Aromë Ramazani

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Në këto rreshta të shkurtra do të përpiqem sadopak që të flas për disa prej nocioneve të muajit të Ramazanit, ndoshta ngaqë mund të kuptoj diçka nga madhështia e tij. Sa herë që në mendje më ngulitet një nocion, papritur një tjetër më shfaqet. Sa herë që ndjej aromën e këndshme të tij, të tjera aroma të tij më pushtojnë. Nuk e di nga t’ia filloj e as deri ku të përfundoj. Por më lejoni që për disa çaste të notoj me shpirtin dhe mendjen time në oqeanin e dritës, mirësisë e bukurisë, të notoj në detin e bujarisë së pakufishme hyjnore.

Hyrja e hënës së re dhe deklarimi se Ramazani tashmë ka filluar më njofton (paralajmëron) se mëshira dhe mirësia më kanë përfshirë edhe mua. Më bëhet sikur dëgjoj një zë nga qielli i cili thërret me gëzim të madh: Portat e Xhenetit janë hapur, portat e Xhehenemit janë mbyllur dhe shejtanët janë prangosur.

Këtu, ia vlen që të ndalemi pak dhe të meditojmë: Hapja e portave bëhet në mënyrën më të mirë të mundshme, portat që mbyllen nuk ka kush që t’i hapë, kurse shejtanët prangosen fort që mos të kenë liridalje. E kjo ndodh vetëm në muajin e bekuar të Ramazanit.

Ramazani është festë në Tokë, festë në Qiell, festë në zemrat e atyre që kërkojnë faljen, mëshirën dhe kënaqësinë e Allahut. Një vit i tërë ka kaluar ku besimtari ka qenë në luftë të hapur me shejtanin, nefsin dhe epshet e tija. Një vit i tërë ka kaluar me lodhje e stërmundime. Derisa në mesin tonë vjen muaji i bekuar i Ramazanit, ku Allahu i Lartësuar i thotë robit të Tij: Qetësohu sepse t’i kemi hapur portat e Xhenetit, t’i kemi mbyllur portat e Xhehenemit e shejtanët t’i kemi prangosur. E përsa i përket nefsit tënd që është dhënë pas epsheve, ia kemi lënë në dorë barkut tënd duke agjëruar, kështu që ti të qetësohesh, rehatohesh e të lartësohesh. Ke rastin më të mirë që furnizosh shpirtin, prandaj shfrytëzoje atë në maksimum.

Gjëma më e madhe që i vjen njeriut, nefsit dhe mendjes së tij i vjen nga barku. Kjo jo se njerëzit ndryshojnë nga njëri-tjetri për shkak të mendjes, prejardhjes, pozitës apo pasurisë. Ndryshimi i tyre i vërtetë vjen nga barku i tyre dhe ndikimi i tij mbi ndjenjat dhe logjikën e tyre.

Përpara nesh shpaloset agjërimi i cili i bën të gjithë njerëzit të barabartë. Tashmë ata kanë vetëm një ndejnjë. Agjërimi i vendos të gjithë njerëzit në një gjendje shpirtërore, qofshin ata në Lindje apo Perëndim. Tashmë, dëgjohet zëri i mëshirës, i keqardhjes  dhe jo i barkut, barazohet i pasuri me të varfrin e jeta bëhet më e këndshme në mbarë shoqërinë njerëzore. Allahu i Lartësuar, nëpërmjet agjërimit dëshiron që robin e tij ta fusë në Xhenetin e Amshueshëm. Për Zotin që është Një, a ka domethënie më të bukur se kjo?!

Dihet botërisht se mëshira apo keqardhja vjen si rrjedhojë e vuajtjes. Ndoshta ky është sekreti i madhështisë së agjërimit duke u privuar nga ushqimi  për një kohë të caktuar. Kjo është mënyra e vetme e edukimit të nefsit. Në momentin që i pasuri ndjen keqardhje për të varfërin, zëri i brendshëm i njeriut ka fuqi ekzekutive.

Asnjë ideologji e asnjë forcë tokësore nuk ka pushtet që t’i mbledhë njerëzit përreth saj. E vetmja gjë që i grumbullon njerëzit në një gjë të vetme është nënshtrimi, përulja dhe bindja ndaj vullnetit hyjnor. Agjërimi është bërë obligim tridhjetë ditë në vit për të edukuar vullnetin e njeriut në praktikë e jo në imagjinatën e tij.

Aroma që lëshon agjërimi përhapet në llojet e ndryshme të adhurimit. Ai kultivon tek besimtari ndjenjën e mbikqyrjes së Allahut ndaj robit të Tij. Të gjitha adhurimet që kryen besimtari, kryhen bashkarisht, si falja e namazit, haxhi..etj. Kurse përsa i përket agjërimit, ai është një adhurim midis robit dhe Krijuesit të Madhërishëm. Ti nuk mund t’i thuash njerëzve: Shiko unë po agjëroj. Agjërimi kultivon tek besimtari ndjenjën e sinqeritetit me Allahun. A nuk është e mjaftueshme fakti që në kohën e çeljes së iftarit, besimtari lutet e lutja është e pranuar dhe nuk kthehet mbrapsht. Aroma e agjërimit ndihet në ndërmjetsimin që ai do të bëjë për besimtarët në ditën e gjykimit, aroma e tij ndihet në leximin e Kuranit, ndihet në faljen e namazit të teravife, ndihet në natën e Kadrit e cila është e specifikuar me një bujari të pakufishme hyjnore. Aroma e agjërimit ndihet tek porta e Rejanit nga të cilit hyjnë të gjithë agjëruesit. Në hadithin kudsij, Allahu i Lartësuar thotë: “Ai është për Mua dhe vetëm Unë e jap shpërblimin për të.” Në krahun tjetër dëgjojmë qortimin e ashpër se kush e lë një ditë pa agjëruar pa kurrfarë arsye të njohur nga sheriati, nuk i vlen edhe sikur të agjërojë gjatë gjithë vitit. Prandaj gjatë muajit të Ramazanit, pavarësisht diversitetit të njerëzve në çështjen e besimit, vërejmë se agjëruesi nuk e ndërmerr hapin e rrezikshëm që të pijë qoftë edhe një gllënjkë uji, megjithëse agjërimi zgjat rreth 14-të orë.

Nëse të gjithë njerëzit anembanë botës do ta kuptonin domethënien e agjërimit, bota do të pastrohej nga papëstërtië dhe ndytëistë e shumta. Ramazani është si shiu që pastron pluhurat e tokës. Ramazani është si dushi që bën njeriu kur dëshiron të largojë erën e keqe nga trupi i tij. Agjërimi në muajin e Ramazanit e ndihmon njeriun që ta largojë egoizmin, kopracia nuk ka vënd në zemrën e tij, fjalët e ndyta nuk janë pjesë e fjalorit të gjuhës, kurse grindjet e zënkat as që të shkojnë ndërmend e jo më të vihen në zbatim. Besimtari nëpërmjet agjërimit thith aromën e durimit, qëndrueshmërisë, vullnetit e altruizmit duke u ngritur në majat më të larta të vëllazërisë, lirisë e barazisë.

Liria e vërtetë është kur njeriu çlirohet nga vargonjtë e epsheve të tij të shfrenuara. Kjo liri i jep besimtarit garanci edhe pas Ramazanit. Kushdo që agjëron gjatë Ramazanit duke qenë i nënshtruar e i bindur ndaj Allahut, përgatitet shpirtërisht dhe me vendosmëri për ta agjëruar të gjithë muajin, bën sabër në këto ditë të nxehta të verës, e ka shumë të lehtë që t’i nënshtrohet dhe bindet Allahut me adhurime përgjatë gjithë ditëve të tjera të vitit.

Ramazani është dhuratë nga Allahu, është një rast shumë i mirë që duhet të shfrytëzohet në maksimum. Nëpërmjet tij, Allahu i Lartësuar e shpërblen njeriun me Xhenet, hapësira e të cilit është sa gjerësia e qiejve dhe Tokës. Ai i cili nuk nënshtrohet dhe nuk përulet në këtë muaj, në cilin muaj tjetër të vitit do t’i përulet Allahut me adhurime?! Nuk ka kohë më të përshtatshme dhe tokë më pjellore se Ramazani?! Detyra e vetme e besimtarit gjatë muajit të Ramazanit është të shpëtojë veten nga Zjarri, të fitojë kënaqësinë e Allahut. Ai cili gjatë Ramazanit merret me shqetësime e preokupime të tjera, realisht ka humbur shumë nga aroma e Ramazanit.

Një aromë tjetër që na adhuron muaji i Ramazanit është edhe në kuptimin gjuhësor të kësaj fjale nga arabishtja:

Nga shkronja Ra vjen fjala Rahmet që do të thotë mëshirë e i gjithë Ramazani është mëshirë, ashtu sikurse thotë Profeti (a.s) në një hadith se fillimi i Ramazanit është mëshirë.

Nga shkronja Mim vjen fjala Magfire që do të thotë falje. Aroma e Ramazanit shpërndahet tek të gjithë agjëruesit për t’ia falur të gjitha mëkatet dhe kusuret.

Nga shkronja Dad vjen fjala Daman që do të thotë garanci. Kush agjëron me bindje dhe duke shpresuar shpërblimin e Allahut e ka të garantuar faljen e gjynaheve, shpërblimin e pakufishëm dhe hyrjen në Xhenet.

Nga shkronja Elif vjen fjala Emane që do të thotë besnikëri që do të thotë se besimtari e ruan amanetin që i është ngarkuar prej Allahut.

Nga shkronja Nun vjen fjala En Nur që do të thotë dritë. I gjithë Ramazani është dritë që shpërndahet tek të gjithë agjëruesit.

Ramazani është sistem i të jetuarit që kuron sëmundjet fizike, mendore, shpirtërore dhe sociale të mbarë shoqërisë. Ramazani e shtyn shpirtin me forcë përpara që të triumfojë ndaj materies. Ramazani është koha kur dynjaja pastrohet dhe parfumoset me erë të mirë. Prandaj përfitoni sa më shumë që të mundeni nga aroma e këndshme e këtij muaji të bekuar.

Faleminderit

Elton Harxhi

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.