Edukata e kryerjes së nevojës

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

1 – Hyrja në banjo pa pasur gjëra ku shkruhet emri i Allahut: Kur personi futet në banjo, nuk duhet të ketë me vete ndonjë gjë, në të cilën shkruhet emri i Allahut, me përjashtim të rastit kur ka frikë, se mos ajo gjë i humbet apo i ekspozohet ndonjë rreziku. Enesi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) e mbante gjthmonë unazën me vete, ndërsa kur shkonte në banjo, e hiqte atë dhe e linte mënjanë.[1] Në unazën e të Dërguarit tëAllahut (a.s) shkruhej: “All`llah, Muhamed, Resul” dhe lexohej “Muhamed Resulull`llah”.

2 – Mbulimi dhe largimi nga shikimi i njerëzve: Gjatë kryerjes së nevojës, personi duhet të fshihet nga shikimi i njerëzve. Xhabiri (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) nuk e kryente nevojën, pa u fshehur në ndonjë vend.”[2]

3 – Thënia e duasë me zë para hyrjes në banjo: Enesi (r.a) tregon, se kur i Dërguari i Allahut (a.s) donte të hynte në banjo, thoshte: “Bismil`lah, allahumme ini eudhu bike minel khubthi uel khabaith – Me emrin e Allahut! O Allah! Më mbro nga e keqja dhe të këqinjtë (xhindet)”.[3]

4 – Heshtja gjatë kryerjes së nevojës: Ebu Said Khuderiu (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: Kur dy persona kryejnë nevojën, nuk duhet të flasin, as nuk duhet të shikojnë auretin e njëri-tjetrit. Allahu i urren këto veprime[4] I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: Kur dy persona janë në banjo, nuk duhet të flasin as të dalin nga banjoja të zhveshur dhe duke folur. Dijeni se Allahu i urren këto veprime[5](144)

5 – Respektimi i Kibles: Është sunnet, që të respektohet Kibla gjatë kryerjes së nevojës, pra që njeriu të mos kthehet nga Kibla, gjatë kohës që kryen nevojat e tij. Abdurrahman ibn Zejd (r.a) tregon: “Dikush i tha Selman Farisiut (r.a): “I Dërguari juaj ju ka mësuar çdo gjë, madje edhe se si të pastroheni”. Selmani (r.a) ia ktheu: “Po, është e vërtetë…. jemi ndaluar që gjatë kryerjes së nevojës, t`i kthejmë pjesët e turpshme nga Kibla”[6] Ebu Hurejra (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: Nëse ndonjëri prej jush ulet për të kryer nevojën, Kiblen nuk duhet ta ketë as para e as mbrapa[7] Ebu Hurejrah (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka

thënë: Atij që nuk kthehet (para-pas) nga Kibla gjatë kryerjes së nevojave, i shkruhet një e mirë dhe i fshihet një e keqe[8] Ibn Umeri (r.a) thotë: “Një ditë shkova në shtëpinë e Hafsas (bashkëshortes së të Dërguarit të Allahut) dhe pashë të Dërguarin e Allahut (a.s) duke kryer nevojën, pjesën e përparme të trupit e kishte kthyer nga Shami, kurse pjesën e mbrapme nga Kibla”[9]

Në pamje të parë hadithet duket sikur kanë kontradikta, por harmonizimi mes tyre është: “Nëse dikush kryen nevojën në një vend të hapur e të parrethuar, e ka të ndaluar që ta ketë Kiblen përpara ose pas vetes. Mirëpo nëse ndodhet në një vend me mur të rrethuar, siç janë banjot, nuk ka mëkat nëse drejtohet drejt Kibles ose i kthen shpinën asaj.

6 – Vendi ku kryhet nevoja duhet të jetë i butë, në mënyrë që personi të mos ndotet: Ebu Musa (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) shkoi në një vend të butë dhe urinoi. Ai tha: Kur ndonjëri kërkon të kryejë nevojën, le të zgjedhë një vend të butë (të përshtatshëm)”[10]

7 – Nevoja të mos kryhet nëpër gropat e tokës: Katade (r.a) tregon, se Abdullah ibn Surxhus (r.a) ka thënë: “I Dërguari i Allahut (a.s) ka ndaluar, që të urinohet nëpër gropa”. Katade (r.a) e pyeti: “Përse”? Abdullahu (r.a) tha: “Ato janë shtëpitë e shumë gjallesave”[11]

8 – Nevoja nuk duhet të kryhet në hijet e pemëve, në vendet ku pushojnë njerëzit apo në vendet ku ata kalojnë (në rrugë): Ebu Hurejra (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: Ruhuni që të mos jeni nga dy grupe që mallkohen nga njerëzit. E pyetën: “E kë mallkojnë njerëzit”? Ai (Paqja qoftë mbi të) tha: “Ata që kryejnë nevojën nëpër rrugët dhe hijet e tyre (hijet e pemëve)”[12] Ibn Abasi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: Ruhuni dhe kujdesuni, që të mos jeni nga ata, të cilët ndjellin mallkimin. E pyetën: “O i Dërguari i Allahut! Kush janë ata që ndjellin mallkimin?” Ai (Paqja qoftë mbi të) tha: Janë ata që ulen dhe kryejnë nevojën në hijet që përdorin njerëzit, në rrugë dhe tek burimet e ujit[13]

9 – Ndalohet kryerja e urinës në vaskë dhe nëpër ujëra që nuk rrjedhin: Abdullah ibn Mugaffal (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: Mos urinoni në vaskë dhe pastaj të merrni abdes (me atë ujë)…”[14] Xhabiri (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka ndaluar, që të urinohet në ujin e ndenjur.[15] Në një rivajet tjetër thuhet, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka ndaluar që të urinohet në ujin që lëviz.[16]

10 – Të mos urinohet në këmbë: Aishja (r.a) thotë: “Kush thotë se i Dërguari i Allahut (a.s) ka urinuar në këmbë, mos i besoni, pasi ai gjithmonë ka urinuar ulur”[17] Tirmidhiu thotë se ky është hadithi më i pranuar që ka ardhur për këtë çështje. Hudhejfe (r.a) tregon: “I Dërguari i Allahut (a.s) u afrua tek disa plehra dhe urinoi duke qenë në këmbë. Unë u largova, por ai më tha: “Afrohu”. Pasi kreu nevojën, mori abdes dhe fshiu mbi meste”[18] Duket sikur hadithet janë kontradiktore, por harmonizimi mes tyre qëndron, se Aishja (r.a) e ka parë të Dërguarin e Allahut (Paqja qoftë mbi të) duke kryer nevojën vetëm në shtëpi, ndërsa Hudhejfe (r.a) e ka shoqëruar të Dërguarin e Allahut (Paqja qoftë mbi të) jashtë shtëpie. Ibn Mundhiri: “Urinimi ulur është më i preferuar tek unë, kurse urinimi në këmbë është i lejuar”

11 – El Istinxha: Me termin “Istinxha” nënkuptojmë mënjanimin e papastërtisë nga organet e jashtëqitjes dhe urinimit. Ky mënjanim bëhet me ujë ose me gurë. Pastrimi është sunet i fortë, që nuk duhet të lihet. Nëse papastërtia është e madhe, pastrimi është farz. I Dërguari i Allahut (a.s ) ka thënë: Kush pastrohet (me gurë), le të pastrohet tek (një herë, tre herë, pesë herë etj). Ai që e kryen këtë veprim, ka vepruar drejt e kush nuk e kryen, nuk ka bërë mëkat[19] Aishja (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kur të kryeni nevojat, merrni tre gurë me vete që të pastroheni me to, pasi ato mjaftojnë”[20] Enesi (r.a) tregon: “Kur i Dërguari i Allahut (a.s) shkonte në banjo, unë dhe një djalosh nga ensarët e ndiqnim dhe bartnim një enë me ujë. I Dërguari i Allahut (a.s) pastrohej me këtë ujë”[21]

Nuk lejohet pastrimi me bajgat apo kockat e bagëtive. Ibn Mesudi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Mos u pastroni me bajga dhe kocka, pasi ato janë ushqimi i vëllezërve tuaj prej xhindëve (muslimanë)”[22]

Mospastrimi nga urina ëshë shkak për ndëshkimin në varr. Enesi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: Ruhuni dhe pastrohuni nga urina. Dënimi më i zakonshëm në varr vjen nga pakujdesia gjatë urinimit[23]Ibn Abasi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ka kaluar

pranë dy varreve dhe ka thënë: “Këta të dy po dënohen. Ata mendonin se është gjë e lehtë ajo që bënin, por përkundrazi është shumë e rëndë. Njëri prej tyre merrej me thashetheme, ndërsa tjetri nuk ruhej nga urina kur urinonte[24]

12 – Pastrimi të mos bëhet me dorën e djathtë: Është e ndaluar që personi të pastrohet me të djathtën. Abdurrahman Ibn Zejd (r.a) tregon: “Dikush i tha Selman Farisiut (r.a): I Dërguari juaj ju ka mësuar çdo gjë, madje edhe se si të pastroheni”. Selmani (r.a) tha: “Po është e vërtetë…jemi ndaluar që t`i kthejmë pjesët e turpshme para ose pas Kibles gjatë kryerjes së nevojës. Jemi ndaluar që të pastrohemi me dorën e djathtë, jemi ndaluar që të pastrohemi me më pak se tre gurë dhe jemi ndaluar që të pastrohemi me kocka dhe bajga”[25]

13 – Pastrimi i duarve pas kryerjes së nevojës: Larja e duarve pas kryerjes së nevojës është sunet. Xheriri (r.a) tregon: “Isha me të Dërguarin e Allahut (a.s). Ai hyri në banjo për të kryer nevojat. Pasi kreu nevojat, më tha: O Xherir! Më sill ujë. Unë i çova ujë. Ai u pastrua dhe më pas e fërkoi dorën për toke”[26] Duart lahen me çdo gjë që i pastron ato.

14 – Spërkatja e organit dhe të mbathurave me pak ujë: Kjo bëhet në mënyrë që personi të mos dyshojë në veten e tij nga urinimi. Sufjan Ibn Hakem (r.a) tregon, se kur i Dërguari i Allahut (a.s) urinonte, spërkaste rrobat e brendshme”[27] Në një tekst tjetër të hadithit thuhet: “Ai urinoi, morri abdes dhe spërkati organin”[28] Ibn Umeri (r.a) e lagte organin e tij, derisa i lageshin të mbathurat.[29]

15 – Hyrja në banjo me këmbën e majtë dhe dalja me të djathtën: Është sunet që të hyhet në banjo me këmbën e majtë dhe të dilet me të djathtën. Kjo bazohet në shumë hadithe të vërteta, të cilat i japin përparësi të djathtës për punë të mira dhe të majtës për punët e tjera.

16 – Thënia e duasë pas daljes nga banjoja: Aishja (r.a) tregon, se kur i Dërguari i Allahut (a.s) dilte nga banjoja, thoshte: “gufraneke –Faljen Tënde kërkoj o Zot[30]

Autor: Rushit Musallari

[1] – Ebu Daudi (19). Hadithi është Sahih.

[2] – Ebu Daudi (2). Hadithi është Sahih për shkak të dëshmive përforcuese.

[3] – Buhariu (142) dhe Muslimi (375),

[4] – Ebu Daudi (15), Hadithi është Sahih për shkak të dëshmive përforcuese.

[5] – Ibn HUzejme (71). Hadithi është Sahih për shkak të dëshmive përforcuese.

[6] – Muslimi (262).

[7] – Muslimi (60).

[8] – Tabareniu ne Eusat (1321). Hadithi është Sahih.

[9] – Buhariu (148) dhe Muslimi (266).

[10]  – Ebu Daudi (3). Hadithi është Daif.

[11] – Ebu Daudi (29). Hadithi është Sahih.

[12] – Muslimi (265).

[13] – Ahmedi (1/299). Hadithi është Sahih për shkak të dëshmive përforcuese.

[14] – Ebu Daudi (27). Hadithi është Sahih.

[15] – Muslimi (281).

[16] – Tabareniu (1749) në Eusat. Hadithi është Makbul.

[17] – Tirmidhiu (12). Hadithi është Sahih.

[18] – Buhariu (224).

[19] – Ebu Daudi (35). Hadithi është Sahih.

[20] – Ebu Daudi (40). Hadithi është Sahih për shkak të dëshmive përforcuese.

[21] – Buhariu (152) dhe Muslimi (271).

[22] – Muslimi (450).

[23]  – Darakutni (459). Hadithi është Sahih për shkak të dëshmive përforcuese.

[24] – Buhariu (218) dhe Muslimi (292).

[25] – Muslimi (262).

[26] – Ibn Maxheh (359). Hadithi është Makbul.

[27] – Ebu Hatim (103). Hadithi është Sahih.

[28] – Ebu Daudi (168). Hadithi është Sahih.

[29] – Abdurrazaku (590). Thënie e vërtetë.

[30] – Buhariu në Edeb (693). Hadithi është Makbul.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *