Besimi thyen iluzionet e materies që ka mbërthyer botën

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Vetëm besimtari është i bindur se përtej materies ka një fuqi hyjnore dhe se pas botës kalimtare që është e destinuar të shkatërrohet ka një botë të përtejme që është e përjetshme.

Nëse besimtari e ngre zërin e të vërtetës ka për të prishur iluzionet e kota, do të zgjidhë prangat e universit, do të shembë idhullin e materies dhe do t’i diktojë botës vullnetin e Allahut. Në këtë rast, ai do të jetë i bindur, i nënshtruar, i thjeshtë e i përulur. Ai do ta ndryshojë rrjedhën e historisë dhe do t’i diktojë universit të ecë në xhaden e tij.

Tregohet se ushtria muslimane kishte si synim të shkonte për në Medain dhe për këtë i duhej që të kalonte lumin Tigër, por kalimi ishte i pamundur, sepse kishte shumë batica dhe nga lumi dilte shumë shkumë. Sa’di (komandanti i ushtrisë) i mblodhi njerëzit dhe pasi falenderoi dhe e madhëroi Allahun tha: Unë kam vendosur ta kapërcej këtë lum. Të gjithë njerëzit thanë: Allahu na dhëntë vendosmëri ne dhe ty për ta kaluar. Kapërceje atë! Ai i motivoi njerëzit për ta kapërcyer atë, e kur ata ia mësynë lumit, ai tha: Thoni: “I kërkojmë ndihmë Allahut, Atij i mbështetemi, na mjafton Allahu e Ai është Përkrahësi më i mirë, Allahu ka për ta ndihmuar velijun e Tij, Allahu ka për të bërë që feja e Tij të triumfojë, Allahu ka për ta shkatërruar armikun e Tij dhe nuk ka forcë vetëm se ajo forcë që e jep Allahu, I Larti i Madhërishmi.” E njerëzit ia mësyen lumit Tigër, sakaq ata bisedonin me njëri-tjetrin sikur të ishin në tokë dhe vazhdonin të ecnin mbi të derisa bregu nuk dukej më.

Tarik ibn Zijad zbarkoi bashkë me ushtrinë e tij në Andalozi, pas kishte detin kurse para kishte armikun, e ardhmja ishte tmerruese, rruga ishte errësirë, toka ishte djerrë, numri i ushtrisë ishte i vogël dhe ardhja e përforcimeve për ushtrinë do të zgjaste. Mirëpo ai i nënçmoi fantazmat e materies duke urdhëruar djegien e anijeve që ia mundësonin kthimin në atdhe. Ai vendosi që të sulmonte dhe ishte i sigurtë për fitoren. E armiku pësoi disfatë dhe muslimanët u vendosën në gadishullin e gjelbërt.

Ukbe ibn Nafi vendosi që të merrte në dorë frenat e një qytei në Afrikë me synimin që muslimanët të ngrinin aty çadrat e tyre që të ishin të sigurtë prej sulmeve të vendasve. Ai vendosi të shkonte në Kajrauan, i cili ishte xhungël dhe me baltë, në të ishin të gjitha llojet e kafshëve të egra dhe gjarpërinjve. Ai e luti Allahun e lutja e tij ishte e pranuar, pastaj thirri: O ju kafshë të egra dhe gjarpërinj! Ne jemi shokët e të Dërguarit të Allahut (a.s), largohuni prej nesh sespse ne do të qëndrojmë këtu! Këdo që do të shohim prej jush (pas këtij urdhri dhe ai nuk është larguar) ne do ta vrasim.” Në atë ditë, njerëzit panë se si kafshët së bashku me këlyshët e tyre dolën nga xhungla. Si rrjedhojë e kësaj ndodhie shumë berberë (vendas) pranuan të konvertoheshin në muslimanë.

Djaloshi shtatëmbëdhjetë vjeçar, Muhamed ibn Kasim sulmoi Indinë së bashku me një grusht njerëzish. Deti ishte një pengesë e madhe për të, territori i armikut ishte shumë i madh dhe shtigjet e atij vendi ishin të panjohura për muslimanët. Mirëpo besimi e sundoi forcën fizike dhe shpirti triumfoi mbi materien. Dhe India, nga provinca e Sindit deri në Multan, iu nënshtrua muslimanëve.

E gjithë bota është një qytet iluzionesh dhe vetëm besimtari posedon besim të palëkundur. Ai i ngjan pishtarit që ndriçon në një pyll të errët, fanarit në mes të detit, ishullit që strehon të shpëtuarit nga mbytja dhe ndërtesës që nuk e lëkund asnjë lloj furtune e dallge. Besimtari kapet fort pas besimit, askush nuk mund ta pengojë dhe askush nuk beson në atë që mund të bëjë, kështu që vendosmëria e tij nuk lëkundet e as zbutet dhe ai nuk dyshon për asnjë çast. Sakaq ti i shikon njerëzit skeptikë, kritikë, të nënshtruar me pahir, apo të pabindur. Kurse besimtari nuk është i tillë. Ai vringëllon si shpata e cila vret me mijëra ushtarë skeptikë, zhvesh cipën e reve të iluzioneve dhe shfaqet si agimi i mëngjesit.

Autor: Hasan En Nedeuij

Përktheu: Elton Harxhi

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.