Martesa është një lidhje e shenjtë mes një burri dhe një gruaje, të cilët jetojnë së bashku nën një strehë dhe që i bashkon ndjenja e dashurisë. Të dy së bashku, ata përshkojnë udhën e jetës, dorë për dore dhe zemër për zemër. Në një atmosferë të tillë të ngrohtë, lindin fëmijët të cilët i gëzohen pranisë së dy prindërve së bashku. Në mendjet dhe psikologjinë e tyre vuloset imazhi model i babait burrë, imazhi i nënës grua, si dhe imazhi i familjes së kompletuar. Bazuar në këto imazhe, tek fëmijët formohet koncepti i jetës së përsosur dhe harmonizuar. Por, për fat të keq, gjërat ndonjëherë nuk ndjekin këtë linjë. Ja që jeta ka rrethanat dhe kushtet të cilat e kërcënojnë këtë disiplinë familjare dhe shkaktojnë të çara në këtë strukturë kaq të bukur. Ndodh që babai të jetojë larg nënës dhe fëmijëve, duke krijuar një realitet të ri me struktura dhe reagime psikologjike të paekuilibruara dhe aspak të shëndetshme në shumë raste, sidomos kur mungesa e babait është e gjatë dhe mjetet e komunikimit dhe miqësimit me të janë të paktë. Në këto raste, fjalët “qetësi” “afërsi” “përkujdesje” zëvendësohen me fjalët “ndarje” “lamtumirë” “kurbet” “mall” nostalgji” “dhimbje” “harresë” etj.
Fenomeni i bashkëshortit larg, fenomen i jetës moderne
Sondazhet lidhur me përqindjen e bashkëshortëve larg shtëpie, ndryshojnë nga një vend në tjetrin, por të gjithë sillen diku tek 20 %-shi, një përqindje aspak e ulët. Pra, shohim se një në pesë bashkëshortë është larg bashkëshortes dhe familjes në mënyrë të përhershme ose të pjesshme. Ky është një fenomen me tendencë në rritje, pasi stili i jetës bashkëkohore imponohet për më shumë lëvizje në kërkim të jetesës, arsimit, një pune të privilegjuar, ose kushte më të mira jetese. Meqë për një familje është e vështirë shpërngulja nga një vend në një tjetër për shkak të lidhjes së fëmijëve me shkollat, si dhe për shpenzimet e larta të jetës familjare në emigrim, bashkëshortët vendosin të emigrojnë vetëm, të shoqëruar nga shpresa për t’u parë në raste dhe festa, të cilat ndonjëherë përsëriten shumë rrallë.
Fenomeni i largimit të burrave larg vatrës familjare, është përhapur shumë dhe kjo duhet studiuar për të ofruar zgjidhje për problemet që pasojnë, aq më tepër që shumë probleme represohen dhe nuk publikohen as nga burri dhe as nga gruaja. Kjo, pasi probleme të tilla janë tepër delikate dhe është vështirë të publikohen.
Gjatë viteve të studimit, më është dhënë rasti të njihem dhe të komunikoj me burra të cilët jetojnë të vetmuar larg familjeve të tyre. Pasi u ktheva dhe fillova të ushtroj profesionin si psikiatër, fillova të zbuloj vuajtjet dhe problemet e grave të tyre teksa përplasen krejt të vetmuara me valët e jetës. Periudha e qëndrimit nuk kufizohet në një apo dy vite, por mund të shtrihet gjer në dhjetë apo njëzet. E përgjatë këtyre viteve ndodhin ndryshime të dhimbshme tek të dy palët, ndryshime të cilat shtrihen edhe tek fëmijët në shkallë të ndryshme. Ato ndikojnë, lëkundin dhe ndonjëherë shpërfytyrojnë konstruktin e tyre psikologjik.
Dobitë e udhëtimit dhe emigracionit
Me të drejtë dikush mund të thotë:”Nëse udhëtimet dhe emigracioni ndan të dashurit dhe lë pasoja të rënda tek të gjithë, atëherë përse u dashka të emigrojnë njerëzit?! Përse nuk qëndrojnë në vatrën e tyre familjare dhe me të dashurit e zemrës, duke shmangur kështu të gjithë këto probleme?
Në fakt, nga udhëtimet ka përfitime të shumta. Nëpërmjet udhëtimeve na jepet shansi të shohim vende të reja dhe njerëz të ndryshëm. Për rrjedhojë, përmirësojmë aftësitë tona perceptuese. Udhëtimet na ofrojnë shanse të papërsëritshme për zhvillim dhe novatorizëm. Sa më shumë të shtohen udhëtimet e njeriut, shtohen dhe aftësitë perceptuese, vizioni, aftësitë për zgjidhjen e problemeve, kreativiteti dhe njohja për jetën dhe njerëzit.
Shumë prej profetëve, reformatorëve dhe dijetarëve kanë udhëtuar nga një vend në tjetrin në kërkim të kushteve më të mira për kultivimin e ideve të tyre. Suksesi i tyre ka qenë i lidhur ngushtë me rrugëtimet, emigracionin dhe përpjekjet e vazhdueshme. Ndoshta, po të kishin qëndruar në një vend, idetë e tyre do kishin vdekur dhe vendosmëria e tyre do të ishte fishkur. Lëvizjet dhe udhëtimet rreth e përqark bëjnë të lindin ide dhe emocione të reja, ato ndryshojnë botën e brendshme dhe të jashtme të njeriut. Një thënie popullore arabe thotë:”Në lëvizje ka bereqet”. Kurse një poet arab thotë:
Lëvizja është bereqet
Rendja në harkun e kohës është përjetësi
Të kapërcesh mbi vijën e frikës është madhështi
Të vraposh është pastërti
E pastërtia është gjysma e besimit
Në Kuran lihet të nënkuptohet lidhja mes udhëtimeve e emigracionit, me burimet e furnizimit dhe riskut. Thotë i Lartësuari: “Kush mërgon për çështjen e Allahut, ai gjen shumë vendbanime dhe begati në tokë.”[1]
Një fjalë e urtë popullore arabe thotë: “Dobitë e udhëtimeve janë shtatë.” edhe pse nuk i cekin këto dobi.
Prandaj, nuk duhet harruar se udhëtimet lart e poshtë shoqërohen me dobi të shumta, vizion, informacion dhe më shumë të mira materiale. Ajo që do të cekim më poshtë rreth disfavoreve të këtyre udhëtimeve, u ngjajnë efekteve anësore të cilat duhen evituar sipas mundësisë. Në çdo kohë dhe vend, njerëzit i pranojnë dhe i marrin ilaçet edhe pse kanë efekte anësore dhe këtë e bëjnë pasi dobitë e tij janë më të shumta se dëmi. Sa më shumë të shtohet përqindja e dobive, aq më shumë arsye kemi për ta përdorur një ilaç të caktuar. E njëjta gjë vlen dhe për udhëtimet. Nëse personi e vlerëson se dobitë e udhëtimit i kalojnë dëmet dhe pasojat, s’prish punë të përveshë mëngët. E nëse konstaton të kundërtën, bën mirë të tërhiqet.
Motivet e udhëtimit:
Çdo person që ndërmerr një udhëtim, ka arsyet e veta që e bëjnë të përballojë dhimbjen e ndarjes nga një aktualitet me të cilin është familjarizuar, nga të dashurit dhe familjarët me të cilët ka vite që jeton. Më poshtë, do të cekim disa motive që e detyrojnë njeriun të marrë udhën:
1 – Udhëtimi i domosdoshëm, si në rastin e dikujt që lë vendin në kërkim të kafshatës së gojës; dikujt që del në kërkim të një jete më të mire, e cila i mungon në vendin ku jeton; dikujt që syrgjynoset për shkak të ideve dhe vizioneve të cilat bien ndesh me regjimin politik aktual, sidomos regjimet diktatoriale të cilat nuk e durojnë mendimin ndryshe. Për shkak se këto regjime janë të papjekura dhe nuk e pranojnë dot mendimin ndryshe, ndihen në siklet të madh derisa ta syrgjynosin kundërshtarin në mendime.
2 – Udhëtimi për hir të zhvillimit, si udhëtimi i studentëve që shkojnë jashtë për t’u arsimuar, ose për kushte më të mira pune, për ide reformatore, sidomos nëse kjo nuk i ofrohet në vendin e lindjes. Siç thamë dhe më lart, udhëtimet ofrojnë shanse të shumta zhvillime, pasi pasuron aftësitë perceptuese, ripërtërin vullnetin dhe vendosmërinë, aktivizon energjitë e tij të pazbuluara etj. Ndjenja se është i huaj dhe se i kanosen shumë rreziqe, e bëjnë t’i shpërthejnë dhuntitë dhe talentet e panjohura, sidomos kur konstaton seriozitetin dhe ndryshimet krahasuar me shoqërinë e origjinës. Të gjitha këto, janë shanse për ndërgjegjësim, pasurim të ideve dhe sjelljeve.
3 – Udhëtimi arratisës. Ndonjëherë njeriu detyrohet të arratiset nga presionet që ndjen në shtëpi, punë apo në vendlindje. Në këtë rast, ai e ndjen se këto presione ndikojnë për keq në mendjen, psikologjinë dhe rendimentin e tij. Prandaj, ai preferon t’ia mbathë në kërkim të kushteve më të mira jetësore. Arratisja në këtë rast, mbart koncepte pozitive ashtu siç mbart koncepte negative. Ai nuk po largohet për rehatllëk, por për një ambient më të mirë. E megjithatë, kjo është një zgjidhje e cila ka pasoja në ambientin fillestar të cilat akumulohen duke lënë pas vakum dhe vetmi. Është pikërisht kjo ajo që ka ndodhur me shumë vende të botës së tretë, ku truri i këtyre vendeve ka marrë arratinë për shkak të përndjekjes dhe persekutimit. Ata lanë vendlindjen e tyre me mendjet dhe ëndrrat e veta, duke u vendosur në vendet e zhvilluara ku kanë arritur rendimente dhe suksese të vlefshme. Ky fenomen i ka boshatisur shoqëritë përndjekëse nga bijtë e bijat më të mirë, nga elementët kreativë dhe reformues, e për rrjedhojë prapambetja dhe ngurtësia vazhdojnë të pllakosura.
4 – Udhëtimi dhe distanca mes bashkëshortëve. Në këtë rast, dy bashkëshortët kuptojnë se afërsia nuk është dhe aq e rehatshme për ta, madje sa më shumë afrohen mundësitë e ndarjes shtohen. Në këtë rast, udhëtimi shërben si një lloj rregullatori i distancës dhe dozës së marrëdhënieve bashkëshortore, të cilët nuk e përballojnë dot afërsinë më të madhe se ajo që ofron udhëtimi i bashkëshortit.
5 – Udhëtimi si alternativë e divorcit. Kur jeta bashkëshortore bëhet e padurueshme dhe divorci mbetet alternativa e pashmangshme, udhëtimi dhe largimi është alternativa e divorcit. Ai i mundëson largimin e dy bashkëshortëve nga njëri-tjetri, duke e ruajtur formën sociale të familjes por edhe shansin e edukimit të familjes në një kuadër të ri.
6 – Udhëtimi si alternativë e revoltës. Ka njerëz të cilët nuk e përballojnë më tej situatën politike, ekonomike apo sociale në vend. Kështu, ata ndodhen përballë dy alternativave: Ose të rebelohen ndaj gjendjes së krijuar me synim ndryshimin e saj, ose tërheqjen dhe qëndrimin larg këtij aktualiteti. Në këtë rast, tërheqja është më shumë taktike derisa të krijohen shanset optimale për ndryshim nga jashtë apo brenda.
Një përqindje jo e vogël e revolucionarëve dhe reformatorëve janë detyruar të braktisin vendlindjen për periudha kohore të ndryshme, për të marrë një frymë dhe për t’iu kthyer misionit të tyre, planeve dhe mekanizmave të ndryshimit. Disa prej tyre kanë pasur sukses, ndërkohë që të tjerë janë integruar në jetën e re në emigracion duke harruar vuajtjet dhe problemet e vendlindjes.
7 – Udhëtimi si formë proteste. Në këtë rast, njeriu udhëton dhe largohet si formë proteste për kushtet dhe rrethanat ku jeton, të cilat e pengojnë në udhën e suksesit. Duke u larguar, ai kërkon t’i dërgojë një mesazh proteste qarqeve të caktuara, e në veçanti gruas, familjes dhe shoqërisë.
8 – Udhëtimi si formë ndëshkimi për veten ose tjetrin. Kjo alternativë ekstreme e orienton agresivitetin drejt vetes, për t’u vetëndëshkuar dhe shlyer fajin, e për rrjedhojë reduktimin e ndjenjës së fajit. Por mundet që agresivitetin ta adresojë edhe ndaj dikujt tjetër, ku mund të jetë njëri nga prindërit, bashkëshortja apo kushdo, si pasojë se ndihet i persekutuar dhe i shtypur prej tyre. Nëse prindi vendos të largohet nga fëmijët, ky është një mesash se janë treguar mosmirënjohës me të, sikur u thotë se: “Po largohem që të kuptoni vlerën time” ose “Po largohem që t’ju lë rehat”.
9 – Udhëtimi si zgjidhje për një bashkëshort egoist. Disa bashkëshortë duan të bëjnë një jetë qejfi, sipas shijeve të tyre. Ata karakterizohen nga ndjenja narcistike të larta e për rrjedhojë e shohin familjen dhe nevojat e saj si një barrë të rëndë. Në këtë rast, bashkëshorti largohet pas një periudhe kohe martese të shkurtër. Ai qëndron me vite të tëra larg familjes dhe gjithmonë justifikohet me vështirësitë që ka kthimi, kushtet e rënda në vend dhe nevojat e familjes për një jetë më të mirë.
Të gjithë këto faktorë mund të jenë të konsiderueshëm, por më i rëndësishmi mbetet nevoja e personit për një jetë sipas qejfit dhe pa asnjë përgjegjësi. Atij i mjafton ti dërgojë të shoqes dhe fëmijëve një shumë parash e cila u plotëson nevojat materiale. Në këtë rast, ai luan rolin e financierit familjar.
Fazat e emigracionit:
Njerëzit që ndahen për hir të emigracionit, kalojnë disa faza, të cilat do i përmbledhim në rreshtat në vazhdim. Secila fazë ka kohëzgjatjen dhe intensitetin e saj. Ato ndryshojnë sipas personave, kushteve rrethanore dhe instrumentave mbështetës të mundshme, por edhe perceptimit të tyre për emigracionin.
1 – Faza e shokimit. Në këtë fazë, të ndarët e përjetojnë me gjendje shoku dhe përfshihen nga ndjenja kontradiktore, të cilat janë më të forta e të dhimbshme se aftësia e tyre për vetëpërmbajtje. Gjendja e tyre shpirtërore është në gjendje mpirjeje të përkohshme, e ngjashme me anestezinë e cila i jepet të sëmurit për t’i prerë një organ.
Shokun dhe emocionet që tronditin psikologjinë e ndarjes i portretizon një poet modern arab me fjalët:
U mbushën dy muaj nga dita e ndarjes me ty
Parvazi i dritares së trenit u lag nga lotët e mi
Herë pas here i fshija me shpinën e duarve
Ato çaste e gjithë qenia ime veç qante
Se kuptoja, nëse doja që treni të ndalojë apo të vazhdojë udhën
Mu kujtuan sytë e tu të hutuar dhe të përhumbur
Mu kujtuan duart që dridheshin
Nuk e dija nëse zemra ishte bërë akull e ftohtë, apo e ruante ngrohtësinë e saj.
2 – Faza e humbjes, ku palët ndërgjegjësohen se pala tjetër e dashur është larg tyre dhe ndihet boshllëku që ka lënë pas tek zemra, ngjarjet e përditshme dhe vendi.
3 – Faza e mohimit. Me qëllim që të jetojë jetën e tij të përditshme, njeriu orvatet ta shmangë ndjenjën lënduese të humbjes. Për këtë, ai përdor mekanizmin mbrojtës të mohimit, duke u hedhur një perde ndjenjave dhe botës së tij emocionale. Kështu, atyre që u mungojnë të dashurit, i shohim të integrohen në jetën e tyre të përditshme, sikur ta kenë harruar problemin e ndarjes. Mohimi është një mekanizëm mbrojtës i cili ia lehtëson njeriut dhimbjen nga aktualiteti lëndues. Me qëllim që mohimi të jetë efektiv, njerëzit u kushtojnë vëmendje më shumë çështjeve të përditshme të jetës, për të shmangur dhimbjen e ndarjes.
4 – Faza e mallit dhe nostalgjisë. Në këtë fazë aktivizohet sërish malli dhe nostalgjia për njeriun e zemrës që është larg. Kjo fazë karakterizohet nga një ndjenjë e fortë vetmie, e cila pasohet nga valë malli dhe nostalgjie të forta për kthimin. Në këtë fazë shtohen ëndrrat e kthimit si gjatë gjumit ashtu dhe zgjuar.
5 – Faza e mërzisë dhe pikëllimit, e cila ndodh kur ndarja bëhet e sigurt dhe shpresa e bashkimit dhe e kthimit fashitet. Në këtë rast, dominojnë ndjenjat e mërzisë së thellë, e cila mund të kthehet dhe në depresion të vërtetë.
6 – Faza e harresës. Kur i dashuri në mungesë nuk u përgjigjet thirrjeve për t’u kthyer dhe pasionit për ta pasur pranë, kapërcehet faza e mërzisë dhe fillon harresa, e ndoshta krijimi i marrëdhënieve të reja që mbushin vakumin dhe i japin jetës kuptim të ri. Kjo është një kthesë tepër e rrezikshme në jetën e dy personave që duhen, pasi cënojnë marrëdhëniet e forta të mëparshme të cilat mund të shndërrohen në marrëdhënie formale. Në këtë fazë, zbehen dhe fshihen emocionet duke ua lënë vendin ndërveprimit material.
Ndryshimet psikologjike që ndodhin tek burri për shkak të emigracionit:
1 – Izolimi. Ai e sheh veten në një vend të huaj, jeton në dhomën apo apartamentin e tij duke kaluar orë të tëra krejt i vetëm. Pas përfundimit të punës, ai nuk ka njeri me kë të shkëmbejë dy fjalë.
2 – Mungesa e atmosferës familjare. Ai nuk ka grua që e pret, që i ka përgatitur ushqimin dhe përkujdeset për nevojat e tij. Atij i mungojnë dhe fëmijët që e mbushin shtëpinë me gumëzhima, jetë, gaz, hare, por edhe britma e zënka.
3 – Privimi emocional, seksual dhe social. Në izolimin që përjeton, ai nuk ka dikë që ta ngushëllojë, i mungon kontakti intim, por edhe marrëdhëniet sociale.
4 – Ndrydhja e ndjenjave e cila pasohet nga probleme psikologjike dhe sociale. Bashkëshorti i privuar orvatet t’i represojë nevojat e tij me qëllim që të përballojë jetën e tij të përditshme. Ky represim nuk i eleminon këto ndjenja, por i hedh në thellësitë e pavetëdijes, prej ku ushtrojnë ndikim të tërthortë në gjendjen shpirtërore dhe fizike. Madje, mund të çojnë në çrregullime mendore dhe fizike.
5 – Reduktimi i nevojës për familje në kufijtë e nevojave materiale. Këtu, roli atëror limitohet në rolin e financierit familjar, duke i humbur rolin edukativ, orientues dhe përkujdesës.
6 – Humbja e marrëdhënieve normale me gruan dhe fëmijët, e për rrjedhojë humbja e ndikimit tek ta. Kjo ndodh për shkak të largësisë me ta dhe thjeshtimit të rolit atëror.
7 – Hendeku mes perceptimeve të tij dhe perceptimeve të gruas e fëmijëve, për shkak të ndryshimit të ambientit ku jeton secili prej tyre.
8 – Mundësia e atashimit të tij me femra të tjera. Ai mund të përfshihet në lidhje emocionale të pasigurta, gjë të cilën e ndihmon ndjenja e izolimit dhe vakumit emocional, si dhe mungesa e mbikëqyrjes familjare dhe sociale për sjellje të tilla.
9 – Kur ky burrë emigrant kthehet në shtëpi gjatë pushimeve ose përgjithmonë, ndihet si i huaj me të shoqen dhe fëmijët, pasi ndryshon në shumë gjëra me ta. Përgjatë viteve të mungesës, ata e kanë vënë për vije jetën sipas mënyrës së tyre, larg ndërhyrjeve atërore.
Ndryshimet psikologjike që ndodhin tek gruaja për shkak të largimit të burrit:
1 – Privimi emocional, seksual dhe social. Mungesa e bashkëshortit do të thotë mungesa e marrëdhënieve intime, e për rrjedhojë thellim të izolimit shoqëror të cilin e imponojnë zakonet, traditat dhe normat ndaj gruas e cila e ka burrin në emigracion.
2 – Represioni i ndjenjave, i cili i zbeh ndjenjat, i shpërfytyron dhe i transformon në simptoma psikofizike.
3 – Humbja e interesit për gjërat femërore, siç është kozmetika, parfumet dhe pasionet e tjera. Poeti Nezzar Kubbani e përshkruan këtë gjendje nëpërmjet gjuhës së një gruaje, e cila e ka të shoqin larg:
Kthehu se edhe toka nuk lëviz më
Sikur është shkëputur nga orbita e saj
Kthehu se e kam hequr gjerdanin
Dhe duart nuk prekin më parfum
Ç’të bëj me bukurinë time, me mëndafshin
Ç’të bëj me bishtalecat që i kam rritur ndër vite
Kthehu siç je
Se ç’më duhet jeta pa ty
4 – Mbi supet e saj bie e gjithë përgjegjësia e shtëpisë dhe e fëmijëve. Kjo shoqërohet me lodhjen e tepërt, nervozizmin mbi normalen, humbjen e kontrollit dhe stresin.
5 – Përvetësimi i tipareve të burrit dhe vrazhdësia. Ajo e bën këtë për t’u përballur me presionet e shoqërisë, por edhe për t’i mbajtur fëmijët nën kontroll, sidomos djemtë gjatë periudhës së adoleshencës.
6 – Humbja e një pjese të madhe të feminitetit të saj, brishtësisë, dhembshurisë, mëmësisë etj, për shkak të angazhimit të pandërprerë me përgjegjësitë familjare, frika se mos fëmijët i dalin duarsh, si dhe luajtja e rolit të babait njëkohësisht me atë të nënës.
7 – Ekzagjerimi me frikën ndaj fëmijëve dhe imponimi i tepër i një kontrolli dhe vëzhgimi të rreptë.
8 – Krijimi i një vakumi mes interesave dhe koncepteve mes dy bashkëshortëve, vakum i cili thellohet me kalimin e kohës derisa dy bashkëshortët e shohin njëri-tjetrin si të huaj.
9 – Vënia në siklet për shkak të ndërhyrjeve të çuditshme të burrit lidhur me metodën e saj të menaxhimit të familjes.
10 – Mundësia e transformimit të ndjenjave, ose përfshirjes në marrëdhënie të pasigurta.
11 – Ndjenja se ndodhet në një vend të huaj, e ndonjëherë edhe neveria karshi burrit kur kthehet.
12 – Disa raste përfundojnë me divorc pas kthimit përfundimtar të bashkëshortit.
Një grua i ka hedhur në një letër vuajtjet e saj për shkak se i shoqi ka vajtur në emigracion, letër të cilën e ka titulluar: “Apeli i një gruaje emigranti”, në të cilën thotë:
Të kërkojë ndjesë i dashur bashkëshort për këtë kujë e cila më shpëtoi në këto çaste. Zoti e di kushedi sa jam orvatur ta ndrydh për vite të tëra, që mos e dëgjosh as ti dhe as njerëzit, madje as vetja ime. Por mesa duket, e humba këtë betejë në një çast dobësie. Jo, nuk është ajo dobësi që të shkon në mendje ty e që i frikësohesh teksa jeton në emigracion. Por po të them se ndihem e dërrmuar dhe e lodhur nga ky rrugëtim i gjatë.
I dashur bashkëshort! Më kujtohet se u martuam para dhjetë vitesh, e ti ishe shumë i lumtur ditën e dasmës. Por emigracioni të rrëmbeu prej meje njëzet ditë më pas. Këto njëzet ditë kaluan sikur të ishin një ëndërr super e shpejtë. Akoma pa u afruar mirë, u larguam. Nuk mu dha rasti të njihem, e jo më të përshtatem me natyrën tënde. Nuk mu dha rasti të mësoj mbi gjërat që i pëlqen dhe ato që i urren. Gjithçka që më kujtohet, janë vitet që kalojnë, ku ti vjen një herë në vit si një vizitor, qëndron një muaj e sërish të përpin errësira e kurbetit. Nuk ta fsheh i dashur bashkëshort, se me gjithë mallin për kthimin tënd, unë i frikësohem këtij kthimi pasi i urrej në maksimum momentet e ndarjes rishtazi. E nuk ta fsheh se me gjithë nostalgjinë që më kaplon për praninë tënde mes nesh, vihem në siklet nga prezenca jote, pasi e kam sistemuar jetën mbi faktin që ti nuk je mes nesh. Kërkesat dhe nevojat e tua bëhen barrë e rëndë mbi mua, e unë vloj nga inati dhe kushedi sa herë pendohem për këto ndjenja. Por, siç të thanë në fillim të kësaj letre, ishte thjesht një kujë dhe një britmë e cila më shqiti padashje.
Të kërkoj ndjesë nëse të kërkova të kthehesh në telefonatën e fundit. Më fal nëse zëri im ka qenë i shoqëruar me pikëllim e mërzi. Nuk e di si ta kërkova diçka të tillë, aq më tepër që e di se shpenzimet e shtëpisë dhe të fëmijëve nuk ta lejojnë të kthehesh tani. Ishte një fjalë që më doli padashje. Në ato çaste ndjenja një vetmi vrasëse, ndjenja nevojat e mia si bashkëshorte. Sigurisht që ti e kupton përse e kam fjalën. Nuk ta fsheh që ndonjëherë më pushton një dëshirë për t’u zbukuruar, qëndroj para pasqyrës, kreh flokët, vesh rrobat më të bukura, parfumohem me parfumet që më ke dërguar ti dhe i bie dhomës së gjumit rreth e përqark e gëzuar. Në fakt, janë disa çaste, pasi menjëherë zgjohem nga kjo ëndërr dhe pushtohem nga mërzia dhe pikëllimi, e nuk e di kur do të marrë fund vetmia. I heq sërish rrobat, laj fytyrën nga makijazhi bashkë me parfumin dhe ndihem në faj për atë që bëra. Falënderoj Zotin që asnjë nga komshinjtë apo të afërmit nuk më kanë parë, pasi do më mendonin të çmendur.
I dashur bashkëshort! Vitet më të bukura të jetës time më kaluan larg teje. Kam frikë se kur të vijë koha e kthimit, do më gjesh një grua tjetër, mbi të cilën koha ka bërë të sajën, një të demoralizuar dhe të thyer nga hallet e mërzia. E unë do të shoh para meje një burrë tjetër, të ndryshëm nga ai që kam njohur. Mund të mendosh se jam çmendur po të them se kur të kthehesh ndoshta na nevojitet një fejesë e re, që ta njohim njëri-tjetrin, e mandej të vendosim nëse ia vlen të martohemi. Por mund të na lipset dhe një celebrim i ri, pasi vitet na kanë ndryshuar shumë. Unë nuk jam më ajo që ke njohur një herë e një kohë para dhjetë vitesh. E sigurisht, as ti nuk je ai burrë që kam njohur asokohe. Të dy kemi ndryshuar larg njëri-tjetrit.
I dashur burrë! Këto ditë vuaj nga një nervozizëm i tepruar dhe shoh që nuk e kam më durimin e mëparshëm. Ndoshta përgjegjësitë ndaj fëmijëve, kërkesat e tyre dhe problemet, janë ato që më nervozojnë. Ata nuk ma kanë frikën pasi jam grua, sidomos djali i madh i cili manifeston kokëfortësi. Ndoshta po të ishe pranë nesh, do i bënin llogaritë një mijë herë.
Uroj të mos mërzitesh nga fjalët e mia. Unë e di dhe e kuptoj që je i detyruar të emigrosh për të plotësuar nevojat dhe kërkesat tona. Më kujtohet kur u ktheve para pesë vitesh me dëshirën për të mos emigruar më dhe qëndrove mes nesh tre muaj. Çdo ditë dilje për të kërkuar punë, e në mbrëmje kthehesh duarbosh, i mërzitur, i demoralizuar dhe plot nerva. Unë fillova të uroj që të nisesh sërish dhe të marrësh udhën e emigracionit, pasi nuk të shihja dot në atë gjendje.
Nuk e di kur do të përmirësohet gjendja dhe kur do të kthehesh përfundimisht, por po të them që po vuaj nga malli i madh. Në këto çaste më kujtohet hazreti Omeri teksa pyeste bijën e tij Hafsan, mbi kohën që burri mund të përballojë larg të shoqes, e ajo i tha se është katër muaj. Menjëherë ai nxori një dekret sipas të cilit ushtarët nuk duhej të qëndronin më gjatë se katër muaj larg grave të tyre. Sa herë më kujtohet kjo ndodhi, vuaj shumë. Nëse gratë e shokëve të Profetit (a.s) nuk e përballonin mungesën e burrave të tyre që kishin dalë në rrugë të Zotit më shumë se katër muaj, ç’mund të them unë e gjora për mungesën tënde dhjetë vjeçare.
Së fundmi, uroj të mos kem mërzitur me gjithë këto fjalë. Fokusohu tek puna jote. Ne jemi në pritje.”
Jot shoqe dhe fëmijët e tu.
Këtë letër, e cila është një kujë dhe apel, po e sjell për lexuesit ashtu siç më erdhi, me shpresë që t’ia përcjell kujtdo që i intereson.
Problemet e djemve dhe vajzave për shkak të emigracionit:
1 – Mungesa e modelit atëror, e cila shoqërohet me probleme psikologjike si tek djemtë dhe tek vajzat. Në disa stade moshore, si djali ashtu dhe vajza, kanë nevojë për prezencën e këtij modeli, i cili siguron një zhvillim sa më normal dhe të shëndetshëm. Djalit i lipset të identifikohet me babain gjë e cila garanton zhvillimin normal të cilësive mashkullore. Ndërkohë që vajzës i lipset modeli atëror për zhvillimin e receptorëve të seksit të kundërt, të cilat i gjen tek roli i babait. Ajo mëson si të ndërveprojë dhe komunikojë me të.
2 – Mungesa e modelit të plotë të familjes, atë model i cili ngulitet në mendjen dhe psikologjinë e fëmijës, djem apo vajza qofshin. E nëse familja nuk është e plotë, në mendjen e fëmijëve ngulitet modeli i mangët i saj, gjë e cila ndikon më vonë në perceptimin e tyre për jetën familjare. E për rrjedhojë, ndikon edhe në suksesin e jetës së tyre bashkëshortore, duke mos e ndjerë fort mungesën e palës tjetër, aq më tepër që e kanë provuar të jetuarin pa të.
3 – Lidhjet e forta me nënën dhe mundësinë e vartësisë së plotë ndaj saj. Me gjithë këtë lidhje kaq të fortë, ndonjëherë ne pikasim edhe ndjenja agresiviteti ndaj saj për shkak të frikës së madhe që manifeston ndaj fëmijëve dhe kujdesit të tepruar, si dhe luajtjes të rolit të babait dhe nënës njëkohësisht, gjë e cila i humbet shumë nga dhembshuria dhe brishtësia e nënës.
4 – Vërshimi i të mirave materiale i tepërt nga ana e babait, si kompensim për mungesën e tij, gjë e cila shoqërohet me shpërdorim dhe devijim.
5 – Trajtimi i prindërve por edhe i njerëzve të tjerë në bazë të vlerave dhe koncepteve materiale.
6 – Babai shihet si i huaj kur kthehet, e shoqëruar kjo me refuzim të ndërhyrjeve të tij të çuditshme në jetën me të cilën janë mësuar.
Aspektet fetare të problemit:
Një rregull sheriati, i bazuar në një hadith profetik, thotë: “Dëmi është i papranueshëm si ndaj vetes ashtu dhe ndaj tjetrit.” Bazuar në këtë, nëse bashkëshortja dëmtohet nga mungesa e të shoqit, atëherë lipset që ky dëm të eleminohet.
Juristët kanë mospajtime lidhur me divorcin për shkak të mungesës të pajustifikueshme. Hanefitë mendojnë se nuk i lejohet një gruaje, të cilës i mungon burri, të kërkojë prishjen e martesës për këtë shkak, sado e gjatë të jetë mungesa e të shoqit, me apo pa arsye qoftë.
Në anën tjetër, juristët Hanbeli dhe Maliki, e lejojnë prishjen e martesës për shkak të mungesës së burrit. Veçse Hanbelitë e lejojnë bazuar në shkaqet që e kanë larguar burrin. Kështu, nëse burri është larguar për arsye arsimimi apo biznesi, në këtë rast nuk i lejohet gruas të kërkojë divorcin, sado gjatë të qëndrojë i shoqi, përderisa i ka siguruar jetesën dhe shpenzimet. Por nëse largimi i të shoqit është pa arsye dhe gruaja dëmtohet nga mungesa e tij, në këtë rast gjykatësit i lejohet ta prishë martesën, nëse gruaja e kërkon. Por kjo vetëm pas kalimit të gjashtë muajve e më shumë nga mungesa e të shoqit. Madje, ata thonë se gjykatësi duhet t’i shkruajë të shoqit dhe ta vërë të zgjedhë mes kthimit tek e shoqja, marrjen me vete të shoqes, ose ndarjes mes tyre.
Me këtë rast, vlen të themi se shkaku i përcaktimit të kohës së mungesës me gjashtë muaj, i referohet një ngjarjeje të ndodhur gjatë kalifatit të hazreti Omerit. Teksa kishte dalë për kontroll, ai dëgjon zërin e një gruaje brenda shtëpisë e cila aq i thurrte vargje pasionit, e mandej po në vargje shprehte frikën prej Zotit. Omeri u interesua dhe i thanë se i shoqi ishte ushtar në luftë. Ai i dërgoi një grua t’i qëndrojë pranë, e nga ana tjetër i çoi fjalë të shoqit të kthehej menjëherë. Nga ana tjetër, e pyeti vajzën e tij Hafsën: “Oj bijë, sa duron një grua pa të shoqin në shtëpi?” Ajo ia ktheu: “Si është e mundur që një burrë si ti, pyet një si unë?!” Omeri i tha: “Nëse çështja nuk ka të bëjë me myslimanët, nuk do të pyesja.” Ajo i tha: “Pesë deri në gjashtë muaj.” Që atëherë, Omeri urdhëroi komandantët e tij ushtarakë që mos i mbajnë ushtarët e martuar më shumë se gjashtë muaj, pa vizituar familjet, një muaj udhëtim, katër muaj qëndrim dhe një tjetër kthim.[2]
Kurse mendimi i Malikive, është që nëse gruaja dëmtohet nga mungesa e të shoqit dhe frikësohet nga gjynahu, i lejohet të kërkojë divorcin nga i shoqi, cilado qoftë arsyeja e largimit të tij.
Udhëzime dhe propozime:
1 – Shtimi i komunikimit mes bashkëshortit emigrant dhe familjes së tij, nëpërmjet mjeteve moderne të komunikimit të internetit me zë dhe foto. Kjo duhet të bëhet me të gjithë anëtarët e familjes, një orë në ditë, si një takim familjar i rregullt.
2 – Të bëhen përpjekje për bashkimin e familjes sa më shpejt të jetë e mundur, para se ndodhin ndryshimet negative tek anëtarët e saj.
3 – Organizimi i marrëveshjeve të punës jashtë vendit, me kusht që të vizitohet familja gjatë vitit.
4 – Mbështetja e familjes së emigrantit nëpërmjet familjes së madhe dhe organizmave socialë përkatës.
5 – Kërkesa që bashkimi i familjes të hyjë tek të drejtat e njeriut, gjë e cila duhet adaptuar nga organizatat ndërkombëtare.
Autor: Muhamed El Mehdi
Përktheu: Elmaz Fida
[1] – Sure Nisa; 100
[2] – “El Mugni” 8/143.