Parimi i tretë:
Imam Hasan El Benna ka thënë: “Imani (besimi) i sinqertë, ibadeti (adhurimi) i shëndoshë dhe përpjekja këmbëngulëse në adhurim janë dritë dhe ëmbëlsi, të cilat Allahu ia vendos në zemrat e kujt të dojë prej robërve të Tij, megjithatë frymëzimet, inspirimet, përfytyrimet, zbulesat dhe ëndrrat nuk janë argumente të dispozitave të sheriatit dhe merren në konsideratë vetëm nëse nuk bien ndesh me dispozitat e fesë dhe tekstet e saj.”
Ky parim trajton:
Besimin e sinqertë.
Adhurimin e shëndoshë dhe përpjekjet e sakta për adhurim.
Burimet të cilat nuk konsiderohen si argument i dispozitave të sheriatit.
Gjurmët e besimit, të adhurimit dhe të përpjekjeve të mira:
Shehidi Hasan El Benna pohon se besimi i sinqertë dhe i pastër, adhurimi i shëndoshë dhe i pastër nga çdo risi, si dhe përpjekjet e drejta për adhurim, të cilat janë larg çdo ekstremizmi lënë gjurmë të mira te njeriu. Disa prej këtyre gjurmëve janë si:
Allahu i Madhërishëm do ta begatojë atë njeri që karakterizohet nga cilësitë e sipërpërmendura me një dritë, përmes së cilës do t’i zbulojë atij ç’ka nuk i zbulon tjetërkujt, dritë me të cilën shtjellon, sqaron dhe kthjellon gjërat e paqarta e të ndërlikuara. Allahu i Madhërishëm thotë: “O ju që keni besuar, nëse jeni të devotshëm ndaj Allahut, Ai do t’ju japë dritë orientuese për tek e vërteta.”[1] “O besimtarë! Jini të devotshëm ndaj Allahut dhe besoni te Profeti i Tij, t’jua dyfishojë mëshirën e Tij e t’ju japë dritë për të ecur drejt Tij dhe t’ju falë. Allahu është Falës dhe Mëshirues.”[2]
Allahu i Madhërishëm ia bën të mundur këtij besimtari të shijojë ëmbëlsinë e besimit aq sa dëshiron vetë Allahu, e sakaq njeriu ndjen lumturi dhe kënaqësi të madhe. I Dërguari i Allahut (a.s) thotë: “Nëse gjenden tre cilësi te një njeri, ai do ta shijojë ëmbësinë e besimit: Ta dojë Allahun dhe të Dërguarin e Tij më shumë se këdo tjetër. Kur ta dojë një njeri ta dojë vetëm për hir të Allahut. Dhe ta urrejë kthimin në mosbesim ashtu siç urren të hidhet në zjarr.”[3]
Nga ndodhitë e njohura dhe të vërteta:
Transmetohet se Othmani (r.a) i ka thënë një personi, i cili hyri në shtëpinë e tij: “Mos hyni tek unë me sytë e mbushura me zina. Burri i ka thënë: A vazhdon akoma shpallja pas të Dërguarit të Allahut?! Othmani ka thënë: Nuk është shpallje, por mprehtësi e besimit të sinqertë.”[4]
Omeri (r.a) njëherë ishte duke mbajtur një ligjëratë në minber. Për një moment, ai e ndërpreu fjalimin dhe tha: “O Sarijeh! Po ju vijnë armiqtë pas malit, pas malit.”[5]
Në parim të gjitha këto nxjerrin në pah ëmbëlsinë dhe dritën e besimit, që Allahu ua dhuron robërve të Tij besnikë, ndërsa sa u përket ndodhive të veçanta, pranimi dhe besimi i tyre varet nga transmetimet dhe argumentet e sigurta.
Qëndrimi i Islamit ndaj inspirimeve, ëndrrave dhe zbulesave:
Imam Shehih Hasan El Benna pranon ekzistencën e inspirimeve të ëndrrave dhe të përfytyrimeve dhe nuk i ka mohuar tërësisht. Këto çështje, edhe pse ndodhin, nuk mund të konsiderohen prej argumenteve të pavarura të dispozitave sheriatike, për shkak se janë të shoqëruara vazhdimisht nga dyshimet, hamendjet dhe trillimet, që ngatërrohen shumë me to dhe nuk është mirë të mbështetemi tek asgjë e kësaj natyre. Nëse shtrohet pyetja se çfarë vlere ka ekzsistenca e tyre, atëherë mund të themi: “Mund të merren si shenja ndihmëse, atëherë kur nuk bien ndesh me Kuranin dhe Sunetin dhe mund të konsiderohen si përforcuese të argumenteve.”
Në këtë parim vërejmë si vijon:
Ruajtjen e burimeve të dispozitave të sheriatit të pastra dhe të pacënuara.
Mesatarja dhe ekuilibri i imamit shehid konsiston te fakti i shmangies dhe i ruajtjes nga dy ekstremet e teprimit dhe mangësisë. Pra, as nuk e ka mohuar ekzistimin e frymëzimeve dhe të zbulesave dhe as nuk i ka konsideruar ato si burime më vete e të pavarura.
Ua ka mbyllur derën mashtruesve dhe i ka shpëtuar të mashtruarit.
Maturia në shprehjen dhe paraqitjen e realitetit pa lajka e komplimente dhe njëkohësisht pa akuzuar dhe fyer tjetrin.
Autor: Sabaudin Jashari
[1] – Sure Enfal: 29
[2] – Sure Hadid: 28.
[3] – Buhariu dhe Muslimi.
[4] – “Turuk Hukumije” i Ibn Kajjimit.
[5] – “Sire ue menakib Omer ibn Hatab” fq: 172 – 173.