Allahu është Krijuesi (El Khalik)

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Autor: Selman Aude

Prej emrave të Allahut Lavdiplotë dhe të Lartmadhëruar është emri i Tij “El Khalik-Krijuesi”, “El Khalak-Krijuesi i Fuqishëm” dhe “Më i miri që është Krijues”.

Emri i Allahut “El Khalik-Krijuesi” ka ardhur në Kuranin Fisnik, në njëmbëdhjetë vende, prej të cilave përmendim: “Ai është Allahu, Krijuesi, Shpikësi, Formësuesi…”[1] dhe fjala e Lavdiplotit: “Allahu është krijues i çdo gjëje…”[2].

Në trajtën “Më i miri që është Krijues” ka ardhur në fjalën e Allahut Lavdiplotë: dhe në fjalën e Lavdiplotit: “A e adhuroni (idhullin) Ba’lën, e braktisni adhurimin e më të mirit krijues, që është Allahu?”[3].

Ndërsa emri i Tij “El Khalak-Krijuesi i Fuqishëm” ka ardhur në dy raste, në fjalën e Allahut Lavdiplotë: “Vërtet, Zoti yt është krijuesi i fuqishëm, më i dijshmi”[4] dhe në fjalën e Lavdiplotit: “…Po, Ai-Allahu është krijuesi i fuqishëm, i dijshmi”[5].

Çdo gjë që gjendet në univers, është krijesa e Tij, që dëshmon, njeh dhe pohon hyjninë dhe zotësinë e Tij. Gjithë sa shikon rreth teje, është argument pro Allahut, dhe këtë gjë e vërteton fjala e Allahut Lavdiplotë dhe të Lartmadhëruar: “Kjo është vepër e krijimit të Allahut, më tregoni pra mua se ç’krijuan të tjerët veç Tij?!…”[6]; pra ata që i lusin padrejtësisht veç apo krahas Allahut, çfarë kanë krijuar?!; “Thuaj: ‘Më thoni për ata që po i adhuroni përveç Allahut, më tregoni çfarë krijuan ata në tokë dhe a kanë pjesëmarrje në qiej (në krijimin e tyre)?! Nëse jeni të sinqertë, më sillni ndonjë libër para këtij (Kuranit) ose ndonjë gjurmë të mbetur prej diturisë (ku të hidhet dritë mbi saktësinë e pretendimit tuaj të pabazë, se ata që ju i keni shoqëruar Allahut, afrojnë tek Allahu)[7].

Medito dhe vështro në çdo lulishte të lulëzuar,

Në gjurmët e asaj që i Plotpushtetshmi ka krijuar,

Në krojet e argjendta që sytë ti verbojnë,

Në bahçet si ar i shkrirë që vezullojnë,

Në kallëpet e koraleve blu që gjelbërojnë,

Që mbi Allahun e pashoq, njëzëri dëshmojnë.

Je i ftuar të meditosh mbi shembujt në vijim:

Së pari: rreth 500-600 milion spermatozoidë kalojnë në rrugën e tyre nëpër mitër dhe unë e ti jemi vetëm një prej këtyre spermatozoideve, ndërsa çdo spermatozoid ka mundësi që me lejen e Allahut të jetë një njeri. Por Allahu Lavdiplotë dhe i Lartmadhëruar fal urtësisë e Tij që tregon se Ai ka mundësi të bëjë gjithçka. Allahu zgjodhi, që vetëm një prej këtyre miliona spermatozoideve të arrijë ta fekondojë vezoren, që ky njeri të jetë uniku i përzgjedhur, të posedojë aftësinë e të folurit, të arsyetuarit, të veprojë dhe reagojë me vullnet të lirë në çështjet e tij, brenda lejes së Zotit të vet.

Kështu u krijuam, prandaj le të tregojmë modesti karshi madhështisë dhe krenarisë sublime të Allahut Lavdiplotë dhe të Lartmadhëruar!

Pra le ta çojmë nëpër mend fillimin tonë, se ku gjendeshim, që të perceptojmë dallimin kolosal midis këtij spermatozoidi dhe këtij njeriu unik, të fuqishëm dhe solid.

Kjo që sapo thamë, e obligon njeriun të shprehë lavdërime për Allahun e Lartmadhëruar, ta përmendë, ta falenderojë dhe lëvdojë shumë Atë.

Së dyti: në trupin e njeriut ka mëse njëqind trilion qeliza dhe brenda çdo qelize ka aparatura, mekanizma, procese, programe, hartime dhe informacione të panumërta, që të gjitha së bashku i thurin lavde Zotit të tyre Lavdiplotë dhe të Lartmadhëruar, duke e kryer rolin e tyre në formën më të mirë dhe më të përsosur.

Në çdo qelizë gjenden tridhjetë e një (31) miliard germa të ADN-së, që përbëhet nga një kombinim prej katër germash, që konsiston në një lëndë gjenetike të pranishme në bërthamat e qelizës, të cilat janë përgjegjëse për të gjithë proceset e ndryshme jetike trupore.

Këto numra gjigandë germash të bërthamave acide, këto masive kolosale grimcash dhe qelizash të pranishme në trupin tënd, që të gjitha shprehin dhe afirmojnë madhështinë e Allahut Lavdiplotë dhe të Lartmadhëruar, faktin se Ai është Krijuesi i fuqishëm.

Së treti: ngrije kokën lart, shikoje qiellin! Sipër kokës tënde ke miliarda galaktika, dhe vetëm një galaktikë ka një plejadë të larmishëm yjesh, të paanë, të shumtë dhe gjigandë. Në to mund gjendet ylli foshnje, që ende është në periudhën e “foshnjërisë”. Gjithashtu është ylli i ri që është në periudhën e “adoleshencës” së tij, por prej tyre është edhe i moshuari i përthyer në moshën më të dobët, që po jeton ditët e tij të fundit. Që të gjithë i shprehin lavde Allahut Lavdiplotë dhe të Lartmadhëruar në kozmosin e paanë, ku ndajnë midis tyre distanca gjigande kozmike, të cilat vetëm Allahu Lavdiplotë dhe i Lartmadhëruar i di. Sa për dijeni, nëse do përfytyronim një anije kozmike, që ecën me shpejtësinë e dritës, pra që ecën me 186 milje në sekondë, ajo do merrte disa mijëra vite drite, vetëm që të arrinte nga njëri skaj i një galaktikë të vetme prej këtyre galaktikave në skajin tjetër.

Lëre më pastaj sa çoroditet mendja, kur përfytyron dimensionet gjigande hapësinore të lartësive përtej galaktikave. Pikërisht mbi këtë fakt Allahu Lavdiplotë dhe i Lartmadhëruart ka thënë: “Pra Unë-Allahu betohem në atë që e shihni! E edhe në atë që nuk e shihni!”[8] dhe ka thënë: “Betohem në pozicionet (orbitat ndërhapësinore) të yjeve. E ai është betim i madh, sikur ta dinit!”[9].

Ka raste, që njeriut në sytë e vet, i duket vetja i madh, madje ka raste që i duket dhe kolos! Vështron tek dy bërrylat e tij dhe aty për aty nxiton të ngrejë kokën lart… Por nëse do shihte tek këto krijesa gjigande dhe madhështore, një gjë e tillë do i trashëgonte atij modesti, përulësi dhe përthyerje para Zotit të tij Lavdiplotë dhe të Lartmadhëruar.

Këto galaktika, mbi të cilat po flasim, një prej tyre ka në gjirin e saj 2-1000 bilion yje dhe për çdo ditë shkenca zbulon risi në këtë kozmos, edhe pse metodat e zbulimeve ende konsiderohen të paafta dhe të limituara, për të kapur thelbin e fshehur të përbërësve të kozmosit.

Prandaj nevojitet, që njeriu të perceptojë sa të mundet aspektet e madhështisë së Allahut Lavdiplotë dhe të Lartmadhëruar, që janë të shpalosura tek krijesa e Tij, duke e vendosur edhe veten e tij në këtë kuadër.

Pasha jetën e Fytyrës Tënde,

O më i miri kujt lutësi lutje i drejton,

Pasha dritën e Fytyrës Tënde,

O i Madhërishmi në çdo gjë që bën,

Pasha mëshirën Tënde sublime,

Që çdo krijesë të kësaj gjithësie e mbulon,

Të mirin prej krijesave të Tua,

Por dhe atë që me gabime e tepron,

Pasha dinjitetin e emrave të Tu të përsosur,

Kuptimet e të cilave lëvdata Ty të bëjnë,

Duke qenë se Ti je Allahu, Hyjnia i vërtetë,

I adhuruari, i papari, i dëliri, i vetmi e i pashoq,

Po të drejtohemi Ty për zorin që na ka rënë,

Me një kërkesë që të kënaq ashtu siç të takon,

Me shprehitë më të denja, të drejtohemi ty Zotit tonë,

Pas mirësive dhe dhuntive Tuaja të pafund që na dhe,

Na e përmbush këtë lutje tonën, falë mëshirës Tënde,

O Ti begatitë e të Cilit, çdo moment trajtëzohen mbi ne.

Natyra përbën librin e Allahut të shpalosur, që shpreh lavde dhe falënderim për Zotin e saj Lavdiplotë dhe të Lartmadhëruar, Allahu i Lartësuar ka thënë: “Lartmadhëri të merituar i shprehin Atij shtatë qiejt e toka e edhe çfarë ka në to, e nuk ka asnjë send që nuk i bën tesbih (madhërim) Atij, por ju (o njerëz) nuk e kuptoni tesbihun (madhërimin) e tyre (pasi ai nuk është i kapshëm për perceptimin tuaj)…”[10].

Po kështu Allahu Lavdiplotë dhe i Lartëmadhëruar ka thënë: “A nuk e di për Allahun se Atij i bën sexhde (nënshtrohet dhe përulet) kush është në qiej dhe kush është në tokë, edhe dielli, edhe hëna, edhe kodrat, edhe bimët, edhe shtazët, e edhe shumë njerëz, teksa shumë meritojnë dënimin. Atë që e poshtëron Allahu nuk ka kush që mund ta bëjë të ndershëm. Allahu bën atë që dëshiron”[11].

Mrekullia e këtij universi, bukuria dhe madhështia e tij, është vetëm një rreze e vogël e autorësisë, kreativitetit dhe novacionit të Krijuesit të Lartëmadhërishëm.

Kur njeriu, rreket që ta zbresë idenë e krijimit spontan në aktualitetin ku jeton, ai ndihet shumë keq dhe e kupton, se ky është vetëm një gabim dhe paturpësi!

Shkencëtarët e profilizuar thonë, se nëse njeriu do vështronte lidhur vetëm me probabilitetin e krijimit të rastësishëm, thjesht të një segmenti të vetëm prej segmenteve të vogla të proteinës, një probabiliteti të tillë do t’i duhej jo më pak se tre bilion vite për të pasur gjasa që të krijohej. Po çfarë mund të thuhej pastaj për krijimin e rastësishëm të gjithë universit gjigand dhe totalit të përbërësve të tij?!

Jo, jo, një rastësi e tillë as që mund të vijë në caqet e imagjinatës, por e thëna e vetme, njëkohësisht edhe e vërteta e vetme është, që pas këtij krijimi perfekt qëndron vullneti i Allahut Lavdiplotë dhe të Lartëmadhëruar, të Gjithëditurit, të Urtit!

Si do të reagoje po të të vinte dikush dhe të të informonte, se një faqe e plotë letre me një citat letrar në të, ose me një vjershë të mirësistemuar, nuk është shkruar nga askush, nga  asnjë shkrimtar dhe asnjë poet, por germat e fjalëve të saj janë bashkuar me njëra tjetrën rastësisht në këtë radhitje! Pa dyshim se kjo nuk do gjente vend për t’u pranuar në arsyen tënde dhe arsyeja jote do ta hidhte tej atë. E lëre më pastaj nëse do vinte të të thoshte të njëjtën gjë për një enciklopedi me qindra volume dhe dhjetëra mijëra faqe, ku do gjendeshin edhe imazhe, foto, përkufizime dhe informacione, që përputhen krejtësisht me realitetin dhe me atë që thotë shkenca moderne. A mundet një njeri i arsyeshëm, apo edhe i paarsyeshëm, të thotë se: “Kjo enciklopedi gjigande ka për autor të saj vetëm rastësinë apo spontanitetin”?

Përkundrazi, ajo që duhet të thuhet është se: “Pas kësaj enciklopedie profesionale, qëndrojnë punë, redaktime, korrektime, hulumtime, shkrime, printime, të cilat kanë kaluar nëpër një sërë periudhash, derisa është arritur në këtë nivel… Kjo gjë përbën një nga aksiomat apo të vërtetat, që pranohen më lehtë.

Njeriu ateist, është një njeri i pashpresë, të cilit i janë mbyllur dyert dhe i janë vënë barriera. Ai shkon qorrazi, i paudhëzuar, ec pa ditur se ku, jeton pa qëllim në errësirën e tij totale shpirtërore. Nuk ka ide dhe dijeni as për fillimin nga ku erdhi, as për fundin ku po shkon dhe nuk ka ndonjë objektiv drejt të cilit rend.

Erdha, nuk e di se nga, por di që erdha,

Pashë para meje rrugë dhe mbi të eca,

Dhe do vazhdojë në ecje desha apo nuk desha,

Si erdha? Si e pashë rrugën time?

Nuk e di!…

Ndërsa besimtari ndihet maksimalisht i qetë. Teksa mediton në mbretëritë e Allahut Lavdiplotë dhe të Lartëmadhëruar, ai arrin të shikojë madhështinë e Allahut të shpalosur në krijimin e Tij, në urtësinë e Tij të arrirë, në planifikimin e Tij perfekt, Allahu Lavdiplotë ka thënë: “A ai që ec me fytyrë përmbysur në tokë është më i udhëzuar, apo ai që ec në pozicion të balancuar, rrugës së drejtë?!”[12].

Thuaji foshnjës që sapo lind, fillon e qan pa pushim:

Kush të bëri të qash, kush ta mësoi këtë aktrim?!

Kur ta shohësh gjarprin, helmin e tij ta hedhë me furi,

Pyete: kush të krijoi me helm në brendësi?!

E pyete: o gjarpër si ja bën për të jetuar,

Me helmin vdekjeprurës, që në gojë e ke strehuar?!

Pyeti barqet e bletëve: mjalti nga ju si pikoi?!,

E mjaltit thuaji: kush të ëmbëltoi?!

Qumështin steril, që në brendinë,

Me gjak e fekale të bagëtisë qe strehuar,

Pyete: kush të bëri të kulluar?!

Rezen e diellit që nga skajet drejt tokës udhëton,

Pyete: në rrugën për tek njerëzit kush të komandon?!

Hënën kur ta shohësh të vezulloj,

Pyete: kush bëri që drita jote të ndriçoj?!

O njeri, përmbahu, bëj kujdes, ku po shkon?

Nga zoti yt i lartmadhëruar ç’po të çorienton?

Meditimi në krijimin dhe mbretëritë e Allahut Lavdiplotë dhe të Lartëmadhëruar, të shpie për tek forcimi i çeliktë i besimit në Allahun Lavdiplotë dhe të Lartëmadhëruar, ndaj dhe Allahu Lavdiplotë dhe i Lartëmadhëruar ka thënë: “ Në krijimin e qiejve e të tokës, në ndryshimin e natës dhe të ditës, ka argumente të qarta për ata që kanë arsye dhe intelekt. Për ata që Allahun e përmendin kur janë në këmbë, kur janë ulur, kur janë të shtrirë dhe që thellohen në mendime rreth krijimit të qiejve e të tokës (duke arritur në konkludimin): ‘Zoti ynë, këtë nuk e krijove kot, i lartësuar qofsh, ruana prej dënimit të zjarrit!“[13].

Medito!

Dëlirësoje, madhëroje dhe adhuroje Atë që të krijoi, të solli në këtë ekzistencë dhe tek Ai çdo gjë do përfundojë.

“Krijuesi“, është emër i Allahut, që ka të bëjë me kuptimet e zotësisë së Tij.

Krijuesi është: sundimtari, i plotpushtetshmi për të planifikuar dhe vepruar,  pra çështja nuk ka të bëjë thjesht me aprovimin dhe njohjen e Allahut Lavdiplotë dhe të Lartëmadhëruar. Në gazetën “News Week“ kam lexuar një artikull të një shkencëtari amerikan të astronomisë, të bërë pas shtatëdhjetë viteve të tij të shkuara në laborator duke përdorur aparaturat, teleskopët dhe teknologjinë më moderne në dispozicion, i cili shprehet: “Tani e njohja Zotin dhe u binda, se duhet medoemos që pas këtij universi të qëndrojë një fuqi që njeriu s’e disponon“!

Pra pas shtatëdhjetë vjetësh, besoi në ekzistencën e Allahut, por kur do arrijë tek adhurimi i Tij, kur do ia jap Zotit të tij të drejtat e Tij, kur do ta përmendë, falënderojë dhe lëvdojë Atë?!

Kuptimet që përcollëm, e komandojnë robin tek Allahu Lavdiplotë dhe i Lartëmadhëruar, që të bëhet personazh i podiumit të besimit në Të, përgjërimit për Të, mbështetjes tek Ai, zbatimit të urdhrit të Tij, moskapërcimit të kufinjve të vendosur prej Tij. Lidhur më këtë Allahu Lavdiplotë dhe i Lartëmadhëruar ka thënë: “Krijimi është i Tij dhe Atij i takon të urdhërojë, i Lartëmadhëruar është Allahu, Zoti i botëve“[14].

Ai që krijon, ka të drejtë të urdhërojë dhe udhëzojë, thënë ndryshe të vendosë ligjin, të posedojë të drejtën legjitime për të urdhëruar dhe ndaj Tij duhet të tregohet bindje. Atij i takon, të vendosë kufinjtë dhe caqet e çështjeve, të ligjërojë dispozitat ligjore. Ai është Krijues, Ligjëvënës dhe krijesat duhet t`i binden dhe përgjigjen Atij, pasi kanë njohur faktin, se Ai i krijoi ata vetëm për këtë gjë!

Ateizmi është një ide injorante, që bie në kundërshtim me arsyen dhe ndërgjegjen, sidomos në kohën tonë të shkencës, planifikimit dhe zbulimeve kolosale. Por ekziston edhe e vërteta, se ateizmi në të shumtën e rasteve ka qenë një vendim politik, sikurse në epokën e komunizmit, por është edhe rezultat i krizës shpirtërore të njerëzve dhe kombeve, ku mungesa e qetësisë shpirtërore nuk i ka ndihmuar, që të arrijnë tek stabiliteti dhe prehja, që do lejonte për ta arritjen e freskisë së besimit, por ateizmi është edhe pasojë e një arsyetimi të gabuar, të ardhur si pasojë e mosinteresimit, gjë të ciën e sqaron Kurani fisnik përmes fjalës së Krijuesit Lavdiplotë: “… ata që nuk besuan, nuk ia vunë veshin vërejtjes që u tërhiqet“[15]; Sidoqoftë ateizmi nuk mund të jetë kurrësesi një gjykim i arsyeshëm.

[1] Hashr: 24.

[2] Zumer: 62

[3] Safat: 125.

[4] Hixhër: 86.

[5] Ja Sin: 81.

[6] Lukman: 11.

[7] Ahkaf: 4.

[8] Haka; 38-39.

[9] Uakia: 75-76.

[10] Isra: 44.

[11] Haxh: 18.

[12] Mulk: 22.

[13] Ali Imran: 191-190.

[14] Araf: 54.

[15] Ahkaf: 3.

 

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.