Një ditë… isha unë dhe një mik imi në një taksi. Shoferi kishte vendosur një Kuran të vogël të hapur përpara në makinën e tij, ashtu siç bëjnë shumë shoferë për mbrojtje dhe siguri. Ishte një gjest i bukur nga miku im që të bisedonte me shoferin për atë Kuran të hapur.
Miku im i tha: Duket se ti e do dhe e respekton Kuranin, përndryshe nuk do ta kishe vendosur në makinën tënde?!
Shoferi tha: Po, e respektoj dhe e shenjtëroj, por e mbaj për bekim dhe ruajtje nga rreziqet.
Miku im i tha: A e lexon atë?
Shoferi tha: Jo.
Miku im tha: Po sikur të kishe një shishe me mjaltë të kulluar të vendosur në raft… a do ta lije ashtu pa e shijuar, ndërkohë që mjalti, përveç ëmbëlsisë së tij, ka edhe shërim?
Shoferi tha: Sigurisht që do ta shijoja, përndryshe pse e bleva në fillim?
Miku im tha: Po kështu është edhe Kurani… një mjaltë i kulluar… por ti e ke lënë në raftin e makinës sikur të lë dikush shishen e mjaltit në raftin e kuzhinës. Pse nuk e provon ta shijosh?
Shoferi kuptoi mesazhin, buzëqeshi dhe tha: Do ta bëj, me lejen e Allahut!
Pastaj unë u përhumba me fjalët e mikut tim, duke soditur gjelbërimin e pranverës që shpërthente gjithandej. Më kujtuan ata që e lënë mjaltin kuranor të pluhurosur në raftet e shtëpive, makinave dhe bibliotekave të tyre, pa provuar kurrë shijen e tij. Sikur ta kishin provuar njëherë, nuk do ta braktisnin për asgjë tjetër.
Sepse ky është një mjalt ndryshe nga çdo mjalt tjetër: shija e tij nuk zhduket me zhdukjen nga gjuha, por ëmbëlsia e mjaltit kuranor nuk ndahet kurrë nga gjuha e mendjes, e zemrës dhe e shpirtit.
Kjo është një ftesë për ju – o djalë mysliman dhe o vajzë myslimane – që të hapim këto shishe të nektarit dhe ta shijojmë… ose të mësojmë se si ta shijojmë!