Buzëqesh tre minuta në ditë

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Autor: Aid El Karni

Ky është një artikull që shërben për të gjithë, por kryesisht për të tensionuarit dhe të tensionuarat, për të stresuarit dhe të stresuarat, për vetullngrysurit dhe vetullngrysurat, për të zymtit dhe të zymtat, të gjallët prej tyre dhe të vdekurit!

Secili prej nesh duhet të buzëqeshë në një total prej tre minutash në ditë të paktën, gjë të cilën e pohojnë psikologët dhe shkencëtarët. Në të kundërt do të vuajnë nga sëmundje nga më të ndryshmet, si tensioni, diabeti, kriza mendore etj… Edhe në raste stuhish dhe përplasjesh të mëdha, duhet të qeshim, akt i cili është tregues i madhështisë.

“Buzëqeshja është akt mirësie” thoshte profeti Muhamed a.s. Ai na tregon gjithashtu se të gëzosh një njeri është vepër e mirë. Pikërisht për të fituar sevapin e sadakasë, mendova tu sjell disa anekdoda të cilat zbusin dhe qetësojnë zemrat. Dijetarët e mëdhenj kanë shkruar edhe libra në këtë fushë, si rasti i Ibnul Xheuzi me librin “Libri i trutharëve dhe budallenjve”.

Ai tregon se një beduin kishte vajtur të kryejë haxhin. Me shpejtësi dhe axhele të madhe, ai la Minanë dhe vajti në Qabe, para të gjithë haxhilerëve, ku u kap pas mbulesës së Qabes dhe u lut:”O Zot mi fal të metat para se të vijnë njerëzit dhe të shtohen kërkesat!”

Një jemenas rastis të falë namazin e drekës në katin e tretë të Qabes, aty ku nuk ka asgjë që të mbron nga rrezet përvëluese të diellit të verës. Kur imami u bë gati të falej, krejt ngadalë dhe me qetësi u tha besimtarëve nëpërmjet mikrofonit:”Drejtoni rreshtat Zoti u mëshiroftë!”

Në këtë çast, jemenasi të cilin e kishte përvëluar dielli, ngaqë mezi priste tekbirin, thirri:”Pash Zotin fillo namazin se jemi drejtuar dhe jemi përvëluar!”

Një beduin tjetër vajti në haxh dhe dikush e pyeti:”Po e kryen haxhin për veten apo për dikë tjetër?”

Ai u përgjigj:”Po e kryej për Hamza ibnu Abdul Mutalib, xhaxhanë e profetit Muhamed a.s dhe zotërinë e dëshmorëve të Uhudit, sepse kam dëgjuar se vdiq pa mundur të kryejë haxhin.”

Një recitues Kurani nga ata të xhamisë së Profetit a.s, më ka treguar se gjatë pushtetit të Gedafit të Libisë, e kishin ftuar që të recitojë Kuran në një ceremoni ku do të merrte pjesë edhe vetë Gedafi. Organizatorët i kishin caktuar të recitojë suren Fet’h. Ai më tha:”Pasi kishin ardhur të gjithë, i vetmi që mungonte ishte vetë presidenti Gedafi. Pritën e pritëm, por ai nuk dukej gjëkundi. Atëherë organizatorët më thanë:”Lexo Kuran derisa të vijë!” dhe unë ia fillova me suren Fet’h, të cilën e mbarova dhe ia fillova sures Huxhurat. Në momentin që po lexoja ajetin:”O ju që keni besuar, nëse u vjen një i papërgjegjshëm…” u shfaq kolonel Gedafi tek dera e sallës. Unë dhe të gjithë organizatorët e tjerë u ndjemë në siklet të madh.

Kur isha për vizitë në Sudan, politikani Muhamed Beshir më tregoi se Enver Sadati thoshte duke ironizuar Libinë e Gedafit:”Kur të citoni emrin e plotë të Libisë, veproni kështu:”Republika – merrni frymë – demokratike –merrni frymë – popullore – merrni frymë – madhështore – merrni frymë – e Libisë – merrni frymë!”

Një adhurues zjarri, komshi me një mysliman, ndërroi jetë. Fqinji mysliman i tha të birit të ndjerit:”Meqë yt atë ka pasur borxhe të cilat nuk i shleu dot, shite shtëpinë dhe shlyja borxhet babait!”

I biri e pyeti:”Mirë, po nëse ia shlyej borxhet, a shpëton nga zjarri i xhehenemit?”

Fqinji mysliman u zu ngushtë, megjithatë iu përgjigj:”Jo, se ai vdiq si adhurues i zjarrit, jo si besimtar dhe monotoist.”

I biri i të ndjerit i tha:”Meqë shlyerja e borxhit nuk do i bëjë dobi, unë po mbaj shtëpinë ai të mbajë zjarrin.”

Një hajdut me shpatë në dorë, kaloi pranë disa të krishterëve në Horasan. Ai u ndal dhe i pyeti:”Kush jeni ju?” Ata u përgjigjën:”Jemi të krishterë.” Hajduti u tha:”Jezusi është vrarë apo vdiq?” Ata u përgjigjën:”Është vrarë.” Hajduti i pyeti:”Kush e vrau?” Ata i thanë:”Disa njerëz nga populli ynë.” Hajduti u drejtoi shpatën dhe u tha:”Pasha Zotin nuk largoheni të gjallë që këtu derisa të më dëmshpërbleni për vrasjen e Jezusit, përndryshe u vrava. Unë jam trashëgimtari i vetëm i tij.” Të zënë ngushtë, ata i dhanë paratë që kishin me vete.

Ibnul Xheuzi tregon se një predikues i shtirur, u ngjit në foltoren e një xhamie në Bagdad dhe u foli njerëzve:”O njerëz! Ta dini se Zoti është i Plotfuqishëm, Ai krijoi qiejt dhe tokën për gjashtë muaj”. Njerëzit e ndërprerë dhe e korrigjuan duke i thënë:”Gjashtë ditë” por ai ua ktheu:”Pse gjashtë muaj shumë u duken?”

Një beduin u fal pas imamit të xhamisë së Profetit a.s në Medine dhe lutja e rastit ishte për shi. Imami u lut:”O Zot i madh, na lësho shi i cili të vërshojë përrenjve dhe lumenjve…”

Beduini ndërpreu lutjen dhe duke u larguar tha:”Pasha Zotin ky po lutet për tufanin e hazreti Nuhut a.s. Më mirë po shkoj të shpëtoj familjen para se ti mbulojë uji!”

Beduini i radhës, vajti në një qytet ku i ofruan për darkë gatime të ndryshme mishi. Ai kishte qëlluar shumë i uritur dhe hëngri vendçe. Kur e panë se u fry mirë, dikush i çoi një kanoçe pepsi. “Çfarë është kjo?” pyeti i habitur ai. “Ndimon tretjen” i thanë. Ai e largoi me dorë dhe u tha:”Unë ka vite që nuk ngopem, ju dashkeni edhe ta tres shpejt?!”

Përktheu: Elmaz Fida

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.