Dallimi themelor midis ekonomisë kapitaliste dhe asaj islame

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Islami nuk i mohon forcat e tregut dhe as ekonominë e tregut. Madje edhe motivi i fitimit është i pranueshëm në një masë të arsyeshme. Pronësia private nuk mohohet. Megjithatë, ndryshimi themelor midis ekonomisë kapitaliste dhe asaj islame është se në kapitalizmin sekularist, motivit të fitimit ose pronësisë private i jepet fuqi e shfrenuar për të marrë vendime ekonomike. Liria e tyre nuk kontrollohet nga asnjë urdhër hyjnor. Nëse ka disa kufizime, ato imponohen nga qënie njerëzore dhe gjithmonë mund të ndryshojnë përmes legjislacionit njerëzor, i cili nuk pranon asnjë autoritet të ndonjë fuqie mbinjerëzore. Ky qëndrim ka lejuar një sërë sjelljesh që shkaktojnë çekuilibër në shoqëri.

Fajdeja, bixhozi dhe transaksionet spekulative priren të përqendrojnë pasurinë në duart e pak njerëzve. Instiktet e dëmshme njerëzore shfrytëzohen për të fituar para përmes produkteve imorale dhe të dëmshme. Fitimi i shfrenuar krijon monopole që paralizojnë forcat e tregut ose, të paktën, pengojnë funksionimin e tyre të natyrshëm. Kështu ekonomia kapitaliste që pretendohet se bazohet në forcat e tregut, praktikisht rrezikon të ndalojë procesin natyror të ofertës dhe kërkesës, sepse këto forca mund të funksionojnë siç duhet vetëm në një atmosferë të konkurrencës së lirë, dhe jo në monopole. Në ekonominë sekulare kapitaliste, ndodh jo rrallë që një aktivitet i caktuar ekonomik edhe pse nuk është në interes të shoqërisë, megjithatë, lejohet të ushtrohet, sepse bie ndesh me interesin e disa qarqeve me ndikim që dominojnë ligjvënien me fuqinë e tyre. Meqënëse çdo autoritet jashtë pushtetit demokratik është i përjashtuar plotësisht dhe “besimi në Zot” (i cili është i stampuar mbi çdo dollar amerikan) është dëbuar praktikisht nga fusha socio-ekonomike, nuk njihet asnjë udhëzim hyjnor që të kontrollojë aktivitetet ekonomike.

Të këqijat që burojnë nga ky qëndrim nuk  mund të shmangen derisa njeriu t’i nënshtrohet autoritetit hyjnor dhe urdhëresave të Tij, duke i pranuar si të vërteta të padiskutueshme dhe si udhëzime mbinjerëzore, që duhen ndjekur gjithmonë dhe me çdo çmim. Kjo është saktësisht ajo çka bën Islami. Pasi e njeh pronën private, shtysën e fitimit dhe forcat e tregut, Islami ka caktuar disa kufizime hyjnore në veprimtarinë ekonomike. Këto kufizime të vendosura nga Allahu i Madhëruar, Dituria e të Cilit nuk ka kufij, nuk mund të hiqen nga asnjë autoritet njerëzor. Ndalimi i ribasë (kamatës ose fajdes), bixhozit, thesarizimit, tregtimit të mallrave ose shërbimeve të paligjshme, shitjeve në mungesë të mallit dhe transaksioneve spekulative janë disa shembuj të këtyre kufizimeve hyjnore. Të gjitha këto ndalime të ndërthurara së bashku kanë një efekt shtues në ruajtjen e ekuilibrit, përgjithësimit të drejtësisë dhe barazimit të mundësive.

Autor: Muhamed T. Usmani

Përktheu: Dr Ardian Muhaj

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.