Devotshmëria pas Ramazanit, Pjesa ll

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Në vazhdim unë do të sjell disa modele njerëzish, me qëllim që secili të synojë të njëjtën gradë devotshmërie.

Gjatë ndarjes së trashëgimisë, përveç të hollave dhe pasurive, motra i kërkon të vëllait edhe pjesën e saj nga shtëpia, ku tashmë banonte vëllai me nënën e saj, pasi ajo vetë ishte e martuar. I gjendur ngushtë, i vëllai merr kredi në një bankë dhe i paguan të motrës pjesën që i takonte nga shtëpia. Atij iu deshën gjashtë vite për të shlyer kredinë në bankë. Këtë ai e bëri pa i treguar gjë nënës, thjesht për të mos e shqetësuar dhe për ti ruajtur lidhjet me të motrën.

Njoh një Medinas në Arabinë Saudite që i kishte vdekur e ëma dhe i ati ishte martuar me një tjetër. Më vonë, i vdes dhe i ati. Tani kanë kaluar dymbëdhjetë vite nga vdekja e të atit, e megjithatë, ai i ka caktuar një rrogë mujore njerkës së tij, si formë respekti dhe devotshmërie ndaj të atit.

Një vajzë, shoqërohej me një djalë, normalisht pa dijeninë e prindërve të saj. Kjo lidhje vazhdoi derisa një ditë, ajo lexoi këtë hadith: “Ditën e Kiametit, çdo tradhtari do i jepet në dorë një flamur ku është shkruar: “Kjo është tradhtia e filanit.” Ajo vetë tregon: “Që kur lexova këtë hadith, e kisha të pamundur ta shoh babanë në sy, duke e ditur se po e tradhtoj dhe mashtroj.” Ajo i ndërpreu lidhjet me djalin, jo se u zbulua, por nga devotshmëria për Zotin.

Një doktori i vdes e ëma dhe i ati martohet me një zonjë me katër vajza. Më vonë, atij i vdes dhe i ati. Megjithatë, ai vazhdon ta ftojë njerkën e tij dhe katër vajzat e saj herë pas here, për ta respektuar atë zonjë e cila e rriti dhe u përkujdes për të disa vite.

Fatime bintu Esed ishte gruaja e xhaxhait të Profetit (a.s) e cila e  rriti dhe e edukoi që tetë vjeç. Për pesëdhjetë vite Profeti (a.s) nuk e harroi të mirën e saj dhe mirënjohjen për të e shprehte kudo. Kur ajo ndërroi jetë në Medine, Profeti (a.s) u tha: “Mos e zbrisni në varr para se t’ju them unë.” Kur gjithçka ishte gati, Profeti (a.s) zbriti në varrin e saj dhe u shtri përdhe. Mandej hoqi xhyben që kishte veshur dhe ia hodhi sipër gruas së xhaxhait, edhe pse nuk kishte xhybe tjetër përveç saj. Pasi e mbështolli me xhyben e vet, Profeti (a.s) u lut: “O Zot! Ji dëshmitar që kjo grua më ka strehuar dhe është përkujdesur për mua dikur.”

Islami është devotshmëri e përkthyer në vepra, islami është realitet që zë vend në zemra.

Devotshmëria dhe zgjidhja e problemeve:

A është e mundur që problemet familjare të zgjidhen me anë të devotshmërisë? Unë personalisht besoj se po dhe këtë e mbështes në një ajet Kuranor që thotë: “Cili është më i mirë, ai që themelet e godinës së vet i vë në devotshmëri ndaj Allahut dhe në kënaqësinë e Tij apo ai që themelet e godinës së tij i vë në bregun e gërryer dhe që rrokulliset me të në zjarrin e Xhehenemit?!”[1]

Me këtë kuptojmë që ai person i cili formon familje mbi themele devotshmërie ndaj Zotit, ka ndërtuar një familje të shëndoshë dhe të fortë. Shumë prej nesh nuk i kuptojnë pasojat e rënda të gjynaheve, të cilat ndodhin për shkak të mungesës së devotshmërisë ndaj Zotit. Në çastin që themi “Ne të frikësohemi Ty o Zot dhe jemi të devotshëm” duhen lënë pas të gjithë veprat e liga dhe gjynahet. Nëse para Ramazanit të gjithë ishit të bindur se jeta me njëri – tjetrin ishte e pamundur dhe se divorci ishte i pashmangshëm, një muaj devotshmërie bën transformim rrënjësor në jetën tuaj. Nëse Zoti ua ka pranuar adhurimin dhe agjërimin, tashmë habiteni si ka mundësi që problemet e mëparshme nuk ekzistojnë më. Gabimet e mbushin shtëpinë me shejtanë, kurse veprat e mira, devotshmëria dhe adhurimet e mbushin me engjëj. Gjynahet e minojnë jetën familjare dhe e shkatërrojnë atë.

Dijetarët myslimanë që herët kanë folur mbi efektin negativ të gjynaheve. Një i ditur thotë: ”Unë e shikoj efektin e gjynaheve të mia, tek sjellja e bashkëshortes sime dhe fëmijëve të mi.” Zoti thotë në Kuran: “Çfarëdo fatkeqësie që ju godet, është si pasojë e asaj që keni bërë vetë..”[2] (Shura, 30)

Ibn Abasi thotë: ”Gjynahet të nxijnë fytyrën, të errësojnë zemrën dhe bëjnë që njerëzit të urrejnë. Sakaq veprat e mira ta zbardhin fytyrën, ta ndriçojnë zemrën dhe bëjnë që njerëzit të duan.”

Imam Shafiu thotë: “Ruhuni se mos u mallkojnë zemrat e besimtarëve pa e kuptuar!” Dikush e pyeti se si ndodh kjo, e ai u përgjigj: “Shkel urdhrat e Zotit dhe për pasojë e urrejnë besimtarët.”

Si të jemi të devotshëm në familje?

Duke e pasur Zotin si palë të tretë në marrëdhëniet e tua me bashkëshorten/ bashkëshortin. Kjo do të thotë që të veproni sipas kënaqësisë së Zotit. Nëse Zoti nuk kënaqet me ulërima, britma, sharje dhe ofendime, këto duhen shmangur nga fjalori bashkëshortor. Nëse ndonjëri prej jush e kupton se i ka rënë në qafë tjetrit dhe e di se të kërkojë falje e kënaq Zotin, të shkojë dhe të kërkojë falje. E njëjta gjë vlen edhe në marrëdhëniet mes fëmijëve dhe prindërve.

Një nga treguesit e pranimit të Ramazanit është që pas këtij muaji të krijosh marrëdhënie të reja me prindërit e tu, të lutesh për ta, të mos ua thyesh zemrën, të këshillohesh me ta, të interesohesh për miqtë dhe gjakun e tyre etj.

Fjalë zemre për bashkëshortët

Nëse ti bashkëshort, dëshiron ta kuptosh që adhurimet e Ramazanit të janë pranuar, shih mënyrën e komunikimit me bashkëshorten pas Ramazanit. Zoti na porosit në Kuran: “Jetoni e silluni mirë me to!”[3]

Sipas dijetarëve myslimanë të sillesh mirë me gratë, nuk do të thotë të mos e keqtrajtosh, por ti durosh sjelljet e pavend të saj. Është pjesë e natyrës së gruas që të nevrikoset dhe të zemërohet shpejt, prandaj Zoti i këshillon bashkëshortët ti durojnë dhe të tregohen të matur me to. Le të jetë sjellja e mirë me gratë, një nga indikatorët e devotshmërisë dhe tregues se Zoti na e ka pranuar Ramazanin me të gjithë veprat e mira.

Lidhur me gratë Profeti (a.s) thotë: “Nuk i nderon veçse një sojli dhe nuk i poshtëron veçse një sojzës.”

Nëse vazhdon ta poshtërosh, demaskosh dhe ofendosh gruan edhe pas Ramazanit, harroje sevapin e agjërimit dhe veprave të mira. Ti nuk je i devotshëm.

Në momentet e fundit të jetës së tij, në ato çaste kur po ndahej nga kjo botë, Profeti Muhamed (a.s) gjente kohë ti këshillojë pasuesit e tij të sillen mirë me gratë. Ai u tha myslimanëve: “Po u lë amanet që të silleni mirë me gratë tuaja. Kini frikë Zotin në komunikimin me gratë tuaja.”

Tregues i devotshmërisë tënde është ta respektosh amanetin dhe porosinë e Profetit (a.s.)

Në një lutje, Profeti (a.s) thotë: “O Zot! Kushdo që ngarkohet me përgjegjësi për Umetin e Muhamedit, qoftë dhe në një aspekt të jetës – ku hyn dhe përgjegjësia për gruan – dhe ai tregohet zemërbutë me ta, edhe Ti o Zot tregohu zemërbutë me të! E kushdo që ngarkohet me përgjegjësi dhe ai tregohet i ashpër me njerëzit, edhe Ti o Zot tregohu i ashpër me të!”

Ajo është një lutje tek e cila hyn edhe bashkëshorti i cili sillet mirë me bashkëshorten e tij. Hadithin e mësipërm, në përgjithësi njerëzit e marrin për qeveritarët dhe pushtetarët, por ai përfshin edhe kryetarët e familjeve dhe çdo epror tjetër.

Kur Aliu do të vine kurorë me Fatimen, vajzën e Profetit Muhamed (a.s), Profeti (a.s)  tha: “O Ali! Unë po ta jap vajzën time, me kusht që ta trajtosh mirë.”

Dijetarët thonë se ky kusht vlen për të gjithë vajzat e Umetit mysliman, pasi Profeti (a.s) është si prind i dytë për të gjithë myslimanët. Dije se në çastin që vë kurorë me një vajzë, Profeti (a.s)  të porosit në mënyrë figurative që të sillesh mirë me të.

Mos përdor o bashkëshort format e dhunshme me gruan tënde, mos e dëbo nga shtëpia dhe mos u sill ashpër me të. Zoti thotë në Kuran: “Mos i dëboni ato prej shtëpive të tyre, por edhe ato të mos dalin, me përjashtim të rastit kur shkelin martesën haptazi.”[4]

Një shenjë e pranimit të Ramazanit është se pas këtij muaji, ti ndihesh më i aftë për ti duruar sjelljet e saj të nxituara dhe të papeshuara mirë. Para Ramazanit, nuk i kapërdije dot këto sjellje të saj, kurse me realizimin e devotshmërisë gjatë këtij muaji, tashmë e ke të lehtë ta durosh dhe ti kapërcesh këto momente jo të këndshme. Pra, gruaja jote është ajo që do të testojë devotshmërinë.

Zoti thotë në Kuran: “Në qoftë se ato nuk ju pëlqejnë aq shumë, (duroni!) sepse është e mundur që juve të mos ju pëlqejë diçka, por që Allahu në atë do t’ju sjellë shumë të mira.”[5]

Ajo bashkëshorte e cila nuk të pëlqen momentalisht, po të manifestosh durim dhe maturi, do të jetë shkak i të mirave të Zotit.

Rrëfehet se një nga brezi i tabi’inëve, nuk e duronte dot të shoqen dhe vendosi të largohej nga shtëpia. Kur po dilte, e shoqja i tregoi se ishte shtatzënë, por ai ia ktheu: “Po ma përforcon idenë për tu larguar.” Atëherë e shoqja i tha: “Ajo që të duket sherr, kushedi çfarë hairi fsheh.”

Tregon vetë ky person se këtë fjalë nuk e harrova dot për njëzet vite që qëndrova larg familjes. Kur u ktheva pas njëzet vitesh, për herë të parë vajta në xhami. Atje gjeta një grup njerëzish që ishin ulur rreth një djali të ri, i cili u shpjegonte çështjet e fesë. I çuditur, pyeta dikë aty pranë: “”Kush është ky djalë?” Ai më tha: “Është Enes ibn Amir, një nga njerëzit më të ditur.” Ai djalë ishte djali im, të cilin e kisha lënë në barkun e nënës së tij. Pasi im bir përfundoi mësimin, e ndoqa pas dhe para se të hyjë në shtëpi i thashë: “Thuaji nënës tënde se tek dera është një person i cili më tha: ”Ajo që të duket sherr, kushedi çfarë hairi fsheh”. Ime shoqe i tha: “Ai është yt atë.”

Në ato çaste shpërtheva në të qara duke thënë: “Çova dëm vitet e mia më të mira, duke humbur rastin ta shoh tim bir duke u rritur, sepse nuk e durova time shoqe.”

Thotë Zoti në Kuranin fisnik: “Vetëm ata që janë të durueshëm, do të shpërblehen pa masë”[6]

Shejtani beson se shumë myslimanë e adhurojnë Zotin gjatë Ramazanit, qajnë e lotojnë për hatër të Tij, por me të përfunduar i kthehen sërish jetës së mëparshme. Lidhur me këtë fakt në Kuran thuhet: “Me të vërtetë, pritshmëria e Iblisit për ata u vërtetua; ata shkuan pas tij, përveç një grupi besimtarësh të vërtetë.”[7]

Po ti o vëlla, a do të jesh nga ai grup besimtarësh të cilët e zhgënjejnë Iblisin si gjatë Ramazanit ashtu dhe pas tij? Apo do të jesh nga ai grup të cilët vërtetojnë pritshmëritë e shejtanit çdo Ramazan?

Fjalë zemre për bashkëshortet:

Të njëjtat këshilla vlejnë dhe për ty motër. Pas çdo Ramazani, përpiqu të ndryshosh, bëj ç’mos që t’ia bësh qejfin burrit dhe të mos e nevrikosësh.

Vajti një zonjë tek Profeti Muhamed (a.s) dhe i tha: “O i dërguar i Allahut! Unë jam përfaqësuese e grave të Medines. Ato thonë: “Islami i ka dhënë burrit sevapin e xhihadit në rrugë të Zotit, namazin e xhumasë, namazin me xhemat etj. Po ne grave, çfarë na ka dhënë?”

Profeti a.s iu kthye: “Thuaju atyre grave që qëndrojnë pas teje se sjellja e mirë e gruas me burrin e saj, është ekuivalente me gjithë ato që ceke më lart.”

Është e vërtetë që yt shoq mund të mos jetë njeri i mirë dhe në këtë rast, unë të këshilloj që Zotin ta kesh si palë të tretë gjatë jetës me tët shoq. Në çdo kohë e çast, mos harro se Zoti të sheh dhe të dëgjon. Përderisa jeni nën një strehë, çdo sjellje të mirë dedikoja Zotit, bëje për hatër të Tij, sikur nuk e bën për tët shoq, bëj atë që kënaq Zotin.

Profeti (a.s) thotë: ”Dynjaja është e ëmbël dhe gjëja më e ëmbël e saj është një grua e ndershme. Kur e shikon të gëzon, kur largohet nga shtëpia, ajo e ruan nderin.”

Pastërtia e rrobave dhe rregulli i shtëpisë e gëzojnë tët shoq, prandaj adhuroje Zotin duke qëndruar e pastër, e buzëqeshur dhe gojëmbël.

Në një hadith tjetër, Profeti (a.s) thotë: “Një grua që fal pesë vaktet, agjëron Ramazanin, ruan nderin e saj dhe i bindet të shoqit, do i thuhet Ditën e Kiametit: Hyr në xhenet nga cila derë dëshiron!”

Cila prej jush është e gatshme që si tregues të devotshmërisë të ketë bindjen dhe respektin e të shoqit? Cila është gati të fitojë xhenetin duke fituar kënaqësinë e të shoqit? Thotë Profeti a.s: “Çdo grua që ndërron jetë, teksa i shoqi është i kënaqur me të, ka fituar Xhenetin.”

Një herë, ndodhesha për një ngushëllim. Një zonjë shtatëdhjetë vjeçare kishte ndërruar jetë, kurse i shoqi ishte shtatëdhjetë e pesë vjeç. Gjatë qëndrimit tim, pashë që i shoqi nuk i mbante dot lotët dhe herë pas here qante me dënesë. Disa të pranishëm i thonin ta mbajë veten, pasi nuk i ka hije, por ai sikur nuk i dëgjonte. Në një moment, ai u hodhi një vështrim qortues dhe u tha: “E si të mos qaj, kur ka dyzet vjet që jemi martuar, kurrë nuk e ka zënë gjumi pa ma bërë qejfin me diçka.”

 Fjalë zemre për familjen:

 

Kurrë mos ia lejoni vetes grindjen dhe konfliktin për të holla dhe pasuri. Kurrë mos ia lejoni vetes o vëllezër, motra e kushërinj, që të grindeni për çështje trashëgimie, apo se filani e filania kanë thënë kështu e ashtu për juve dhe fëmijët tuaj. Tregohuni zemërgjerë dhe i falni, pasi kjo është tregues i devotshmërisë. Nëse përfundon Ramazani dhe ti nuk flet me kushëririn apo xhaxhain se ka thënë për djalin apo vajzën tënde ndonjë fjalë të paqenë, kam frikë se nuk të është pranuar Ramazani.

Mistahu foli keq për vajzën e Ebu Bekrit dhe të shoqen e Profetit Muhamed (a.s) megjithatë Ebu Bekri e fali. Vetë Zoti i Lartësuar i bëri thirrje Ebu Bekrit që ta falë Mistahun dhe ashtu ndodhi. Zoti thotë në Kuran: “Le t’i falin ata dhe të mos ua marrin për keq!”[8]

Nëse dëshiron ta kuptosh nëse të është pranuar agjërimi apo jo, shih nëse e ke falur kushëririn, vëllain apo motrën. Nëse dëshiron ta dish nëse e ke arritur natën e Kadrit, nëse të janë falur gjynahet dhe të është regjistruar emri tek banorët e Xhenetit, më thuaj nëse e ke falur vëllain tënd.

E lusim Zotin të na bëjë nga të devotshmit dhe të na falë mangësitë! Amin!

 

[1] – Sure Teube: 109

[2] – Sure Shura: 30.

[3] – Sure Nisa: 19.

[4] – Sure Talak: 1.

[5] – Sure Nisa: 19.

[6] – Sure Zumer: 10.

[7] – Sure Sebe: 20.

[8] – Sure Nur: 23.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.