Bashkimi i namazit të Xhumasë me atë të Ikindisë

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Pyetje: A është e lejueshme që të bashkohet namazi i Ikindisë me atë të Xhumasë?

Përgjigja: Me emrin e Allahut, falenderimi i takon Atij. Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin për profetin Muhamed.

Bashkimi i namazit të Xhumasë me atë të Ikindisë është i lejuar, bazuar tek argumentet e lehtësimit që flasin për rregullat dhe dispozitat fetare të udhëtimit. Prej rregullave të udhëtimit është shkurtimi dhe bashkimi mes dy namazeve. Udhëtari nuk e ka për detyrë faljen e namazit të Xhumasë, por nëse e fal atë, namazi është i vlefshëm. Kështu që, nuk ka asnjë pengesë që pas saj të falë namazin e Ikindisë. Po ashtu nuk ka asnjë argument që të dëshmojë se bashkimi i namazit të Xhumasë nuk lejohet që të bashkohet me namazin e Ikindisë. Sepse nëse nuk do të lejohej, atëherë do të kishte qoftë edhe një argument të vetëm. Profeti (a.s.) i ka sqaruar njerëzit për gjithçka që u ka zbritur atyre nga Allahu. Ndërsa ato gjëra që nuk kanë zbritur, njeriu nuk është përgjegjës dhe konsiderohen prej çështjeve për të cilat sheriati ka heshtur. Çështja e bashkimit të namazit të Xhumasë me atë të Ikindisë konsiderohet prej atyre çështjeve për të cilat sheriati ka heshtur.

Shkak i përgjigjes së kësaj pyetje nga ana ime është fakti se disa myftinj jo vetëm që e kanë ndaluar bashkimin e faljes së namazit të Xhumasë me atë të Ikindisë, por e kanë konsideruar namazin e Ikindisë si të pavlefshëm, duke urdhëruar personin që e ka bashkuar atë me namazin e Xhumasë, që ta përsërisë faljen e namazit të Ikindisë.  Subhanallah! Si mund të konsiderohet namazi i pavlefshëm kur ai i ka plotësuar të gjitha kushtet.

Mendimi im është ky: Sa për dijeni, një problem i tillë nuk ka ndodhur asnjëherë në kohën e Profetit (a.s.), megjithëse ai (a.s.) ka udhëtuar me qindra herë në ditën e Xhuma. Gjatë udhëtimit ai falte nga dy rekate, por nuk dihet me saktësi se këto dy rekate i përkisnin namazit të Xhumasë apo namazit të Drekës?  Ndoshta ky është shkaku që juristët nuk e kanë trajtuar këtë problem në librat e tyre. Atë ç’ka kam lexuar unë në librat e tyre, nuk i tejkalon kufinjtë e dhënies së disa ishareteve. Kush merret në konsideratë si namazi në origjinë: namazi i Xhumasë apo i Drekës? Apo namazi i Xhumasë konsiderohet si zëvëndësues?

Imam El Mauerdi prej dijetarëve të medh’hebit Shafi’i thotë: “Në fillimet e para të Islamit, namazi i Xhumasë falej me katër rekate si Dreka, ndërsa më vonë ajo falej me dy rekate pa u abroguar falja e namazit të Drekës”

Sulejman El Merdaui prej dijetarëve të medh’hebit Hanbeli thotë: “Namazi i Xhumasë është një namaz krejt i pavarur nga namazi i Drekës.”

Ibn Muflihu thotë: “Namazi i Xhumasë ka më vlerë se namazi i Drekës. Ai është një namaz krejt i pavarur. Thuhet se ai është origjina, ndërsa namazi i Drekës zëvëndësues.”

Ibn Abdul Berr prej dijetarëve të medh’hebit Maliki thotë: “Imami udhëtar mund të bashkojë namazin e Xhumasë në një vendbanim në të cilin falja e namazit të Xhumasë është farz, nëse në atë vendbanin falja e namazit nuk është farz, për të dhe udhëtarët e tjerë bashkimi vlen. Ndërsa ata që janë rezidentë falin namazin e Drekës duke plotësuar rekatet e mbetura dhe nuk e përsërisin namazin.”

Tregohet se tek Harun Er Reshidi ishin imam Esh Shafi’iu dhe Muhamed ibn Hasani. Haruni e pyeti Muhamedin në lidhje me namazin që fali Profeti (a.s.) në Arafat: “A ka falur Xhumanë apo Drekën? Xhumanë – u përgjigj ai, sepse përpara se të falej foli në hytbe, ndryshe do të ishte nëse në hytbe do të fliste pas namazit – vazhdoi ai. Pastaj Haruni i drejtoi të njëjtën pyetje imam Esh Shafi’iut i cili u përgjigj: “Ka falur namazin e Drekës, sepse gjatë namazit nuk ka kënduar me zë, ndryshe do të vepronte nëse do të falte namazin e Xhumasë. Haruni aprovoi mendimin e imam Esh Shafi’iut. Thuhet se kjo ngjarje ka ndodhur ndërmjet imam Malikut dhe Ebu Jusufit.

Duket qartë se medh’hebet Esh Shafi’ij, Maliki, Ebu Hanifja, Ebu Jusufi dhe një prej mendimeve të medh’hebit Hanbeli, thonë se namazi i Drekës konsiderohet origjina, ndërsa namazi i Xhumasë është zëvëndësuesi. Ndërsa Muhamed ibn Hasani, Zuferi dhe një prej mendimeve të medh’hebit Hanbeli thonë se namazi i Xhumasë është origjina dhe namazi i Drekës është zëvëndësuesi. Megjithatë të gjithë bien dakord se ai i cili nuk arrin të falë namazin e Xhumasë, duhet të falë patjetër namazin e Drekës. Po ashtu, që të gjithë bien dakord se udhëtari nuk e ka për obligim me e fal namazin e Xhumasë, e nëse ai e fal atë nuk ka pse të falë Drekën.

Kam lexuar se imam Neueuiju e ka lejuar faljen e namazit të Xhumasë bashkë me namazin e Ikindisë në rast shiu, e ka lejuar vonimin e namazit të Xhumasë deri në vaktin e namazit të Ikindisë duke u bazuar tek vonesa që i bëhet namazit të Drekës deri në kohën e Ikindisë.

Mensur El Behuti i medh’hebit Hanbeli ka thënë: “Namazi i Xhumasë nuk bashkohet me namazin e Ikindisë, ngase për një veprim të tillë nuk ka asnjë argument.”

Dijetari i shquar Muhamed ibn Ibrahim Ali Shejh ka thënë: “Bashkimi i namazit të Ikindisë me namazin e Xhumasë nuk lejohet aspak”

Këshilli i fetvasë në mbretërinë e Arabisë Saudite duke plotësuar mendimin e  Ali Shejhit ka cituar sa më poshtë: “Namazi i Ikindisë nuk është i njëllojtë në gradë me namazin e Xhumasë.”

Pas një studimi dhe shqyrtimi të kësaj çështje mjaft me rëndësi, për të cilën njerëzit janë shumë të interesuar, mendoj se bashkimi i namazit të Xhumasë me të Ikindisë në kohën e namazit të Xhumasë për udhëtarin është i lejuar, bazuar në argumentet e mëposhtme:

1 – Për përgjithsimin e argumenteve që flasin për lehtësim, sidomos në rregullat e udhëtimit, për shkurtimin dhe bashkimin e namazeve. Argument për shkurtimin është hadithi të cilin e transmeton imam Muslimi se Omer ibn Hatabi është pyetur rreth ajetit kuranor: ndërkohë që, njerëzit nuk kanë më frikë? Edhe unë jam habitur ashtu si ju, kështu që për këtë arsye pyeta Profetin (a.s.), i cili më tha: Nëpërmjet këtij hadithi dua të them se namazi i udhëtarit është bazuar mbi lehtësimin dhe tolerancën. Argument për bashkimin e namazave është hadithi i Ebu Hurejres i cili transmeton se Profeti (a.s) ka pasë bashkuar namazin e Drekës me të Ikindisë, dhe të Akshamit me të Jacisë në Medine, pa arsye të frikës, të rënies së shiut apo udhëtimit.”[1]Disa komentues, këtë hadith e kanë vendosur në kapitullin e “Lejimit të bashkimit të dy namazeve në rast nevoje.” Imam Hatabi ka thënë: “Nuk është problem që njeriu të bashkojë mes dy namazeve në rast nevoje apo në ndonjë rast tjetër, me kusht që një veprim i tillë të mos bëhet zakon.” Nga këto thënie dua të argumentoj se: Udhëtimi konsiderohet prej nevojave imediate të njeriut. I këtij mendimi janë edhe dijetari i shquar Ahmed Shakir dhe Hamid El Feki. Pra, bashkimi mes dy namazeve për rast nevoje qoftë edhe për një njeri që nuk është i justifikuar juridikisht, është mjaft lehtësues për njerëzit.

2 – Duke qenë se udhëtari nuk e ka për obligim me e fal namazin e Xhumasë për shkak të udhëtimit, ndërkohë që nëse ai e fal atë, namazi konsiderohet i vlefshëm, atëherë përse nuk u lejoka që bashkë me të falet edhe namazi i Ikindisë.

3 – Në rast shiu apo kur ka llucë, ai që është rezident nuk e ka për obligim namazin e Xhumasë[2], ndryshe nga namazi i Drekës që e ka për obligim. Si rrjedhojë e kësaj, që udhëtari mos ta ketë atë obligim është më prioritar.

4 – Nuk ka asnjë argument nga Profeti (a.s.) që ta ndalojë bashkimin e namazit të Xhumasë me atë të Ikindisë, duke ditur se Profetit (a.s.) i ka qëlluar shumë herë që të udhëtojë në ditën e Xhuma. Ndërkohë që në të tilla raste nuk lejohet që argumenti të mos përmendet.

5 – Allahu i Lartësuar e ka dërguar Profetin Muhamed (a.s.) që t’u shpjegojë njerëzve gjithçka që ata kanë nevojë. Ndërkohë që Profeti (a.s.) e ka sqaruar dhe e ka shpjeguar të gjithë atë që ka zbritur; ndërsa ajo që nuk është zbritur (shpallur) konsiderohet si dçka e lënë në heshtje për të cilën njeriu nuk është përgjegjës. Ajo që dua të them është se në rastin në fjalë, për bashkimin e namazit të Xhumasë dhe Ikindisë për udhëtarin, Sheriati ka heshtur (nuk ka folur), dhe si rrjedhojë juridikisht është i lejuar.

Allahu e di më mirë.

Fetvadhënësi: Doktor Seud El Fenisan

Përktheu: Elton Harxhi

[1] – Muslimi.

[2] – Sipas medh’hebit Maliki dhe Hanbeli.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *