Dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, fillojnë nga dita e 21 e agjërimit dhe përfundojnë me përfundimin e Ramazanit, 30 ditë qoftë apo 29. Kështu, nëse muaji i Ramazanit është vetëm 29 ditë, ato janë vetëm nëntë ditë, në të kundërt, janë dhjetë.
Këto dhjetë ditë nga Ramazani, kanë një vlerë të veçantë nga të gjithë ditët e tjera, pasi ato janë ditë të cilat profeti Muhamed (a.s) e kalonte natën e tyre i zgjuar duke adhuruar Zotin. Në këto dhjetë ditë, është dhe nata e Kadrit, e cila është më e mirë se një mijë muaj.
Profeti Muhamed (a.s) i specifikonte këto ditë me më shumë adhurim, vëmendje, përkushtim dhe punë të mira.
Imam Buhari dhe Muslimi, transmetojnë nga Aisheja se Profeti Muhamed (a.s) sa herë që hynin dhjetë ditët e fundit, shtrëngonte rripin, i jepte jetë natës dhe zgjonte familjen.”
I jepte jetë natës
Ti japësh jetë natës, do të thotë ta kalosh zgjuar në namaz dhe adhurime të tjera.
Në një hadith tjetër të Aishes (r.a), transmetohet të ketë thënë: “Nuk e di nëse i dërguari i Zotit e lexonte Kuranin brenda një nate apo falej gjithë natën, apo agjëronte një muaj të plotë, përveç muajit të Ramazanit.”
“I jepte jetë natës” kuptohet se ai falej në shumicën e saj, ose të gjithë natën, duke e ndërprerë adhurimin nga syfyri dhe gjëra të tjera. Pra qëllimi është dhënia jetë e shumicës së natës.
Profeti Muhamed (a.s) e zgjonte edhe familjen e tij në këto dhjetë ditë, me qëllim që adhurimin ta kryejnë bashkërisht. Ai (a.s) e kishte zakon që t’i zgjojë edhe gjatë ditëve të tjera të vitit, për tu falur pjesërisht. Tregon Ummu Seleme (r.a), se Profeti (a.s) u zgjua një natë dhe tha: ”Subhanallah çfarë fitneje qenka sonte. A e dini çfarë shpërblimi ka për atë që i zgjon zonjat e dhomave (gratë e tij)? Ka gra që janë të mbuluara në këtë dynja, por do të dalin të zbuluara në ahiret.”
Por zgjimi i familjes gjatë dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit, ishte më i spikatur se gjatë ditëve të tjera të vitit.
Zejneb bintu Umi Seleme (r.a) tregon se Profeti Muhamed (a.s) nuk linte pa zgjuar askënd nga familja e tij, që mund të falej natën.”
Adhurimi dhe përpjekja për punë të mira
Transmeton Aisheja (r.a) se Profeti (a.s) kryente adhurim në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, adhurim që nuk e kryente në ditët e tjera.
Imam Shafiu thoshte:”Është sunet shtimi i adhurimeve në këto dhjetë ditë të fundit të Ramazanit.”
Shtrëngimi i rripit në hadithin e mësipërm, është metaforë për gatishmërinë e adhurimit dhe namazit shtesë. Kur themi shtrëngoj rripin, tregojmë gatishmërinë për një vepër të caktuar.
Një mendim tjetër është se “shtrëngimi i rripit” është metaforë për distancimin nga fjetja me gratë, gjë e cila është shumë e përdorur mes arabëve.
Kërkimi i natës së Kadrit
Një nga vlerat e këtyre dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit, është se në një nga këto ditë është dhe nata e Kadrit, një nga netët më të mira të vitit, më e mirë se një mijë muaj. Nëse një njeriu i mundësohet ta adhurojë Zotin për 84 vite, vetëm adhurimi i natës së kadrit do të ishte më i mirë dhe më i vlefshëm se këto 84 vite adhurim. Kjo është një nga mirësitë dhe vlerat me të cilat është graduar ky Umet.
Thotë imam Nekhaij: ”Puna e mirë në këtë natë, është më e mirë se puna e një mijë muajve.”
Profeti Muhamed (a.s)ka thënë: ”Kush falet natën e Kadrit, me besim dhe shpresë, do i falen gjynahet e parakaluara.”[1]
“Me besim” d.m.th me besim tek Zoti për shpërblimin që ka adhurimi i kësaj nate.
“Me shpresë” me shpresë se do e fitojë shpërblimin dhe sevapin vetëm nga Zoti.
Nata e Kadrit gjendet në një nga dhjetë netët e fundit të Ramazanit. Profeti Muhamed (a.s) thoshte: ”Kërkojeni natën e Kadrit në netët teke të dhjetë ditëve të fundit të Ramazanit!”[2]
Shohim që Profeti (a.s) thotë se nata e Kadrit gjendet në njërën nga netët teke të dhjetë ditëve të fundit.
Kjo natë gjendet më së shumti në shtatë ditët e fundit të dhjetë ditshit. Profeti (a.s) thotë në një hadith tjetër: ”Kërkojeni në dhjetë ditët e fundit, nëse dikush prej jush është i dobët, mos heqë dorë nga shtatë ditët e fundit!”[3]
Nga shtatë ditët e fundit, nata më e mundshme për të qenë e Kadrit, është ajo e 27 e Ramazanit. Kjo, bazuar në hadithin e Ubej ibn Kab (r.a), i cili kur dëgjoi se Abdullah ibnu Mesudi (r.a) ka thënë: ”Kush falet gjithë vitin e arrin natën e Kadrit” u përgjigj: ”Pasha Zotin i cili nuk ka shok, nata e Kadrit është në Ramazan. Pasha Zotin unë e di cila natë është. Ajo është nata në të cilën i dërguari i Zotit a.s na urdhëroi të adhurojmë Zotin, nata e 27 e Ramazanit. Nga shenjat e saj, është se dielli i mëngjesit i ditës që pason, është i bardhë, pa rreze.”[4]
Prandaj nga myslimani pritet që ti japë jetë kësaj nate me adhurim, përmendje të Zotit, lexim Kurani, istigfar etj…
Nata e Kadrit, kërkohet në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, duke punuar vepra të mira, jo duke mbajtur sytë nga shenja iluzionare të caktuara, siç mendojnë disa njerëz.
Zoti në Kuran na tregon se natën e Kadrit zbresin melekët, por ato i ka pas parë vetëm i Dërguari i Zotit (a.s) dhe është e pamundur të shihen nga njerëzit.
Itikafi:
Itikafi është një nga ritualet më të çmuar dhe të vlefshëm tek Zoti i Lartësuar, sidomos në këto dhjetë ditë. Aishja (r.a) na tregon se Profeti (a.s) bënte itikaf dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, derisa ndërroi jetë. Këtë traditë e ruajtën dhe gratë e tij pas vdekjes së Profetit (a.s) Prandaj dhe itikafi është i ligjshëm dhe i pëlqyeshëm. Itikaf do të thotë të mbyllesh në xhami për të adhuruar Zotin, në një mënyrë të caktuar.
Qëllimi i këtij adhurimi është që zemra dhe trupi të jenë të përkushtuar totalisht në adhurimin e Zotit dhe intimitetin me Krijuesin. Personi në itikaf e bën nijetin të pastër vetëm për Zotin e Lartësuar dhe vetëm prej Tij e pret shpërblimin dhe sevapin. Ai qëndron brenda hapësirës së xhamisë dhe nuk del që andej veçse për nevoja të domosdoshme. Gjatë qëndrimit u përmbahet ritualeve që kryhen brenda xhamie, fal namaze nafile, përmend Zotin në mëngjes e mbrëmje, pas namazeve, lexon Kuran sa më shumë të jetë e mundur, pakëson ushqimin dhe gjumin, heq dorë nga bisedat dhe fjalët pa vlerë, këshillon besimtarët që t’i përmbahen të vërtetës dhe të jenë të durueshëm.
Gjatë Ramazanit, por sidomos gjatë dhjetë ditëve të fundit, duhet shmangur çdo formë mendjemadhësie dhe shpërdorimi. Ibn Abasi (r.a) transmeton se Profeti Muhamed (a.s) ishte njeriu më bujar dhe më bujari ishte gjatë muajit të Ramazanit, kur i vinte Xhibrili (a.s). Profetit (a.s) i vinte Xhibrili (a.s) i vinte gjatë Ramazanit për të përsëritur Kuranin. Profeti (a.s) ishte më i shpejtë në bujari, sesa era e fortë.”
Bujaria dhe të bërit mirë, janë vepra të mira gjatë Ramazanit, e sidomos gjatë dhjetë ditëve të fundit. Kështu ndiqet tradita e Profetit (a.s) dhe e paraardhësve të tjerë të ndershëm. Meqë Ramazani është një muaj i shenjtë, një e mirë në këtë muaj është më e vlefshme se në çdo muaj tjetër.
Autor: Selman Aude
Përktheu: Elmaz Fida
[1] – Buhariu dhe Muslimi.
[2] – Buhariu.
[3] – Muslimi.
[4] – Muslimi.