Kuptimi i kundërshtimit të ndryshimit
Shkenca e ndryshimit është një fushë e thellë, për të cilën kam shkruar më parë dhe do të botoj një libër tjetër rreth tij, me lejen e Allahut. Brenda kësaj shkence ekziston një degë e thellë e quajtur “Shkenca e Kundërshtimit”, ku ata që refuzojnë ndryshimin e kundërshtojnë atë duke përdorur metoda të njohura shkencërisht, dhe kjo është ajo që njihet si kundërshtim i ndryshimit.
Brenda shkencës së kundërshtimit ekziston një degë tjetër që na mëson se si të përballemi me këtë kundërshtim, dhe quhet “Shkenca e Kundërshtimit të Kundërshtimit” për të cilën ka shkruar vëllai im i dashur, dijetari i nderuar Dr. Ali al-Hamadi, një libër me këtë titull (Allahu e ruajtë).
Gjithashtu, unë kam shkruar një libër në formën e një standarti vlerësimi shkencor dhe administrativ me këtë titull “Kundërshtimi i Kundërshtimit”, i cili do të jetë i disponueshëm së shpejti, me lejen e Allahut, në faqen e internetit të kompanisë sonë “Al-Ibdah al-Khaliji”. Në këtë matës kam shpjeguar njëzet metoda që përdor ai që kundërshton për të penguar ndryshimin, edhe kur ndryshimi është për dobinë e të gjithëve. E çuditshme është se ata që kundërshtojnë përdorin vetëm këto njëzet metoda, e jo më tepër?!
Në përgjigjen e standartit të vlerësimit shkencor, do të gjeni 60 rregulla për të luftuar kundërshtimin dhe për ta mundur atë, të cilat do t’i publikoj së shpejti, me lejen e Allahut.
Shkenca e ndryshimit, shkenca e kundërshtimit dhe shkenca e kundërshtimit të kundërshtimit janë shkenca të rralla dhe të rëndësishme, dhe desha t’ju ofroj një copëz prej tyre duke përdorur ato kundërshtime të cilat ne i hasim në Kur’an, në bisedën që është zhvilluar midis Musait (a.s) dhe Harunit (a.s), nga njëra anë, dhe Faraonit dhe oborrit të tij, nga ana tjetër. Kam zgjedhur të nis historinë në atë që është përmendur në suren “Shu’ara”, duke filluar nga ajeti 16.
Aty ku në ajetet kuranore do të përmenet fjala“El-Meleu” nëkuptohen ata që ishin të afërt me udhëheqësin dhe ministrat, ata që mbështesnin tiranin në çdo fjalë që thoshte, edhe nëse ajo ishte e pavërtetë ose e paarsyeshme. Kështu, Faraoni mendonte se gjithmonë ishte në të drejtë!
Do të shtoj komentet e mia të bazuara në shkencën e ndryshimit pas çdo ajeti, hap pas hapi.
Paraqitja e Projektit të Ndryshimit
Le të fillojmë bisedën nga përpjekja fillestare e Musait dhe Harunit (paqja qoftë mbi ta) për të ndryshuar modelin e mendimeve të njohura në Egjipt.
Në krye të ideve të reja ishte mendimi se “ka një Zot, i Cili është Zoti që kujdeset për gjithçka, e furnizon atë dhe është Ai që udhëheq botën.”
Kjo ishte një rrëzim i idesë që ishte e përhapur në Egjipt, e cila thoshte se Zoti ishte Faraoni, i cili u thoshte njerëzve: “Unë jam Zoti juaj më i larti.” Ai sundonte dhe krijonte ligje sipas dëshirës së tij, dhe të gjithë dëgjonin dhe bindeshin, duke e lavdëruar dhe madhëruar Faraonin!
Projekti i Ndryshimit
Le të fillojmë me nisjen e projektit të ndryshimit me urdhër nga Zoti i Lartmadhërishëm për Musain dhe Harunin (paqja qoftë mbi ta) që të dua të sjellin ndryshimin:
“Prandaj, shkoni tek Faraoni dhe thuajeni atij: Ne jemi dërguar nga Zoti i botëve.”
Ideja kryesore dhe vizioni i qartë i projektit të ndryshimit duhet të jenë të qarta, të thjeshta dhe të kuptueshme për të gjithë. Këtu, ideja është:
Ka një Zot të vetëm të Madh, dhe ne jemi dy njerëz, të cilët kjo Perëndi e Madhe na dërgoi me një mesazh të qartë dhe të vetëm. Ne jemi dy, por mesazhi ynë është një (Ne jemi të Dërguar – një) sepse ne nuk mbajmë dy mesazhe, por vetëm një mesazh të qartë dhe të kuptueshëm që është ideja kryesore e ndryshimit:
Të besoni në këtë Zot, i Cili është Zoti i botëve. Vetëm Atij i takon adhurimi, bindja dhe dorëzimi plotësisht, dhe jo askujt tjetër.
Dhe roli i të Dërguarve është të sjellin ndryshimin nga “realiteti” që është adhurimi dhe bindja ndaj Faraonit në çdo gjë, në “qëllimin e dëshiruar,” që është vetëm adhurimi ndaj Zoti të vetëm (adhurimi në kuptimin e tij të gjerë, përfshirë ritualet dhe ligjet). Kjo ide është e thjeshtë për t’u kuptuar, por përmban një ndryshim të plotë për çdo gjë.
Kjo është një nga karakteristikat më të mëdha të një ideje ndryshimi: (është rrënjësore dhe e lehtë për t’u kuptuar). Ky ishte mesazhi kryesor drejtuar Faraonit: Ai dhe ata që ishin me të duhet të dorëzoheshin para Zotit të botëve.
Dhe mesazhi, megjithëse shumë i shkurtër, përmban një pjesë të dytë shumë të rëndësishme për procesin e ndryshimit, dhe ajo është:
Cila është hapi kryesor praktik pasues?
Përgjigja është: “Lejo që të shkojnë me ne Beni Israilët.”
Ky është një hap praktik i qartë dhe i matshëm, që mund të realizohet në një afat të afërt, dhe ai është:
Nëse nuk beson në Zotin e botëve dhe nuk dorëzohesh para Tij, atëherë lëri të shkojnë Beni Israilët dhe lëri të largohen nga Egjipti drejt lirisë, pas shekujsh robërie.
Kushtet për suksesin e ndryshimit
Për të pasur sukses në ndryshim, duhet të ekzistojnë tre kushte kryesore që duhet të jenë të pranishme në një nivel të lartë (dhe dobësia në cilëndo prej këtyre do të çojë në dështimin e procesit të ndryshimit):
1 – Dhimbje e madhe nga realiteti
2 – Një ide e qartë që realizon shpresën e dëshiruar
3 – Hapa praktikë të matshëm dhe të realizueshëm në afat të shkurtër
Të gjitha këto kushte u plotësuan në projektin e ndryshimit që përshkruan Musa dhe Haruni (paqja qoftë mbi ta).
Metoda të rezistencës ndaj ndryshimit
Tani le të shohim si Faraoni, tirani që kundërshton ndryshimin, përballet me këtë ide revolucionare të rrezikshme që mund të ndryshojë çdo gjë në Egjipt dhe ndoshta të rrëzojë mbretërinë e tij dhe të paraardhësve të tij:
“Tha: ‘A nuk të rritëm ne mes nesh si fëmijë dhe ti qëndrove në mesin tonë për shumë vite, dhe bëre atë që bëre, dhe ishe nga ata që e mohuan?’”
Çfarë është kjo përgjigje kaq e çuditshme ndaj asaj që paraqiti Musa (a.s)?!! Faraoni nuk i përgjigjet fare mesazhit (se ka një Zot të botëve dhe jo ai), dhe nuk e pyet ashtu siç mund të pritej, duke thënë: “Çfarë është Zoti i botëve?” Në vend të kësaj, ai kalon në një temë krejt të ndryshme (A nuk të rritëm ne mes nesh si fëmijë…).
Pse? Le të shohim:
Faraoni këtu përdor disa nga metodat e para që përdoren gjithmonë nga ata që kundërshtojnë ndryshimin, dhe përfshijnë:
Mos diskutoni idenë e ndryshimit, por sulmoni udhëheqësit e ndryshimit personalisht. (Lërini mënjanë fjalët për Zotin e botëve, le të flasim për Musan!!)
Përpiquni të dëmtoni besueshmërinë e udhëheqësve të ndryshimit. (Pavarësisht se çfarë kemi bërë për ty që kur ishe fëmijë, ti mohon mirësinë dhe e mohon atë, si mund një person që mohon mirësinë të jetë udhëheqës?!)
Gjeni çdo dobësi në historinë personale të udhëheqësve të ndryshimit, dhe ka shumë mundësi që do të gjeni, sepse ata janë njerëz: (Dhe bëre atë që bëre): A e ke harruar krimin e vrasjes që bëre? Si mund një kriminel që ka ikur nga drejtësia të jetë udhëheqës?!
Qëllimi i Faraonit me këto akuza është të largojë vëmendjen nga diskutimi mbi “idénë” e ndryshimit dhe të kthejë diskutimin mbi “individët”, udhëheqësit e ndryshimit.
Pra, udhëheqësit e ndryshimit (Musa dhe Haruni, paqja qoftë mbi ta) e paraqitën idenë e ndryshimit nga realiteti i refuzuar në vizionin e dëshiruar.
Ndërsa rezistenca (Faraoni) përdori metodat e para nga ato që ka në dorë (nga 20 metoda të rezistencës, të cilat nuk ekzistojnë të tjera).
Rezistenca ndaj rezistencës
Tani vjen roli i “Rezistencës ndaj rezistencës”, me një veprim të zgjuar nga Musai (a.s). Le të shohim:
“Tha: ‘E bëra atë kur isha i pavetëdijshëm, dhe ika nga ju kur u frikësova prej jush, e pastaj Zoti im më dha urtësi dhe më bëri nga dërguarit. E ti më përmend atë të mirë që ma bëre mua, e ti i robërove Benu Israilët.”
Musa (a.s) i hoqi krejtësisht çdo mundësi Faraonit për të mbrojtur veten, duke thënë: “A dëshiron të vërtetosh se historia ime nuk është e pastër? Po, është e vërtetë, unë jam një njeri dhe ndonjëherë bëj gabime, nuk jam i përsosur!”
Këtu ai përdor parimin: “Mos u angazho në debat për veten si udhëheqës i ndryshimit, përqendrohu tek projekti dhe jo tek vetvetja.”
Le të kthehemi tek ajo që tha Musa (a.s): “A dëshiron ti, Faraon, të vërtetosh se kam probleme për shkak të shkeljes së ligjit? Po, është e vërtetë. Unë ika jo nga drejtësia, por nga frika nga padrejtësia juaj. Unë ika nga drejtësia tuaj, sepse ju nuk keni drejtësi.”
A dëshiron gjithashtu, Faraon, të diskutosh për sistemin tuaj të padrejtë gjyqësor? Përgjigja e kësaj pyetjeje është e qartë për Musain, pasi ai shpëtoi nga vrasja pa gjyq dhe mbrojtje.
Musai (a.s), kështu, e kthen diskutimin nga fokusi në udhëheqësit e ndryshimit (si individë) në një diskutim për realitetin e hidhur që duhet ndryshuar. Ky është një hap i rëndësishëm në ndryshim, pasi një nga faktorët kryesorë për suksesin e një ndryshimi është rritja e dhimbjes nga realiteti i hidhur.
Musa (a.s) gjithashtu thotë: “Po, unë e mohoj mirësinë që ti e quan kështu, dhe në të vërtetë është një dëm. Ti më rrite vetëm mua, ndërsa e robërove gjithë popullin tim, Benu Israilët, dhe ke vrarë fëmijët e pafajshëm. Unë shpëtova me mrekulli, jo me mirësinë tënde. Kjo nuk është mirësia që ti më jep, por një padrejtësi e rëndë.”
Musai (a.s) këtu, gjithashtu, flet për dhimbjen dhe lodhjen nga realiteti, duke e bërë më të qartë se ndryshimi është i domosdoshëm. Sa më shumë të ndihet dhimbja nga realiteti, aq më shumë mundësi ka për të pasur sukses ndryshimi.
Musai (a.s) e tregon veten si një udhëheqës që nuk ka interesa personale, por që ka vetëm qëllim të shpëtojë popullin e tij (Benu Israilët). Ai bën një deklaratë të fuqishme pa u angazhuar në diskutime të panevojshme për veten si udhëheqës i ndryshimit.
Një nga parimet kryesore të “Rezistencës ndaj rezistencës” është: “Mbroje veten fuqishëm vetëm një herë, dhe kjo është më e mirë se heshtja, por sigurohu që të mos hyni në një debat personal për udhëheqësit e ndryshimit, përndryshe do të harrohet ideja e ndryshimit.”
Çfarë zgjuarsie ka Musai (a.s) në “Rezistencën ndaj Rezistencës”!
Ai nuk mjaftohet me refuzimin për të diskutuar udhëheqësit e ndryshimit personalisht, por e kthen bisedën në diskutimin e projektit të ndryshimit. Le të shohim:
“e pastaj Zoti im më dha ” – këtu ai thekson idenë kryesore: “Unë kam një Zot tjetër (që e adhruoj) dhe jo ty o Faraon.” “Urtësi” – do të thotë përgjegjësia për udhëheqjen e ndryshimit. “Dhe më bëri nga dërguarit” – ai është jo vetëm udhëheqës i ndryshimit, por edhe ideologu kryesor që ka zhvilluar idenë e projektit të ndryshimit.
Në këtë projekt, Musai (a.s) ishte si udhëheqësi i ndryshimit ashtu edhe ideologu i tij, një kombinim i rrallë që ndodh shpesh në lëvizjet dhe projektet e ndryshimit.
Përsëri, ai thekson idenë e projektit, dhe sa më e qartë të jetë kjo ide, aq më shumë mundësi ka për të pasur sukses ndryshimi!
Rezistenca diskuton idenë
“Faraoni tha: ‘E cili është Zot i botëve (që ju dërgoi)?’”
Faraoni e pranoi dhe kaloi, duke u detyruar, nga diskutimi për personat në diskutimin e idesë (“E cili është Zoti i botëve?”), një temë që ai duhej ta kishte ngritur që në fillim, por ai u mundua të manovronte me inteligjencë.
Nëse udhëheqësit e ndryshimit insistojnë të diskutojnë idenë e tyre dhe nuk kalojnë në diskutimin në rrafsh individual, atëherë rezistenca do të detyrohet të diskutojë idenë e vetme.
Shpjegimi i Detajuar i Projektit
Musai (a.s) e shfrytëzoi nevojën e Faraonit për të diskutuar idenë dhe filloi ta shpjegonte atë në detaje: “Zoti i qiejve dhe i tokës dhe ç’ka është ndërmjet tyre; nëse jeni të sigurt.”
Me këto fjalë të thjeshta, udhëheqësit e projektit filluan shpjegimin e detajuar: Perëndia që na dërgoi, “Zoti i botërave”, është ai që “krijoi qiejt dhe tokën.”
Me këto fjalë të thjeshta, Musai (a.s) e goditi rezistencën në një pikë të vështirë, pasi Faraoni, edhe pse pretendonte se ishte i vetmi që kishte të drejtën për t’u adhuruar dhe sunduar, kurrë nuk kishte guxuar të thoshte se ai ishte krijuesi i qiejve dhe tokës.
Ashtu siç ai më vonë urdhëroi ministrin e tij Hamanin të ndërtonte shtyllat e mëdha për t’u ngjitur mbi to dhe për të parë “Zotin e Musait”, ndërkohë që Faraoni dyshonte dhe thoshte: “Unë e mendoj se ai është një gënjeshtar”, duke e dobësuar më tej pozitat e tij.
Për këtë arsye, Faraoni u befasua dhe nuk e dinte çfarë të thoshte si përgjigje ndaj kësaj goditjeje: “O ti që pretendoje për hyjni më të madhe, a krijove ti qiejt dhe tokën?!”
Pasi ai nuk mundi të përgjigjej, Faraoni filloi të kërkonte ndihmën e atyre që ishin rreth tij: “A nuk po dëgjoni?”
Ai nuk po pyeste për të marrë një përgjigje (sepse ata dëgjonin po ashtu si ai), por ai po kërkonte dikë që ta ndihmonte në rezistencën ndaj goditjes që kishte marrë, pasi nuk kishte një përgjigje për idenë e projektit që ishte e qartë dhe nuk mund të refuzohej.
Por edhe ata rreth tij ishin të shtangur dhe nuk kishin asnjë përgjigje për t’i ofruar Faraonit! Musai (a.s), e shfrytëzoi këtë paaftësi për t’u përgjigjur dhe vazhdoi me shpjegimin e detajuar të projektit: “Zoti juaj dhe Zoti i paraardhësve tuaj.”
Një tjetër goditje në pikën e dobët. Le të mendojmë se çfarë po thotë ai:
Nëse Faraoni është Zoti juaj i lartë, a ishte ai edhe Zoti i paraardhësve dhe paraardhësve tuaj? Si mund të jetë ai, kur ai nuk ekzistonte në atë kohë dhe nuk ishte lindur ende?
Faraoni, nuk e kishte asnjë përgjigje për këtë dhe tentoi të devijonte diskutimin, duke përdorur një nga taktikat e rezistencës që janë shpifjet: “Ky dërguari juaj që është dërguar tek ju është një i çmendur.”
Por Musai (a.s) e injoroi këtë shpifje dhe vazhdoi të përqendrohej në projektin e tij dhe nuk iu përgjigje asaj (kjo është një nga mënyrat më efektive për të luftuar rezistencën).
Ai vazhdoi të shpjegonte projektin: “Zoti i lindjes dhe i perëndimit dhe ç’ka është ndërmjet tyre; nëse jeni të arsyeshëm.”
Kjo ishte një tjetër goditje e fuqishme, njësoj si argumenti i Ibrahimit (a.s) kundër mbretit të pabesë Nemrudit kur Ibrahimi (a.s) i tha: A mund të kontrollosh ti lindjen dhe perëndimin e diellit duke qenë se pretendon se je hyjnia më e lartë? Nëse nuk mundesh, atëherë ka dikush që është më i lartë se ti dhe që e kontrollon atë!
Një goditje e katërt e fuqishme: “Nëse jeni të arsyeshëm.”
Tani Musai (a.s), po iu drejtohet atyre që ishin ndjekës të Faraonit, duke u thënë: Lërini mënjanë ato që keni mësuar dhe jeni përshtatur me to, përdorni mendjen tuaj, a është ky projekt ndryshimi bindës për ju?
Apo është më e arsyeshme të besoni në hyjninë e Faraonit, i cili nuk e krijoi as qiejt e tokën dhe nuk ka fuqi mbi lindjen dhe perëndimin e diellit dhe nuk ishte as Zoti i paraardhësve tuaj? Ku është arsyeja juaj?!!
Rezistenca përdor armën e fundit
Faraoni, duke humbur plotësisht durimin pas dështimit për të bllokuar projektin e ndryshimit, përdori armën e fundit në arsenalin e tij të rezistencës:
“Po të merrje Zot tjetër përveç meje, do të të bëja nga të burgosurit.”
Natyrisht, Faraoni përdori edhe metoda të tjera të rezistencës, të cilat janë përmendur në ajete të tjera që tregojnë historinë e tij. Po të mos kisha vonuar, do t’ju kisha shpjeguar ato në detaje.
Por përballja e parë e bëri Faraonin të humbasë kontrollin dhe ai u hodh menjëherë në përdorimin e armës së fundit, duke përdorur metodën më ekstreme të rezistencës:
“Nëse nuk mund ta ndalosh projektin e ndryshimit, atëherë shkatërro fizikisht udhëheqësit e ndryshimit personalisht.” “Do të të bëj nga të burgosurit.”
Natyrisht, ai mund të bënte gjithçka që donte, duke e dënuar Musain (a.s) me vdekjen, dhe më pas kreu masakra të tjera ndaj fëmijëve të Izraelit. Ai vendosi që ta vriste Musain (a.s), nga frika se do të përhapej ideja e re.
“Dhe Faraoni tha: Lini të vras Musain, le të lutet te Zoti i tij, sepse unë kam frikë se ai do të ndryshojë fenë tuaj ose do të shkaktojë përhapjen e kaosit në tokë.”
Ai e diskutoi idenë me të tjerët rreth tij për të vrarë Musain (a.s), por ata frikësoheshin nga mundësia e një kryengritjeje të madhe nëse vritet udhëheqësi i popullit. Kjo e ndaloi Faraonin ta realizonte këtë plan.
Për shkak se Musai (a.s), ishte shumë i mençur në luftën kundër rezistencës, ai shmangu përballjen fizike, pasi nuk kishte mundësi të kundërshtonte dhunën e Faraonit. Nuk iu përgjigj kërcënimeve dhe zgjodhi qetësinë, duke kaluar në një metodë tjetër të ndryshme nga diskutimi ideor, dhe përdori diskutimin shkencor:
“A edhe nëse vij me një argument të qartë?”
Musai (a.s) , i sugjeroi Faraonit që nëse nuk mund të pranonte idenë, atëherë mund të përdornin një qasje tjetër për të diskutuar.
Kështu, historia e rezistencës dhe e luftës kundër saj vazhdon, duke na mësuar se si të zbatojmë shkencën e ndryshimit për të kuptuar më thellë kuptimin e ajeteve, dhe ndoshta do ta vazhdojmë këtë diskutim në një bisedë tjetër, me lejen e Allahut.
Autor: Tarik Suejdan
Përktheu: Elton Harxhi



















