Ezani dhe ikameti

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Nga ana gjuhësore, fjala “El Edhan – Ezan” ka kuptimin “lajmërim”. Fikhu e përkufizon Ezanin me fjalët: “Lajmërimi për hyrjen e kohës së namazit me fjalë të veçanta, të cilat janë përcjellë nga i Dërguari i Allahut (a.s)”

Ezani është nga simbolet e Islamit dhe thirrja e ezanit në një vend është shkak për largimin e dënimit të Allahut të Madhëruar nga ai vend. Ezani është sunet i fortë, ndërsa praktikimi i tij nga muslimanët është Uaxhib.

Ligjërimi i ezanit

Abdullah Ibn Zejd tregon, se babai i tij ka thënë: “Në fillim, i Dërguari i Allahut (a.s) urdhëroi që t`i bihet këmbanës për namaz, edhe pse e urrente këtë, pasi i përngjasonte të krishterëve. Kur po flija, më erdhi (në ëndërr) një njeri dhe në dorën e tij kishte një këmbanë. Unë i thashë atij: “Ma jep mua këtë këmbanë”. Ai më pyeti: “Për çfarë e do”? Unë i thashë: “Që t`i lajmëroj njerëzit për namaz”. Ai ma ktheu: “A të të tregoj për diçka, që është shumë më e mirë sesa kjo”? “Posi jo”, – i thashë. Ai u ngrit, u kthye nga Kibla dhe tha:

All`llahu ekber, All`llahu ekber

All`llahu ekber, All`llahu ekber

Esh`hedu en la ilahe il`la All`llah, Esh’hedu en la ilahe il`la All`llah

Esh`hedu en`ne Muham`meden resulull`llah, Esh`hedu en`ne Muham`meden resulull`llah

Haj`ja alas salah, Haj`ja alas salah

Haj`ja alel felah, Haj`ja alel felah

All`llahu ekber, All`llahu ekber

La ilahe il`la All`llah.

Kur po largohej, tha: “Kur të ngriheni për namaz, thoni:

All`llahu ekber, All`llahu ekber

Esh`hedu en la ilahe il`la All`llah

Esh`hedu en`ne Muham`meden resulull`llah

Haj`ja alas salah,

Haj`ja alel felah

Kad kametis`salatu, Kad kametis`salah

All`llahu ekber, All`llahu ekber

La ilahe il`la All`llah”.

Në mëngjes shkova tek i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) dhe e lajmërova për ëndrrën. Ai tha: “Kjo është ëndërr e vërtetë, dashtë Allahu. Tregoi Bilalit se çfarë ke parë dhe mësoja atij fjalët, pasi ai ka zë më të fuqishëm sesa zëri yt”.

Transmetuesi thotë: “U ngrita dhe i mësova Bilalit (r.a) ezanin, pastaj ai filloi ta thërrasë”. Umeri (r.a) ishte në shtëpi, kur e dëgjoi ezanin. Ai doli duke tërhequr rrobën zvarrë dhe duke thënë: “Pasha Atë që të dërgoi me të vërtetën (ja Resulull`llah) edhe unë kam parë të njëjtën gjë në ëndërr”. I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Falenderimi i takon Allahut”[1]

Është sunet, që në namazin e Sabahut – pas fjalëve “Haj`ja alel Felah” – të thuhet “Es`Salatu khajrum`minen`neum – namazi është më i mirë se gjumi”. Ebu Mahdhure (r.a) thotë: “I thashë të Dërguarit të Allahut (a.s): “O i Dërguar i Allahut! Më mëso sunnetet e ezanit”! I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Kur të hyjë namazi i Sabahut (koha e tij), thuaj:“Es`salatu khajrum`minen neum, Es`salatu khajrum`minen neum”[2]

Ikameti

Nga ana gjuhësore “Ikamet” do të thotë: “Qëndrim në një vend”. Fikhu e përkufizon Ikametin me fjalët: “Lajmërimi i namazlinjve që të ngrihen për të falur namazin”

Ikameti është lajmërimi për hyrjen në namaz. Ikameti është sunet i fortë, por në praktikë është Uaxhib, pra namazi nuk duhet të falet pa u bërë Ikameti, edhe pse ai namaz që falet pa Ikamet është i vlefshëm. Ikameti ka 17 fjalë.

Ebu Mahdhura (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) ia ka mësuar Ikametin me 17 fjalë:

All`llahu ekber (katër herë)

Esh`hedu en la ilahe il`la All`llah (dy herë)

Esh`hedu en`ne Muham`meden resulull`llah (dy herë)

Haj`ja alas`salah (dy herë)

Haj`ja alel felah (dy herë)

Kad kametis`salatu (dy herë)

All`llahu ekber (dy herë)

La ilahe il`la All`llah (një herë).(438)

Këtë ikamet e ka përzgjedhur Ebu Hanife.

Cilësitë që duhet të ketë muezini

1- Ta bëjë ezanin për hir të Allahut dhe jo për shpërblim: Uthman ibn As (r.a) tregon: “I thashë të Dërguarit të Allahut (a.s): “O i Dërguari i Allahut! Më bëj imam të fisit tim”. I Dërguari i Allahut (a.s)më tha: “Ti je imami i tyre. Falu sipas gjendjes së më të dobëtit të tyre dhe kur të marrësh një muezin, merr atë që nuk merr shpërblim për ezanin që bën”[3]

2- Të jetë i pastër nga papastërtia e vogël dhe e madhe: Ebu Hurejrah (r.a) ka thënë: “Thirrjen për namaz duhet ta bëjë vetëm ai që është me abdes”[4]

3- Të qëndrojë në këmbë gjatë ezanit dhe të jetë i kthyer në drejtim të Kibles: Uail ibn Huxhri (r.a) thotë: “Është e drejtë dhe sunet i ligjëruar, që ai i cili thërret ezanin të jetë me abdes dhe duke qenë në këmbë”[5] Përsa i përket kthimit nga Kibla, argument për këtë është hadithi i sahabiut, i cili pa në ëndërr ezanin.

4- Të kthehet nga e djathta gjatë kohës që thotë “Hajja alas salah” dhe ngave majta kur thotë “Haj`ja alel felah”. Ibn Ebi Xhuhejfeh tregon: “Bilali mori abdes dhe filloi të thërriste ezanin. Unë ndiqja buzët e tij sa në të majtë sa në të djathtë, kur thoshte Haj`ja alas`salah dhe Haj`ja alel felah”[6]

5- Të fusë gishtat në vesh gjatë ezanit: Ibn Ebi Xhuhejfeh thotë: “E kam parë Bilalin duke thirrur ezanin. Ai i kishte futur gishtat tregues tek veshët. Gjatë ezanit ai kthehej sa djathtas – majtas”[7]

6- Të ngrejë zërin gjatë thirrjes së ezanit dhe të pushojë pak mes fjalëve të ezanit: Xhabiri (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) i ka thënë Bilalit: “O Bilal! Kur të thërrasësh ezanin, thirre ngadalë, ndërsa kur të bësh Ikametin, thirre më shpejt”[8]

7- Të mos flasë gjatë ezanit.

8- Të kryejë ezanin në kohën e tij: Ebu Hurejrah (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Imami është garantues, ndërsa muezini është besnik. O Allah! Udhëzoi imamët dhe fali muezinët”[9] Besnikëria e muezinit është në kujdesin që tregon për kohët e namazit.

9- Të lërë kohë mes ezanit dhe ikametit, të mos e bëjë ikametin menjëherë pas ezanit: Xhabiri (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (a.s) I ka thënë Bilalit (r.a): “Lër një kohë mes ezanit dhe Ikametit, aq kohë sa ai që po ha ta mbarojë ushqimin, ai që po pi ta mbarojë pijen e tij, ai që ka hyrë në banjo t`i kryejë nevojat dhe mos u ngrini (mos e bëni Ikametin) pa më parë mua”[10]

Ai që thërret ezanin, thërret edhe ikametin. Muezini i xhamisë ka përparësi në thirrjen e ezanit dhe ikametit, ndërsa askujt tjetër nuk i lejohet që ta thërrasë ezanin apo ikametin pa lejen e tij.

Ezani, ikameti dhe imamllëku i grave

Ezani dhe ikameti nuk është detyrë për femrat. Ibn Umeri (r.a) thotë: “Nuk ka ezan dhe Ikamet për gratë” Mirëpo nëse ato e bëjnë ezanin në ambiente të veçanta themi se lejohet, por nuk është veprim i pëlqyeshëm.

Ata`u tregon: “Aishja (r.a) bënte ezanin dhe ikametin, pastaj falej si imame, duke qëndruar në saf mes tyre (grave)”[11]

Nëse femra thërret ezanin dhe ikametin në mesin e grave dhe pastaj të gjitha falen së bashku, namazi i tyre është i vlefshëm, por ky veprim është i papëlqyeshëm.

Ezani dhe ikameti në namazet kaza

Është e pëlqyeshme – madje mund të thuhet se është sunet – që të thirret ezani dhe ikameti për namazet kaza: Imran ibn Husajni (r.a) tregon, se I Dërguari i Allahut (a.s) ishte në një ekspeditë. Ata ranë në gjumë dhe u kaloi namazi i Sabahut pa e falur, derisa dielli u ngrit në horizont. I Dërguari i Allahut (a.s) e urdhëroi Bilalin (r.a) të bënte ezanin. Pas Ezanit, ai (a.s) fali dy rekatet sunet të Sabahut. Më pas urdhëroi Bilalin të bënte Ikametin dhe fali namazin.

Nëse personi ka më shumë sesa një namaz për të falur, bën ezanin dhe më pas për çdo namaz që do të falë kaza, bën vetëm ikametin.

Në luftën e Hendekut, mushrikët nuk e lanë të Dërguarin e Allahut (a.s) dhe muslimanët të falnin namazet, derisa i zuri nata. I Dërguari i Allahut (a.s) e urdhëroi Bilalin (r.a) të thërrasë ezanin dhe ikametin për namazin e Drekës, më pas e urdhëroi të bënte ikametin për Ikindi, më pas e urdhëroi të bënte ikametin për Aksham e në fund e urdhëroi të bënte ikametin për Jaci, pra e urdhëroi të bënte vetëm ikametin. Në raste të tilla, personi e thërret ezanin aty ku është dhe jo në xhami, ndërsa më pas falet.

Autor: Rushit Musallari

[1] – Ebu Daudi. Hadithi është i saktë.

[2] – Ebu Daudi dhe Nesai. Hadithi është i saktë.

[3] – Ebu Daudi, Tirmidhiu, etj. Hadithi është i saktë.

[4] – Tirmidhiu dhe Bejhakiu. Hadithi është i dobët.

[5] – Bejhakiu.

[6] – Muslimi.

[7] – Bejhakiu. Hadithi është i saktë.

[8] – Tirmidhiu. Hadithi është i dobët.

[9] – Ebu Daudi, Tirmidhiu, etj. Hadithi është i saktë.

[10] – Tirmidhiu. Hadithi është i dobët.

[11] – Hakimi.

Facebook
Twitter
LinkedIn
Pinterest
Pocket
WhatsApp

Mos humbisni asnjë lajm të rëndësishëm. Regjistrohu në buletinin tonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *