Dera që nuk mbyllet

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Autor: Ali Tantawi

Do tu tregoj historinë e një familjeje amerikane, e cila ka gjashtë fëmijë. Babai i tyre është bujk, me konstrukt fizik të fuqishëm, gjithë muskuj dhe i vendosur tu shkojë gjërave gjer në fund. Nëna e tyre, është një zonjë mendjemprehtë, amvisë e mirë dhe me parime. Ajo i edukon fëmijët me durim, vetëpërmbajtje dhe maturi. Kjo vazhdoi derisa këta të fundit filluan të rriten dhe të hedhin shtat.

Një ditë, djali më i vogël doli në lëndinat përreth shtëpisë duke luajtur. Në një çast, ngjitet sipër një shkëmbi dhe hidhet që andej. Kur ra përtokë, ndjeu një dhimbje të fortë në gjunjë, një dhimbje e padurueshme për një fëmijë në moshën e tij. Megjithatë, ai duroi dhe nuk i tregoi askujt se çfarë kishte ngjarë. Të nesërmen u ngrit dhe vajti në shkollë si gjithmonë, në këmbë.

Dhimbja vetëm sa i shtohej dhe në të njëjtën masë i shtohej dhe durimi. Kaluan dy ditë dhe këmba filloi ti mavijosej në gjunjë, saqë nuk hidhte dot asnjë hap.

Nënës gati nuk i plasi zemra nga meraku. Pasi njoftoi dhe të atin i cili u shqetësua shumë, e pyetën se çfarë kishte ngjarë. Ai u tregoi gjithçka. Prindërit e shtrinë në krevat dhe njoftuan menjëherë doktorin.

Me të hyrë brenda, doktori vajti tek djali dhe kuptoi që nuk kishte aspak kohë, këmba duhej prerë menjëherë, përndryshe mund të helmohej gjaku dhe djali të vdiste. Ai i mori dy prindërit mënjanë që mos e dëgjojë djali dhe u pëshpëriti se çfarë duhej bërë.

Megjithatë, djali i vogël e dëgjoi pëshpërimën e doktorit se do i pritej këmba dhe filloi të bërtasë:”Jo, mos ma prisni këmbën time! Mos ma prisni këmbën! Baba më shpëto!”

Mandej u ngrit në njërën këmbë dhe u orvat të largohej, por i ati e kapi dhe e shtriu sërish në krevat.

Ai filloi të thërrasë të ëmën:”Mama, më shpëto mama! Mos lejo të ma presin këmbën!”

Nuk kishte gjë më të dhimbshme për të ëmën në ato çaste, zemra ia thoshte të brofë dhe ti vijë në ndihmë të birit, ndërkohë që mendja i thoshte që këmba e tij duhej sakrifikuar për hir të jetës.

I biri e shihte siç sheh një njeri i mbytur dikë që mund ta shpëtojë. Kur i pa që as i ati dhe as e ëma nuk po lëviznin, ai i humbi shpresat tek ata prandaj dhe filloi të thërrasë vëllanë e tij pak më të madh në moshë. “Edgar” thërriste ai me sa kishte mundësi, ishte një thirrje ku përziheshin fjalët me ngashërimet. “Edgar, Edgar, ku je vëlla? Hajde më ndihmo se duan të më presin këmbën!”

I dëgjoi britmat e thirrjet e vëllait të tij dhe hyri gjithë hov brenda në dhomë, drejtoi trupin, fryu gjoksin dhe qëndroi para prindërve dhe doktorit si një tigër gati për sulm. Sytë e tij sikur lëshonin shkëndija zjarri dhe vendosmërie të palëkundur.

“Askush të mos i afrohet tim vëllai!” u bërtiti gjithë inat ai.

I foli e ëma, i foli i ati, por atij nuk ia bënte syri tërr. I vëllai kapej pas tij, i lutej dhe i përgjërohej ta mbrojë që të mos ia presin këmbën.

I ati u orvat ta largojë me forcë, por ai filloi ti gjuajë të atit me ç’të mundej, kërcente e hidhej përpjetë vetëm si e si ta largojë të atin nga i vëllai. Edhe përpjekjet e doktorit për ta bindur dështuan.

Në kushte të vështira, kur njeriu ndihet ngushtë, bën mrekullia. A e keni parë klloçkën sesi sulmon pa mëshirë kur dikush orvatet të afrohet tek zogjtë e saj? A e keni parë macen se si i nxjerr dhëmbët kërcënues dhe thonjtë nëse e zë në qoshe? Pula shndërrohet në skifter dhe macja në ujk në raste vështirësie, kurse Edgar ishte shndërruar në një burrë të fuqishëm, në një bodyguard të palëkundur, luante muri e nuk luante ai vendit.

Duke mos pasur zgjidhje tjetër, e lanë dy ditë me të vëllanë, me shpresë se do të mërzitet dhe do i humbasë shpresat, por ai nuk luante vendit. Qëndroi dy ditë në këmbë tek dera e dhomës së vëllait duke i bërë rojë. Për dy ditë, ushqimi i vetëm i tij ishin vetëm disa kafshata, të cilat ia ofruan nga larg. Kurse për gjumë, nuk mbylli sy, përveç ndonjë dremitjeje të pavullnetshme. Doktori vinte e largohej. Ndërkohë që këmba e djalit vetëm sa përkeqësohej. Kur doktori pa që nuk kishte më shpresë, shkundi duart dhe u tha se tashmë edhe sikur ti pritej këmba djali do të vdiste dhe u largua i dëshpëruar.

Çfarë  bëjnë njerëzit në kohë rreziku? Sigurisht që të gjithë njerëzit, besimtarë qofshin apo jobesimtarë, në raste të tilla kthejnë sytë nga Zoti. Besimi ekziston edhe në zemrat e jobesimtarëve. Ai quhet jobesimtar “Qafir” e cila në origjinë do të thotë mbulues, pra, ai ka mbuluar besimin me mosbesimin. Ai beson fuqishëm se besimi i ka humbur, por një ndodhi tronditëse e shkund dhe ia largon pluhurin.

Kurejshët që adhuronin idhujt Hubel dhe Uza, i adhuronin vetëm në kohë bollëku dhe mirëqenieje. Por në kushte dhe rrethana të vështira e rreziku, kur udhëtonin me anije dhe deti egërsohej me dallgë si malet, kur frika e vdekjes pllakoste, ai besimi i fshehtë fillonte e merrte jetë. Tashmë nuk lusnin Latin dhe Uzanë, por lusnin Zotin e botërave.

Kur të mbytet e anija e ti shpëton falë një dërrase e cila pluskon mbi ujë, je krejt i vetëm mes qiellit dhe ujit, kur nuk e di çfarë të bësh e si të shpëtosh, nuk ke zgjidhje tjetër veçse të thërrasësh me gjithë zemër:”O Zot më ndihmo!”

Faraoni, diktatori më i madh ndër kohëra, modeli më i lig i zullumqarit dhe arrogantit, pati thënë gjënë më të shpifur që mund të thotë një njeri:”Unë jam zoti juaj i lartë” (Naziat, 24) Megjithatë, kur ndjeu se po mbytej tha:”Besoj se nuk ka zot tjetër përveç Zotit në të cilin besojnë Benu Israilët…” (Junus, 90)

Kur humbet rrugën në shkretëtirë, kur të digjen zorrët nga etja dhe kur sheh që nga të katër anët rrethohesh nga vdekja, nuk ke zgjidhje tjetër veçse të thërrasësh:”O Zot”.

Kur vitet e thatësirës pasojnë njëri-tjetrin dhe harrohet shiu, kur në zemrën e betejës së zymtë hedh valle vdekja, kur i sëmuri i ka shuar shpresat tek mjekët… është porta e Zotit që gjithmonë qëndron e hapur. Në çaste të tilla, ateisti e harron ateizmin e vet, materialisti heq dorë nga materia dhe komunisti e mohon komunizmin e tij. Të gjithë thërrasin:”O Zot!”

– Kur ishte larguar doktori dhe demoralizimi kishte lëshuar rrënjë në zemrat e të gjithëve, zemrën e prindit në panik, zemrën e vëllait dhe të tjerëve, nuk kishin më zgjidhje tjetër. Ata ishin në nivelin e “personit në hall”, prandaj dhe i ngritën duart nga Zoti, në dorën e të Cilit është shërimi. Të gjithë luteshin me ngashërime, çfarë tu dilte nga goja. Zoti që shëron nëpërmjet ilaçit dhe mjekësisë, është në gjendje të shërojë edhe pa ilaçe dhe pa mjekë. Të gjithë i kishin ngritur duart nga qielli dhe thërrisnin e përgjëroheshin:”O Zot”, luteshin me lutjet e njeriut në hall dhe në kulmin e vështirësisë. Dhe Zoti ia pranon lutjet një njeriu të tillë, edhe nëse është njeri i poshtër, edhe nëse është jobesimtar. Përderisa ai i është kthyer Zotit, pret ndihmën e Tij, troket në portën e Tij, shpreson në rahmetin e Tij, sigurisht që i përgjigjet nëse kërkon diçka nga kjo botë. Sakaq, lidhur me botën tjetër, nuk i përgjigjen, pasi ai nuk beson në atë botë.

Kur kurejshët idhujtarë e lutën Zotin, ua pranoi lutjen dhe i nxori shëndoshë e mirë në tokë. Madje, edhe krijesa më e ligë në këtë gjithësi, shejtani, kur u lut:”Zot më jep afat deri në ditën e ringjalljes: (Hixhr, 36) Zoti ia pranoi lutjen:”Të është dhënë afati” (Hixhr, 37)

Po të vërejmë me kujdes Kuranin, do të gjejmë se Zoti i lartësuar jo vetëm që tregon se Ai i përgjigjet lutjes së atij që është në hall, por këtë e tregon në kontestin e argumentit ndaj idhujtarëve:” A ka më të mirë se Ai që ka krijuar qiejt dhe Tokën dhe lëshon për ju nga qielli ujë, me të cilin krijon kopshte të mrekullueshme?! Ju nuk mund t’i bëni pemët të rriten (pa këtë ujë). Vallë, a ka krahas Allahut zot tjetër?! Jo, por ata janë njerëz që i veshin (Allahut) të barabartë me Atë! A ka më të mirë se Ai që e ka bërë Tokën të qëndrueshme, ka bërë në të lumenj, ka ngritur në të male dhe ka bërë midis dy deteve pengesë të padukshme?! Vallë, a ka krahas Allahut, zot tjetër?! Jo, por shumica e tyre janë të paditur. A ka më të mirë se Ai që i vjen në ndihmë nevojtarit të këputur, kur i lutet Atij, që jua largon të keqen dhe ju bën juve trashëgimtarë në tokë?! Vallë, a ka krahas Allahut zot tjetër?! Sa pak që reflektoni!” (Neml, 60-62)

Lexues i dashur!

Familja në fjalë, pas lutjeve dhe përgjërimeve të gjata, pas kushedi sa lotësh dhe ngashërimesh, vunë re se këmba e djalit kishte filluar të përmirësohej, enjtja kishte filluar të ulej, mavijosja ishte reduktuar dhe dhimbja ishte lehtësuar. Disa ditë më vonë, djali mund të ecte në këmbë pa asnjë problem. Doktori i tij erdhi dhe nuk u besonte dot syve!

Mund të thoni se është histori imagjinare, se e kam shpikur unë vetë etj… Por çfarë do të thoshit po t’ua tregoj edhe personin të cilit i ka ngjarë kjo? Djali në fjalë, u bë shumë i famshëm më vonë dhe është ai vetë që e tregon këtë rast. Ai është Aizenhaur, komandanti i përgjithshëm i forcave aleate në luftën e dytë botërore dhe presidenti i Amerikës më vonë!!!

Mua personalisht më kanë ndodhur kushedi sa raste të ngjashme, e shumë raste të tjera i kam parë me sytë e mi. Në vitin 1957 u sëmura rëndë, pasi një doktor me bindje komuniste më injektoi një virus shumë të rëndë dhe të rrallë në vendet tona. Përveç vuajtjeve të një guri në veshka, kishte dhe një duzinë dhimbjesh të tjera, vetëm Zoti e di sa kam vuajtur asokohe. Nga një spital shkoja tek tjetri, duke ndejtur shtruar për afro dy vite. Çdo ditë më bëheshin analizat e urinës dy herë, për të parë ndryshimet. Kur kjo punë zgjati si shumë dhe fillova ta humbas toruan, iu ktheva Zotit dhe i kërkova ose shërimin nëse është në favorin tim, ose vdekjen. Të gjithë të dashurit dhe të afërmit e mi luteshin për mua, edhe pse nuk e meritoja gjithë atë dashuri dhe solidaritet prej tyre. Ditën që iu drejtova Zotit me lutje, e me nijet të pastër, me bindje të thellë se vetëm Ai e ka në dorë shërimin tim, mu qetësua dhimbja, u larguan krizat, urina u pastrua. Të gjithë u çuditën nga ai ndryshim i beftë dhe u grumbulluan duke bërë kërkime për tu siguruar. U thashë:”Mos u lodhni se kjo e mirë nuk më erdhi nga mjekësia juaj, por nga mjekësia hyjnore. Zoti që na ka urdhëruar që ta kërkojmë shërimin nëpërmjet mjekësisë dhe ilaçit, është në gjendje të na shërojë edhe pa mjekësinë dhe ilaçin.

Kur u vendosa në Arabinë Saudite qëndrova një vit në Riad, mandej erdha në Mekë. Me kishte ardhur dhe një burrë nga Shami, të cilit nuk dua t’ia kujtoj emrin. Ai banonte në Riad bashkë me të ëmën. Pasi kishin jetuar disa kohë në Riad dhe ishin stabilizuar, i ofrohet një punë në Liban dhe ai e pranon. Nëna e tij, nuk e pëlqeu diçka të tillë pasi do të mbetej vetëm. Një natë para udhëtimit, i kërkoi nënës që ta zgjojë herët në mëngjes që të mos i ikë avioni. E ëma, nuk e zgjoi veçse tre çerek ore para orës së fluturimit. U ngrit shpejt e shpejt, mori një taksi dhe vajti menjëherë në aeroport. Gjatë rrugës lutej me përgjërim që ta arrijë avionin. E arriti në kohë. Mori biletën dhe u ul në sallën e pritjes. Meqë kishte pak kohë, vajti në kafenenë e aeroportit dhe u ul duke pirë një çaj. Ngaqë kishte rënë vonë për të fjetur, e zuri gjumi. Autoritetet e aeroportit thirrën emrin e tij disa herë, por ai nuk dëgjoi fare. Kur i doli gjumi, avioni ishte ngritur në ajër.

Unë isha bashkë me të dhe fillova ta qetësoj, pasi dukej shumë i mërzitur. Si nuk ia pranoi Zoti gjithë ato lutje përgjëruese?

Unë fillova ti them se Zoti nuk kthen mbrapsht asnjë lutje të sinqertë, por njeriu ndonjëherë mund të lutet për të keqen e tij, duke menduar se po lutet për mirë. Zoti e di më mirë se ku është interesi dhe dobia e tij. Megjithatë, dukej qartë që ishte i zemëruar dhe i shqetësuar për atë që kishte ndodhur. E dini si përfundoi kjo histori? Ndoshta keni dëgjuar për një rrëzim të avionit të linjës Lindja e Mesme ku vdiqën të gjithë udhëtarët? Ishte pikërisht avioni i mikut tim, i cili u mërzit shumë se i iku!

Njeriu mund të kërkojë dhe ti lutet Zotit për diçka që është në dëmin e tij, por mos harrojmë se Zoti është më i dashur për njeriun, sesa vetja e tij.

Një prindi, djali i tij i dashur i kërkon ti blejë një çokollatë që i zunë sytë në treg dhe ai ia blen, i kërkon një banane dhe ai ia blen, i kërkon një lojë dhe ai ia blen, por kur i kërkon një ilaç të mbështjellë bukur, prindi nuk ia blen.

Fëmija mund të habitet se përse babai nuk ia bleu atë kuti të bukur me ngjyra tërheqëse, por i ati e di më mirë se ajo është e dëmshme për shëndetin e vogëlushit. Zoti është më i mëshirshëm dhe më i dashur për neve, sesa vetet dhe prindërit tanë.

Përktheu: Elmaz Fida

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.