Dobitë e konsideruara nga sheriati janë ato që vitalizojnë jetën e kësaj bote në shërbim të botës tjetër dhe që nuk aktivizohen në shërbim të egove dhe dëshirave vetjake

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Konteksti i këtij rregulli:

Ndoshta gjëja më e rrezikshme në çështjen e dobive dhe dëmeve është trajtimi dhe përdorimi i tyre sipas perceptimeve zakonore, kritereve subjektive ose prirjeve emocionale. Prandaj, gjëja më e dobishme në këtë lëmi është që dobitë dhe vlerësimet e tyre të kufizohen dhe të përcaktohen nga kritere të qarta sheriatike, si në aspektin teorik ashtu edhe në atë praktik.

Ky rregull është një nga ato kritere që përcaktojnë dobitë sipas  e objektivave të sheriatit. Ai është i bazuar në fjalët e Imam Shatibiut, i cili ka thënë: “Dobitë e kërkuara nga sheriati për t’u përmbushur dhe dëmet e kërkuara nga sheriati për t’u evituar merren në konsideratë nëpërmjet vitalitetit të jetës së kësaj bote në shërbim të botës tjetër dhe  nuk merren në konsideratë ato dobi apo dëme që kanë  lidhje me dëshirat vetjake.”

Shpjegimi i këtij rregulli:

Ky rregull shërben si një korrigjim i perceptimit që shumë njerëz kanë kur dëgjojnë se sheriati bazohet në përmbushjen e dobive dhe evitimin e dëmeve. Ata imagjinojnë se sheriati është vendosur për t’iu përshtatur dëshirave, kënaqësive dhe aspiratave të njerëzve, si dhe për të larguar çdo gjë që i shqetëson, i lodh ose u prish rehatinë dhe kënaqësinë e tyre.

Ky rregull sqaron se çështja nuk është kështu, edhe pse mund të përmbajë diçka nga kjo…

Ky rregull shpjegon se dobitë e synuara në sheriat janë dobi strukturore dhe të balancuara, të cilat shërbejnë dhe përmbushin objektivat dhe vlerat më të larta të fesë në të gjitha dimensionet e saj: mendore, shpirtërore, morale, shoqërore dhe civilizuese. Kjo nuk mund të arrihet kurrë duke ndjekur dobi të bazuara në prirje emocionale dhe epshore, duke u përqendruar vetëm tek ato dhe duke mos parë më tej ose më lart se to.

E thënë ndryshe, dobitë e synuara nga sheriati nuk kufizohen në nivelin e interesave trupore dhe instinktive, por janë interesa me një orientim të lartë, që e lidhin njeriun me Zotin e tij, me njerëzillëkun e tij, me misionin për të cilin është krijuar dhe me botën tjetër, drejt së cilës ai është duke shkuar.

Argumentet e këtij rregulli:

Imam Shatibiju ka përmendur një sërë argumentesh në lidhje me këtë rregull:

1 – Të cilin do ta cekim më vonë – me lejen e Allahut të Lartësuar – , që ka të bëjë me faktin se sheriati ka ardhur me qëllimin për t’i nxjerrë njerëzit nga robër të epsheve të tyre në robër të Allahut. Kështu që duke qenë se ky pohim është i vërtetuar, nuk mund të pajtohemi (kurrë) me supozimin se sheriati është vendosur në përputhje me dëshirat e unit (nefsit) dhe kërkimit të përfitimit të tij sa më shpejt, sido që të jenë ato.

2 – Allahu i Lartësuar thotë: “Sikur e Vërteta do të ishte sipas dëshirave të tyre, atëherë do të shkatërroheshin qiejtë dhe toka dhe gjithçka që gjendet në to.”[1]

3 – Allahu i Lartësuar thotë: “Popullit të Medjenit, Ne i dërguam vëllanë e tyre Shuajbin. Ai tha: O populli im, adhurojeni Allahun! Ju s’keni zot tjetër përveç Tij. Mos bëni hile as gjatë matjes, as në kandar. Unë po shoh se ju gjendeni në begati dhe kam frikë se do t’ju godasë dënimi i një dite, që ju përfshin të gjithëve. O populli im, matni drejt në litër dhe kandar, mos ua hani njerëzve hakun e tyre dhe mos bëni ngatërresa në Tokë! Ajo që ju është lënë nga Allahu, është më e mirë për ju, nëse jeni besimtarë, e unë nuk jam ruajtësi juaj.”[2]

Populli i Shuajbit (a.s) dhe si populli i Shuajbit gjen në çdo kohë, dobinë dhe përfitimin e tyre e shikonin duke mashtruar dhe matur mangët në peshojë me qëllim që të fitonin sa më shumë. Ata bënin shkatërrime në Tokë me lloj – lloj formash duke menduar se kështu përfitonin shumë. Allahu i Lartësuar në mesin e tyre dërgoi Shuajbin (a.s), i cili u tregoi atyre se kush ishte dobia dhe përfitimi i vërtetë për ta dhe për të tjerët duke i paralajmëruar për dëmet që ata shkaktonin, megjithëse mendonin se po vepronin mirë.

Shembuj praktik të këtij rregulli:

1 – Allahu i Lartësuar thotë: “O bijtë e Ademi! Vishuni përshtatshëm kudo dhe kurdo që të faleni! Hani e pini, por mos e teproni, se Ai nuk i do ata që e teprojnë!”[3] Në këtë ajet shohim qartë se Allahu i Lartësuar na ka motivuar që të përfitojmë nga dobia reale si në rang individi po ashtu edhe në rang shoqërie, ashtu sikurse na ka ndaluar që shkojmë pas epsheve dhe tekave.

2 – Dobitë e konsideruara në politikë sipas sheriatit nuk janë ato që dëshiron sundimtari, si pushteti, autoriteti, forcimi i pozitës, monopoli mbi urdhërat dhe ndalimet, apo zbatimi i asaj që i pëlqen dhe largimi i asaj që nuk i pëlqen. Përkundrazi, ato janë dobi që përputhen me kërkesat e sheriatit dhe parimin e konsultës (shurës), që sigurojnë mirëqenien e njerëzve, sigurinë dhe dinjitetin e tyre, si dhe që vendosin drejtësi dhe stabilitet mes tyre.

3 – Imam Gazaliu ka thënë: “Dispozitat që lidhen me kalifatin, gjykatën dhe politikat, madje shumica e dispozitave të fikhut, kanë si qëllim ruajtjen e dobive të kësaj bote, në mënyrë që të plotësohen dobitë e fesë.”[4]

Autor: Ahmet Rejsuni

Përktheu: Elton Harxhi

[1] – Sure Mu’minun: 71.

[2] – Sure Hud: 84 – 86.

[3] – Sure A’raf: 31.

[4] – “Ihja Ulumud Din”, fq: 2/108.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *