Beteja e Bedrit në Kuran: Mësime edukative

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Beteja e Bedrit ka qenë një nga betejat vendimtare dhe më të rëndësishme të historisë islame. Prandaj edhe Kurani e ka trajtuar këtë betejë në një sure të plotë. Në këtë artikull do të paraqes disa prej çështjeve dhe mësimeve edukative të cilat i ka trajtuar Kurani në lidhje me këtë betejë.

Në historinë e çdo populli ne hasim në ditë të lavdishme, ditë të cilat ata i kujtojnë me nostalgji dhe ua mësojnë fëmijëve të tyre brez pas brezi, me qëllim që ata të mësojnë të kaluarën, të tashmen dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre nën dritën e atyre mësimeve. Allahu i Madhëruar thotë: “Nxirre popullin tënd nga errësira në dritë dhe përkujtoju atyre ditët e Allahut!”[1] Një nga ditët më të lavdishme të Umetit musliman, të cilën e ka begatuar Allahu i Madhëruar, padyshim është dita në të cilën është zhvilluar beteja e Bedrit. Ajo është një ditë e lavdishme jo vetëm për Umetin musliman por për mbarë historinë e njerëzimit, sepse ajo është dita në të cilën Allahu i Madhëruar bëri dallimin midis të Vërtetës dhe të Kotës, është dita në të cilën e ngriti lart Islamin dhe muslimanët, është dita në të cilën e gjunjëzoi idhujtarinë dhe ithtarët e saj dhe ajo është dita në të cilën u krijua shteti islam. Qysh nga ajo ditë, muslimanët u bënë një forcë e madhe, të cilën e kishin frikë të gjithë armiqtë e tyre. Beteja e Bedrit qartësoi njëherë e mirë faktin se Islami është një fe hyjnore, e cila ka shtetin e saj që e mbron nga të gjitha rreziqet që i kanosen. Prandaj edhe Kurani ka folur gjerë e gjatë për këtë betejë në një sure të tërë, e cila është surja Enfal, e shpallur menjëherë pas përfundimit të betejës.

Në këtë artikull do të hedhim sadopak dritë  mbi disa mësime edukative, për të cilat Kurani i ka kushtuar rëndësi të madhe kur e ka trajtuar këtë betejë. Por pikë së pari do të tregoj shkurtimisht ndodhitë më të rëndësishme të kësaj beteje dhe pastaj do të ndalem tek mësimet edukative.

Ndodhitë më kryesore të betejës së Bedrit:

Shkaku i zhvillimit të kësaj beteje është se profeti (a.s) dëgjoi për Ebu Sufjanin i cili ishte drejtuar për në Sham me karvanin e kurejshëve. Profeti (a.s) i nxiti shokët e tij për të arritur karvanin të cilin e udhëhiqte Ebu Sufjani për të kompesuar pasurinë që e kishin humbur në Mekë.

Ebu Sufjani dëgjoi për synimin e profetit (a.s) dhe shokëve të tij, kështu që për këtë arsye dërgoi një njeri në Mekë për t’i bërë thirrje banorëve të Mekës që të mbronin pasurinë e tyre nga Muhamedi dhe shokët e tij.

Banorët e Mekës arritën që për një kohë shumë të shkurtër të formonin një ushtri. Në këtë betejë morën pjesë ata njerëz që dolën vetë dhe ata të cilët nuk kishin mundësi të merrnin pjesë vetë dërguan zëvendës.

Kur profeti (a.s) e mori vesh për ushtrinë e Mekës, pasi u konsultua me shokët e tij, ditën e Hënë, më 8 Ramazan u drejtua për në Bedër me shtatëdhjetë deve. Flamurin ia dorëzoi Mus’ab ibn Umejrit (r.a).

Profeti (a.s) zbriti në Bedër, sakaq Ebu Sufjani së bashku me karvanin kishte arritur t’i shpëtonte ushtrisë së profetit (a.s). Ebu Sufjani i dërgoi një pusullë kurejshëve në të cilën shkruhej: “Ju dolët për të mbrojtur karvanin, burrat dhe pasurinë tuaj. E Allahu e shpëtoi atë prandaj kthehuni mbrapsht!” Mirëpo Ebu Xhehli tha: “Pasha Allahun nuk kemi për t’u kthyer derisa të mbërrijmë në Bedër, do të qëndrojmë atje tre ditë, do të therrim devetë, do të ushqehemi, do të pimë verë, do të dëgjojmë aheng dhe arabët do të dëgjojnë për marshimin dhe tubimin tonë, kështu që ata do të na kenë frikë përgjithmonë. Prandaj vazhdoni ecni përpara!”

Kështu kurejshët vazhduan marshimin e tyre derisa mbërritën në bregun më të largët të luginës (së Bedrit). Allahu i Madhëruar zbriti shi mbi profetin (a.s) dhe shokët e tij aq sa për t’ia lehtësuar atyre marshimin (për në bregun më të afërt të luginës) dhe po ashtu zbriti shi mbi kurejshët aq sa për t’ua vështirsuar marshimin. Kështu që profeti (a.s) dhe shokët e tij arritën të parët në pusin më të afërt të luginës dhe ngritën çadrat, pasi profeti (a.s) mori në konsideratë konsultën e Habab Ibn Eretit (r.a).

Sahabët i ndërtuan profetit (a.s) një tendë sipas këshillës së Sa’d ibn Muadhit. Kur kurejshët me ushtrinë e tyre po afroheshin drejt muslimanëve, profeti (a.s) u lut me fjalët: “O Zoti im, këto janë kurejshët kanë ardhur me mburrje dhe fodullëk për të të sfiduar dhe përgënjeshtruar të Dërguarin Tënd. O Zot të kërkoj të na ndihmosh, ashtu siç më premtove. O Zot, gjunjëzoi ata në mëngjes.”

Në mesin e kurejshëve pati mosmarrëveshje të mëdha dhe pjesa më e madhe e tyre dëshironin të ktheheshin mbrapa, mirëpo Ebu Xhehli arriti t’ua mbushte mendjen që të vazhdonin përpara.

Beteja filloi me duele midis dy palëve, pastaj të dy palët u afruan më shumë me njëra-tjetrën dhe beteja u ndez në mëngjesin e të premtes më 17 Ramazan.

Në këtë betejë morën pjesë edhe engjëjt, të cilët Allahu i Madhëruar i dërgoi në ndihmë të muslimanëve. Motoja e besimtarëve në betejën e Bedrit ishte: “Ehadun, Ehad” që do të thotë “Allahu është një, Allahu është një.” Më pas të dy ushtritë u ndeshën me njëra-tjetrën dhe në këtë betejë kurejshët pësuan një disfatë të rëndë. Në këtë betejë u vranë shumë njerëz nga paria e Mekës, midis të cilëve edhe Ebu Xhehli. Ashtu sikurse edhe shumë të tjerë u zunë rob. Kështu – me ndihmën e Allahut të Madhëruar – beteja përfundoi me fitoren e muslimanëve. Pas betejës së Bedrit, Allahu i Madhëruar shpalli suren Enfal.

Kurani dhe beteja e Bedrit:

Gjatë jetës së tij profeti (a.s) zhvilloi një sërë betejash dhe ekspeditash për të cilat (disa prej tyre) Kurani Famëlartë ka folur dhe i ka trajtuar. Kjo trajtesë nga ana e Kuranit tregon për rëndësinë dhe statusin e veçantë të tyre, ç’ka lips prej muslimanëve që të thellohen në meditim dhe të nxjerrin mësime dhe dobi prej tyre. Prej këtyre betejave që Kurani ka folur është edhe beteja e Bedrit, për të cilën Kurani nuk ka folur përciptazi, por përkundrazi ka shpallur një sure të plotë që është surja “Enfal”. Seid ibn Xhubejri thotë: E pyeta Ibn Abasin për suren Enfal e ai më tha: Është shpallur për betejën e Bedrit.

Surja Enfal trajton një sërë ngjarjesh e ndodhishë që kanë ndodhur në betejën e Bedrit, si çështjen e plaçkës dhe robërve të luftës.  Kjo sure i tërhoqi vëmendjen besimtarëve në një sërë çështjesh, të cilat lanë një gjurmë të pashlyeshme në formimin dhe edukimin  e tyre duke kuruar me detaje çdo ngjarje të kësaj beteje. Padyshim që trajtimi i të gjitha këtyre çështjeve kërkon një studim të madh, por unë do të mjaftohem me diskutimin e dy çështjeve kryesore, të cilat Kurani i ka kushtuar shumë rëndësi për edukimin dhe formimin e muslimanëve. Këto dy çështje janë:

1Fokusimi tek domodoshmëria e unitetit dhe rregullimi i marrëdhënieve me njëri-tjetrin:

Arsyeja kryesore e konsolidimit dhe imunitetit të çdo shoqërie dhe etnie është uniteti midis individëve të saj dhe ndërlidhja midis kolektiveve të saj. Sepse në të kundërt, përçarja, mosmarrëveshjet dhe konfliktet e dobësojnë forcën e shoqërisë dhe shpien në kolaps dhe rënien e shoqërisë. Pikërisht për këtë arsye ne vërejmë shumë qartë se sa rëndësi të madhe i ka kushtuar Kurani dhe Suneti unitetit dhe ndërthurrjes midis muslimanëve. Në një sërë ajetesh kuranore, Allahu i Madhëruar flet për unitetin, si për shembull: “Vërtet, ky është besimi juaj i vetëm, e Unë jam Zoti juaj, andaj më adhuroni mua.”[2] “Vërtet, kjo feja juaj është një fe e vetme, ndërsa Unë jam Zoti juaj, andaj frikësohuni prej Meje!”[3] “Në të vërtetë besimtarët janë vëllezër, andaj pajtojini vëllezërit tuaj midis tyre dhe kijeni frikë Allahun, në mënyrë që ju të mëshiroheni.”[4] Po kështu në Sunet, ne lexojmë një sërë hadithesh që flasin për unitetin e muslimanëve, si për shembull hadithi që flet se “Shembulli i muslimanëve në dashurinë, mëshirën dhe kujdesin për njëri-tjetrin është si shembulli i trupit, nëse ankohet prej tij një organ, të gjithë trupin e kaplon temperatura dhe ethet.”[5]

Menjëherë pas triumfit – me ndihmën e Allahut –  të muslimanëve në betejën e Bedrit, midis sahabëve lindën mosmarrëveshje në lidhje me plaçkën e luftës dhe mënyrës së shpërndarjes së saj. Pikërisht kjo është çështja e parë me të cilën Kurani e filloi komentin e tij rreth betejës së Bedrit duke thënë: “Të pyesin (ty o Muhamed) për plaçkën e luftës. Thuaj: Plaçka e luftës i përket Allahut  dhe të Dërguarit. Prandaj frikësojuni Allahut, rregulloni marrëdhëniet midis jush dhe bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij, nëse jeni besimtarë të vërtetë.”[6] Mosmarrëveshja që ndodhi midis sahabëve në lidhje me plaçkën e luftës nuk ishte ndodhia e parë që ndodhi në betejën e Bedrit, megjithatë Kurani e fillon me këtë ndodhi suren Enfal për të treguar se sa i rëndësishëm është uniteti midis muslimanëve dhe se përçarja e konflikti përbën një rrezik shumë të madh për shpërbërjen e këtij uniteti.

Kushdo që lexon Kuranin në lidhje me këtë ndodhi do të vërejë qartë se sa shpejt Kurani e trajtoi çështjen e mosmarrëveshjes për t’i dhënë fund njëherë e mirë përçarjes dhe konfliktit. E kjo gjë është bërë nëpërmjet:

Zgjidhjes së menjëhershme të problemit duke vënë theksin se çështja e shpërndarjes së plaçkës së luftës nuk i përket askujt. Ajo është në dorë të Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Kështu nëpërmjet këtij verdikti, Kurani i dha fund të gjithë rrugëve të cilat të shpien drejt përçarjes e konfliktit për shkak të lakmisë për plaçkën e luftës. Allahu i Madhëruar i drejtohet sahabëve me fjalët: “Thuaj: Plaçka e luftës i përket Allahut dhe të Dërguarit të Tij.”[7]

Thirrjes së qartë për të qenë të bashkuar dhe për të rregulluar marrëdhëniet me njëri-tjetrin. Padyshim që prishja e marrëdhënieve me njëri-tjetrin është katastrofa më e madhe që shpie në rrënimin e shoqërive. Allahu i Madhëruar i drejtohet sahabëve me fjalët: “Prandaj frikësojuni Allahut, rregulloni marrëdhëniet midis jush”[8]

Motivimit dhe nxitjes për t’ju bindur gjithmonë Allahut të Madhëruar dhe të Dërguarit të tij, sepse shpëtimi i njeriut vjen kur ai bindet Allahut të Madhëruar dhe të Dërguarit të Tij. Prandaj edhe Allahu i Madhëruar i drejtohet sahabëve: “Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij, nëse jeni besimtarë të vërtetë.”[9]

Përkujtimit të disa cilësive dhe karakteristikave të mira të besimtarëve: “Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, u rrënqethen zemrat e tyre, të cilëve kur iu lexohen ajetet e Tij iu shtohet besimi,  dhe që janë mbështetur vetëm te Zoti i tyre. Dhe që falin rregullisht namazin dhe nga ajo ç’ka i kemi furnizuar japin. Të tillë janë besimtarë të vërtetë dhe për këtë kanë vende të larta te Zoti i tyre dhe kanë furnizim në mënyrë të ndershme.”[10]Ndër cilësitë më të spikatura për të cilat Kurani ka tërhequr vëmendjen janë përulësia, rrënqethja e zemrës në rastin e dëgjimit të gjykimit të Allahut dhe mbështejta tek Zoti. Për këtë cilësi të fundit, imam Ibn Kethiri citon: “Ata nuk shpresojnë tek askush tjetër përveçse tek Allahu, nuk kërkojnë strehim tek askush tjetër përveçse tek Ai, nuk kërkojnë të afrohen tek askush tjetër përveçse tek Ai, nuk kërkojnë zgjidhjen e halleve tek askush tjetër përveçse tek Ai dhe nuk dëshirojnë askënd tjetër përveç Tij. Ata e dinë shumë mirë se çfarëdo që Ai dëshiron të bëhet do të bëhet dhe çfarëdo që Ai dëshiron të mos ndodhë nuk ka për të ndodhur. Ata e dinë shumë mirë se Ai është Sunduesi i vetëm i pashok, askush nuk mund të japë gjykim përveç Tij dhe Ai është që Llogarimarrësi i shpejtë. Pikërisht për këtë arsye Seid ibn Xhubejri ka thënë: Mbështetja tek Allahu është tërësia e besimit.”[11] Gjithashtu prej cilësive të besimtarëve për të cilat Kurani ka folur janë falja e namazit dhe japin nga ajo që Allahu i ka furnizuar. Nuk ka asnjë dyshim se cilësimi i cilësive të mira të besimtarëve ka një peshë të madhe, sepse ndihmon në ngritjen morale dhe shpirtërore të tyre dhe shmang lakminë, zilinë, mosmarrëveshjet dhe të gjitha veset e këqija që mund të shfaqen në momente të caktuara.

Ai i cili lexon me vëmendje cilësitë e besimtarëve që janë përmendur në këto ajete kuranore do të vërejë se në këto ajete nuk përmenden të gjithë cilësitë e besimit, por ato që përmenden janë vetëm ato cilësi të cilat ndikojnë në mënyrë të drejtëpërdrejtë në shuarjen e konfliktit. Pikërisht rreth kësaj domethënie ka folur edhe autori i librit “Nën hijen e Kuranit” ku pasi ka folur për cilësitë e besimtarëve ka thënë: “Këto janë cilësitë të cilat Allahu i Madhëruar i ka cekur në këtë kontekst, ka folur për besimin por nuk i ka shtjelluar ato ashtu siç ka folur në ajete të tjera. Këto ajete i drejtohen një realiteti, atij të mosmarrëveshjes për plaçkën e luftës dhe prishjes së marrëdhënieve të muslimanëve me njëri-tjetrin. Kështu që, cilësitë që janë përmendur në këto ajete përshtaten me aktualitetin. Po ashtu në të njëjtën kohë këto cilësi vlejnë edhe për atë njeri i cili – realisht – e ka humbur të vërtetën e besimit, pavarësisht faktit se i plotëson apo jo kushtet e besimit. Kështu që metodologjia hyjnore edukative përmes Kuranit është ajo e cila dikton kushtet e besimit dhe direktivat në përballjen me aktualitetin dhe realitetet e ndryshme, sepse ajo është një metodologji reale, praktike dhe dinamike. Ajo nuk është një metodologji teorike konjuktive, misioni i të cilës është të flasë vetëm në teori.”[12]

Rëndësia që Kurani i kushton – qysh në fillim të sures –  çështjes së unitetit dhe refuzimit të shkaqeve që të shpijnë në përçarje është dëshmi e qartë e rrezikshmërisë së kësaj çëshjte. Rëndësia e kësaj çështje konsiton në faktin se shoqëria muslimane duhet t’i kushtojë një vëmendje të madhe çështjes së unitetit. Shoqëria muslimane nuk duhet të tolerojë aspak shfaqjen e shkaqeve që të shpien drejt përçarjes dhe mosmarrëveshjeve midis individëve të saj. Madje nëse ato shfaqen, ajo duhet të rendë që t’i shuajë e t’i varrosë ato sa më shpejt, me qëllim që lidhjet e ngushta midis besimtarëve mos të shkëputen dhe si rrjedhojë të bien pre e disfatizmit dhe shfaqjes së sëmundjeve dhe defekteve. Historia e gjatë e muslimanëve dëshmon për rrezikun që i është kanosur atyre kur nuk kanë qenë të bashkuar. Një vështrim përciptazi i historisë – në të kaluarën dhe të tashmen – dëshmon se fatkeqësitë më të mëdhaja që u kanë ndodhur muslimanëve kanë qenë si shkak i përçarjes dhe mosmarrëveshjes së tyre me njëri – tjetrin.

2 – Thyerja e ndjenjës së vetëpëlqimit që të jep fitorja:

Pas suksesit dhe përparimit, në shumë raste, njeriu bie pre e vetëpëlqimit. Sa më e madhe të jetë fitorja dhe suksesi aq më shumë njeriu vetëkënaqet dhe i pëlqen vetja e tij deria aty sa fillon e mburret për atë që ka arritur në sajë të kontributit të tij të paçmueshëm. Padyshim që kjo ndenjë e vetëpëlqimit mund ta shpie njeriun në humbje, sepse ai i ka shkëputur lidhjet me Zotin dhe ka harruar që suksesi dhe ndihma vjen nga Ai. Në vend që njeriu ta falenderojë, lëvdojë e ta konsiderojë suksesin si mirësi prej Zotit, ai priret të nxjerrë në pah virtytet, mundin e sakrificën e tij të pashembullt. Kjo sëmundje e shpirtit mund ta shpjerë njeriun në shkatërrim dhe është shkak që Allahu t’ia ndërpresë të mirat. I shtyrë nga ndjenja e vetëpëlqimit dhe vetëkënaqësisë, njeriu harron të bëjë një analizë për të gjetur pikat e dobëta dhe si rrjedhojë t’i përmirësojë ato. Prandaj suksesi i vërtetë është që njeriu mos të dehet nga euforia e fitores dhe t’i bëjë ballë asaj me çdo mjet.  Pikërisht, kjo është ajo çështje të cilës Kurani i vuri theksin dhe u përpoq të nguliste tek besimtarët rreth asaj që ndodhi në betejën e Bedrit.

Kurani i përkujton besimtarëve se Allahu ishte Ai që i ndihmoi ata në këtë betejë. Këtë fakt e ka theksuar në një sërë ajetesh të sures Enfal. Allahu i Madhëruar i forcoi besimtarët me zbritjen e engjëjve në betejë: “Përkujtoni kur ju kërkuat ndihmë te Zoti juaj dhe Ai u përgjigj duke thënë: Do t’ju ndihmoj me njëmijë engjëj që vijnë një pas një.”[13] Allahu i Madhëruar ishte Ai që i vrau armiqtë e besimtarëve: “Ju nuk i vratë (në të vërtetë) ata, por Allahu (me ndihmën që ua dha) i vrau ata, dhe ti nuk gjuajte (në të vëretë) kur i gjuajte ata, por Allahu (të ndihmoi) i gjuajti.”[14] Allahu i Madhëruar ishte Ai që e dobësoi forcën e mosbesimtarëve: “Ja kjo është e vërteta, Allahu dobëson dredhitë e qafirëve.”[15] Padyshim përkujtimi i besimtarëve se fitorja në këtë betejë u erdhi nga ndihma dhe përkrahja e Allahut lë një impakt pozitiv duke bërë që ata ta thyejnë ndjenjën e vetëpëlqimit se fitorja erdhi në sajë të vetë atyre.

Kurani i përkujton besimtarëve se më parë ata ishin të dobët duke e theksuar këtë fakt në disa ajete të sures. Kurani tregon se pak kohë para se të ndodhë beteja e Bedrit sahabët ishin të dobët dhe kishin frikë nga njerëzit, sakaq Allahu i Madhëruar i strehoi, i ndihmoi dhe i furnizoi me të mira: “Përkujtoni kur ishit pakicë e dobët në tokë (Mekë) dhe frikësoheshit, se do t’ju rrëmbejnë njerëzit (idhujtarët), e Ai ju mundësoi vend të sigurtë (në Medinë) dhe ju përkrahu me ndihmën e Tij, ju furnizoi me të mira, në mënyrë që të jeni mirënjohës.”[16] Po ashtu Kurani i përkujton besimtarëve se çfarë ndodhi gjatë emigrimit të tyre nga Meka në Medine dhe se si idhujtarët me lloj – lloj mënyrash u përpoqën që t’i ndalonin ata: “Ata planifikonin dredhi, kurse Allahu ngrinte (kurthe) kundër tyre. Allahu është më i miri i atyre që bëjnë kurthe.”[17]

Kështu pra, përkujtimi i të mirës së Zotit, se gjithçka vjen prej Tij, rishikimi i të kaluarës dhe përkujtimi i gjendjes së dobët që njeriu ka qenë para se të arrijë sukesin është metoda më e mirë për thyerjen e ndjenjës së vetëpëlqimit dhe për t’i treguar njeriut realitetin e vetes së tij. Sa nevojë kemi ne për këtë gjë, veçanërisht në momentet e suksesit. Detyrë e jona është që vazhdimisht të përkujtojmë të mirat e Zotit dhe si kemi qenë në të shkuarën me qëllim që t’i japim fund njëherë e mirë ndjenjës së vetëpëlqimit, e cila është shkaku i ndërprerjes së bereqetit nga qielli.

Domosdoshëmëria e unitetit, rregullimit të marrëdhënieve me njëri – tjetrin, lidhja e ngushtë e njeriut me Zotin dhe përkujtimi i të mirave të Tij është garancia e vazhdimësisë së shoqërisë për mos t’u prekur nga sëmundjet shkatërruese të saj. Prandaj edhe surja Enfal, e cila ka trajtuar ngjarjet që kanë ndodhur në betejën e Bedrit, ka vënë theksin tek këto pika. Pa unitet shoqëritë janë të destinuara të shkatërrohen, mposhten, dobësohen dhe të humbasin forcën e tyre kur të përballen me rreziqet e ndryshme. Po ashtu ato shoqëri të cilat nuk i janë mirënjohës Allahut të Madhëruar për të mirat e Tij janë të destinuara që të rrëshqasin dhe t’i humbasin ato të mira.

Autor: Ali Abdulhakim

Përktheu: Elton Harxhi

 

 

 

[1] – Sure Ibrahim: 5.

[2] – Sure Enbija: 92.

[3] – Sure Mu’minun: 52.

[4] – Sure Huxhurat: 10.

[5] – Buhariu dhe Muslimi.

[6] – Sure Enfal: 1.

[7] – Sure Enfal: 1.

[8] – Sure Enfal: 1.

[9] – Sure Enfal: 1.

[10] – Sure Enfal: 2 – 4.

[11] -“Tefsiri i Ibn Kethirit” fq: 4/12.

[12] -“Fi Dhilalil Kuran”, fq: 3/1477-1478.

[13] – Sure Enfal: 9.

[14] – Sure Enfal: 17.

[15] – Sure Enfal: 18.

[16] – Sure Enfal: 26.

[17] – Sure Enfal: 30.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *