Autokritika

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Me makinën e tij ndiqte korsinë e zgjedhur dhe u hidhte një vështrim makinave që i kalonin përbri. Në çast, nga radioja dëgjon një lajm sipas të cilit një makinë po ecën në krah të kundërt në autostradë. Pasi e dëgjoi këtë lajm, lëshoi një ufff të gjatë tha: “Sikur të ishte vetëm një do ia bëja hallall. Këtu të gjitha makinat janë në krah të kundërt.”

Kur ia tregova këtë time bije, qeshi dhe më tregoi një tjetër të ngjashme, sipas të cilës një burrë u ankua tek mjeku se e shoqja nuk dëgjonte mirë. Doktori i kërkoi që ti flasë nga larg, e mandej të afrohej nga një hap, derisa të përcaktonte largësinë e dëgjimit.

Kështu, ai vajti në shtëpi dhe më të hyrë brenda e pyeti të shoqen nëse e kishte përgatitur darkën, por nuk mori përgjigje. Ai hodhi një hap, një të dytë, një të tretë derisa mbërriti tek koka e të shoqes të cilën e pyeti nëse e kishte përgatitur darkën. Ajo ia ktheu: “Është hera e pestë që të them se pulën e ke të gatuar në furrë more burrë!”

Asnjëherë nuk i kishte vajtur në mendje se ishte pikërisht ai që vuante nga dëgjimi i dobët.

Kur të telefonon ndonjë mik dhe ndodh që linja të jetë e ngarkuar, menjëherë mendon se problemi qëndron në telefonin tënd, ose në antenat pranë teje.

Ndihemi shumë të lumtur e të gëzuar kur i qajmë hallet dikujt, e ai solidarizohet dhe të dy ua hedhim fajin të tjerëve. Sakaq ndihemi të zhgënjyer nëse orvatet të na lërë të kuptojmë se ne “ndoshta” mund të kemi njëfarë faji.

Në fakt, zgjidhja starton nga vetë ne, gjë të cilën e pohon dhe Kurani kur thotë: “Thuaj u erdhi nga vetja juaj!”[1]

Njerëzit i thurin lavde predikuesit apo shkrimtarit që sulmon kundërshtarët dhe armiqtë, i ofendon dhe i demaskon lojërat dhe planet e tyre, gjë e cila është për tu vlerësuar. Është pasoja e armiqësisë që plane dhe komplote të tilla të thuren pareshtur.

Por ne rrudhim buzët dhe kthejmë kokën mënjanë kur dëgjojmë zërat që të keqen, parësisht ia atribuojnë vetes tonë, kritikojnë veprat tona, analizojnë karakterin tonë dhe dënojnë disa tradita të këqija të  cilat kanë depërtuar dhe janë bërë pjesë e mendimit dhe sjelljeve tona, pjesë e komunikimit në familje dhe në shoqëri.

Ndonjëherë na karakterizon një frymë sportive dhe deklarojmë se e mirëpresim kritikën me zemërgjerësi dhe se ai që na kritikon është më i mirë se ai që na lëvdon. Por shumë shpejt i kthehemi linjës së njohur duke e refuzuar kritikën dhe duke thënë “Ne thjesht po fshikullojmë veten”.

Të fshikullosh veten është një togfjalësh i drejtë, të cilin ne e përdorim në vendin e gabuar, e përdorim për të mos na prekur në plagë dhe për të shmangur qëndrimin përballë gabimeve dhe të metave.

Ai që kritikon armiqtë, flet për një temë e cila gëzon simpatinë e të gjithëve dhe të gjithë e duartrokasin. Ai noton në një zonë të sigurt, ku nuk ekziston frika për asgjë. Por nëse pohon se dështimet tona janë pjellë e jona pikësëpari, akuzohet se po e ekzagjeron, se po fshikullon veten.

Në fakt, ai që zbulon te metat tona dhe mundohet të bëjë diçka edhe pse nuk ka sukses, ka vënë dorën në plagë. Shigjetat e armiqve nuk do na kishin prekur nëse nuk ia donim të keqen vetes më parë. Thotë Zoti në Kuran: “Nëse duroni dhe jeni të devotshëm, kurthet e tyre nuk do u dëmtojnë.”[2]

Vallë çfarë na bën që kur vëmë dorën mbi plagë, kur themi që e keqja qëndron fillimisht tek ne, kur jemi të guximshëm dhe bëjmë autokritikë, të largohemi sikur të mos ishim pjesë e këtij realiteti që kritikohet? Mos vallë kritika ime do të thotë se unë jam i distancuar nga këto akte të dënueshme?

Kur kritikoj, unë duhet të jem i ndërgjegjshëm se kritika më drejtohet edhe mua, ashtu siç u drejtohet të tjerëve, në të kundërt e humbet vlerën dhe tregon se është bërë për tu dukur mbi të tjerët dhe larg të metave të tyre.

Kritika nuk është shfryrje dhe as larje hesapesh, por është një mënyrë për të kuptuar ku çalon puna dhe reflektim ndaj asaj që po ndodh. Nëse jemi të sinqertë në kritikë, duhet ta kuptojmë se ajo fillon me vetet tona.

Autor: Selman Aude

Përktheu: Elmaz Fida

[1] – Sure Ali Imran: 165.

[2] – Sure Ali Imran: 120.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.