Damretu ibn Xhundub (r.a)

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp
Damretu ibn Xhundub (r.a)

Pasi Profeti (a.s) dhe shokët e tij emigruan nga Meka për në Medine, në Mekë mbeti një numër i vogël i muslimanëve të cilët nuk patën mundësi të emigronin për shkak të sëmundjes dhe se ishin të thyer në moshë.

Në mesin e atyre pak sahabëve të cilët nuk patën mundësi të emigronin për në Medine për shkak të sëmundjes dhe pleqërisë ishte edhe sahabiju i nderuar Damretu ibn Xhundub (r.a). Arsyeja se përse ai qëndroi në Mekë dhe nuk pati mundësi të emigronte për në Medine ishte se nuk mund të përballonte vështirësitë e udhëtimit dhe nxehtësinë e shkretëtirës.

Megjithatë Damretu (r.a) e kishte të vështirë qëndrimin në mes të idhujtarëve  të Mekës. Kështu që ai, vendosi që të emigronte për në Medine pavarësisht faktit se ishte i sëmurë dhe i thyer në moshë.

E Damretu (r.a) doli nga Meka dhe u nis për në Medine. Mirëpo gjatë rrugës për në Medine, ai u sëmur rëndë, e kuptoi që exheli po i afrohej dhe e kuptoi që ai nuk do të mbërrinte për në Medine. Kështu që ai u ul e i përplasi pëllëmbët me njëra tjetrën. Kur i përplasi për herë të parë, tha: O Zot, kjo është besa ime për Ty. Pastaj i përplasi për herë të dytë dhe tha: Kjo është besa ime për Profetin (a.s). Pas këtij veprimi ai dha shpirt.

Në lidhje me këtë ngjarje, Xhibrili (a.s) zbriti tek Profeti (a.s) dhe e lajmëroi për atë që kishte ndodhur me Damren. Më pas Allahu i Madhëruar do t’i shpallte Profetit (a.s) ajetin kuranor: “Kush lë shtëpinë e vet, duke u shpërngulur për tek Allahu dhe i Dërguari i Tij dhe ndodh që t’i vijë vdekja, Allahu me siguri do ta shpërblejë. Se Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.”[1]

Pas shpalljes së këtij ajeti kuranor, Profeti (a.s) i mblodhi shokët e vet dhe u tha: “Me të vërtetë veprat varen sipas nijetit. Çdo njeri do t’i takojë ajo që ka pasë për nijet. Kush ka bërë emigrim për hir të Alllahut dhe të Dërguarit të Tij, emigrimi i tij është për Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Ndërsa kush emigron për shkak të Dynjasë apo që të martohet me ndonjë grua, atëherë emigrimi i tij është për atë qëllim që ka patur.”[2]

Kështu pra, nëpërmjet këtij veprimi, Damretu u nderua sepse për të Allahu i Madhëruar shpalli një ajet kuranor, kurse Profeti (a.s) e përmendi atë në fjalët e tija. Në këtë kontekst është e rëndishme që të theksojmë se Damretu (r.a) nuk arriti që të shkonte në Medine.

Prandaj rruga për tek Allahu është e gjatë, dhe nuk është kusht që t’i të shkosh në fund të saj, e rëndësishme është që ti të jesh rrugës për tek Zoti edhe nëse të vjen vdekja.

Allahu e mëshiroftë Damretu ibn Xhundubin.

[1] – Sure Nisa: 100.

[2] – Buhariu dhe Muslimi.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.