që je i Përjetshëm dhe Mbajtës i gjithçkaje, me mëshirën Tënde më ndihmo, ma përmirëso gjendjen time dhe mos më lër të mbështetem në veten time, as sa një përpëlitje e syrit.”

Ja se si lutet Kenza:

O Zot më mëshiro dhe hapmi dyert e mëshirës Tënde.

O Zot mëshiroi prindërit e mi ashtu sikurse janë kujdesur ata për mua kur kam qenë e vogël.

O Zot zbrite shiun mëshirë për ne.

O Zot më fal dhe më mëshiro mua sepse Ti je më Mëshiruesi i Mëshiruesve.

O Zot, Ti je Mëshiruesi i Dynjasë dhe Ahiretit, më mëshiro mua në Dynja dhe Ahiret.

Autor: Elton Harxhi

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *