Nga ajo që duhet qortuar prej teprimit dhe ashpërsisë, është që ajo të ndodhë jashtë vendit dhe kohës së duhur, për shembull, të tregohet rreptësi në ato vende që nuk janë toka islame, ose ndaj njerëzve që sapo janë futur në Islam, apo sapo janë penduar. Me këta njerëz duhet të tregohet butësi dhe mirëkuptim në çështjet dytësore dhe në ato ku ka mospajtime, duke u përqendruar fillimisht në parimet bazë para çështjeve sekondare, në themelet para detajeve, dhe duke i korrigjuar fillimisht besimet e tyre. Vetëm pasi ato të jenë përforcuar, mund t’u bëhet thirrje për shtyllat e Islamit, pastaj për degët e besimit, e më pas për shkallët e larta të devotshmërisë (ihsanit).
Kur Profeti (a.s) e dërgoi Muadhin (r.a) në Jemen, i tha: “Ti do të shkosh te një popull nga ithtarët e Librit. Ftoji ata të dëshmojnë se nuk ka zot tjetër përveç Allahut, dhe se unë jam i Dërguari i Allahut. Nëse të binden për këtë, atëherë njoftoji se Allahu u ka bërë detyrim pesë namaze në çdo ditë e natë. Nëse të binden për këtë, atëherë njoftoji se Allahu u ka bërë detyrim një lëmoshë që merret prej pasanikëve të tyre dhe u jepet të varfërve të tyre…”[1]
Shiko! Ai (a.s) e urdhëroi atë që të ndiqte një metodë të përshkallëzuar në thirrjen e tij: të fillonte me bazën, dy dëshmitë, dëshminë e njëshmërisë së Allahut dhe dëshminë e dërgimit të Muhamedit (a.s) ; pastaj, nëse ata pranonin, t’i ftonte në shtyllën e dytë, që është namazi; nëse e pranonin, të kalonte te shtylla e tretë, zekati, e kështu me radhë.
Më ka tronditur fakti që kam parë disa të rinj të sinqertë, nga disa lëvizje islame në Amerikë, që kishin hapur një debat të ashpër në një qendër islame, për faktin se myslimanët uleshin në karrige gjatë ligjëratave të së shtunës e të dielës, dhe jo mbi qilim apo hasër si në xhami; sepse nuk ishin të kthyer kah kibla në uljen e tyre, siç është sjellja e mirësjellshme e myslimanit; sepse vishnin pantallona dhe jo petka të bardha (xhelabije), dhe hanin në tryeza e jo mbi tokë, e kështu me radhë.
Ky lloj mendimi dhe sjelljeje në zemër të Amerikës së Veriut më tronditi, dhe u thashë atyre: “Ju që jetoni në këtë shoqëri që vrapon pas materializmit, më e arsyeshme do të ishte që përpjekja juaj më e madhe të ishte për t’i thirrur njerëzit në njësimin e Allahut dhe në adhurimin e Tij, për t’i kujtuar atyre botën tjetër dhe për vlerat e larta fetare; për t’i paralajmëruar nga mëkatet e mëdha në të cilat janë zhytur shoqëritë materialiste të kohës sonë. Ndërsa çështjet e sjelljes, të mirësjelljeve sekondare dhe të përmirësimeve të moralit (dobive komplementare), vendi dhe koha e tyre është vetëm pasi të jenë përforcuar bazat dhe domosdoshmëritë.”
Në një qendër tjetër islame, pashë se myslimanët kishin shkaktuar trazira të mëdha për shkak të shfaqjes së një filmi historik ose edukativ në xhami, duke thënë: “E kanë kthyer xhaminë në kinema!” — duke harruar se xhamia është themeluar për të mirën fetare dhe shoqërore të myslimanëve. Në kohën e Profetit (a.s) ajo ishte njëherazi shtëpia e thirrjes, qendra e shtetit dhe bërthama e jetës shoqërore. Askush nuk e mohon atë që ka transmetuar Buhariu dhe të tjerë, se Profeti (a,s) u dha leje abisinitasve të luanin me shtiza në zemër të xhamisë së tij të bekuar, dhe i lejoi Aishes (r.a.) të shikonte ata ndërsa luanin.
Autor: Jusuf Kardavi
Përktheu: Elton Harxhi
[1] – Buhariu dhe Muslimi.



















