Dispozita fetare mbi pjesëmarrjen në protesta

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Pyetje: “A lejohet organizimi i protestave paqësore? A lejohet pjesëmarrja në to? A është e lejueshme që protesta të startojë nga xhamia? Çfarë mendimi keni lidhur me pjesëmarrjen e grave në këto protesta? Cili është qëndrimi i islamit lidhur me përdorimin e fjalëve të pahijshme si dhe akteve të dhunës e shkatërrimit gjatë protestës? A lejohet përdorimi i forcës për të shpërndarë protestuesit?”

Përgjigje:”Protestat paqësore janë forma të shprehjes së një mendimi apo qëndrimi të caktuar. Bazuar në këtë, ato janë të lejuara, madje mund të shihen si të pëlqyeshme (mendub) dhe në raste të tjera mund të gjykohen si të domosdoshme (vaxhib). Kjo, nëse konsiderohen si një ndër mjetet e urdhërimit për mirë, ndalimit nga e keqja dhe ndërveprimit për të mira dhe devotshmëri.

Legjitimiteti i protestave:

Protestat janë të lejuara në sheriat dhe nuk konsiderohen risi (bidat), për shkak se hyjnë tek praktikat jetësore (muamelat) dhe jo tek ibadetet (ritet fetare). Veç kësaj, bidatet (risitë) nuk kanë lidhje me mjetet dhe mekanizmat. Kështu, protesta është një mjet i cili ka si qëllim të largojë shtypjen (zullumin), të përmirësojë jetesën, të demonstrojë kundër pushtuesit etj. Gjykimi mbi protestat ndryshon sipas ndryshimit të qëllimit. Kështu, nëse protestat bëhen për të ushtruar dhunë dhe për të shkatërruar, ose mënyra si zhvillohet shkakton rrëmujë dhe kaos, ato janë haram, të ndaluara.

Startimi i protestave nga xhamitë:

Startimi i protestave nga xhamia nuk është diçka e ndaluar, gjë për të cilën flet vetë besa që u jepej Kalifëve të drejtë në xhami. Ashtu siç e pranon edhe vetë roli gjithëpërfshirës i xhamisë, ku zhvillohet mësim, nisen për luftë ushtritë, mblidhen njerëzit dhe pleqërojnë, vendosen kurora martese etj. Përse të mos jetë xhamia pika prej ku startojnë edhe protestat? Por, kjo nëse protestuesit i përmbahen etikës së xhamisë dhe sjelljes islame në përgjithësi, duke e ruajtur shenjtërinë e xhamisë.

Pjesëmarrja e grave në protesta:

Nuk prish punë që edhe gratë të marrin pjesë në protesta, pasi në origjinë, gjithçka që u lejohet burrave u lejohet dhe grave, përveç disa përjashtimeve të cekura në sheriat. Por, lejimi është i kushtëzuar me mos ekspozimin e tyre ndaj diçkaje të ndaluar fe, në respekt të plotë të etikës dhe normave islame, si dhe nën sigurinë që nuk do të trajtohen keq nga policia. E gjitha kjo, sepse mënjanimi i të keqes, gëzon prioritet ndaj sigurimit të një të mire.

Bashkimi i namazeve për shkak të protestave:

Është vërtetuar se profeti Muhamed (a.s) i ka bashkuar dy namaze pa asnjë arsye. Me këtë kuptojmë që bashkimi i dy namazeve pa shkak, lejohet por me kusht që të mos bëhet zakon. Bazuar në këtë, nuk prish punë që të bashkohet dreka me iqindinë dhe akshami me jacinë gjatë protestave të gjata. Ky tolerim, përforcohet më tepër nëse ka mungesë uji, vendi të përshtatshëm për t’u falur dhe mungon siguria.

Greva e nëpunësve dhe punëtorëve”

Nuk prish punë që nëpunësit dhe punëtorët të organizojnë greva për të kërkuar përmirësim të kushteve. Siç e thamë, greva është një mjet dhe gjykohet sipas qëllimit për të cilin organizohet. Nëse organizohet për të siguruar një të drejtë të mohuar,  lejohet, por nëse organizohet për të siguruar diçka të ndaluar, atëherë është haram.

Fjalët e pahijshme gjatë protestave:

Banaliteti në fjalë nuk është pjesë e tipareve të një myslimani, sido që të jenë kushtet dhe rrethanat, në protesta apo kudo tjetër. Por nëse protestuesit përshkruajnë një realitet të jetës së zullumqarëve, nuk prish punë nëse nuk del nga kufijtë e të vërtetës. Sakaq sharja me fjalë të pista dhe të turpshme është e ndaluar dhe nuk lejohet. Besimtari nuk është banal, as gojëprishur, nuk shan dhe nuk akuzon.

Aktet e dhunës dhe shkatërrimit gjatë protestave:

Legjitimiteti i protestave nuk i bën legjitime edhe aktet e dhunës dhe shkatërrimit që ndonjëherë i shoqëron ato. Shkatërrimi dhe dëmtimi i pronave, si ato publike ashtu dhe ato private, është një sjellje e dënueshme nga sheriati. Padrejtësitë dhe korrupsioni nuk e justifikojnë situatën kaotike dhe dëmtimin e tjetrit. Prandaj gjatë protestave duhen mënjanuar aktet e dhunës.

Shkeljet e sheriatit gjatë protestave:

Veprat dhe fjalët që bien ndesh me sheriatin islam, humbja e kohëve të namazit me qëllim, bllokimi i  rrugëve dhe i trafikut, përdorimi i dhunës dhe nxitja e kaosit, fanatizmi i verbër dhe provokimet, përzierja mes dy gjinive në mënyrë të ndaluar.

Përdorimi i forcës ndaj protestuesve:

Nuk lejohet shtypja e protestuesve, as përdorimi forcës dhe rrahja e tyre. Kjo, nëse vetë protestuesit nuk i kanë tejkaluar kufijtë e protestës paqësore, si dëmtimi i pronës etj. Sakaq vrasja e protestuesve është ndër gjynahet më të rënda, pasi vrasja e një njeriu pa të drejtë ligjore radhitet tek gjynahet shkatërruese. Në raste të urdhrave të tillë, nuk lejohet që besimtari t’u bindet eprorëve në diçka që konsiderohet gjynah. Nëse detyra ndaj sheriatit bie ndesh me detyrat ndaj profesionit, gjithmonë duhen respektuar detyrat ndaj sheriatit.

Allahu e di më mirë.

Fetvadhënësi: Abdurrahman Jahja Zekerija

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *