Devocioni dhe largimi nga dyshimet

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Nga Ebu Muhamed Hasan ibn Ali ibn Ebu Talib (r.a.) transmetohet se ka thënë: Kam mbajtur mend nga i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) se ka thënë: “Largohu nga ajo e cila dyshon dhe merr atë gjë për të cilën nuk ke dyshim. Vërtet sinqeriteti është qetësi, kurse gënjeshtra është dyshim.”[1]

Jetëshkrimi i transmetuesit të hadithit:

Ai është Hasan ibn Ali ibn Ebu Talib, nipi i të Dërguarit të Allahut (a.s.) dhe zotëria i të rinjve në Xhenet. Ai ka lindur në Medine, në Shaban në vitin e tretë të hixhretit. Kur ai lindi, Profeti (a.s.) shkoi tek shtëpia e tij dhe tha: “Ma sillni birin tim! Si e keni quajtur? Harb (Luftë) – u përgjigj Aliu. Profeti (a.s.) tha: Përkundrazi ai është Hasan (I Mirë).”[2] Për të, Profeti (a.s.) therri një dash.

Hasani ka qenë i matur, i butë, e donte të mirën, orator dhe njeriu me më intuitë e logjikë. Ai i ngjante shumë Profetit (a.s.). “Një ditë Ebu Bekri (r.a.) fali namazin e iqindisë. Pastaj doli dhe po ecte në këmbë, pa Hasanin që po luante me fëmijët. Ai e vuri atë në sup dhe tha: U bëfshin kurban prindërit e mi për ty. Ti i ngjason krejt Profetit (a.s.) dhe jo Aliut, kurse Aliu qeshte.”[3] Profeti (a.s.) e donte shumë atë. Njëherë, ai u lut për të me këto fjalë: “O Allah! Unë e dua atë. Duaje atë dhe këdo që e do atë.” Ebu Hurejre tregon: Kur i Dërguari i Allahut e bëri atë lutje, askush nuk ka qenë më i dashur për mua se Hasan ibn Ali.[4] Profeti (a.s.) ka thënë: “Hasani dhe Husejni janë zotërinjtë e të rinjve të Xhenetit.”[5]

Pas vrasjes së Aliut – babait të tij-, banorët e Irakut i dhanë besën për të marrë në dorë Kalifatin. Ai pranoi dhe pas dëshirës së tyre u nis me një ushtri për të luftuar ushtrinë e Muauijes. Kur të dyja ushtritë u vendosën përballë njëra-tjetrës, Hasani nuk deshi që të derdhte gjakun e muslimanëve, prandaj bëri pakt me kushte dhe ia dorëzoi Kalifatin Muauijes. Kjo ka ndodhur në vitin e 41 të hixhretit dhe ky vit është quajtur viti i “Bashkimit” dhe kështu u realizua profetësia e Profetit Muhamed (a.s.) i cili tha: “Biri im është zotëri dhe ndoshta Allahu ka për ta bërë që të pajtojë mes dy grupimeve shumë të mëdha.”[6]

Më pas, Hasani shkoi në Medine dhe qëndroi atje derisa vdiq. Ditën që vdiq, Ebu Hurejra derdhi lot për të dhe thirri me zë të lartë: O ju njerëz, sot ka vdekur i dashuri i të Dërguarit të Allahut (a.s.). Ai dhe të gjithë pranishmit derdhën lot për të. Viti në të cilin ka vdekur nuk dihet me saktësi, disa thonë në vitin 49, kurse disa të tjerë thonë se ai vdiq në vitin 50 të hixhretit. Ai u varros në “Beki” në Medine.

Shpjegimi i hadithit:

Profeti (a.s.) vazhdimisht e këshillonte umetin e tij dhe i orientonte tek  ajo që u bënte dobi në këtë botë dhe në botën tjetër. Ai urdhëroi që umeti i tij të ndiqte rrugën e njerëzve të devotshëm. Ai i tregoi umetit të tij shenjat e kësaj rruge dhe  mekanizmat që të shpien për tek ajo. Një prej këshillave të shumta të Profetit (a.s.) janë edhe fjalët e këtij hadithi profetik.

Hadithi “Largohu nga ajo e cila dyshon dhe merr atë gjë për të cilën nuk ke dyshim” në aspektin e besimit mbart një mesazh shumë të lartë. Dyshimi nuk është prej cilësive të muslimanit, përkundrazi dyshimi është pjesë e karakterit të atyre që kanë besim të dobët dhe munafikëve. Ai i cili i lexon me vëmendje ajetet kuranore e kupton mjaft mirë se Allahu i Lartësuar flet me tone qortuese për dyshimin. Allahu i Lartësuar thotë: “Ja, kështu Allahu e shpie në humbje çdokënd që e kalon kufirin në të këqija dhe dyshon.”[7]

Hadithi “Largohu nga ajo e cila dyshon dhe merr atë gjë për të cilën nuk ke dyshim” tregon për oratorinë dhe largpamësinë e Profetit (a.s.) i cili shprehej me pak fjalë, por nga të cilat nxirren shumë e shumë kuptime. Vlera e këtij hadithi konsiston në të gjitha fjalët dhe veprat e njeriut të cilit mund t’i lindin dyshime në çështjet e adhurimit dhe të gjitha marrëdhënieve të ndryshme me të gjithë njerëzit.

Hadithi “Largohu nga ajo e cila dyshon dhe merr atë gjë për të cilën nuk ke dyshim” flet për një prej bazave të rëndësishme të fesë Islame. Kjo këshillë profetike do të thotë se muslimani duhet të largohet nga çdo gjë që është e dyshimtë derisa të bindet plotësisht se ajo është e lejuar apo nuk është mëkat. Ibn Mes’udi ka thënë: “Largohu vetëm prej një gjëje që dyshon dhe merr katër mijë gjëra për të cilat nuk dyshon.”[8]  Që do të thotë se gjërat për të cilat njeriu dyshon janë shumë të pakta në krahasim me ato gjëra të cilat nuk ka dyshime dhe janë të sigurta 100%. Kurse Omeri ka thënë: “Largohuni nga kamata dhe nga dyshimi.”[9]

Hadithi “Largohu nga ajo e cila dyshon dhe merr atë gjë për të cilën nuk ke dyshim” ka lidhje të ngushtë me hadithin tjetër, në të cilin Profeti (a.s.) ka thënë: “Vërtet hallalli dhe harami janë të qartë. Midis tyre ka çështje që janë të dyshimta, të cilat shumë prej njerëzve nuk kanë njohuri. Cili ruhet nga gjërat e dyshimta do ta ruajë besimin dhe nderin e vet, kurse kush zhytet në gjëra të dyshimta do të zhytet në haram..”[10] Hallalli dhe harami janë të qartë dhe janë të përcaktuar shumë mirë. Prej muslimanit kërkohet që për atë gjë që ai dyshon se mund të jetë haram të largohet e mos ta veprojë. Madje përkundrejt kësaj ai duhet të veprojë një gjë tjetër që është i sigurtë 100%  se është hallall. Kush vepron kështu e ka ruajtur besimin dhe nderin e vet.

Hadithi “Largohu nga ajo e cila dyshon dhe merr atë gjë për të cilën nuk ke dyshim” kërkon prej nesh të ndalemi te gjërat e dyshimta dhe të ruhemi prej tyre, sepse hallalli nuk mundet të sjellë shqetësim dhe mëdyshje në zemrën e besimtarit. Përkundrazi, hallalli e qetëson dhe e gëzon besimtarin. Kurse gjërat e dyshimta sjellin pa siguri dhe mëdyshje nga ku buron më pas edhe dyshimi.

Hadithi “Largohu nga ajo e cila dyshon dhe merr atë gjë për të cilën nuk ke dyshim” flet për vlerën e sinqeritetit, qetësisë dhe sigurisë që kjo këshillë mbjell në zemrën e besimtarit. Njëherë Profeti (a.s.) ishte duke ecur bashkë me Safijen – bashkëshorten e tij- kur aty kaluan dy ensarë. Pasiqë u larguan pak, Profeti (a.s.) i thirri dhe u tha: “Kjo është Safije bintu Hujej. Ata thanë: I madhëruar qoftë Allahu, o i Dërguar i Allahut. Profeti (a.s.) tha: Me të vërtetë, shejtani lëviz tek njeriu sikurse gjaku dhe unë pata frikë se mos ai hidhte diçka të keqe në zemrat tuaja.”[11]

Hadithi “Largohu nga ajo e cila dyshon dhe merr atë gjë për të cilën nuk ke dyshim” ka vlerë edukative sepse e mëson muslimanin që nëse ai ndodhet ndërmjet haramit dhe hallallit dhe nuk di se çfarë të bëjë, atëherë është më mirë për të që të largohet e mos ta veprojë atë vepër. Profeti (a.s.) ka thënë: “Nganjëherë kur kthehem në shtëpi dhe gjej ndonjë kokërr hurmë që ka rënë mbi shtrat, e marr që ta ha, por kam frikë se mos është nga sadekaja, kështu që e hedh.”[12]

Mesa duket një prej zbatuesve të përpiktë të këtij hadithi është edhe transmetuesi i tij, Hasani, i cili kur shkoi në Sham për të luftuar kundra Muauijes, e kuptoi mjaft mirë se gjaku i muslimanëve do të derdhej lum. Kjo e vuri atë pozicionin e mëdyshjes, kështu që ai bërë atë që ishte më e sigurtë duke hequr dorë në kalifati për t’ia dorëzuar Muauijes. Ky veprim i tij dëshmon për largpamësinë dhe devotshmërinë e tij duke mbyllur shtegun e një fitneje të madhe me pasoja katastrofale. Të tillë duhet të jenë burrat të cilët e vënë në zbatim atë që kanë mësuar e që i japin përparësi gjëndjes së umetit dhe muslimanëve përpara interesave vetjake.

Hadithi “Largohu nga ajo e cila dyshon dhe merr atë gjë për të cilën nuk ke dyshim” i pret rrugën vesveseve të shejtanit. Gjërat që më së shumti e mundojnë muslimanin janë vesveset. Muslimani i cili është me vesvese e shikon të marrë abdes me minuta të tëra, të qëndrojë në tualet me orë, të përsërisë namazin apo rekatet, e gjëra të ngjashme me këto. Ndërkohë që nëse muslimani e zbaton këshillën profetike, në adhurimin e tij nuk ka më vend për vesvese.

Hadithi “Largohu nga ajo e cila dyshon dhe merr atë gjë për të cilën nuk ke dyshim” është rregull bazë edhe në marrëdhëniet që njerëzit ndërtojnë me njëri-tjetrin. Nëse ndodh që ti ndërton marrëdhënie tregtare me dikënd, mirëpo dyshon se ai po punon me hile, atëherë më mirë për ty është që t’i shkëpusësh marrdhëniet me të për të larguar dyshimet që të brejnë nga brenda.

“Vërtet sinqeriteti është qetësi” Njeriu i sinqertë kurrë nuk pendohet dhe kurrë nuk thotë: Ah sikur.. Njeriu i sinqertë është gjithmonë i qetë sepse Allahu i ndihmon të sinqertët dhe i shpëton nga çdo rrezik.

“kurse gënjeshtra është dyshim.” Gënjeshtari gjithmonë është në mëdyshje dhe mosbesim. Ai jeton me stresin se mos gënjeshtra e tij zbulohet, vëndi nuk e zë dhe gjumin nuk e bën rehat. Prandaj sa herë që gënjeshtari thotë një fjalë e shoqëron atë duke bërë be që njerëzit ta besojnë. Gënjeshtari asnjehërë nuk është i qetë, e morën apo nuk e morën vesh njerëzit gënjeshtrën e tij.

Duke u nisur nga kjo, të mençurit që kanë jetuar në kohën e Profetit (a.s.) kur dëgjonin fjalën e tij e kuptonin se ai ishte i sinqertë dhe kishte ardhur me të vërtetën. Dhe kur dëgjonin fjalët e Musejlemes e kuptonin se ai ishte gënjeshtar dhe se fjalët e tij ishin të kota.

Kështu pra, muslimani i largohet të dyshimtës dhe është gjithmonë i sinqertë, ndryshe nga gënjeshtari që jeton një stres të vazhdueshëm.

Rregulla dhe dispozita fetare:

Hadithi “Largohu nga ajo e cila dyshon dhe merr atë gjë për të cilën nuk ke dyshim” si dhe hadithe të tjera janë argument për parimin: “Ajo që është e sigurtë nuk mund të largohet me dyshim”

Ky parim dhe rregull bën pjesë në shumicën e kapitujve të jurisprudencës islame duke përfshirë adhurimet, kontratat, masat ndëshkimore, rregullat juridike si dhe shumë e shumë  rregulla të tjera në lëminë e jurisprudencës islame. Madje juristët janë të mendimit se ky parim përbën ¾ e jurisprudencës islame. Po ashtu, ky parim demonstron tolerancën e sheriatit islam që ka për qëllim që mos t’ua vështirsojë fenë ithtarëve të saj; duke marrë për bazë atë që është e sigurtë larg të dyshimtës që buron nga vesveset, veçanërisht në kapitujt e pastrimit, të namazit dhe në të gjitha çështjet e tjera të jurisprudencës islame.

Këtu dëshirojmë të tërheqim vëmendjen për një fakt shumë të rëndësishëm: Dyshimi vjen nga njeriu dhe jo nga sheriati.

Më poshtë po paraqesim disa shembuj praktik të këtij parimi:

Shembulli i Parë: Nëse muslimani është i sigurtë se rroba e tij është bërë pis por nuk e di se cila pjesë e rrobës është bërë pis, atëherë ai duhet ta lajë të tërë rrobën.

Shembulli i Dytë: Nëse muslimani dyshon se uji është ndotur apo jo, atëherë në këtë rast uji është i pastër duke u bazuar tek informacioni i tij i mëparshëm rreth ujit.

Shembulli i Tretë: Nëse ai që falet dyshon se a ka falur tre apo katër rekate, atëherë në këtë rast bazohet mbi atë që është i sigurtë, pra që i ka faluar tre rekate dhe pastaj fal të katërtin.

Shembulli i Katërt: Nëse agjëruesi dyshon se dielli ka perënduar, nuk i lejohet që ta çelë agjërimin, sepse mospërfundimi i ditës është një gjë e sigurtë. Mirëpo nëse ai dyshon se agimi nuk ka dalë akoma, atëherë i lejohet që të hajë syfyr mospërfundimi i natës është një gjë e sigurtë.

Pra, në të dyja rastet agjëruesi bazohet tek ajo gjë që është e sigurtë.

Shembulli i Pestë: Nëse haxhiu dyshon se ka kryer gjashtë apo shtatë rrotullime rreth qabes, apo ka  hedhur gjashtë apo shtatë guralecë, atëherë bazohet tek ajo që është e sigurtë se ka kryer, pra tek numri gjashtë.

Shembulli i Gjashtë: Në rastin kur dihet se dikush i ka borxh dikujt dhe ky dikushi vdes, e ne dyshojmë në e ka shlyer apo borxhin atëherë duke u bazuar tek ky parim themi se borxhi duhet shlyer.

Mësimet e nxjerra nga hadithi:

1 – Dëshira e madhe për të ndjekur Synetin e Profetit (a.s.)

2 – Devocioni

3 – Largimi nga dyshimet

4  – Frytet e mira të sinqeritetit.

5 – Pasojat e dëmshme të gënjeshtrës.

6 – Inkurajimi dhe paralajmërimi.

1 – Dëshira e madhe  për të ndjekur Sunetin e Profetit (a.s.):

Me Synet të Profetit (a.s.) nënkuptojmë fjalët, veprat, miratimin, moralin dhe jetën e tij. Syneti i Profetit (a.s.) është burimi i dytë i sheriatit pas Kuranit Famëlartë. Syneti është shpjeguesi, sqaruesi dhe komentuesi i Kuranit. Syneti flet për përvojën e njeriut më të mirë që ka parë ndonjëherë historia e njerëzimit. Syneti i Profetit (a.s.) është burim i shembullit dhe modelit më të mirë. Ai është mekanizmi më i mirë i edukimit dhe këshillimit. Ai është burimi i dijes së dobishme dhe ideologjisë së saktë. Çdo musliman, madje çdo njeri ka nevojë shumë që të përfitojë prej tij që të shpëtojë nga kjo botë e mbushur plot e për plot me trazira e luftra.

Duke hedhur një vështrim në jetën e të parëve të këtij Umeti do të vërejmë se ata i kushtonin shumë rëndësi dhe interes pasimit të rrugës së Profetit (a.s.). Njëri prej tyre është Hasani, transmetuesi i këtij hadithi i cili thotë: “Kam mbajtur mend nga i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.)” Një njeri tjetër që ka pasë qenë lidhur ngushtë me Synetin e Profetit (a.s.) ka qenë Abdulla ibn Omeri (r.a.). [Sikurse babai i tij, edhe ai kishte shumë besim në Allahun e Lartësuar dhe në të Dërguarin e Tij (a.s.). Për këtë shkak, mënyra me të cilën e kishte pasuar rrugën e të Dërguarit ka qenë e mrekullueshme. Gjithmonë shikonte si i Dërguari i Allahut (a.s.), vepronte në situata të ndryshme, atëherë me përulje  e imitonte të Dërguarin (a.s.), deri në detajet më të imta. Për shembull, kudo që falej i Dërguari i Allahut (a.s.) në të njëjtin vend falej edhe Ibn Omeri. Nëse i Dërguari i Allahut (a.s.) i lutej Allahut të Lartësuar në këmbë, edhe Ibn Omeri lutej në këmbë. Kur i Dërguari i Allahut (a.s.) i drejtohej Allahut duke qenë ulur, edhe Ibn Omeri i drejtohej Atij duke qenë ulur. Në të njëjtin vend ku i Dërguari i Allahut (a.s.) kishte zbritur prej devesë derisa kishte udhëtuar dhe i kishte falur dy reqate, ashtu edhe Ibn Omeri kishte vepruar kur udhëtonte në rrugë. Përveç kësaj, e kishte mbajtur në mend se njëherë deveja e të Dërguarit të Allahut (a.s.) ishte rrotulluar dy herë përpara se i Dërguari i Allahut (a.s.) të zbresë prej saj e t’i falë dy reqate. Ndoshta deveja këtë veprim e ka bërë spontanisht, me qëllim që t’i bëj vetes vend të duhur për t’u ulur. Mirëpo, Ibn Omeri sa herë që vinte në atë vend, devenë e tij e rrotullonte dy herë e pastaj e lejonte që të ulej. Pas kësaj, në të njëjtën mënyrë sikurse e kishte parë të Dërguarin e Allahut (a.s.) se vepronte, i falte dy reqate. Një imitim i tillë thelbësor i këtillë e kishte detyruar Aishen (r.a.) – nënën e besimtarëve – të thotë: “Askush nuk e imiton të Dërguarin (a.s.)  më shumë se Ibn Omeri.” Sikur që ishte e  fortë dhe e fuqishme lidhja e tij pas çdo hapi dhe praktike të të Dërguarit të Allahut (a.s.), ashtu ai kishte respekt të madh edhe ndaj asaj që kishte thënë i Dërguari i Allahut (a.s.). Ai i ka transmetuar vetëm hadithet që i ka mbajtur në mend deri në shkronjën e fundit. Bashkëkohësit e tij thoshin: “Asnjë sahab i të Dërguarit të Allahut (a.s.), s’ka qenë më i kujdesshëm që të mos shtojë apo të heqë diçka prej haditheve, sesa Abdulla ibn Omeri.”][13]

Kjo rëndësi që brezi i parë i ka pasë kushtuar Synetit të Profetit (a.s.) i ka rrënjët tek hadithi i Profetit (a.s.): “Transmetoni prej mej qoftë edhe një fjalë (argument)”[14] Një shkak tjetër mund të ketë qenë edhe dëshira që ata kanë pasë që të ishin pjesë e lutjes profetike: “Allahu e ndriçoftë atë njeri i cili dëgjon prej meje një fjalë, e mëson atë përmendësh dhe ia përcjell atë të tjerëve.”[15] Vetëm në këtë formë është ruajtur Syneti i Profetit (a.s.) dhe është përcjellur brez pas brezi deri tek ne e tek brezat që do të vijnë më vonë. Vlen të përmendim se përveç ruajtes së Synetit të Profetit (a.s.) sahabët kanë marrë shpërblime të shumta nga Allahu. Nuk ka dyshim se gadishmëria e njerëzve për ta mësuar Synetin e Profetit (a.s.) ndryshon nga njeriu në njeri, por ajo që është e rëndësishme të theksojmë këtu është fakti se çdokush e ka për detyrë që ta praktikojë atë në të gjitha lëmitë e jetës.

2 – Devocioni:

Përkufizimi më i saktë i fjalës “Devocion” është përkufizimi i Profetit (a.s.) i cili ka thënë: “Largohu nga ajo e cila dyshon dhe merr atë gjë për të cilën nuk ke dyshim” “Nga Islami i mirë i një njeriu është që ai të lërë atë gjë që nuk i intereson”[16] Cili ruhet nga gjërat e dyshimta do ta ruajë besimin dhe nderin e vet, kurse kush zhytet në gjëra të dyshimta do të zhytet në haram..”[17]

Ky hadith flet për devocionin që do të thotë se muslimani duhet të largohet dhe të ruhet nga dyshimet. Hallalli është i qartë dhe muslimani nuk dyshon aspak tek ai, po ashtu edhe përsa i përket haramit. Ndërsa përsa i përket gjërave të dyshimta, ato e trazojnë mendjen e muslimanit dhe ai nuk është i qetë shpirtërisht. Nëse muslimani dyshon për një gjë atëherë është më mirë për të që të largohet e mos të afrohet, sepse kështu ai e ruan fenë e tij.

Devocioni është prej adhurimeve më të mira. Në fakt atë e arrin vetëm ajka e besimtarëve. Ai është një mur rrethues që e pengon muslimanin të bie në haram. Një adhurim të tillë e kanë lënë pas dore shumë prej nxënësve të dijes, e jo më besimtarët e thjeshtë.

Në një hadith, Profeti (a.s.) duke folur për vlerën e devocionit thotë: “Ji i devotshëm që të jesh adhuruesi më i mirë”[18] E në një hadith tjetër, ai thotë: “Vlera e dijes është më e dashur tek unë se vlera e adhurimit dhe feja më e mirë për ju është devocioni.”[19]

Devocioni është në katër gjëra:

1 – Me u larguar nga harami. Kjo pikë nuk ka nevojë për sqarim sepse çdo musliman e ka për detyrë që të largohet nga ajo që Allahu e ka ndaluar.

2 – Me u larguar nga veprat e papëlqyeshme. Vepër e papëlqyeshme quhet ajo vepër të cilën Sheriati e ka ndaluar me e vepruar por jo në formë të prerë. Prej devocionit është që muslimani të largohet dhe mos t’i kryejë veprat e papëlqyshme. Kjo gradë qëndron më lartë se grada e parë.

3 – Me u larguar nga gjërat e dyshimta për të cilat muslimani nuk e di në janë haram apo hallall. Kjo gradë është  më e lartë se dy të parat.

4 – Devocioni ndaj atyre gjërave që janë të lejuara për të cilat muslimani ka frikë se nëse i vepron, ato e shtyjnë drejt veprave të papëlqyeshme apo veprave të ndaluara. Kjo gradë qëndron më lart se tre të parat.

Ashtu sikurse devocioni është në katër gjëra e gradë, po ashtu edhe njerëzit në lidhje me devocionin dallojnë nga njëri-tjetri. Këtë gjë e përcakton shumë qartë ajeti kuranor: Pastaj Ne u lamë trashëgim librin robërve Tanë që Ne i kemi zgjedhur; e prej tyre ka që janë dëmtues të vetvetes, ka që janë mesatarë, e ka prej atyre që janë me ndihmën e Allahut të parët në punë të mira. E kjo është mirësia e madhe.”[20] Ky ajet kuranor e përcakton shumë qartë se umeti i Profetit (a.s.) është i ndarë në tre grupe: Grupi i Parë: “Dëmtues të vetes”: Këta janë ata muslimanë të cilët bëjnë mëkate dhe i lënë pa kryer disa obligime. Grupi i Dytë: “Mesatarët”: Këta janë ata muslimanë të cilët i kryejnë obligimet fetare, largohen nga harami, por që nuk i kryejnë veprat e pëlqyeshme dhe nuk ruhen nga gjërat e dyshimta dhe veprat e papëlqyeshme. Grupi i Tretë: “Të parët në punë të mira” Këta janë ata muslimanë të cilët nuk bëjnë mëkate, i kryejnë obligimet fetare, i kryejnë veprat e pëlqyeshme dhe i largohen të dyshimtave e veprave të papëlqyeshme.

Devocioni nuk ka të bëjë vetëm me kryerjen e obligimeve apo largimin nga gjërat e ndaluara. Devocioni përfshihet në shumë çështje të përmbledhura në fjalët e Profetit (a.s.): “Nga Islami i mirë i një njeriu është që ai të lërë atë gjë që nuk i intereson”[21] Devocioni është në gjuhë, fjalë, ngrënie, pije, të ardhura, shoqëri, kuvende, dhënien e fetvave, komentimin e ajeteve kuranore, e shumë e shumë gjëra të tjera.

Vërejtje[22]: Ai i cili nuk ikën nga harami i qartë dhe pastaj dëshiron të ruhet nga dyshimet preçize, nuk do t’ia dalë në këtë (në të vërtetë nuk është larguar nga dyshimet), përkundrazi, për këtë duhet gjykuar siç e kishte gjykuar Abdulla ibn Omer (r.a.) njërin nga Iraku, i cili e kishte pyetur për gjakun e mushkonjës në rrobat e atij që falet., nëse ia prishin apo jo namazin. Ai është përgjigjur: Më pyesin për gjakun e mushkonjës, ndërsa ata kanë vrarë Huseinin! E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s.) duke thënë lidhur me Hasanin dhe Huseinin: “Ata janë lulet e mia erëmira të kësaj bote.”

Kur dikush e kishte pyetur Bishr ibn Harithin për njeriun të cilit nëna i urdhëron të shkurorëzohet me gruan e vet, ai tha: “Nëse nga mirësjellja ndaj nënës i ka ngelur vetëm kjo, duhet ta shkurorëzojë, mirëpo nëse nuk është ashtu, atëherë nuk duhet ta bëjë një gjë të tillë.”

Disa citime të të parëve tanë:

Ibn Tejmije ka thënë: “Devocioni është prej rregullave bazë të fesë”

Ibn Mubarek ka thënë: “Lënia e një leku haram është njëqind mijë herë më mirë se sa dhënia sadaka e po atij leku.”

Sufjan Theuri ka thënë: “Nuk kam parë më të lehtë se devocioni. Nëse një gjë të bren nga brenda, atëherë largohu prej saj.”

Tausi ka thënë: “Shembulli i Islamit është si shembulli i një peme, rrënja e të cilës është Shehadeti, kurse kërcelli dhe gjethet e saj janë këto e ato. Fryt i kësaj peme është devocioni. Pema pa fryte është e pavlerë ashtu sikurse njeriu pa devocion.”

Imam Ahmedi ka thënë: “Kush e jep me qira atë që ka marrë me qira, fitimin e kësaj duhet ta japë sadeka.”

Tregohet njëherë se imam Ahmedi kishte dërguar një djalosh që t’i blinte gjalpë. Kur djaloshi erdhi, ai i tha: “Shko dhe ktheja letrën shitësit, sepse unë të kam dhënë lekë për gjalpin e jo për letrën.”

3 – Largimi nga dyshimet:

Muslimani duhet të largohet nga dyshimet, sepse largimi nga dyshimet sjell qetësi dhe njeriu duhet të ruajë fenë dhe nderin e tij. Këtë gjë e dëshmon shumë qartë hadithi të cilin po komentojmë. Në një transmetim tjetër lexojmë: “E mira është qetësi, kurse e keqja mëdyshje.”[23] Ngadonjëherë mund të ndodh që njeriu të dyshojë për një çështje që nuk e di në është hallall apo haram. Në këtë rast ai gjëndet përballë dy alternativave. Nëse është dijetar, përpiqet dhe në fund bie në një përfundim të caktuar. Por nëse nuk është dijetar, ateherë duhet të shkojë tek një dijetar dhe të marrë përgjigjen e duhur. Dhe kështu ajo që për të ishte e dyshimtë, tashmë ajo kalon në bindje dhe si rrjedhojë njeriu largohet nga dyshimi.

Kur muslimani përballet me një çështje të dyshimtë ai shqetësohet dhe nuk është i qetë. Kjo është një shenjë e mirë, sepse dëshmon që muslimani nuk dëshiron që ta zemërojë Allahun e Lartësuar dhe as të bëjë një veprim që mund ta shpie atë në Zjarr. Allahu i Lartësuar thotë: “Për atë që nderon ritet e shenjta të Allahut, do të jetë më mirë te Zoti i tij.”[24] “Kush madhëron shenjat e fesë së Allahut, tregon përkushtim të zemrës së tij.”[25]

4  – Frytet e mira të sinqeritetit:

 Sinqeriteti është tregues i gradës së lartë të muslimanit. Ja se si e ka përshkruar Allahu Veten e Tij në Kuranin Famëlartë: “E kush mund të jetë më i vërtetë se Allahu në thënie?”[26] Me këtë përshkrim janë përshkruar edhe Profetët dhe të Dërguarit e Allahut. Allahu i Lartësuar i ka urdhëruar besimtarët që të jenë të sinqertë duke thënë:“O besimtarë! Frikësojuni Allahut dhe bëhuni si ata që janë të sinqertë (në fjalë dhe vepra)”[27]

Sinqeriteti e qetëson ndërgjegjjen, zemërimin dhe shpirtin e atij që tregohet i sinqertë, ashtu sikurse ka thënë edhe Profeti (a.s.): “Vërtet sinqeriteti është qetësi.”

Sinqeriteti është burim të ardhurash dhe nëpërmjet tij shtohet bereqeti i njeriut. A nuk e ke dëgjuar thënien e Profetit (a.s.): “Shitësi dhe blerësi kanë të drejtë të ndërrojnë mendje për shitblerjen e tyre, përderisa nuk janë ndarë akoma. Nëse janë të sinqertë dhe të qartë, atëherë Allahu do t’i begatojë në shitblerjen e tyre. Por nëse fshehin diçka dhe gënjejnë, atëherë begatia do të tërhiqet nga shitblerja e tyre.”[28]

Ai që është i sinqertë fiton gradën e dëshmorëve të rënë në rrugë të Allahut të Lartësuar. Profeti (a.s.) ka thënë: “Kush kërkon nga Allahu me sinqeritet të plotë që të bjerë dëshmor, Allahu do t’ia japë gradën e dëshmorit edhe nëse ai vdes në shtratin e vdekjes.”[29]

Sinqeriteti e nxjerr njeriun nga situata dhe e shpëton nga rreziqet dhe gjërat e padëshirueshme. Tregohet se Haxhaxhi[30]kur po fliste në hytbe e zgjati atë aq shumë atë saqë një prej atyre që ishin prezent i tha: Mos e zgjat më sepse koha e namazit po kalon dhe nuk ke si të justifikohesh përpara Allahut. Nga inati, Haxhaxhi urdhëroi që ta burgosnin atë. Të afërmit e të burgosurit shkuan tek Haxhaxhi dhe i thanë se ai është budalla, me qëllim që ai ta linte të lirë. Mirë – tha Haxhaxhi, nëse ai e pranon që është budalla kam për ta liruar. Kur e sollën të burgosurin përpara Haxhaxhit ai tha: Nuk më lejohet mua që të mohoj një mirësi që Allahu ma ka dhuruar dhe të them që jam budalla, cilësi të cilën Allahu nuk ma ka dhënë. Kur Haxhaxhi pa sinqeritetin e tij e liroi atë nga burgu.

5 – Pasojat e dëmshme të gënjeshtrës:

Gënjeshtra është një sëmundje e gjuhës dhe e shpirtit. Nëse njeriu nuk i shmanget asaj, pasojat janë shumë të rënda dhe të dëmshme.

Përderisa sinqeriteti është cilësi e njerëzve të devotshëm, gënjeshtra është cilësi e hipokritëve. Allahu i Lartësuar thotë: “Kur vijnë tek ti hipokritët, thonë: Ne dëshmojmë se ti je vërtet i dërguari i Allahut! Allahu e di se ti je i dërguari i Tij, por Ai dëshmon se hipokritët janë gënjeshtarë.”[31] Kurse Profeti (a.s.) thotë: “Kush posedon katër cilësi ai është puro hipokrit. E kush posedon njërën prej tyre, ai ka një cilësi të hipokrizisë derisa ta lërë atë. Këto cilësi janë: Kur i jepet një amanet nuk e mban, kur flet gënjen, kur jep besën e thyen dhe kur grindet e tejkalon cakun.”[32] Dihet se hipokritët janë në gradën e fundit të Zjarrit të Xhehenemit. Fjala hipokrizi është shumë e rëndë. Duke qenë se hipokrizia ka këtë pozitë kaq të keqe, atëherë përse muslimani vazhdon të gënjejë?!

Njerëzit nuk e besojnë atë njeri që gënjen, madje e etiketojnë atë si gënjeshtar. Madje unë mbaj mend që në shoqërinë time, njërin prej shokëve çfarëdo lloj gjëje që ai të thoshte ne nuk e besonim, sepse na ishte krijuar bindja se ai gënjente. Prandaj edhe Profeti (a.s.) thotë: “kurse gënjeshtra është dyshim.” Në këtë kontekst tregohet edhe historia e bariut të dhenve[33], i cili thirri: Ujku, Ujku.. barinjtë rendën me vrap, por kur mbërritën panë se shoku i tyre i kishte gënjyer. Kështu veproi edhe për herën e dytë, shokët rendën dhe vunë re se ai kishte gënjyer. Kur veproi për herë të tretë në të njëjtën mënyrë, asnjë prej shokëve nuk ia vuri veshin, sepse menduan se shoku i tyre po tallej dhe po i gënjente. Mirëpo këtë herë, ujku me të vërtetë kishte hyrë në kope dhe bëri atë që di të bëjë më mirë.

Shejtani i mallkuar ia zbukuron gënjeshtrën si shitësit po ashtu edhe blerësit duke i bërë që të mendojnë se nëse gënjejnë ata fitojnë më shumë. Një gjë e tillë nuk është e vështirë për ta kuptuar. Mjafton të shkosh në treg dhe do të shikosh sesi tregtarët gënjejnë për mallin e tyre. Nëse malli ka ndonjë mangësi, tregtari mundohet me çdo kusht që ta fshehë dhe ta mbulojë atë. Më kujtohet njëherë se isha tek dyqani i një mikut tim i cili shiste soba gazi. Një klient erdhi për të blerë një sobë gazi dhe miku im i tha se soba është me gjashtë muaj garanci. Pasi klienti u largua, iu drejtova mikut tim me habi: Për çfarë garancie flet, kur ti nuk ke?! Ai me gjakftohtësi më tha: Këtë e themi vetëm që njerëzit të blejnë sobën, sepse ne e dimë që soba për gjashtë të muaj nuk prishet. Por nëse ndodh që ajo prishet – pyeta unë i habitur? Ai na e kthen neve dhe ne ia sheshim një tjetri – u përgjigj përsëri me gjakftohtësi. Nga ana tjetër edhe blerësit gënjejnë, të cilët kur shikojnë një mall të mirë i thonë shitësit se unë kam parë të njëjtin mall por me një çmim më të lirë në një vend tjetër. E gjitha kjo ndodh për një arsye shumë të thjeshtë: se si shitësi ashtu edhe blerësi nuk e kanë frikë Allahun e Lartësuar.

Dihet se ai cili gënjen nuk thotë të vërtetën, pra e thënë ndryshe ai shtrembëron faktet. Kjo është shumë e dëmshme. Mjafton të hapësh televizorin dhe do të shikosh se si njerëz që e quajnë veten të shkolluar e të arsimuar gënjejnë publikisht dhe as që u nxihet faqja fare. Të bardhën e bëjnë të zezë dhe të zezën të bardhë. Shtrembërimi i fakteve është një mëkat shumë i madh. Allahu i Lartësuar thotë: “Vërtet, Allahu nuk e udhëzon në rrugë të drejtë atë që e tepron me të këqija dhe është gënjeshtar.”[34]

 Dënimi që e pret gënjeshtarin është shumë i dhembshëm. Profeti (a.s.) tregon: “Unë kam parë në ëndër mbrëmë se dy vetë erdhën tek unë, më morën prej dore dhe më çuan në Tokën e Shenjtë, kur atje shoh një burrë të ulur dhe një tjetër në këmbë me një çengel hekuri në dorë duke ia futur atij në gojë derisa i arrinte te nofulla dhe pastaj ia çirrte njërën anë të faqes deri prapa te qafa. Pastaj të njëjtën gjë bënte me anën tjetër, ndërkohë që ana e parë u përtëri ashtu sikurse ishte në fillim. Këtë veprim ai do ta përsëriste nga e para. Unë thashë: Ç’është kjo? …Ata më thanë: Sa për atë që po i çirrej faqja ai ishte gënjeshtar. Ai gjithnjë trillonte gënjeshtra dhe njerëzit do t’i përçonin ato prej tij derisa të merrnin dhenë. Ashtu pra do të ndëshkohet ai deri Ditën e Kiametit.”[35]

6 – Inkurajimi dhe paralajmërimi:

Metoda e inkurajimit dhe paralajmërimit është një metodë shumë efikase që ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë tek njerëzit. Këtë metodë, Profeti (a.s.) e ka pasë përdorur shpeshherë në hadithet e tij. Edhe ky hadith si shumë e shumë hadithe të tjera flet për këtë metodë. Në këtë hadith, Profeti (a.s.) thotë: “Vërtet sinqeriteti është qetësi, kurse gënjeshtra është dyshim.” Nëpërmjet këtyre fjalëve, Profeti (a.s.) i inkurajon të gjithë të njerëzit se sinqeriteti është një cilësi e mirë që nëse njeriu mvishet me të ai është i qetë si në këtë botë ashtu edhe në botën tjetër. Sinqeriteti është virtyt i lartë dhe Allahu e shpërblen atë që është i sinqertë. Por, gjithashtu Profeti (a.s.) i paralajmëron njerëzit që të kenë shumë kujdes nga një ves që është shumë i rrezikshëm siç është gënjeshtra.

Argumentet dhe dobitë e hadithit:

1 – Muslimani duhet të largohet nga gjërat e dyshimta, sepse duke u larguar nga gjërat e dyshimta ai e ka ruajtur fenë dhe nderin e tij.

2 – Hadithi është argument për parimin bazë “Ajo që është e sigurtë nuk mund të largohet me dyshim”

3 – Rëndësia e braktisjes së gjërave të dyshimta.

4 – Rëndësia e të bazuarit tek gjërat e sigurta.

5 – Nuk bën që muslimani ta lërë atë gjë është 100% hallall me preteksin e devotshmërisë. Dhe kjo për një arsye shumë të thjeshtë, sepse në të nuk ka aspak dyshim.

6 – Muslimani automatikisht duhet të largohet nga Harami që është i qartë.

7 – Muslimani duhet të edukohet me frymën e largimit nga gjërat e dyshimta.

8 – Muslimani i devotshëm nuk gjen rehati vetëm se tek gjërat që janë 100% hallall.

9 – Vlera dhe pozita e lartë e devocionit.

10 – Inkurajimi për të qenë i sinqertë dhe paralajmërimi për të qenë gënjeshtar.

11 – Sinqeriteti është sebep për qetësinë shpirtërore, kurse gënjeshtra është sebep për dyshim dhe shqetësim.

12 – Këshillat e vlefshme të Profetit (a.s.)

Epilog:

Një burrë bleu nga dikush një copë toke nga dikush. Ai që e bleu tokën gjeti brenda saj një qyp me flori. Blerësi i tokës i tha shitësit të saj: Merre floririn tënd nga unë, sepse unë të bleva tokën dhe nuk të bleva floririn. Ai që e shiti tokën i tha: Unë të kam shitur tokën me gjithçka ka brenda. Kështu ata të dy ia paraqitën çështjen një të treti për gjykim. Ai i pyeti: A keni fëmijë? Njëri tha: kam djalë, ndërsa tjetri tha: kam vajzë. Ai u tha: Martoni djalin me vajzën, një pjesë të floririt shpenzojeni për ata të dy. Pjesën tjetër jepeni sadaka.[36]

Autor: Elton Harxhi

[1] – Tirmidhiu (2518), Nesaiu (5117) dhe Ahmedi (1/200). Hadithi është Hasen Sahih.

[2] – Ahmedi (769). Hadithi është Hasen.

[3] – Buhariu (3542)

[4] – Buhariu (5884) dhe Muslimi (2421)

[5] – Tirmidhiu (3768). Hadithi është Sahih.

[6] -“Mexhmu’uz Zeuaid” i Hejthemiut,  fq: 9/175.

[7] – Sure Gafir: 34.

[8] -“Shpjegimi i 40 –të haditheve të Neueuiut” i Salih ibn Abdul Aziz Al Shejh, fq:205.

[9] – “Thesare nga Rijadus Salihin” i Hamd ibn Naser ibn Abdurrahman Amar, fq: 2/22.

[10] – Buhariu (52) dhe  Muslimi (1599).

[11] – Muslimi (2175)

[12] – Buhariu (2432) dhe Muslimi (1071)

[13] -“Burrat përreth Pejgamberit” i Halid Muhamed Halid,  fq: 78-79, versioni shqip.

[14] – Buhariu (3461)

[15] – Tirmidhiu (2656). Hadithi është Sahih

[16] – Tirmidhiu (2318) dhe Ibn Maxheh (3976). Hadithi është Sahih.

[17] – Buhariu (52) dhe  Muslimi (1599).

[18] – Ibn Maxheh (4217). Hadithi është Sahih.

[19] – Hakimi (1:92). Hadithi është Sahih..

[20] – Sure Fatir: 32.

[21] – Tirmidhiu (2318) dhe Ibn Maxheh (3976). Hadithi është Sahih.

[22] -“Xhamiul Ulum uel hikem” i Ibn Rexhepit, fq: 162.

[23] – Ibn Hibani (722). Hadithi është Sahih.

[24] – Sure Haxh: 30

[25] – Sure Haxh: 32.

[26] – Sure Nisa: 87.

[27] – Sure Teube: 119

[28] – Buhariu (2082) dhe Muslimi (1532).

[29] – Muslimi (1909)

[30]  – Njeri diktator e zullumqar.

[31] – Sure Munafikun: 1.

[32] – Buhariu (34) dhe Muslimi (60).

[33] – Se sa e saktë është kjo histori nuk e di, por mesazhi është shumë kuptimplotë.

[34] – Sure Gafir: 28.

[35] – Buhariu (1386).

[36] – Buhariu (3472) dhe Muslimi (1722).

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *