Vahji në Islam është shpallja hyjnore dhe mesazhi profetik, që Allahu i Madhëruar ua dhuron me mirësinë e Tij profetëve, të cilët Ai i përzgjedh. Allahu i Madhëruar thotë: “Allahu zgjedh të dërguar nga engjëjt dhe njerëzit”[1] Shpallja nuk është pozitë që fitohet me zotësi apo aftësi, as nuk fitohet me ëndërrime apo disiplinim të shpirtit, por ajo është përzgjedhje e Allahut. Allahu i Madhëruar thotë: “O Musa! Unë të kam zgjedhur ty mbi të tjerët me mesazhet e Mia dhe të Folurin Tim”[2] Shpallja i shoqëron profetët (a.s) deri në fund të profetësisë së tyre. Shpallja përfshin në tërësinë e saj fenë, mësimet hyjnore, mrekullitë e profetëve dhe misionin e tyre. Allahu i Madhëruar thotë: “Është Ai, i Cili u solli analfabetëve një të Dërguar nga mesi i tyre, për t`u lexuar atyre shpalljet e Tij, për t’i pastruar e për t’u mësuar Librin dhe Urtësinë, ndonëse ata më parë ishin vërtet në humbje të plotë”[3]
- Kuptimi gjuhësor dhe terminologjik i fjalës vahj
Fjalja “vahj – وَحْيٌ ” mbart shumë kuptime gjuhësore si: “tregon me gisht, bën me shenjë, shkrim, shpejtësi, tingull, frymëzim i shpejtë që lë ndikim, tregim në fshehtësi, instikt” etj.
Termi “vahj” përkufizohet me fjalët: “Transmetim i fjalës të Allahut – nëpërmjet shpalljes – tek ata (Profetët), të cilët Ai i ka përzgjedhur”
Në Kuranin fisnik, fjala vahj ka disa kuptime, si:
– Dërgim me shpallje: Allahu i Madhëruar thotë: “Ne të dërguam shpallje (euhajnâ) ty (o Muhamed), ashtu siç i dërguam shpallje (Euhajna) Nuhut dhe profetëve pas tij; siç i dërguam shpallje (Euhajna) edhe Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit dhe bijëve të tij, Isait, Ejubit, Junusit, Harunit, Sulejmanit dhe Daudit, të cilit i dhamë Zeburin”[4]
– Bën me shenjë: Allahu i Madhëruar thotë: “…dhe u bëri me shenjë (euhâ) atyre të lavdëronin Allahun në mëngjes dhe në mbrëmje”[5]
– Frymëzim/instikt: Allahu i Madhëruar thotë: “Zoti yt e frymëzoi (euhâ) bletën (i dha instikt)”[6], si dhe: “Ne e frymëzuam (euhajnâ) nënën e Musait”[7]
– Urdhër: Allahu i Madhëruar thotë: “…sepse Zoti yt e ka urdhëruar (euhâ) atë”[8]
– Cytje: Allahu i Madhëruar thotë: “djajtë e njerëzve dhe të xhindeve, të cilët e cysin (jûhî) njëri-tjetrin”[9]
Ëndrrat e vërteta, intuita, përjetimet shpirtërore dhe gjenialiteti janë manifestime të shpalljes, por nuk janë shpallje në vetvete, sepse vahji– zbulesa/ shpallja u jepet vetëm profetëve prandaj zbulesa është profetësi.
- Domosdoshmëria e zbulesës/shpalljes
Besimi në vahj konsiderohet shtyllë bazë e imanit, pasi vahji është porta kryesore për besimin në profetësinë dhe mesazhin e Muhamedit (a.s) Dihet se mesazhi i Muhamedit (a.s) është Kurani Fisnik, i cili
e ka bërë besimin në gajb – dhe vahji është pjesë e gajbit – si thelb të imanit (besimit) të besimtarëve të udhëzuar sipas mësimeve kuranore. Allahu i Madhëruar thotë: “Elif, Lâm, Mîm. Ky është Libri, në të cilin nuk ka dyshim. Ai është udhërrëfyes për të devotshmit,të cilët besojnë në të fshehtën, falin namazin dhe japin nga ajo që u kemi dhënë Ne; dhe për ata që besojnë në atë që të është shpallur ty (o Muhamed), në atë që është shpallur përpara teje dhe që me bindje i besojnë jetës tjetër. Ata janë udhëzuar në rrugë të drejtë nga Zoti i tyre dhe pikërisht ata janë të shpëtuarit”[10]
Kushdo që mohon apo nuk e beson vahjin – shpalljen, ka mohuar dhe nuk ka besuar ajkën e saj, e cila është Kurani Fisnik.
III. Funksioni i vahjit
“Vajhi – Shpallja apo zbulesa” është lidhja mes të dukshmes dhe të padukshmes. Shpallja nuk ka ardhur thjesht për të vënë në pah ato që shihen, por për të lidhur gjërat e prekshme me ato që nuk shikohen. Cështjet e gajbit nuk provohen në laborator, por vërtetohen nga zbulesa/shpallja. Siç u tha edhe më lart, zbulesa nuk është përpjekje apo produkt i një individi, por është përzgjedhje e Allahut të Madhëruar. Nëpërmjet shpalljes, njeriu krijon konceptin e duhur për gajbin (besimin në Allahun, engjëjt, kaderin, ringjalljen etj) dhe e ndërton jetën sipas saj. Qëllimi i shpalljes nuk është vërtetimi se Allahu i Madhëruar ekziston, pasi për këtë njeriut i mjafton të studiojë gjithësinë dhe ligjet e saj. Shpallja ka një qëllim kryesor: “Sigurimin e një burimi të pagabueshëm informacioni hyjnor për njeriun”. Ky burim duhet të jetë baza e diturisë së njeriut dhe metodologji për jetën e tij. Mospajtimi mes idhujtarëve dhe besimtarëve nuk ka qenë për faktin, nëse Allahu ekziston apo jo, por për faktin nëse shpallja duhet të jetë burimi bazë i informacionit fetar dhe metodologji e jetës. Fusha e shpalljes përfshin edhe informacionin që shkon përtej njohurive njerëzore.
- Mënyrat e vahjit – zbulesës/shpalljes
Shpallja është tre llojesh. Allahu i Madhëruar i ka përmendur këto tre lloje në fjalën e Tij: “Asnjë njeriu nuk i ka folur Allahu, përveçse me anë të Frymëzimit ose pas perdes (pengesë), ose me anën e një Kumtuesi (Engjëlli) të dërguar me lejen e Tij, për të shpallur vullnetin e Tij. Ai, me të vërtetë, është i Lartë dhe i Urtë”[11]
Këto janë tre mënyrat bazë të shpalljes, por ka edhe manifestime të tjera të shpalljes, të cilat do të sqarohen në vijim:
1 – Ëndrra e vërtetë: Endrrat janë vegimet, figurat, personazhet dhe ngjarjet, të cilat shihen dhe përjetohen nga njeriu, kur fle. Ato mund të jenë të vërteta, mund të jenë ngacmim nga shejtani, por mund të jenë edhe përjetim i shqetësimit të njeriut. Endrrat e profetëve janë të vërteta. Dihet se profetët kanë cilësinë e ismes – pagabueshmërisë, pra janë të pagabueshëm dhe të mbrojtur nga çdo cytje dhe ngacmim i shejtanit. E tillë ka qenë ëndrra e Ibrahimit (a.s) për të bërë kurban djalin e tij Ismailin (a.s). Allahu i Madhëruar thotë: “Ibrahimi i tha: “O djali im, kam parë ëndërr, se duhet të të flijoj”[12]
Fillimet e vahjit për të Dërguarin e Allahut (a.s) ishin ëndrrat e vërteta. Aishja (r.a) thotë: “Gjëja e parë që ka përjetuar i Dërguari i Allahut (a.s) si vahj, ka qenë ëndrra e vërtetë. Sa herë që shikonte një ëndërr, ajo realizohej menjëherë, ashtu siç shpërthen drita e agimit” Sidoqoftë duhet ditur, se të Dërguarit të Allahut (a.s) nuk i është shpallur në ëndërr asnjë pjesë nga Kurani. Këto argumente nuk lënë shkas për askënd, që të pretendojë se i vjen shpallja nëpërmjet ëndrrave, pasi shpallja mbaroi në momentin që Muhamedi (a.s) ndërroi jetë. Përsa i përket hadithit të Ubade ibn Samit (r.a), i cili tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Ëndrra e besimtarit është një nga 46 pjesët e profetësisë”[13], ai ka të bëjë vetëm me realizimin e ëndrrës dhe nuk nënkupton se ëndrra është shpallje në vetvete. Këto hadithe flasin vetëm për ëndrrat që shikojnë besimtarët e përkushtuar. Ebu Hurejra (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Nga profetësia ka mbetur vetëm ëndrra e vërtetë, të cilën besimtari e shikon, apo i shfaqet atij”[14]
I Dërguari i Allahut (a.s) e ka mbyllur portën e abuzimit me ëndrrat, duke thënë: “Nuk ka më profetësi (pas meje), por ka lajme përgëzuese (ëndrrat)”[15]. Përsa i përket atyre që pretendojnë se shpallja apo frymëzimi u vjen në gjumë, i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Mos u tregoni njerëzve talljet që shejtani bën me ju, kur jeni në gjumë”[16]
I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë gjithashtu: “Ëndrrat janë tre llojesh; ëndrra e vërtetë, e cila është nga Allahu, ëndrra e keqe/e frikshme që vjen nga shejtani, i cili kërkon të pikëllojë besimtarin dhe ëndrra që janë shqetësimi i ditës (apo fiksimet, vegimet etj). Nëse dikush prej jush shikon në ëndërr diçka që nuk e pëlqen, le të ngrihet, të falet dhe të mos i flasë askujt për atë që ka parë”[17]
Në lidhje me mënyrën sesi myslimani duhet ta konceptojë ëndrrën dhe fushën e ndikimit të saj, imam Hasan El-Bena ka thënë: “Besimi i sinqertë, adhurimi korrekt dhe përpjekja në rrugë të Allahut kanë dritë dhe ëmbëlsi, të cilat Allahu i hedh në zemrat e kujt të dojë prej robërve të Tij. Sidoqoftë, inspirimi, përfytyrimet, vizionet dhe ëndrrat nuk mund të merren si burime për nxjerrjen e dispozitave të Sheriatit. Këto merren në konsideratë, vetëm atëherë kur nuk bien ndesh me dispozitat dhe tekstet e Sheriatit”
2 – Allahu u flet drejtpërdrejt profetëve: Nga cilësitë e Allahut të Madhëruar është “të folurit”. Ai i flet kujt të dojë dhe si të dojë, ndërsa kufizimi i cilësive të Allahut të Madhëruar me ligjet materiale të krijesave konsiderohet një konceptim shumë i gabuar. Allahu i Madhëruar thotë: “Sa i takon Musait, Allahu i ka folur atij drejtpërdrejt”[18] Allahu i Madhëruar thotë në një ajet tjetër: “Kur Musai erdhi në kohën e caktuar dhe Zoti foli me të”Kështu Allahu i Madhëruar i ka folur edhe Muhamedit (a.s) në natën e Israsë dhe Miraxhit, mirëpo Allahu i Madhëruar ka folur me profetët e Tij, ashtu siç ka thënë: “…pas perdes” Allahu i Madhëruar i ka folur drejtpërdrejt Muhamedit (a.s) vetëm në natën e Israsë dhe Miraxhit.
3 – Engjëlli merr pamjen e njeriut dhe kumton atë, me të cilën urdhërohet: Allahu i Madhëruar dërgoi Xhibrilin (a.s) në formën e një njeriu, i cili foli me Merjemen, duke e frymëzuar atë. Allahu i Madhëruar thotë: “Ne i dërguam Shpirtin Tonë, i cili iu paraqit asaj si një njeri i plotë”[19] Në të shumtën e rasteve, Xhibrili (a.s) i është shfaqur Muhamedit (a.s) në formën e një njeriu, me pamjen e Dihje Kelbit, por ka pasur edhe raste, që i ka ardhur si I panjohur, siç është transmetuar në hadithin e Umer ibn Hatabit (r.a). Një person pyeti: “O i Dërguari i Allahut! Si të vjen shpallja ty”? Ai (a.s) tha: “Ndonjëherë engjëlli më vjen në formën e njeriut, më flet dhe unë e mësoj atë që më thotë”[20]
Në disa raste, i Dërguari i Allahut (a.s) e pranonte shpalljen nga engjëlli, zëri i të cilit dëgjohej si zhurma e ziles.( Kjo ka qenë forma më e vështirë e pranimit të shpalljes. Rastiste që në ditë të ftohta, i Dërguari i Allahut (a.s) të mbushej me djersë. Në një rast, ai (a.s) e kishte vendosur pulpën e këmbës së tij sipër këmbës së Zejd ibn Thabitit (r.a) dhe po i vinte shpallja. Pulpa e tij (a.s ) u rëndua aq shumë, sa desh ia theu këmbën Zejdit (r.a).
Ka pasur raste, kur i Dërguari i Allahut (a.s) e ka shikuar engjëllin ashtu siç e ka krijuar Allahu i Madhëruar. Kjo ka ndodhur në fillim të shpalljes, apo edhe në natën e Israsë dhe Miraxhit. Allahu i Madhëruar thotë: “Vallë, a do ta kundërshtonit atë për çfarë ka parë, ndërkohë që ai e ka parë atë edhe një herë tjetër, te Sidretul Munteha-ja”[21]
Duke shpjeguar ajetin kuranor: “…por ai pa disa nga mrekullitë më madhështore të Zotit të tij” Ibn Mesudi (r.a) thotë, se i Dërguari i Allahut(a.s) e ka parër Xhibrilin (a.s), në formën e tij origjinale. Xhibrili(a.s) kishte 600 flatra.
4 – Frymëzimi: Allahu i Madhëruar e frymëzon të Dërguarin e Tij (a.s) nëpërmjet Xhibrilit (a.s), i cili ia insipiron shpalljen. I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Me të vërtetë shpirti i pastër (Xhibrili) më ka inspiruar në zemrën time (ru`i) se: asnjë shpirt nuk vdes pa plotësuar rrizkun e tij, mirëpo kërkojeni siç duhet rrizkun dhe kjo të mos bëhet shkak që të kundërshtoni Allahun, sepse ajo që është tek Allahu, merret me bindje ndaj Tij”[22]Gjatë shpjegimit të këtij hadithi, imam Munavi thotë: “Fjala ru`i ka kuptimin: “Më ka futur në mend, në vete, në zemër, në mendje, pa e dëgjuar dhe pa e parë”
5 – Engjëlli i shpalljes (Xhibrili a.s): Allahu i Madhëruar thotë: “Allahu zgjedh të dërguar nga engjëjt dhe njerëzit; me të vërtetë, Allahu dëgjon dhe sheh gjithçka”[23] Dihet se Allahu i Madhëruar i ka krijuar engjëjt nga drita. Ata janë krijesa që binden dhe çdo engjëll ka një funksion në mbretërinë e Allahut të Madhëruar. Engjëlli i dërguar nga Allahu, i cili është ngarkuar që të komunikojë shpalljet e Tij është Xhibrili (a.s). Ai është quajtur “Ruhu`l-Kudus – Shpirti i pastër” dhe “Eminu`l-Vahji – besniku i shpalljes”. Xhibrili (a.s) është thjesht një krijesë e Allahut të Madhëruar dhe nuk ka ndonjë cilësi hyjnore, madje në mbretërinë e Allahut të Madhëruar ai ka një cak, të cilin nuk e kalon, siç vërtetohet në hadithe të sakta, që flasin për natën e Israsë dhe Miraxhit. Allahu i Madhëruar sqaron detyrën e Xhibrilit (a.s) në ajetin: “Thuaju (o Muhamed) atyre që janë armiq të Xhibrilit, se ai e ka zbritur Kuranin në zemrën tënde me lejen e Allahut, si vërtetues të librave të shenjtë të mëparshëm dhe si udhërrëfyes e lajm të mirë për besimtarët”[24] Nga tekstet kuranore dhe hadithet bëhet e qartë, se Xhibrili (a.s) është engjëlli me pozitën më të lartë tek Allahu i Madhëruar.
6 – Shpallja pas perdes: Shembull për këtë janë ajetet, ku Allahu i Madhëruar I ka folur Musait (a.s). Allahu i Madhëruar thotë: “Kur (Musai) pa një zjarr, ai i tha familjes së tij: “Rrini këtu, sepse pashë një zjarr! Ndoshta mund t’ju sjell një urë të ndezur (thëngji) ose të gjej pranë tij ndonjë udhërrëfyes”. Kur arriti te zjarri, një zë e thirri: “O Musa! Në të vërtetë, Unë jam Zoti yt! Prandaj, hiqi nallanet, sepse ndodhesh në luginën e shenjtë të Tuvasë. Unë të kam zgjedhur ty, prandaj dëgjo atë që po të shpallet”[25]
- Gjendja e të Dërguarit të Allahut (a.s) gjatë pranimit të shpalljes
Disa dijetarë – si Kadi Ijad, Sujuti, Ibn Akile- thonë, se i Dërguari i Allahut (a.s) kalonte në gjendje të lartë shpirtërore (engjëllore) gjatë pranimit të shpalljes, ndërsa disa të tjerë thonë, se engjëlli merrte formën e njeriut dhe ia tregonte shpalljen. Mendimi më i drejtë është, se i Dërguari i Allahut (a.s) e pranonte shpalljen ashtu siç ishte, pra pa dalë nga natyra njerëzore, por duke pasur predispozicion tepër të lartë shpirtëror për ta pranuar atë (shpalljen).
Më lart përmendëm hadithin e fillimit të shpalljes dhe frikën që përjetoi I Dërguari i Allahut (a.s), ndërsa në vijim do përmendim disa hadithe të tjera, që tregojnë gjendjen e të Dërguarit të Allahut (a.s) gjatë shpalljes:
– Aishja (r.a) tregon: “I Dërguari i Allahut (a.s) ishte në një udhëtim dhe po qëndronte mbi deve. Në ato çaste i erdhi shpallja. Devenë nuk e mbajtën këmbët dhe ra barkas”[26]
– Aishja (r.a) tregon: “Kishte raste, që të Dërguarit të Allahut (r.a) i vinte shpallja në kohën e mëngjesit. Ishte shumë ftohtë, por nga balli i tij rridhnin djersë”[27]
– Ubade ibn Samit (r.a) tregon: “I Dërguari i Allahut (a.s) e përjetonte fort çastin e pranimit të shpalljes, aq sa edhe fytyra i ndryshonte”[28] Në një transmetim tjetër thuhet: “Ne e kuptonim se po i vinte shpallja, kur I mbylleshin goja dhe sytë, ndërsa fytyra i ndryshonte”
– Zejd ibn Thabit (r.a) tregon: “Kur të Dërguarit të Allahut (a.s) i erdhi shpallja, këmbën e kishte vendosur mbi këmbën time. Këmba iu rëndua aq shumë, saqë pata frikë se mos më thyhej këmba ime”[29]
– Omer ibn Khatabi (r.a) tregon: “Kur të Dërguarit të Allahut (a.s) i vinte shpallja, ne dëgjonim afër fytyrës së tij një zë si zëri i bletës”[30]
Të gjitha këto që u thanë, kanë të bëjnë vetëm me gjendjen e trupit, ndërsa ana shpirtërore e të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të) gjatë shpalljes ishte në kulmin e kënaqësisë dhe gëzimit.
Argument për këtë është, se kur Xhibrili (a.s) i shpallte Kuranin, i Dërguari i Allahut (a.s) e përsëriste menjëherë pas tij, pra e ndiqte fjalë pas fjale. Këtë e bënte, nga dëshira për të mos humbur asnjë gërmë nga Kurani dhe për ta mësuar përmendësh atë. Allahu i Madhëruar e urdhëroi të Dërguarin e Tij (a.s), që të mos nxitonte, as të mos preokupohej me këtë gjë, por ta përjetonte atë që i shpallej. Allahu i Madhëruar thotë: “Mos e ngut gjuhën tënde (o Muhamed) në leximin e Kuranit! Ne e kemi për detyrë t’i mbledhim
pjesët e tij e të ta lexojmë atë. Dhe kur ta lexojmë atë, ti përcille leximin e tij! Pastaj, e kemi Ne për detyrë ta shpjegojmë”[31]
Autor: Rushit Musallari
[1] – Sure Haxh: 75.
[2] – Sure A’raf: 144.
[3] – Sure Xhuma: 2.
[4] – Nisa: 163.
[5] – Merjemi:19.
[6] – Sure Nahl: 68.
[7] – Sure Kasas: 7.
[8] – Sure Zelzele: 5.
[9] – Sure En’am: 112.
[10] – Sure Bekare: 1 – 5.
[11] – Sure Shura: 51.
[12] – Sure Safat: 102.
[13] – Buhariu dhe Muslimi.
[14] – Buhariu dhe Muslimi.
[15] – Ibn Maxheh. Hadithi është Sahih për shkak të dëshmive përforcuese.
[16] – Muslimi.
[17] – Muslimi.
[18] – Sure Maide: 104.
[19] – Sure Merjem: 17.
[20] – Buhariu.
[21] – Sure Nexhm: 12 – 14.
[22] – Hakimi. Hadithi është Sahih.
[23] – Sure Haxh: 75.
[24] – Sure Bekare: 97.
[25] – Sure Nisa: 164.
[26] – Ahmedi dhe Hakimi. Hadithi është Sahih.
[27] – Muslimi.
[28] – Muslimi.
[29] – Buhariu.
[30] – Tirmidhiu.
[31] – Sure Kijame: 16 – 19.



















