Pyetje: Cila është dispozita islame për punëtorin të cilit i ngushtohet hapësira në punë dhe nuk mund të falet gjatë orarit të tij të punës? A i lejohet atij të bashkojë drekën me ikindinë, qoftë me bashkim të hershëm apo të vonuar, apo ta vonojë namazin derisa të kthehet nga puna?
Përgjigjja: Falënderimi i takon Allahut, dhe paqja e bekimi qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe mbi ata që e ndjekin udhëzimin e tij.
Disa vëllezër shkojnë për t’u falur dhe e zgjasin namazin, dhe këtë e vërejnë punëdhënësit, dhe si rrjedhojë ua vështirësojnë atyre çëshjten e namazit. Po të dilte myslimani nga shtëpia me abdes dhe kur të vinte koha e drekës të falej sipas asaj që i lejohet: nëse ka në punë një vend për namaz, le të falet aty, përndryshe le të falet në vendin e punës, pranë tryezës së tij, dhe kjo nuk do t’i marrë më shumë se pesë minuta. Mendoj se kjo nuk do të sillte ndonjë kundërshtim.
Por ajo që ndodh është se disa punonjës ose punëtorë hyjnë në banjë për t’u pastrua, qëndrojnë aty sa të duan, pastaj dalin për të marrë abdes, pastaj falin farzin dhe sunetet e rregullta, ndoshta edhe humbin kohën duke biseduar me kolegët ose diçka të ngjashme, dhe harrojnë se shpërdorimi i kohës së punës është tradhti ndaj besimit (amanetit).
Prandaj unë mendoj që punonjësi ose punëtori të mjaftohet vetëm me faljen e farzit. Madje kam dhënë fetva për shumë njerëz që të mos i lajnë këmbët gjatë marrjes së abdesit në punë, por të dalin nga shtëpia me abdes duke veshur mestet me abdes. Pastaj, nëse kanë nevojë për të marrë abdes në punë, le të marrin abdes duke fshirë mbi meste. Myslimanit i lejohet të fshijë mbi meste për njëzet e katër orë kur është rezident dhe për tre ditë gjatë udhëtimit. Fshirja mbi meste shkurton shumë kohë.
U them punëdhënësve: është detyrë e tyre të organizojnë për punonjësit dhe punëtorët çështjen e namazit, të caktojnë një vend dhe një kohë për namaz, sipas natyrës së punës, me rregulla që të mos bëhet namazi pretekst për shpërdorimin e kohës së punës.
Ndërsa ty që ke bërë pyetjen, të them: nëse mundesh të falësh në fund të kohës së punës, bëje. Por nëse të vështirësohet, të mbyllen të gjitha dyert dhe nuk ka rrugëdalje, atëherë në këtë rast mund të bashkosh namazin, me bashkim të vonuar: kur të kthehesh nga puna, fal drekën dhe ikindinë bashkë.
Profeti (a.s) ia ka lejuar myslimanit të bashkojë drekën me ikindinë dhe akshamin me jacinë, qoftë me bashkim të hershëm apo me bashkim të vonuar. Ibn Abasi (r.a) ka thënë: “I Dërguari i Allahut (a.s) i bashkoi drekën me ikindinë dhe akshamin me jacinë në Medinë, pa pasur frikë dhe as për shkak të shiut.” Dikush e pyeti Ibn Abasin: “Ç’deshi të thoshte me këtë?” Ai tha: “Deshi që të mos e ngarkojë umetin e tij me vështirësi.”[1]
Pra, i Dërguari (a.s) dëshiroi të largojë vështirësinë nga umeti, sepse kjo fe është lehtësi, jo vështirësi; është hapësirë, jo ngushtim. Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu nuk dëshiron për ju vështirësi, por Ai dëshiron t’ju pastrojë dhe të plotësojë mirësinë e Tij mbi ju, që ju të falënderoni”[2]
Dhe thotë: “Ai ju ka zgjedhur dhe nuk ka vënë mbi ju vështirësi në fe; kjo është feja e babait tuaj, Ibrahimit”[3]
Pra, padyshim vështirësia është e hequr nga ky umet.
Fetvadhënësi: Jusuf Kardavi
Përktheu: Elton Harxhi
[1] – Muslimi.
[2] – Sure Maide: 6.
[3] – Sure Haxh: 78.



















