Dokumentet e Epstein-it dhe çështja e korrupsionit sistematik në peshoren e objektivave

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Ekziston një lloj dokumentesh dhe faktesh që vënë në provë etikën e institucioneve përpara se të vënë në provë etikën e individëve; këtij lloji i përkasin dhe lidhen “Dokumentet e Epstein-it”, të publikuara nga Ministria Amerikane e Drejtësisë, të cilat u emërtuan sipas miliarderit dhe financierit amerikan Jeffrey Epstein. Ai kishte ndërtuar një rrjet marrëdhëniesh të fuqishme me njerëz të biznesit, financës dhe politikës, si brenda Shteteve të Bashkuara ashtu edhe jashtë tyre, ku qëndrimet bliheshin, aleancat ndërtoheshin dhe paratë shantazhoheshin përmes seksit, në formën e tij sadiste dhe të egër, përmes shfrytëzimit të fëmijëve dhe vajzave të mitura.

Dokumentet e Epstein-it dhe korrupsioni i sistemit

Dokumentet përmendën skandale të shumta dhe, bashkë me to, emra figurash të mëdha politike, mediatike dhe intelektuale, të cilat frekuentonin shpesh “Ishullin e Epstein-it”, në një nga çështjet më të mëdha të shfrytëzimit seksual të organizuar, që shkaktoi tronditje morale, sepse ndërthuri dhunën dhe egërsinë me pasurinë dhe ndikimin:

1 – Dokumentet treguan se nuk bëhet fjalë thjesht për një devijim individual, por për një strukturë marrëdhëniesh të mbështetur mbi pushtetin, paranë dhe imunitetin, pra për kalimin nga “një individ i keq” te “një botë e korruptuar”.

2 – Dokumentet sqaruan se e keqja kaloi nga një veprim individual në një sistem mbrojtjeje, përmes ekzistencës së një ombrelle të gjerë bashkëpunimi të fshehtë, pasi askush nuk u kushtoi vëmendje ankesave të hershme të viktimave; përgjegjësit i konsideruan ato thjesht si denoncime dashakeqe ose si truke për të përfituar para nga të pasurit.

3 – Ajo që e forcoi edhe më shumë shfaqjen e një sistemi mbulimi dhe mbrojtjeje ishte mbyllja e dosjeve skandaloze përmes marrëveshjeve gjyqësore, në një mënyrë që tregoi se këto marrëveshje nuk nënkuptonin gjë tjetër veçse blerjen e heshtjes; kjo e përforcoi shmangien nga llogaridhënia dhe ndëshkimi dhe çoi në përsëritjen e krimeve, jo në ndalimin e tyre.

4 – Ajo për të cilën duhet të reflektojnë elitat amerikane, të cilat shqetësohen nga ajo që po zbulohet çdo ditë nga këto dokumente, është angazhimi në një debat reformues praktik, me synimin për të kapërcyer tri pengesa:

E para: kapërcimi i pengesës së fryrjes së diskursit të dënimit moral;

E dyta: kapërcimi i pengesës së kureshtjes patologjike që media e nxit, duke i shndërruar dokumentet në përmbajtje argëtuese, ç’ka përfundon në “normalizimin e skandalit” pa reforma, nëse nuk pasohen nga llogaridhënie institucionale transparente;

E treta: kapërcimi i pengesës së mentalitetit të shfrytëzimit politik të vesit, kur dokumentet shndërrohen në një mjet të mprehtë polarizimi dhe dosja kthehet në armë propagandistike.

Korrupsioni i sistemit nën bisturinë e kritikës së objektivave të sheriatit

Islami e klasifikon këtë lloj korrupsioni rrjetor dhe strukturor si pjesë të krimeve të mëdha të padrejtësisë dhe korrupsionit, sepse ai bashkon shkeljen e nderit, përfitimin e pasurisë së ndaluar (suh’t), si dhe dëmtimin e të dobëtve dhe të shtypurve. Për këtë arsye, Islami ka vendosur një sërë rregullash juridike të bazuara në objektiva:

1 – Dinjteti i njeriut dhe paprekshmëria e trupit janë një e vërtetë normative islame, për të cilën nuk ka vend për mohim, mohueshmëri apo falsifikim. Rrjedhimisht, nuk ekziston imunitet as për pushtetin e as për pasurinë, për të shmangur rënien në atë që quhet “mbulim institucional”.

2 – Kornizat dhe konceptet rregulluese për çështje të tilla lidhen ngushtë me ndarjen e mrekullueshme dhe unike që mbështetet në ruajtjen e pesë parimeve universale, veçanërisht tre prej tyre në kontekstin e kësaj çështjeje:

A) Nga aspekti i ruajtjes së jetës: është e domosdoshme marrja e masave që parandalojnë përsëritjen e dëmit dhe mbrojnë të mbijetuarit nga kolapsi psikologjik, vetëvrasja apo denigrimi publik.

B) Nga aspekti i ruajtjes së nderit : duhet treguar kujdes maksimal për mbrojtjen e dinjitetit të viktimave, duke ndaluar zbulimin e identiteteve ose të shenjave identifikuese, si dhe duke aktivizuar paralajmërimin e hershëm përmes parimit të urdhërimit për të mirë dhe ndalimit nga e keqja, si në nivel individual ashtu edhe institucional.

C) Nga aspekti i ruajtjes së mendjes: duhet penguar normalizimi i imoralitetit të shfrenuar, mbyllja e rrugëve ndaj kureshtjes patologjike dhe prishjes së shijes së përgjithshme shoqërore. Dhe kur merren parasysh lidhjet e ngushta që Epsteini kishte me Mossadin dhe financues sionistë, bëhet e qartë se përballja me normalizimin e imoralitetit dhe përballja me normalizimin e entitetit të së keqes dhe të shfarosjes janë dy çështje të pandashme dhe dy detyra që nuk pranojnë shtyrje.

Ndalimi i ndërmjetësimit  në zbatimin e kufijve të Allahut, në mënyrë që korrupsioni të mos shndërrohet në një sistem përmes mbylljes së syve apo favoritizmit. Një grua nga fisi Benu Mahzum, e cila gëzonte status shoqëror dhe i përkiste një familjeje me nder dhe prestigj, kishte vjedhur, dhe disa u përpoqën të gjenin ndërmjetësim për ta shpëtuar nga ndëshkimi. Ata i kërkuan Usame ibn Zejdit, për shkak të afërsisë së tij me Profetin (a.s), që të ndërhynte. Profeti (a.s) u zemërua dhe tha fjalinë e tij të famshme:
“A po ndërmjetëson në një nga kufijtë e Allahut?” Pastaj u ngrit dhe mbajti një fjalim ku tha: “Ata që ishin para jush u shkatërruan sepse, kur vidhte një fisnik, e linin të lirë, e kur vidhte një i dobët, e zbatonin ndëshkimin mbi të. Pasha Allahun, sikur Fatimja, bija e Muhamedit, të vidhte, do t’ia prisja dorën.”[1]

Trajtimi i çështjes, për shkak të rëndësisë dhe rrezikshmërisë së saj, në kuadër të politikës sheriatike, veçanërisht kur flitet për kushtet mbi bazën e të cilave shkarkohet sundimtari/imami. Këtu mjaftohemi me paraqitjen e diskutimit shkencor rigoroz dhe të saktë, përmes të cilit Imami i Dy Haremeve, Abdulmelik el-Xhuvejni (v. 478 h.), në librin e tij “Gijathu-l-umem fi iltijathi-dh-dhulem”, ka shpjeguar qëndrimin e tij mbi kryerjen nga sundimtari/imami të veprimeve që e fusin atë në përshkrimin e “fiskut” (devijimit moral), si vijon:

Në kuptimin e fiskut përfshihet pirja e alkoolit nga sundimtari ose rënia e tij në zina. El-Xhuvejni bën dallim mes fiskut fillestar dhe fiskut të mëvonshëm.

Me fisk fillestar ai nënkupton devijimin moral me të cilin kandidati për pushtet është i përfshirë para se të lidhet kontrata e emërimit dhe para se të instalohet në detyrë. Ky lloj fisku e rrëzon kandidatin nga çdo konsideratë sheriatike dhe e përjashton pa asnjë kundërshtim.

Me fisk të mëvonshëm nënkupton atë që i ndodh sundimtarit/imamit pas lidhjes së kontratës dhe pas emërimit. Për të shpjeguar qëndrimin e tij, el-Xhuvejni përmend fillimisht mendimin e një grupi dijetarësh, të cilët thonë se fiski i mëvonshëm është si fiski fillestar, dhe se të dy e bëjnë të detyrueshëm shkarkimin dhe heqjen nga detyra, sepse – sipas tyre – ashtu siç prishet amaneti dhe humbet besimi e drejtësia në fiskun fillestar, po ashtu prishet dhe humbet edhe në fiskun e mëvonshëm.

El-Xhuvejni shprehet qartë kundër këtij mendimi dhe jep një shpjegim të detajuar, thelbi i të cilit është si vijon:

Së pari: Askush nga njerëzit nuk është i pagabueshëm pas të Dërguarit të Allahut (a.s): “Kush është ai që shpëton gjatë ditës së bardhë nga rrëshqitja e tij?”

Së dyti: Kushtëzimi i vazhdimësisë absolute të devotshmërisë bie ndesh me objektivat e qeverisjes dhe të imametit dhe “në fund çon në vështirësi ekstreme në ushtrimin e autoritetit suprem.”

Së treti: El-Xhuvejni vendos prerazi se nuk lejohet zgjedhja e askujt për postin e sundimit/imametit në rast të fiskut fillestar. Por nëse bëhet fjalë për fisk të mëvonshëm pas zgjedhjes dhe legjitimimit, ai dallon mes dy rasteve:

Rasti i parë: Kur veprimi që hyn në përshkrimin e fiskut ndodh si një rrëshqitje e rastësishme, e pasuar nga pendimi. Në këtë rast, el-Xhuvejni nuk e sheh të nevojshëm shkarkimin e sundimtarit.

Rasti i dytë: Kur ky veprim ndodh në mënyrë të vazhdueshme dhe të përsëritur. Në këtë rast, sundimtari shkarkohet dhe përjashtohet pa asnjë kundërshtim. Shprehja e tij është: “Por nëse mosbindja prej tij vazhdon, padrejtësia përhapet, korrupsioni shfaqet hapur, drejtësia zhduket, të drejtat dhe kufijtë pezullohen, mbrojtja rrënohet, tradhtia bëhet e qartë, tiranët guxojnë, i shtypuri nuk gjen askënd që ta mbrojë nga shtypësi, dhe çrregullimi e kaosi përshkallëzohen deri në çështjet më madhore, ndërsa kufijtë mbeten të pambrojtur – atëherë është e domosdoshme ndërhyrja për ta ndalur këtë gjendje të përkeqësuar.”

Sipas el-Xhuvejniut, kjo ndërhyrje realizohet përmes shkarkimit, pa asnjë debat. Ajo që bie në sy është se defektet dhe prishjet që ai përmend, dhe që e bëjnë të detyrueshëm shkarkimin, përfshijnë politikën e brendshme dhe të jashtme, të drejtat e individëve dhe të grupeve – pra, një sistem korrupsioni. Megjithatë, edhe këto shembuj nga historia jonë nuk përbëjnë veçse një pjesë shumë të vogël krahasuar me përmasat e sistemit të korrupsionit që zbuluan Dokumentet e Epsteinit.

Përmbledhje:

Dy ngjarje të mëdha e kanë shënuar skenën politike dhe intelektuale botërore në vitet e fundit.

E para përmbysi ekuilibrat e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe zbuloi shumë nga sloganet e shndritshme që fshihnin egërsinë, hipokrizinë dhe degjenerimin moral; ajo është ngjarja e quajtur “Tufani i Aksasë”.

Ngjarja e dytë janë “Dokumentet e Epsteinit”, të cilat treguan se ata që fshiheshin pas mbulimit të gjenocidit ndaj popullit palestinez janë po ata që, për dekada me radhë, kanë mbuluar krimet morale dhe shfrytëzimin e të dobëtve, të grave dhe të fëmijëve, një dëshmi e qartë e një rënieje filozofike dhe vlerore të turpshme.

Autor: Ahmed Zekaki

Përktheu: Elton Harxhi

By: ardhmëriaonline.com

[1] – Buhariu.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *