Devotshmëria pas Ramazanit

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Gjatë ditëve të fundit të Ramazanit çdo agjërues është i shqetësuar nëse Zoti ia ka pranuar agjërimin, lutjet, leximin e Kuranit dhe dhikrin. Nëse e ka kaluar natën e Kadrit me adhurim, nëse është shënuar tek banorët e Xhenetit etj. Vallë a është i kënaqur Zoti me ne këtë muaj? 

Hazreti Aliu thoshte: “Gjatë gjithë Ramazanit lodheshim e përpiqeshim që të bëjmë sa më shumë vepra të mira. Me të përfunduar Ramazani, ishim të shqetësuar nëse Zoti na i kishte pranuar veprat e mira apo jo”.

Ndaj si duhet të ndihemi tani që Ramazani ka përfunduar? Mos duhet të kemi frikë, apo të ndihemi të qetë dhe të lumtur?

Çdo institucion kur u kërkon punëtorëve të tij që të risin rendimentin, u rikujtojnë objektivin dhe qëllimin për të cilin kërkohet rendimenti i lartë. Nëse objektivi realizohet, të gjithë do të falënderohen dhe do të shpërblehen për mundin dhe djersën e derdhur. 

Zoti e ka urdhëruar Umetin e Muhamedit (a.s) që të agjërojë një muaj çdo vit. E këtë ta bëjë në çdo rrethanë e çdo stinë, por padyshim që ka caktuar një objektiv dhe qëllim që duhet realizuar. Padyshim që duhet të ketë një qëllim dhe objektiv madhor për agjërimin e Ramazanit. Po ashtu, duhet të ekzistojë një indikator i cili tregon nëse agjërimi është kryer ashtu siç e kërkon Zoti, pra është arritur apo jo objektivi.

Në fakt, këtë indikator e gjejmë tek ajeti i cili obligoi agjërimin e muajit të Ramazanit. Agjërimi i këtij muaji ka një objektiv dhe qëllim të caktuar, devotshmërinë. Zoti thotë në Kuran: “O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të jeni të devotshëm (e të largoheni nga ligësitë).”

Pra, indikatori dhe objektivi i agjërimit është devotshmëria. Nëse kërkon ta kuptosh nëse agjërimi ka qenë efektiv apo jo, është pranuar apo jo, shih sa i devotshëm je pas Ramazanit. Nëse pas Ramazanit je njëlloj siç ke qenë para Ramazanit, është humbje e madhe për ty. Por nëse sheh se moralet e tua, komunikimi me njerëzit, marrëdhëniet me bashkëshorten/bashkëshortin, fëmijët, prindërit dhe familjarët e tjerë janë përmirësuar, kjo është shenjë e pranimit dhe devotshmërisë. Nëse pas Ramazanit je distancuar plotësisht nga gjynahu që veproje para tij, dije se e ke realizuar objektivin e agjërimit. Qëllimi i agjërimit të Ramazanit është që pas tij, të jesh në një gjendje shpirtërore më të mirë se para tij. Ka shumë njerëz të cilët e mbyllin Ramazanin njëlloj siç e patën filluar. Profeti (a.s) thotë: “Ka agjërues të cilët nuk përfitojnë nga Ramazani përveç urisë dhe etjes”.

Në një hadith tjetër, Profeti a.s thotë: “Kush nuk distancohet nga fjalët dhe veprat e liga, Zoti s’ka nevojë që ai të braktisë ushqimin dhe pijen.”

Asnjë kompani nuk themelohet dhe nuk funksionon pa një qëllim, asnjë produkt nuk prodhohet pa një qëllim. E padyshim, një muaj agjërimi ku gjithë populli mysliman ndryshon oraret e fjetjes, të zgjimit dhe të ushqimit, nuk mund të jetë pa një qëllim madhor. Në këtë rast, qëllimi dhe objektivi është përmirësimi i moraleve pas Ramazanit. 

Prandaj, nëse dëshiron të dish nëse hyn tek të pranuarit në këtë muaj, shih si ndihesh dy javët e para të muajit pasardhës.

Çdokush që është përmirësuar, meriton të urohet dhe kushdo që nuk e ka realizuar objektivin e agjërimit, meriton të ngushëllohet. Nëse më parë je sjellë keq me bashkëshorten, nuk ia ke vënë veshin fjalëve të saj, i ke keqtrajtuar prindërit etj. Ndërsa  në fund të Ramazanit sillesh krejt ndryshe, kjo është shenjë se agjërimi dhe adhurimet të janë pranuar. Kjo është shenjë se e ke arritur natën e Kadrit dhe se të është shënuar emri tek banorët e Xhenetit. E nëse të është shënuar emri tek banorët e Xhenetit, dije se ai emër nuk do të mund të fshihet më nga ajo listë. Po, do të bësh gjynahe edhe pas Ramazanit, por veprat e mira do të jenë më shumë se gabimet, moralet e mira janë të më të shumta se të këqijat. Ti tashmë je radhitur tek të devotshmit dhe duhet të vazhdosh këtë rrugë. 

O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të jeni të devotshëm (e të largoheni nga ligësitë).” 

Devotshmëria është tepër e shenjtë tek Zoti, pasi shumë njerëz mund t’i mashtrojnë të tjerët në aparancë, me fjalë të bukura dhe vepra sa për sy e faqe. Por askush përveç Zotit nuk e di çfarë fshihet në zemrat e tyre.

Devotshmëria është diçka që ndodhet në zemër, ka të bëjë me botën e brendshme, të cilën e di vetëm Zoti. Prandaj ajo është kaq e shtrenjtë dhe e vlerë. Profeti a.s thotë: “Zoti nuk sheh pamjen dhe fizikun tuaj, por sheh zemrat dhe veprat tuaja.”

Ka kohë që shumë myslimanë janë fokusuar vetëm tek paraqitja e jashtme e përkushtimit fetar, pasi ajo është më e lehta për tu praktikuar. Sakaq, nëse i teston në marrëdhënie me të tjerët, në biznes dhe komunikim me familjarët, do befasohesh nga “xhevahiret” e tyre.

 

Shpërblimi  i devotshmërisë:

 Zoti i Lartësuar do u mësojë gjëra që askush tjetër nuk i di. Zoti thotë në Kuran: “Jini të devotshëm me Zotin, që Ai t’ju mësojë..”

Të gjithë besimtarët e devotshëm, kanë privilegjin të ndihen më pranë Zotit se kushdo tjetër. “Ta dini se Allahu është me ata që janë të devotshëm (ruhen nga gjynahet).” Ti do të jesh më pranë Zotit sepse ke agjëruar siç duhet.

Për të devotshmit, nuk do të ketë as frikë dhe as pikëllim. Në Kuran Zoti thotë: “..atëherë ata që ruhen nga të këqijat dhe kryejnë vepra të mira, nuk do të frikësohen e as do të pikëllohen.”

Shpërblimi më i madh do të jetë Xheneti ku në Kuran thuhet: “Ky është Xheneti që Ne ua japim në trashëgim robërve Tanë të devotshëm.”

Të devotshmit do të jenë të ftuarit e Zotit Ditën e Kiametit ku Zoti thotë në Kuran: “Ditën, kur do t’i tubojmë të devotshmit te i Gjithëmëshirshmi, si të ftuar…”

Shtim i riskut siç thotë Zoti: “Sikur banorët e atyre qyteteve të besonin dhe të ruheshin prej gjynaheve, Ne do t’u dërgonim bekime nga qielli dhe toka…”

 

Devotshmëria dhe familja:

Me të drejtë, dikush mund të pyesë se ç’lidhje ka mes devotshmërisë dhe temave mbi familjen që kemi trajtuar gjer tani. Në fakt, lidhjet mes tyre janë shumë të ngushta. Testi më i rëndësishëm i devotshmërisë së secilit prej nesh, janë marrëdhëniet e tij familjare. Për të kuptuar nëse të është pranuar agjërimi, shih si i ke marrëdhëniet në familje gjatë dy javëve të para pas muajit Ramazan. Marrëdhëniet në familje janë peshorja e devotshmërisë dhe e sevapit të fituar gjatë Ramazanit. Nëse më parë talleshe, e vije në lojë, e qëlloje dhe ironizoje bashkëshorten dhe tashmë pas Ramazanit je distancuar prej kësaj, kjo është një shenjë e pranimit të agjërimit. Nëse pas Ramazanit nuk je më modeli i keq i prindit, siç ke qenë më parë, kjo është shenjë e pranimit të agjërimit. Nëse pas agjërimit marrëdhëniet e tua me prindërit janë përmirësuar dhe tensionet e mëparshme janë shuar, kjo është nga shenjat e pranimit të agjërimit. Testi më i rëndësishëm i devotshmërisë pas Ramazanit është pikërisht familja jote.

Për fat të keq, koncepti i myslimanëve rreth devotshmërisë, këto ditë është jo i drejtë, pasi e kanë kufizuar atë vetëm në aspektin e pamjes së jashtme. Normalisht kjo nuk është tek të gjithë myslimanët, por tek një pjesë e mirë e tyre. Ndoshta, sepse praktikimi i normave sipërfaqësore është më e lehtë.

Por nëse depërtojmë brenda shtëpive të tyre nuk gjen gjurmë devotshmërie. Tek këto shtëpi, hasim burra që ka dhjetëra vite që i kryejnë farzet në xhami, por kur shkroi testamentin e privoi vajzën e tij nga trashëgimia. Ka të tjerë që vënë dorë mbi gratë e tyre, i shajnë dhe ofendojnë edhe pse falen, luten dhe u rrjedhin lot. E për çfarë devotshmërie mund të flitet në raste të tilla? A mund të flasim për pranim të agjërimit, nëse dikush e tradhton të shoqen e tij gjatë gjithë vitit? A mund të kërkojë pranim të Ramazanit një grua e cila e tradhton të shoqin qoftë dhe me mendime? A mund të pretendojë pranim të Ramazanit një vajzë e cila shoqërohet me një djalë duke u hedhur hi syve prindërve?

 

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.