Disa rregulla të ditës së Xhuma

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kjo është një ditë feste të cilën Allahu e ka bërë për muslimanët. Kush vjen për të falur Xhumanë duhet të marrë gusul. Ai i cili ka parfum duhet të parfumoset. Në këtë ditë përdorni misvakun!”[1]

Kuptimi i përgjithshëm i hadithit:

Dita e Xhuma është një ditë madhështore, sepse në këtë ditë muslimanët shkojnë në xhami për të dëgjuar hytben dhe për të falur namazin e xhumasë. Nëpërmjet këtij hadithi, Profeti (a.s) na mëson disa rregulla dhe etika të cilat duhet t’i kryejmë me synimin që të paraqitemi në formën më të mirë të mundshme. Në këtë hadith, i Dërguari i Allahut (a.s) na njofton se dita e Xhuma është një ditë feste, gëzimi e hareje, të cilën Allahu e ka bërë për të gjithë muslimanët në mbarë globin. Ndoshta shkaku i kësaj është se dita e xhuma është dita më e mirë e javës, ose ngaqë muslimanët mblidhen së bashku për të manifestuar unitetin e tyre, ose ngaqë dëgjojnë rreth mësimeve të fesë nëpërmjet hytbes, ose ngaqë në këtë ditë është një orë (moment) në të cilën Allahu i përgjigjet lutjes. Të gjitha këto shkaqe dhe të tjera janë arsye për muslimanin që të jetë i gëzuar.

Duke qenë se ky është statusi i kësaj dite, i Dërguari i Allahut (a.s) na këshillon që të:

1 – Marrim gusul duke larë gjithë trupin.

2 – Të parfumosemi

3 – Të pastrojmë dhëmbët me misvak, pastë dhëmbësh apo çdo gjë tjetër.

Arsyeja se përse i Dërguari i Allahut (a.s) na jep këto këshilla është shumë e thjeshtë dhe mjaft e kuptueshme: muslimani duhet të jetë i pastër dhe të mbajë erë të mirë, për shkak të kontaktit të tij me të tjerët në xhami.

Argumentet dhe dobitë e hadithit:

1 – Vlera e ditës së xhuma.

2 – Sqarimi i disa rregullave dhe etikave të ditës së xhuma.

3 – Veprimi i këtyre rregullave është Sunet dhe jo Farz.

4 – Rëndësia e pastërtisë veçanërisht në ditën e xhuma.

5 – Këshillat profetike janë të vlefshme dhe duhen të zbatohen.

Mësim praktik:

Këto rregulla dhe etika janë shumë të lehta për t’u kryer, prandaj muslimani nuk duhet t’i neglizhojë dhe as t’i anashkalojë. Nëse muslimani nuk ka mundësi të marrë gusul para xhumaje, atëherë le të marrë në mbrëmje. Gjithsekush prej nesh – në ditët e sotme – përdor parfum çdo ditë, kështu që ai duhet ta përdorë atë edhe në këtë ditë. Në mungesë të misvakut, muslimani mund të lajë dhëmbët me pastë dhëmbësh, apo të përtypë çamçakëz, gjë e cila është shumë e lehtë.

Autor: Elton Harxhi

[1] – Ibn Maxheh (908). Hadithi është Hasen.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.