Në këtë temë, do të trajtojmë marrëdhëniet e Ebu Bekrit me gruan dhe fëmijët e tij. Do të përpiqemi të depërtojmë thellë në familjen e Ebu Bekrit që të zbulojmë lidhjet e këtij burri të lavdishëm, me pjestarët e familjes. Pas të dërguarit të Zotit (a.s), ai është njeriu më i mirë mes umetit të profetit Muhamed (a.s).
Ai njihet ndryshe dhe me nofkën “I besueshmi” dhe kjo për shkak se e besoi Profetin (a.s) në udhëtimin që ai bëri natën e Israsë dhe Miraxhit. Të gjithë mekasit dhe kurejshët e përgënjeshtruan Profetin (a.s) mbi këtë ndodhi, kurse Ebu Bekri tha fjalët e tij të njohura tashmë: “Unë e besoj në gjëra më të mëdha se kjo. Unë e besoj që meleku i vjen nga qielli në disa sekonda, si të mos e besoj për këtë?”
Ai njihet dhe me një nofkë tjetër “i shpëtuar”, kjo pasi Profeti a.s i pati thënë:”Zoti të ka shpëtuar nga zjarri i Xhehnemit.”
Vlerat dhe kontributi i Ebu Bekrit për fenë e Zotit janë shumë të mëdha.
Konkurrenca mes Ebu Bekrit dhe Omer ibn Hattabit
Konkurrenca dhe garimi në vepra të mira, ishte diçka normale mes Ebu Bekrit dhe Omer ibn Hattabit. Një herë, Profeti (a.s) u bëri thirrje muslimanëve për të kontribuar me pasuritë e tyre, në përgatitjen e ushtrisë. Omeri u nis drejt shtëpisë duke menduar me vete: “Sot do ia kaloj Ebu Bekrit.” Kështu, mori gjysmën e pasurisë së tij, e vuri para Profetit (a.s) dhe u ul që të shohë sesa do të sjellë Ebu Bekri. Pas pak arriti dhe Ebu Bekri me pasurinë e tij, e vendosi para Profetit (a.s) dhe i tha: “Kjo është gjithçka që kisha nga pasuria ime o i dërguari i Zotit.” Profeti (a.s) e pyeti: “Po familjes tënde, çfarë i ke lënë o Ebu Bekr?” Ai i tha:”U kam lënë Zotin dhe të dërguarin e Tij.”
Kur i dëgjoi këto fjalë Omeri, tha: “Kurrë nuk do të garoj më me ty o Ebu Bekr.”
Konkurrenca dhe rivaliteti mes tyre ishte për vepra të mira dhe në shërbim të fesë dhe thirrjes islame.
Unë do ju kërkoj që të ndalemi pak dhe ta imagjinojmë Ebu Bekrin duke hyrë në shtëpinë e tij, ku ndodhej e shoqja me fëmijët. Ai hyn, merr gjithçka që kishin dhe ia dërgon Profetit (a.s).
A është e llogjikshme që të mos ndodhë debat mes tij dhe gruas së tij, kur gjithçka që posedonin do e jepnin për interes të fesë? Kronikat nuk e përmendin një fakt të tillë, por le t’a imagjinojmë për pak çaste një njeri që hyn në shtëpi dhe merr gjithçka që kishin dhe e jep sadaka. A nuk është e mundur që gruaja t’i ketë thënë:”O Ebu Bekr! Përse e merr të gjithë pasurinë? Me çfarë do të jetojmë dhe deri kur do të vazhdojmë kështu?
A nuk është e mundur që fëmijët e tij t’a kenë kundërshtuar? A nuk është e mundur që t’i kenë thënë: “Përse të gjithë pasurinë o baba? A nuk mendon për të ardhmen tonë….?”
Të gjithë këto pyetje, janë normale që të bëhen nga ana e familjes në një rast të tillë. Por, mesa duket marrëdhëniet e Ebu Bekrit me familjen dhe fëmijët e tij ishin të mira, sepse të gjithë e pranuan me kënaqësi vendimin e Ebu Bekrit, për ta shpenzuar gjithçka që kishin për hir të fesë.
Marrëdhëniet e Ebu Bekrit me bashkëshorten dhe fëmijët e tij
Rasti i mësipërm, tregon fuqishëm mbi marrëdhëniet bashkëshortore të forta që kishte krijuar ai me gruan e tij. Ai është një tregues edhe për lidhjet edukative mes Ebu Bekrit dhe fëmijëve të tij. Këto marrëdhënie kaq perfekte ishin të orientuara drejt një objektivi të vetëm, shërbimit të thirrjes islame.
Ebu Bekri ishte miku më i ngushtë i Profetit (a.s) dhe mori pjesë në të gjithë betejat e zhvilluara mes muslimanëve dhe kundërshtarëve të tyre. Vetë Profeti (a.s) ka dëshmuar që vetëm Ebu Bekrit nuk ka arritur që t’ia shpërblejë mundin dhe kontributin që ka dhënë. Ai ishte i dhënë i tëri, me familjen dhe pasurinë, në interes të thirrjes islame.
Një nga momentet e rëndësishme ku duket qartë qëndrimi burrëror dhe vetëflijues i Ebu Bekrit, është dhe dita kur ai emigroi me Profetin (a.s) për në Medine.
Tregon vetë Aisheja, vajza e Ebu Bekrit: “Profeti (a.s) erdhi në shtëpinë tonë natën, na zgjoi, u ul me Ebu Bekrin dhe filloi t’i pëshpërisë diçka në vesh. Profeti (a.s) i kishte thënë që Zoti e kishte lejuar që të emigrojë për në Medine. Me ta dëgjuar këtë Ebu Bekri, i kishin rrjedhur lotët nga gëzimi. Ishin lotë gëzimi, pasi Ebu Bekri do të ishte shoqëruesi i vetëm i të Dërguarit të Zotit për në Medine.
E bukura në këtë rast nuk qëndron thjesht në udhëtimin e Ebu Bekrit bashkë me Profetin (a.s), por në planifikimin dhe koordinimin me gruan dhe fëmijët e Ebu Bekrit mbi rrugën që do të ndiqej gjatë emigrimit. Ajo që vërehet, është se në emigrimin e Profetit (a.s) për në Medine, e gjithë familja e Ebu Bekrit ishte e angazhuar. Diçka e tillë ishte frut i edukatës me të cilën i kishte edukuar Ebu Bekri fëmijët e tij.
Profeti (a.s) u nis bashkë me Ebu Bekrin dhe ata që i ndihmonin, u çonin ushqimin, u fshinin gjurmët nga pas që të mos i ndiqnin mekasit etj… ishin pikërisht fëmijët e Ebu Bekrit. E gjithë familja e Ebu Bekrit ishte vënë në shërbim të thirrjes islame.
Ebu Bekri dallohej dhe ishte i veçantë edhe me namazin, agjërimin, sadakanë, haxhin dhe përkushtimin e tij. Për këto cilësi, besimi i tij ishte ekuivalent me besimin e të gjithë umetit, siç e pohon këtë vetë i Dërguari i Zotit (a.s).
Duke ditur që njerëzit nuk janë të informuar mbi aspektin familjar të Ebu Bekrit, ne po e trajtojmë atë në këtë temë.
Psikologjia e Ebu Bekrit
Le të hedhim pak dritë mbi psikologjinë e kësaj figure të ndritur dhe të anës së tij shpirtërore. Një ditë, Profeti (a.s) u fliste shokëve të tij mbi dyert e Xhenetit dhe se kushdo që falej shumë, do të hynte në xhenet nga dera e namazit. Të tjerë që njihen për ndihmën dhe përkrahjen financiare të njerëzve të varfër, do të hyjë nga dera e sadakasë. Të tjerë që njihen dhe dallohen për agjërim të shumtë, do të hyjnë nga dera e agjërimit, Rejjan. Ata që kanë luftuar për këtë fe, do të hyjnë nga dera e xhihadit… e kështu me radhë. Teksa po e dëgjonte, Ebu Bekri e pyeti:”A ka ndonjë që do të hyjë nga të gjitha dyert o i dërguar i Zotit?” Profeti (a.s)i buzëqeshi dhe i tha:”Po o Ebu Bekr dhe unë shpresoj që të jesh ti.”Diçka të tillë, Profeti (a.s) nuk ia tha për t’i bërë qejfin mikut dhe shokut të tij më të ngushtë. Ebu Bekri ishte model i mirë në çdo gjë.
Një ditë tjetër, Profeti (a.s) i pyeti shokët e tij: “Kush prej jush agjëron sot?” Ebu Bekri u përgjigj: “Unë o i dërguar i Zotit.” Profeti (a.s) pyeti sërish: “Kush ka përcjellë një të vdekur për në varreza sot?” Ebu Bekri u përgjigj: “Unë o i dërguar i Zotit.” Profeti (a.s) i pyeti: “Kush ka vizituar një të sëmurë sot?” Ebu Bekri u përgjigj: “Unë o i dërguar i Zotit.” Profeti (a.s) i pyeti për të katërtën herë: “Kush ka dhënë sadaka sot: “Ebu Bekri u përgjigj:”Unë o i dërguar i Zotit.”
Këto ishin katër pyetje, të cilave iu përgjigj vetëm Ebu Bekri. Por a e dini se çfarë kohe ishte kur Profeti (a.s) ua drejtonte shokëve të tij këto pyetje? Diçka e tillë ndodhte direkt pasi kishin falur namazin e sabahut. Kur e kam lexuar për herë të parë këtë hadith, unë jam shtangur. Si ishte e mundur që dikush t’i kishte vepruar këto katër vepra të mira, që pa falur namazin e sabahut?! Për të mbledhur më shumë informacione mbi këtë, lexova komentet e dijetarëve të nderuar mbi këtë hadith. Ata përmendnin që ndërkohë që Ebu Bekri kishte dalë për të vajtur në xhami, kishte parë disa njerëz duke përcjellë një të vdekur për në varreza dhe u ishte bashkangjitur. Gjatë rrugës së kthimit, ai kishte kaluar pranë shtëpisë së një muslimani të sëmurë dhe kishte hyrë e ishte interesuar për gjendjen e tij. Para se të hyjë në xhami, kishte parë një lypës, të cilit i kishte dhënë diçka për të ngrënë.
Përsa i përket përcjelljes së një të vdekuri, duket qartë dimensioni njerëzor i Ebu Bekrit. Ai gjendej kudo që kishte nevojë. Përsa i përket lëmoshës që i dha lypësit, shfaqet qartë dimensioni i tij fetar. Në agjërimin e tij, duken lidhjet e tij të forta me Zotin.
Nëse me mentalitetin tonë modern, do të depërtonim thellë në personalitetin e Ebu Bekrit, do të gjenim që ai përpiqej të kultivojë qëndrueshmërinë dhe qetësinë shpirtërore dhe edukative. Nëse modele të tilla do ekzistonin në familjet tona, ne do kishim të garantuar një brez të ri të ndershëm dhe të suksesshëm.
Po të studionim me kujdes jetëshkrimet e dijetarëve muslimanë si Shafiu, Theurij, Euzaij etj… mbi mënyrën se si u edukuan, do të gjenim se ata kishin modele të caktuara, prej të cilëve ishin edukuar dhe frymëzuar.
Gjatë këtyre temave, ne do të përpiqemi që këtyre modeleve t’u qasemi në nivel personal dhe familjar.
Kur babai është bamirës, përcjell të vdekurit muslimanë, ndihmon të varfërit, agjëron… patjetër që vepra të tilla do të lënë gjurmë në psikologjinë e fëmijëve dhe familjes në tërësi.
Personalitetin dhe shpirtmadhësinë e Ebu Bekrit, ne e shohim të pasqyruar dhe tek fëmijët dhe familja e tij.
Uniteti i umetit, proekupim i Ebu Bekrit
Po të kujtojmë ndodhinë ku vajza e tij u akuzua për imoralitet, do na vijë ndërmend reagimi i Ebu Bekrit, reagimi i gruas së tij Ummu Ruman dhe reagimi i vajzës së tij, Aishes. Ebu Bekri pati një qëndrim të tillë që konsistonte në ruajtjen e unitetit të muslimanëve. Bashkë me Profetin (a.s), ai priti pafajësinë e Aishes, të cilën e shpalli vetë Zoti në Kuran.
Të njëjtën frymë për ruajtjen e unitetit mes muslimanëve, ai e shpalosi dhe gjatë luftrave kur shumë fise arabe e braktisën islamin pas vdekjes së Profetit (a.s). Uniteti i muslimanëve rreth fjalës “La ilahe il-lallah Muhamed resulullah” ishte objektivi kryesor i Ebu Bekrit.
Ne sot jemi dëshmitarë të një krize përçarjeje mes umetit musliman, gjë e cila duhet të kalohet me bashkim forcash dhe energjish dhe jo anasjelltas.
Ebu Bekri është një shkollë, të cilën e ndërtoi mbi mësimet që mësoi nga vetë i Dërguari i Zotit (a.s).
Një ndodhi tjetër që meriton t’i kushtohet vëmendje, është dhe ajo që përmendëm më lart, ku Ebu Bekri kontriboi me të gjithë pasurinë që kishte, në shërbim të fesë dhe thirrjes islame. Këtu del në pah rëndësia e thirrjes islame, rëndësi të cilën duhet t’a ndjejë çdo familje dhe individ musliman.
Me këtë rast, më kujtohet një biznesmen musliman, i cili objektivin e tij kryesor kishte thirrjen islame. Në çdo projekt që ndërmerrte, ai studionte fillimisht dobitë që kishte thirrja islame në rast suksesi. Interesi rreth të ardhurave dhe dobive financiare, ishte në rend të dytë.
Tregtia në shërbim të thirrjes islame
Ebu Bekri ishte tregtar, madje ishte një nga tregtarët më të mëdhenj të Mekes. Zakonisht merrej me shitblerjen e pëlhurave. Investimin e pasurive dhe tregëtinë, ai e shfrytëzoi në investimin e vlerave morale dhe fetare.
Shumë familje biznesmenësh, i edukojnë fëmijët e tyre me frymën e biznesit dhe tregëtisë. Ndërkohë që Ebu Bekri edhe pse ishte tregtar dhe biznesmen, i edukoi fëmijët e tij me frymë ekonomike, fetare, morale dhe edukative dhe një frymë të tillë, ai e kishte mësuar nga vetë Profeti (a.s).
Një studiues i jetëshkrimit të Ebu Bekrit, vëren që ai kishte një objektiv të qartë në jetën e tij, i cili konsistonte në bashkimin e energjive për t’i shërbyer sa më mirë kësaj feje. Ebu Bekri dhe sahabët e tjerë, edhe pse jetonin në varfëri dhe vuajtje, kishin një objektiv dhe synim në jetë. Po ti o vëlla dhe o motër, cili është objektivi dhe synimi juaj në këtë jetë? Vallë çfarë kontributi kemi dhënë për këtë fe?
Një nga ftuesit muslimanë, iu ankua një të dituri mbi degjenerimin, shturrjen morale dhe korrupsionin e përhapur kudo. I dituri i tha: O biri im! Njerëz të tillë, ngritën lart flamurin e degjenerimit dhe rreth tyre u grumbulluan njerëz të shumtë. Ne duhet të ngremë flamurin e pastërtisë morale dhe shpirtërore, që të mblidhen njerëzit rreth tij.
Teksa flasim mbi Ebu Bekrin, më vjen ndërmend një nga muslimanët bashkëkohorë, i cili ashtu si Ebu Bekri, veten, familjen dhe pasurinë i ka vënë në shërbim të ftesës islame. Ai është kuvajtiani Abdurrahman Sumejt. Të gjithë kohën dhe gjithçka që posedon, ai ia ka kushtuar thirrjes islame në Afrikë. Ai është bërë shkak që mbi njëmijë persona të pranojnë islamin para tij. Ai vetë, gruaja dhe fëmijët, i janë përkushtuar këtij misioni sa të vështirë aq dhe të këndshëm.
Kohët e fundit jam takuar me një të ri, i cili më tregoi historinë e tij të çuditshme të martesës. Gjatë kohës që kërkonte një vajzë për t’u fejuar, me çdo vajzë që i propozonin, ai takohej dhe e pyeste nëse mbante të njëjtin interes dhe përkushtim ndaj thirrjes islame. Ai vazhdoi kështu, derisa më në fund gjeti një vajzë e cila ndante me të, të njëjtin shqetësim dhe interes. Tregon ky i ri: Shkaku i lumturisë familjare që gëzoj sot, është pikërisht se ne si familje ndajmë të njëjtin interes dhe përkushtim ndaj thirrjes islame.
Në fund, paqja e Zotit qoftë mbi ju!
Autor: Xhasim Mutaua
Përktheu: Elton Harxhi