Cilat janë problemet e edukimit islam për fëmijët tanë në Evropë?

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Shumë prej bijve të myslimanëve në Evropë nisen në fundjavë drejt xhamive për të mësuar Kuranin Famëlartë dhe edukimin islam në gjuhën arabe, nën nxitjen e prindërve të tyre që janë të kujdesshëm për të ruajtur identitetin e tyre fetar, si dhe nga dëshira për të mësuar gjuhën e Kuranit dhe aq sa të mundin nga ajetet e Librit të Shenjtë. Përvoja e shkollave të fundjavës në Evropë ka njohur një zhvillim të madh gjatë dy dekadave të fundit krahasuar me dekadat e mëparshme, qoftë në programet mësimore, zhvillimin e performancës dhe formimit të mësuesit, vendet e mësimdhënies, si dhe në krijimin e shoqatave dhe unioneve të shkollave arabe brenda shumë vendeve evropiane, si dhe institucione evropiane për përgatitjen e mësuesve të gjuhës arabe dhe shkencave islame. Megjithatë, nevoja për zhvillim dhe përmirësim mbetet ende e ngutshme, sepse arsimi në përgjithësi është çelësi i ndryshimit dhe i ndërtimit të personalitetit, si dhe i formësimit të tij sipas një vizioni, mendimi dhe planifikimi të qartë. Ai është rruga jonë për të ndërtuar personalitetin e myslimanit evropian sipas bindjeve tona të pavarura.

Nuk ka dyshim se ky vonim në zhvillim, rishikim dhe përditësim ka sjellë kritika dhe refuzim për mësimin e përmbajtjeve të edukimit islam në xhami nga disa zyrtarë perëndimorë në disa vende evropiane. Prandaj, ne kemi nevojë të rishikojmë atë që u ofrojmë fëmijëve tanë në një mënyrë që i përshtatet një bote në ndryshim të vazhdueshëm dhe një mjedisi që ka nevojë për qasje dhe ide të posaçme. Ky rishikim duhet të zhvillohet brenda filozofisë së konceptimit islam të qytetarisë, që bazohet në balancimin mes progresivitetit dhe tradicionalizmit, përputhjes mes të pandryshueshmes dhe të ndryshueshmes, si dhe mes kërkesave të përkatësisë ndaj fesë, atdheut, kombit dhe njerëzimit.

Problemet kryesore në rrugën e edukimit islam në Evropë

Nuk mund të izolojmë çështjet e lidhura me mësimdhënien e edukimit islam në Perëndim nga rrethanat e ekzistencës islame dhe nga fazat që ka kaluar kjo prezencë, sepse çdo fazë ka veçoritë dhe sfidat e veta. E njëjta gjë vlen edhe kur hedhim dritë mbi problemet e mësimdhënies së gjuhës arabe dhe Kuranit Famëlartë. Kujtoj që rreth pesëmbëdhjetë vjet më parë, kur erdha në Gjermani, ndoqa atëherë debatin që po zhvillohej brenda disa qendrave islame mbi programet që duhet të përdorim për të mësuar fëmijët tanë këtu, si në gjuhën arabe ashtu edhe në edukimin islam. Kishte disa që ngulnin fort dhe me entuziazëm për programin egjiptian, ose atë jordanez, ose ndonjë tjetër, dhe kështu vazhdonte situata deri në disa raste që përfundonte me përdorimin e dy programeve njëkohësisht, duke thelluar debatin. Pastaj, fëmijët e myslimanëve paguanin çmimin e kësaj çrregullsie dhe absurditeti.

Çfarë kritikohet tek këto programe mësimore

Do të regjistroj disa kritika mbi këto programe që ne përdorim dhe vazhdojmë të përdorim, pavarësisht ndryshimeve pozitive në disa vende evropiane.

1 – Këto programe janë shkruar për fëmijë që jetojnë në vendet arabe, të cilët flasin, mendojnë dhe kuptojnë gjuhën arabe, për pasojë, shumë nga termat dhe fjalët janë të vështira për t’u kuptuar nga fëmijët mysliman evropian.

2 – Përmbajnë çështje që nuk lidhen me realitetin evropian dhe me natyrën e shoqërisë ku jeton fëmija.

3 – Prezantimi i tyre, shpesh nuk përshtaten me mënyrën e të menduarit të fëmijës së lindur në Evropë, sepse mbështeten kryesisht në memorizim, pa kujdes të mjaftueshëm për analizën, arsyetimin, nxjerrjen përfundimesh dhe dialog.

4 – Nuk trajtojnë mjaftueshëm problemet që përjeton fëmija në mjedisin evropian, mjedisi, konsumi, zhvillimi i personalitetit dhe pavarësia.

5 – Dizajni i librave dhe shembujt nuk përshtaten me shijen dhe përvojën e përditshme që fëmija ka në shkollat evropiane zyrtare.

6 – Programet e importuara janë ndarë në një numër orësh që i përshtaten fëmijëve në mjedisin arab, por nuk përshtaten me kohën e disponueshme për mësimin e edukimit islam në shkollat e fundjavës (të shtunën dhe të dielën) në Evropë.

7 – Disa fragmente vizuale në YouTube që përdorin disa mësues për edukimin islam përmbajnë histori dhe këshilla shumë të mira, të përshtatshme për çdo fëmijë mysliman në botë. Por ka edhe materiale që nxisin bestytni ose eleminojnë arsyetimin, ndaj mësuesi dhe edukatori duhet të përzgjedhin me kujdes, sepse ushqimi i mirë ka efekt të dobishëm për trupin, ndërsa informacioni i gabuar ka ndikim të keq në zhvillimin e mendjes.

Shembuj nga programet e importuara mësimore

Para disa javësh kam parë disa libra për edukimin islam të fëmijëve, të shkruara në disa vende arabe, të cilat kanë pasur një farë popullariteti. I gjeta ato me shumë cilësi, të përpiluara me përkushtim dhe shkruar në një mënyrë relativisht të thjeshtë. Por ato nuk janë të përshtatshme për fëmijët këtu në Evropë. Po, një mësues ose edukator me sens kritik dhe aftësi për përzgjedhje mund të përfitojë prej tyre, por nuk duhet t’i ofrohet fëmijës një libër i shtypur ose material audio pa kujdes. Kur lexova librin që supozohej t’i jepej një fëmije rreth dhjetë vjeç, gjeta se ai krijonte një personalitet të mbyllur dhe të thjeshtëzuar, që nuk pranonte ndryshimet dhe nuk e vlerësonte pluralizmin e mendimeve. Autori kishte paraqitur disa çështje fikhu (vendime juridike islame) në mënyrë të njëanshme, edhe pse ato janë çështje ku ekzistojnë mendime të ndryshme, p.sh:

(Vendimi për pirjen e ujit në këmbë). Autori e vendos përfundimisht se është e ndaluar të pish duke qëndruar në këmbë. Por kjo çështje është më e gjerë, nëse përmendet ndalimi i të pirit në këmbë, siç gjendet në Sahihun e Muslimit, te Buhariu thuhet në transmetimin e Ibn Abas-it se i ka dhënë ujë Zemzemi Profetit Muhammad (s.a.v.s.) dhe e ka pirë duke qëndruar në këmbë. Dijetarët i lidhin të dyja transmetimet duke thënë se ndalimi në hadithin e parë është në kuptimin e pëlqimit të kufizuar ose këshillues, ndërsa transmetimi tjetër tregon se është i lejueshëm.

Pra, çështja ka hapësirë dhe fleksibilitet, pse duhet ta kufizojmë dhe të rrisim fëmijët tanë me vendime të prera dhe absolute për atë që është e mundshme dhe e hapur për interpretim? Kam parë disa studentë universitarë në Gjermani, që ndërsa ishin me shokët e tyre duke qëndruar në këmbë në vende publike, kur donin të pinin uleshin në tokë, një skenë që të habit dhe hap derën për pyetje dhe diskutim, ku Islami nuk del fitues. Çështja nuk ka të bëjë me bazat e adhurimit, besimit ose marrëdhënieve ndërpersonale.

U habita kur pashë në këtë libër shpjegimin e konceptit të “bidatit” dhe thashë: “çfarë vlere ka të flasësh për bidatin? Fëmija nuk ka njohuri mbi fenë, si mund t’i paraqes këtë koncept në këtë moshë? Qëllimi i kujdesit ndaj konceptit të bidit, që kërkon mbrojtjen e themeleve të fesë nga keqinterpretimet e të paditurve dhe mashtrimi i të pavërtetëve, është kthyer në një mjet në dorë të disa individëve që e vendosin veten si gjykatës mbi dijetarët dhe predikuesit. Për ta, është shumë e lehtë të quajnë dikë bidatçi dhe i humbur, jo për arsye tjetër, veçse për shkak të rruajtjes së mjekrës, veshjes së rrobës së gjatë ose interpretimit të tij. Më habit edhe më shumë ndalimi i fotografive që kanë imazhe të qenieve të gjalla, dhe argumentimi me “Hadithe” që nuk janë të përdorshme për argumentim në këtë çështje, tema që kanë lodhur umetin dhe kanë ndarë radhët e tij, duke krijuar grupe të rinjsh që nuk e dinë vlerën e të kundërtit me ta.

Në libër ka edhe shpjegim të Sures Bejjine, me fokus mbi fatin e pabesimtarëve në Ahiret. Thashë: zgjedhje e papërshtatshme. Kjo sepse do të hapë dyert për pyetje dhe diskutime mbi kapacitetin e fëmijës dhe ndoshta mbi aftësitë e mësuesve. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm në përzgjedhjen e ajeteve dhe sureve për tua shpjeguar fëmijëve tanë, të zëvendësojmë ajete mbi dënimin me ajete mbi mëshirën, të flasim për Xhenetin, kënaqësitë e tij, dhe karakteristikat dhe virtytet e besimtarëve.

Kam gjetur që autori ka trajtuar shumë sipërfaqësisht festat e jo-myslimanëve, duke mos sugjeruar ndonjë sjellje respekti fetar dhe duke ndaluar përshëndetjen e jomyslimanëve në festat e fundvitit. Këtë çështje duhet ta tejkalojmë si në Lindje, ashtu edhe në Perëndim.

Ne nuk po kërkojmë të mbyllim derën për të përfituar nga prodhimet shkencore, letrare dhe arsimore jashtë Evropës, përkundrazi, duhet të përfitojmë prej tyre, por sipas kritereve dhe rregullave që respektojnë ndryshimin e kohës, vendit, rrethanave dhe mjedisit. Kjo është mençuria që çdo mysliman duhet ta ndjekë, kudo që ta gjejë, ai është më i denjë për të.

Si t’ia paraqesim fëmijëve tanë besimin islam?

Një nga vështirësitë e kësaj bote është se na ndjek një metodë të menduari që i ka ngurtësuar zemrat duke e paraqitur besimin si një proces të thatë matematikor që nuk zgjon ndërgjegjen, nuk ndez emocionet dhe nuk mbjell dashuri dhe mall për Zotin e Plotfuqishëm. A nuk mund të mësojmë nga i Dërguari i Zotit (a.s), se si ai vendosi një besim të gjallë në shpirtrat e sahabëve dhe i ktheu ata në burra, zemrat e të cilëve ishin në qiell, por këmbët u ecnin në tokë? Këtu ai e derdh atë në zemrën e Abdullah ibn Abasit, Zoti qoftë i kënaqur me të dy, kur ia besoi atë këshillë të vlefshme dhe të madhe, duke thënë: “O djalë, unë të mësoj disa fjalë: Ruaj Allahun, Ai do të të ruajë ty. Ruaj Allahun, dhe do ta gjesh pranë vetes. Kur lutesh, lut Allahun, dhe kur kërkon ndihmë, kërko ndihmë nga Allahu. Dije se nëse umeti të tubohet për të të sjellë dobi, nuk do të të sjellë dobi veç asaj që Allahu e ka shkruar për ty; dhe nëse ata mblidhen për të të sjellë dëm, nuk do të të sjellin dëm veç asaj që Allahu e ka shkruar për ty. Penat janë ngritur dhe shkrimet janë tharë.”[1]

Pse nuk e themelojmë besimin duke nisur nga Emrat e Bukur të Allahut, në kuadër të një programi arsimor, shkencor dhe të shumëfishtë në metoda? Ndoshta mund të përfitojmë nga librat e sheikut tonë Muhamedd Gazalit (r.h), të cilët trajtojnë shumë këtë temë dhe ai ka insistuar gjatë në këtë ide. Veçanërisht libri i tij “Besimi i Myslimanit”. Po ashtu, në librin e dijetarit të shquar, Imam Kardavit, “Besimi dhe Jeta” është një model i shkëlqyer për prezantimin e besimit.

Veçoritë e programit të dëshiruar mësimor

Programet e mësimit të Islamit për fëmijët në xhamitë tona duhet të pasqyrojnë qëllimet dhe vizionin tonë për tiparet dhe karakterin që dëshirojmë për myslimanin evropian në të gjitha aspektet e tij. Mund të përmend disa ide për veçoritë e këtij programi:

1 – Programi duhet të balancojë ruajtjen e identitetit islam të myslimanit evropian me aktivizimin e rolit të tij në vendin e tij dhe forcimin e përkatësisë ndaj atdheut.

2 – Kujdesi ndaj vlerave fetare, morale dhe sociale që formojnë identitetin islam të brezave të rinj.

3 – Theksimi i vlerave të përbashkëta në shoqëritë evropiane, të cilat përbëjnë elementin lidhës midis përbërësve të ndryshëm të fëmijëve myslimanë evropianë.

4 – Theksimi i rolit të Islamit në formimin e identitetit evropian, përmes marrëdhënieve historike midis Lindjes dhe Perëndimit, dhe të historisë islame evropiane në Andaluzë dhe ndikimet e saj të gjera qytetëruese.

5 – Programi duhet të bazohet në analizë, arsyetim, nxjerrje përfundimesh dhe dialog, duke tejkaluar metodën tradicionale të memorizimit.

6 – Mësimi në xhamitë tona për fëmijët duhet të jetë në nivelin e shkollave evropiane, sa i përket: kompetencës dhe stilit të mësuesit, cilësisë së programeve, pastërtisë dhe rregullit të ambientit, zhvillimit të mjeteve të mësimit.

Pa dyshim, ky është një qëllim i madh, që kërkon përpjekje, kohë dhe durim, por duhet të pranojmë sfidën, të jemi në lartësinë e saj dhe të ofrojmë modele të suksesshme që nxisin të tjerët të konkurrojnë në mënyrë të shëndetshme drejt asaj që është më e mira. Kush ndjek rrugën, arrin qëllimin; dhe çdo punëtor ka pjesën e tij të meritës.

Mësuesi është gurthemeli

Edhe programet më të mira nuk mund të zëvendësojnë një mësues të aftë, me përkushtim të veçantë, kujdes të madh dhe punë të drejtë. Procesi arsimor nuk do të arrijë qëllimin e tij nëse lëmë mësuesin vetëm me përpjekjet e tij individuale, pa programe të menduara mirë, plane të rregulluara, ndjekje dhe studim, përgatitje dhe zhvillim në aspektin shkencor dhe praktik. Mësuesi duhet të kombinojë jurisprudencën e thellë islame me kuptimin e saktë të realitetit evropian, për të tejkaluar eksperiencat e mëparshme që bazoheshin në kopjimin e metodave arsimore dhe përvojave pa marrë parasysh shoqërinë dhe mjedisin evropian.

Qëllimi im nga ky artikull nuk është të mbush faqet me kujtime ose të rendis eksperienca këtu e atje, por është një shpresë e përbashkët për të formuar brezat tanë të rinj me karakter të bukur, në mënyrë që Allahu, Zoti i botëve, të jetë i kënaqur, në një botë të trazuar nga mendime dhe sprova.

Myslimanët në Evropë ende vendosin besimin e tyre tek xhamitë, dhe fëmijët tanë vazhdojnë të frekuentojnë shtëpitë e Allahut. Le t’i presim me mirësi, të shpenzojmë bujarisht për të krijuar mjedise më të mira për mësim dhe programe më cilësore, ku t’i kushtohet koha dhe financa më e shtrenjtë.

Për çdo mësues dhe mësuese, edukator dhe edukatore, për çdo drejtor shkolle dhe përgjegjës të një qendre islame në Evropë dhe Perëndim, duhet të kuptojmë se arsimimi islam i fëmijëve tanë në xhami është një zgjedhje strategjike dhe jetike që do të përcaktojë të ardhmen.

Shpresoj nga Allahu, me mëshirën dhe mirësinë e Tij, që ky artikull të hapë më shumë diskutime, dialog, workshope dhe shkrime mbi të ardhmen e edukimit islam për fëmijët tanë në Perëndim, horizontet, karakteristikat, kërkesat dhe sfidat e tij.

Ky fragment bazohet pjesërisht në kërkimin e vlefshëm të profesor Doktor Abdel Majid Al-Najjar, me titullin “Edukimi Islam në Perëndim”, i publikuar në librin e tij të bukur “Horizontet qytetëruese të ekzistencës islame në Perëndim”.

Falenderimi i takon Allahut në fillim dhe përgjithmonë.

Autor: Taha Amir

Përktheu: Behar Kaçeli

[1] – Tirmidhiu.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *